Kulturë
S. Guraziu: Një burrë e një grua, n’mes të Parajsës, dhe s’merren vesh!
E diele, 05.12.2021, 01:57 PM
Një
burrë e një grua, n’mes të Parajsës, dhe s’merren vesh!
Nga
S. Guraziu – Ars Poetica, N 2021
1 – “Pashprehshmëria e
Zotit”
Kuptohet,
për besimtarët Zoti s’rri “fshehur” diku prapa reve, mirëpo duke qenë
trans-universal, për njeriun është i pakapshëm, i padukshëm, i pakapërthyeshëm.
Si ilustrim (na duhen shembujt) le t’ia fillojmë me ndonjë shembull – psh.,
sipas besimtarëve të krishterë, Zoti veç e ka “zbuluar veten si trinitet”, si
nje trio personash. Mirëpo Zoti mund të “shihet” vetëm me përvojën shpirtërore,
nëse kihet a ndjehet nevoja të shihet, nëpërmjet “dritareve metafizike”.
Universi shpirtëror është univers në vete, sikur dhe universi fizik që është
një univers më tepër i Multiversit. Anise, as vetë “string-teoricienët” s’e
kanë idenë sa universe mund t’i ketë Multiversi…
Sipas
besimtarëve, “pashprehshmëria e Zotit” lidhet me paaftësinë e njeriut si qenie
(dmth. pafajësisht) për ta kuptuar madhështinë hyjnore, jo vetëm me anë të
arsyes, por dhe me anë të “zbulesës” (e madje dhe qoftë me anë të “zbulesës”
shkencore a filozofike). Sa më shumë që Zoti e zbulon veten (dhe kështusoj sa
më shumë njeriu e njeh) aq më i “pashprehur” bëhet (dtth. si rrjedhojë, aq më
pak mund të kapërthehet madhështia e tij – psh. mund t’flitet për omnipotencën
në termat e imagjinates, por realisht me mendje s’mund të kapërthehet “omnipotenca
hyjnore”… etj etj).
2 – Dikur… , fare në
bisht të kohëlinjës historike
Lilita,
gruaja e parë e Adamit (që para Evës, dhe ndryshe nga Eva) ishte krijuar nga e
njëjta lëndë (materie) zanafillore sikur dhe homologu i saj, Adami. Gjatë një
shetie lëndinave-lulishteve të Edenit (atëherë pra, gjatë vetë “para-kohës”)
Lilita do takohej me Luciferin dhe do ta kishin një bisedë mjaft miqësore.
Luciferi (“Ylli i Mëngjesit”) në atë pikë s’i kishte punët dhe aq mirë me Zotin
(takimi pati ndodhur pasi Zoti e kishte “paralajmëruar” – Krijuesi ia pati
tërhequr vërejtjen Luciferit që t’rrinte urt, që t’mblidhte mendjen, që t’mos
ligësohej).
Gjatë
bisedës e sipër Luciferi do ta bindte për idenë e problematikës, Lilita do t’i
besonte. Ai pati argumentuar se, duke qenë e krijuar nga balta njësoj sikur dhe
Adami, ajo ishte e barabartë me të, andaj s’duhej t’rrinte “nën” të, as e
“nën-shtruar”, as e “nën-privilegjuar”, assesi një marionetë e burrit dhe as e
lidhur me fijesh të “burracakëve”. Afërmendsh, Lilita do ndriçohej nga fjalët e
“Yllit Mëngjesor” dhe do këndellej.
Menjëherë
pas kthimit në “shtëpi”, Lilita dhe Adami do ia fillonin me zënkat e me
grindjet. Pastaj, herët a më vonë do vinte koha e ëmbëlsirave, ajo thjesht do
refuzonte të shtrihej “nën” të (gjë që kurrë s’kishte ndodhur më parë). Sipas
saj edhe Adami duhej ndonjëherë “përfundi”. Adami do i kundërvihej, sipas tij
ai duhej “sipër”, meqë burri ishte superior. Lilita do ta kundërshtonte duke i
thënë se të dy qenë krijuar të barabartë…
Ndoshta
grindja do ketë zgjatur tërë natën, ndoshta tërë javën… s’ka të dhëna,
specifikat më të “hollësishme” rreth detajeve të kësaj zënke mungojnë.
Gjithsesi, e qartë se Adami na pati ngelur me gishta n’gojë, asgjë të ëmbël atë
natë. Në thelb Lilita e ngratë thjesht po ia kërkonte atë “barazinë bazike”.
Nëse ai na qenkësh “mbret”, atëherë dhe ajo qe supozuar t’na ishte
“mbretëreshë”, s’është se po i kërkonte kushedi çfarë. Burri i parë i botës
assesi t’i pranonte “xhentilesat”, assesi të kulturohej një grimë, si superior
ndjehej i “fyer” që ndonjëherë dhe gruaja t’na ishte “sipër”.
Pra
duke dështuar ta fitonte barazinë legjitime të “poshtë-lart-pozitës”, në
dëshpërim e sipër Lilita do ta klithte “Emrin e Pashprehshëm” të Zotit dhe do
ta linte Adamin ashtu të zemëruar, qyqe fillikat. Pas ikjes së saj, Adami e
pati parë të udhës të ankohej tek Zoti, ankesa ishte e thjeshtë: “gruaja kishte
ikur, e kishte braktisur”. Padyshim Zoti atëbotë do jetë prekur sa s’ka më, 1
burrë e 1 grua n’mes të Parajsës dhe t’mos merren vesh… ehuuu. Apo mbase,
natyrisht disa gjëra dhe i kishte parallogaritur, kuptohet i gjithë skenari
“kush poshtë e kush lart” Zotit i ishte i paranjohur.
Pa
humbur kohë tre engjëj dritëbardhë qenë ngarkuar me detyrën t’ia kthenin gruan
rishtas në “shtëpi”. Gruan e ikur engjëjt do e gjenin diku buzë Detit të Kuq, e
lehtë për engjëjt ta gjenin mirëpo problemi do përkeqësohej, ajo thjesht
s’donte të kthehej. Lilita kishte vendosur të lahej e rrezitej aty në plazh, më
mirë ta mbyste mërzinë në vetmi sesa t’i kthehej atij derdimenit… pa asnjë
“fije” kulturë, madje na mbahej gjoja si burrë “superior”, superioriteti i tij
donte vetëm “lart”, kurrë “poshtë”.
Sidoqoftë,
edhe engjët ishin nën urdhrat dhe instruksionet specifike, do ta kërcënonin me
humbjen e 100 fëmijëve të saj çdosecilën ditë, nëse t’mos i kthehej Adamit.
Lilita do këmbëngulte në refuzimin – kërcënimi i engjëjve dhe vendimi i Zotit
do ishte fundimtar, si rezultat do ndëshkohej me vdekjen e gjithë fëmijëve të
saj.
Dhe
kështu, Lilita e gjorë do përjashtohej përgjithmonë nga Kopshti i Edenit, e
zhytur në mjerim e dhimbje, e braktisur nga çdo mirësi e botës rrotull.
Më
vonë (njësoj siç e pati takuar Luciferin) do ta takonte Samaelin. Edhe ky na
ishte skajshmërisht i lënduar sepse i dëbuar nga “sfera hyjnore”. Dhimbja e tij
ishte e pakufijshme, vetëm Krye-engjëjt e dinë (t’jesh “engjëll i rrëzuar” a i
dëbuar… mbase s’është asfare e lehtë). Zoti e pati dëbuar për shkak të
urrejtjes dhe të pikëpamjeve mizantropike që kishte për njerëzimin. Shih pra,
edhe Krye-engjëll i Zotit, dhe s’i donte njerëzit, arrogancë që ç’ke me të,
arrogancë engjëllore!
Meqë
Lilita ishte “njerëzore”, fillimisht Krye-engjëlli s’do ta përfillte, e mbase
do ishte dhe armiqësor ndaj saj. U muar vesh, asgjë e “njerëzores” s’i
pëlqente… Mirëpo Lilita do e kishte vëmendjen e tij duke deklaruar se ideja e
ekzistencës së saj vetëm sa për t’qenë e nënshtruara e Adamit s’pinte “ujë”,
roli i caktuar nga Krijuesi thjesht si “e nështruar e Adamit” padyshim ishte
diç si “pëlhurë për sytë e saj”, për ta mbajtur të “verbër” nga gjetja e një
qëllimi më të lartë ekzistencial. Kështu që s’donte t’ishte pjesë e “hesapeve
njerëzore”, as grua e nën-shtruar e Adamit. Më me dëshirë do ishte “sipër
njerëzve, sipër Adamave… sesa poshtë tyre”.
Lilita
gjithashtu do ia bënte me dije se tashmë edhe ajo kishte t’njëjtën pikëpamje sa
i përket “natyrës njerëzore”. Më në fund do ta bindte Krye-engjëllin se ishte
aleate e tij, se ia vlente t’kishte besim tek ajo. Në fund të fundit edhe
Krye-engjëlli thjesht një i dëbuar, një i lënduar. Lilita e njihte mjaft mirë
dhimbjen e tij, do dinte dhe të “përkujdesej” për gjendjen e për lëndimin e
tij.
3 – Tani, e sotmja, fare
në fill të kohëlinjës…
Prapë
si shembull, të krishterët nuk besojnë në 3 perëndi por në 1 (nëse t’na ishin 3
perëndi… atëherë mbase besimi i tyre do quhej Triteizëm). Nga ana tjetër, jo të
gjithë të krishterët besojnë se Ati, Biri dhe Fryma… Shpirti i Shenjtë janë 3
“forma” të Zotit (diç si, avulli, uji, akulli, diç si analogji… si 3 modalitete
molekulare të materies). Psh. pikërisht kështu besonin modalistët e
“lashtësisë” (sa herë t’jetë më gjatë se 1 mijëvjecar, unë thjesht ia them
“lashtësi” : ) Që nga lashtësia dhe ende sot e kësaj dite njësoj besojnë dhe
modalistët modernë – kjo formë e besimit quhet Modalizëm.
Triniteti…
ose doktrina e krishterë e Trinitetit, perëndinë e përkufizon si 1 Zot i vetëm
ekzistent në 3 persona të barabartë, pra si një trini bashkëthelbësore:
Zot-Ati, Zot-Biri dhe Zot-Shpirti i Shenjtë. Sipas logjikës pritet ta kuptojmë
se fjala është për tre persona të ndryshëm që e ndajnë një thelb (të qenësisë).
3-Zot-personat përcaktojnë se kush është 1-Zoti, ndërsa një thelb i vetëm
përcakton se çfarë është Zoti (thelbësisht).
Kjo
doktrinë njihet si Trinitarizëm, ndërsa e kundërta si Anti-trinitarizëm. E
fundit i ka disa “nuanca” të mospajtimit me Trinitarizmin, nuancat janë mjaft
“origjinale” sa i përket dallimit, përfshijnë Unitarizmin, Binitarizmin dhe
Modalizmin.
Dhe
s’e mohon kush, Trinitarizmi është një doktrinë mjaft e “koklavitur” por dhe
temë simpatike, e nxehtë, mjaft e disku-rrahur. Madje as vetë kryeqendrat
kishtare të Perëndimit e të Lindjes nuk pajtohen sa i përket Trinitarizmit,
“sqarimi teorik” më i zakonshëm i perëndimorëve zor se do pranohej nga
lindorët, sikur që vlen dhe anasjellëza.
Hm,
nëse 1 burrë e 1 grua dikur, që nga zanafilla, n’mes të Parajsës… dhe s’do
merreshin vesh, nëse vetë Zotit i qe imponuar të “intervenonte”, atëherë mbase
s’kemi pse çuditemi as me “mosmarrëveshjet” Lindore-Perëndimore të së tashmes.
Zoti e dinte atëherë në fill të vetë zanafillës, sikur që Zoti e di dhe tani…
Natyrisht,
ka disa teori rreth Trinitetit, teori të kolorizuara, mjaft të “polarizuara”.
Disa prej teorive (kuptohet, sipas njohësve të çështjeve të besimit) janë tepër
të gabuara, aq të gabuara sa rrjedha s’kishte si rridhte ndryshe, por janë
shpallur “teori heretike”. Prapë, s’duhet rrudhje vetullash “habitore”, edhe
teoritë moderne mund t’jenë “heretike”, njësoj si dikur në Mesjetë njësoj dhe
sot e kësaj dite…
Dhe
pra si t’ngelet njeriu i kthjellët me buzëqeshjen, kur dhe këta të akuzuarit
për “herezi” thjesht besimtarë, të devotshëm e krenarë. Krijohet përshtypja
sikur besimtarët e taborreve moderniste na dilkan në oborr për t’i akuzuar
besimtarët e taborreve tjera për “heretizma”, per t’i refuzuar teoritë e tyre.
Ngatërrimi vetëm sa shkon e thellohet, i degjojmë mirë se ç’thonë të gjitha
palët, mirepo s’vonon dhe e pashmangshme, logjika na bëhet lëmsh. Ja pse dhe
teologët thonë se shumë të krishterë VETË e pranojnë që NUK e kuptojnë
“trinitetin”, sikur dhe po aq shumë të krishterë realisht s’e kuptojnë… ama
pandehin se e kuptojnë.
Tekefundit
triniteti i të krishtereve është vetëm 1-ri nga sa të duash “trinitete” të
kësaj bote, psh. Hindu-panteoni përbëhet jo nga 1… por nga 2 trinitete (pse
vetëm 1 nëse mund t’i kesh 2), pse jo një trini perëndish dhe një trini tjetër
perëndeshash, trinia “Trimurti” përbëhet nga tre perënditë kryesore, e që janë
Brahma (Krijues), Vishnu (Ruajtës) dhe Shiva (Shkatërrues), trinia “Trimurti”
ekuivalentohet (barazohet) dhe kontrastohet me trininë “Tridevi” të
perëndeshave, e që janë 3 perëndeshat kryesore të panteonit; Sarasvati
(Krijuese), Lakshmi (Ruajtëse) dhe Kali (Parvati – Shkatërruese).
Gjithsesi,
e qartë, Trinitarizmi është doktrinë themelore, doktrinë thelbësore e
Krishterimit, ashtu me “paqartësinë” e vet sikur na e thotë që s’mund të
kuptohet logjikisht. Zoti s’rri “fshehur” prapa reve, është shfaqur si
uni-zot-trinitar, por mund të “shihet” vetëm si përvojë shpirtërore. Triniteti
nuk “përputhet” me logjikën, dhe prandaj as që mund të kuptohet me anë të
logjikës, përveç si përjetim shpirtëror. Po ashtu, e qartë se “përjetimi
shpirtëror” s’ka si ndryshe por totalisht diç si “përvojë subjektive”.
Shpirtrat, ashtu në natyrën e vet të pafajësisë, mbase mjaft “kureshtarë”, mund
t’kapën për akëcilën teori kashtologjike, secili shpirt e ndjek “teorinë” e
vet, sipas ndjenjës dhe përvojes së vet. Dhe bota kurrë s’ka qenë më e mbushur
me shpirtra e frymorë, e di Zoti si “qeverisen” botët… s’jemi duke iu përzier
ama… hm! Dikur vetem 2 shpirtra, sot panumër shpirtra…
Nëse
thuhet se Zoti është 1 + 1 + 1 = 1, ekuacioni na kalamendet dhe e qartë se
alogjik, mirëpo duke patur besimin ja që mund t’ketë dhe “logjikë shpirtërore”.
Logjika e arsyes jo, por ama ajo shpirtërorja mund të ushqehet me besimin se
Zoti është njëkohësisht 3 = 1. Është sepse thjesht mund t’jetë, sepse është i
pakufizuar dhe omni-potent, sepse trinitaristët besojnë se është, sepse
ashtu-kështu mister i pakapërthyeshëm, sepse Zoti s’është “njerëzor” por
hyjnor, sepse madhështia e Zotit është trans-universale (s’është vetëm gjoja
“universalitet tokësor”), sepse Zoti është pafundësisht… gjithçka, sepse,
sepse, panumër sepse.
Njëkohësisht
3 dhe 1 – ky pohim si “direktivë” doktrinare, si zgjidhje e enigmës “alogjike”
është pakashumë thelbi i Trinitetit, është diç si shpëtim, në fakt.
E
qartë se njeriu e ka “gjuhën” të vogël (rishtas e qartë – për arsyet që i janë
të njohura perëndisë), njeriu s’ka ndonjë “gjuhë” tjetër më të aftë për ta
përshkruar një diç si koncept që s’kapërthehet. Por njeriu ka nevojën
shpirtërore, arsyen filozofike për ta kuptuar veten, un-in e vet, shpirtin e
vet… në relacion me madhështinë hyjnore.
Andaj
nëse “ekuacioni alogjik” 1 + 1 + 1 = 1, nëse paqartësia e mistershme” e
Trinitetit na qenka mjaftueshëm satisfaksionale, atëherë s’kanë pse “skuqen” as
Perëndimi as Lindja për mospajtimet rreth teorive. Kushedi, nesër mund t’i
shkrep dhe Jugut për mospajtim, Perëndimoret e Lindoret ngelin të “mospajtuar”
por ama dhe Jugorëve u lind dëshira t’i ndjekin konformizmat rreth ideve të
reja. Ndoshta dhe Verioreve thjesht u shkrepin tjera teori e risi, kurrë
s’duhet thënë kurrë. Sa çarjet, sa degët e nëndegët, sa rrembat e sa gjembat i
njohi e kaluara yyyyyyy… dhe vetëm Lisi i “fraksioneve” të Amerikës si
shembull, ashtu si një rrap disa-shekullor me kurorën madhështore, do na
trulloste me marramendjen.
Triniteti
mbase është po aq dhe njëfarëlloj “qetësie e arsyes”, jo vetëm qetësi
satisfaksionale e shpirtërores, për sa kohë e vërteta e natyrës hyjnore ngelet
e panjohur, përtej njeriut (dmth. prore andej, diku në anën tjetër të
“misteriozitetit”). Të këndejmën e misterit të krishterët e besojnë siç ata
besojnë se duhet ta besojnë; herë me trinitarizmat e herë me anti-t, herë me
unitarizmat, herë me modalizmat, binitarizmat, triteizmat, parcializmat,
monarkionizmat, adoptionizmat, arianizmat…
Padyshim, të gjitha pikëpamjet dhe teoritë e besimtarëve justifikohen nga vërtetësia (qëkur Zoti mund të “shihet” vetëm me përvojën shpirtërore, qëkur përvoja shpirtërore ashtu-kështu subjektive, qëkur besimi ashtu-kështu e justifikon veten, andaj dhe ndodhin “fraksionet”, mospajtimet, degët etj.) – Zoti thjesht vazhdon i mistershëm, ishte dhe akoma ngeli ai fantomiku i mistershëm, një mister i “madh”.
[
mit. hebraike - perëndesha nokturnale ( diç si "vizitkartë
mitologjike" ) ]
...një
dikush dje m'kishte shkruar mesazh (fb), ndër të tjera se "gruaja" e
Adamit për te cilën kam folur është "...non-kanonike, s'duhet përzier me
figurat biblike"...
...pakëz
i habitur ia ktheva: s'kuptoj sinqerisht, s'e kam prekur fare këtë hesap,
natyrisht që është përjashta "kanonit", askund s'kam thënë se është
"brenda", le që s'kam "përzier gjë" por s'e kam përmendur
madje as biblen, s'e kam prekur as "çështjen pse është jashtë
kanonit", me sa di unë s'e kam përmendur as biblen, as kanonin as
non-kanonizmin...
...dhe
ngjitas ia nisa këtë "vizitkartën", së bashku me pjesën në
Testamentin e vjetër, anglisht (Isaiah 34:14), si dhe një citat shkurt (Genesis
2:18) - nga dje heshtje... s'ma ktheu as mirëkuptimin e shkurtër as gjë, ku
di... mbase do e ketë kuptuar "si i shoh unë gjërat rreth miteve e
legjendave, absolutisht pa të keq : )