| E premte, 03.12.2021, 08:44 PM |
PEGASIANA E VISAR ZHITIT
(Interpretime
të poezisë lirike të Visar Zhitit “ARDHJA E PEGASIT NË QELINË TIME”.
Në
ditëlindjen e tij.)
Nga
Prend BUZHALA
Poeti
është një lajmëtar për lirinë dhe për lirimin nga errësira. Te Psalmet 68:5,6,
këndohet: “Zoti i vendos të vetmuarit në familje, i nxjerr të burgosurit me
këngë...” Në poezinë “Ardhja e Pegasit në qelinë time” përballen dy qenie në
formë të botës shtazore: njëra, reale, përbindësh, siç ishte përbindëshi real i
diktaturës, tjetra, imagjinare, në formën e një Pegasi, me pamje engjëllore;
një si fluturim imagjinativ, frymëzim, që kapërcen muret, që e mposht
realitetin përbindësh. Të jesh i lidhur në pranga dhe të fluturosh? Poeti
heziton. Porse aty e ka qenien e tillë, përballë vetes.
1.
Këto
rrezatime përsiatjesh na i zgjon poezia “Ardhja e Pegasit në qelinë time” të
Visar Zhitit. Në Fjalorët letrarë thuhet se “simbolika e Pegasit, sunduesit
thundror të tokës dhe sunduesit me krahë të ajrit, vazhdon të përfaqësojë
shpejtësinë, forcën dhe frymëzimin artistik. Duke përfshirë bukurinë dhe
ndjenjën e madhështisë, ai është një udhërrëfyes për njerëzimin përtej botës
fizike drejt mbretërisë ku shpirti mund të fluturojë pa kufi.”
Po!
Pak romancë në qelinë e
errët.
Një fluturim jashtë
vetvetes.
Mirëpo,
aty ka edhe përplasje e përpëlitje dramatike. Përveç burgut, edhe frymëzimi
është një tjetër torturues. Paradoksi: është një torturues shpëtimtar!
Në
strukturën tesktuale thuret një simetri kontrastive: fluturimi dhe prangimi,
frymëzimi dehës dhe përjetimi dramatik i kësaj situate, harrimi pas frymëzimit
dhe situata reale, ethet e frymëzimit dhe çasti dramatik i kësaj situate,
alkimia krijuese me analogjitë konceptuale të frymëzimit. Arti krijon
analogjinë e vet kundruall botës përreth. Analogjia (edhe si figurë letrare) i
shërben për përsiatje, për t’u hapur në botën e tij të brendshme, për ta nxitur
dhe gjallëruar forcën e tij, dritën dhe kreativitetin burimor. Me figurën e
tillë të analogjisë artistike, ai ndjehet në shtëpinë e tij, si do të shprehej
Sigmund Freud.
Ta
dëgjojmë se ç’ thoshte Bajroni: “Asgjë nuk është më e vështirë se sa fillimi në
një poezi, ndoshta përveç fundit; sepse shpeshherë, kur na duket që Pegasi e
fiton garën, ai e përdredh njërin krah dhe ne priremi të hidhemi poshtë, si
Luciferi kur hidhet nga Parajsa për mëkatin e bërë; mëkati ynë është i njëjtë,
dhe është vështirë për t'u ndrequr, siç është të qenët krenar, që e çon mendjen
të fluturojë shumë larg, derisa dobësia jonë të na tregojë se çfarë jemi. Por
koha, që i sjell të gjitha qeniet në nivelin e tyre, Dhe fatkeqësia e mprehtë,
më në fund do t'i mësojë Njeriut, - dhe, siç do të shpresonim, - ndoshta
djalli, që asnjëri nga intelektet e tyre nuk është i madh: Ndërsa dëshirat e
nxehta të rinisë në venat tona të kuqe kënaqen, Ne nuk e dimë këtë - gjaku
rrjedh shumë shpejt; Por ndërsa përroi zgjerohet drejt Oqeanit, ne meditojmë
thellë mbi çdo emocion të kaluar."
Njëri
krah lëndohet? Kjo përdredhje është metaforë bajroniane e frymëzimit, e dramës
së brendshme, e lëndimeve shpirtërore të poetit, e përsosmërinë që nuk merr
fund asnjëherë.
2.
Për
t’u këndellur, për ta drejtpeshuar qenien e tij, midis ndërdijës, subkoshiencës
së krijimit, dhe realitetit, ndërgjegjësimit, vetëdijes së zgjuar, poeti
shikohet në pasqyrë. Mirëpo, përsëri, në vend të pasqyrës, realitetit, ai ka
përpara një tjetër pasqyrë (përsëri në fluturimet e imagjinatës së kthjellë),
sytë e Pegasit:
Kisha kohë pa u parë në
një pasqyrë,
pothuaj e kisha harruar
fytyrën time,
u pashë në sytë e kalit
kaq shumë njerëzorë
dhe me një si brengë
shndritëse.
Isha i qethur tullë,
pis dhe me mjekër…
U mënjanova
se mos i dukesha kalit i
egër.
Është
syri i tretë i poetit, iç do të thoshte E. M. Forster. Lirika e mirë nuk njeh
as mure burgu. Madje, ai jo e gjen mënyrën se si të shkruhet, qoftë edhe duke u
memorizuar, si kujtesë mbretërore e poetit. Qoftë edhe duke i shprishur
përmasat e realitetit. Qoftë edhe duke i tërhequr në dy skaje çmendurinë (dehëse)
krijuese dhe vetëdijen e zgjimit. Është, pse jo, edhe arti i mbijetesës në
errësirë, duke prodhuar dritën e brendshme. Atë dritë që mistershëm depërton në
qenien e tij. Është kërkimi i paqes së brendshme me gjërat që të rrethojnë.
Pegasi është një legjendë, një mit, dhe jeta e poetit në burg ngjet në këso
legjende pegasiane. A ka arritur ta nënshtrojë këtë fluturim, pa dalë i
lënduar?
u pashë në sytë e kalit
kaq shumë njerëzorë
dhe me një si brengë
shndritëse.
Isha i qethur tullë,
pis dhe me mjekër…
Frymëzimi
që zbret në qeli, vjen si një kalërim i hirshëm e fisnik, si një frymëtim dhe
frymëzim i zjarrtë pegasian që zbret nga retë qiellore. Poeti ka nevojë për
krijesat mitike, për ndjesinë e fluturimit për t’u drejtuar kah fryma e hirshme
e Hyjit.ky kalërim i hirshëm shpërthen muret, një metaforë e shpirtit të lirë,
e lirisë vetë. Tashmë ai e ka në dorë ta drejtojë këtë qenie mitike (këtë frymë
të hirshme). Frymëzimi i tillë është fuqi supreme. Që vjen nga Dora e
perëndishme. Por, në ato rrethana burgu e ideologjie të ateizmit, këtë frymë të
perëndishme poeti e metaforizon përmes zbritjes engjëllore të Pegasit, para të
cilit ligjëron si në një rrëfyestore.
Mos je ti Pegasi?!
Kam pasur edhe unë
dëshira të blerta
Të njoma si bari.
Ca m’i kanë shkelur,
ca i kam mbajtur.
Ty po t’i hedh –
haji!
Dhe me buzët e thara
Mërmërita ngadalë
Siç mërmëritet nëpër
dashurira:
-Kalë, o kalë…
E,
megjithatë, këto dy realitete, ai i jetës dhe ai imagjinativ-artistik, i kanë
të përbashkëtat e tyre nëpërmes kësaj analogjie si figurë të ndërliqshme
ligjërimore letrare, duke dhënë kuptime të reja, gjithnjë e më të thella.
Mos je ti Pegasi?!
Kam pasur edhe unë
dëshira të blerta
Të njoma si bari.
Ca m’i kanë shkelur,
ca i kam mbajtur.
Ty po t’i hedh –
haji!
Në
shtresimet semantike të kësaj lirike lexojmë edhe fifurën e analogjisë
ligjëlrimore letrare.
3.
Analogjia
e dëshirave me Pegasin, zbulon marrëdhëniet mes ligjërimit figurativ-metaforik
dhe fjalëve që konkretizojnë dhe provojnë lidhjet e ndërsjella midis folësit
lirik dhe Pegasit. Së këndejmi, dihet që analogjitë, ngjashmëritë, krahasimet
dhe metaforat janë të lidhura ngushtë, “sepse të gjitha përdoren për të
krahasuar gjëra të ndryshme.” Analogjia poetike gjithnjë është një ligjërim
metaforik.
Në
këso rastesh, poeti parapëlqen dialogun (“Mos je ti Pegasi?!”).
I rrëfen apo i
pëshpërit?
Dhe me buzët e thara
Mërmërita ngadalë
Kryesorja,
poeti është bashkë me të, me Mitin e Frymëzimit, me Lirinë, me të hyjnueshmen.
Me poezinë në aktin e saj të krijimit. Romansierja amerikane Julie Garwood, na
thotë të hyjmë më thellë brenda kësaj pëshpërime: “Një pëshpëritje, e shtuar me
një mijë të tjera, bëhet një ulërimë pakënaqësie.” Pëshpëritja është
vetëmbrojtje. Ajo s’ka si të vritet. Pakënaqësia s’ka si të mbërthehet në
pranga. Trupi po, por jo gjithçka tjetër që ka të bëjë me botën e brendshme,
shpirtërore. Ajo është edhe një thirrmë e plotë. Poeti nuk ndjen nevojë të
bërtasë, as të bëjë zhurmë, sepse pëshpërima dëgjohet më larg. Dhe, me anë të
saj, folësi lirik i kthehet engjëllores:
Siç mërmëritet nëpër
dashurira:-Kalë, o kalë…
Mërmëritjet
e dashurive janë pëshpërima shpirti e poezie. A nuk e ndërton poeti, kësisoj,
edhe një analogji kontrastive të situatës, jashtëzakonisht të gjetur?
Mërmëritja është tingulli më i butë, diktatura është zhurmë e tmerrshme, është
dhunë e papërshkrueshme. Në këso psiko-situatash jetësore e krijuese, ai frikësohet
të mos i ngjajë jonjerëzores, egërsisë, si atribute të kërkimit të kësaj
butësie, paqeje, engjëlloreje pegasiane.
u pashë në sytë e kalit
kaq shumë njerëzorë
dhe me një si brengë
shndritëse.
Isha i qethur tullë,
pis dhe me mjekër…
U mënjanova
se mos i dukesha kalit i
egër.
Brenda
këtij të foluri nën zë, ai gjen më të butën, më engjëlloren, dashuritë dhe
trokitjet e zemrës së tij. Të folurit e tillë shndërrohet në prirje të
brendshme, në udhërrëfim a udhëzues jo vetëm i artit, por edhe i jetës, i situatës
jetësore në qeli. Le të ketë jashtë britma dhunuesish e prangash, le të ketë
errësirë qelie; ai e ka dritën e tij. Ai ka zgjedhur diçka tjetër:
bashkëbisedimin nën zë me Pegasin me sy njerëzorë. Imazhi poetik (pasqyra,
sytë) dhe tingulli lirik, fonostilemat (mërmëritja) njësohen. Shndërrohen në
pikturë dhe muzikë.
Te
qetësia e tillë sikur ai gjen zërin hyjnor, të brendshëm. Është pëshpëritja e
të vërtetës së hidhur: burgimi dhe qelia. S’ka asnjë forcë të së pavërtetës a
shpifjes që qëndron mbi këtë të vërtetë. Në këtë ndërkëmbim situatash me
komunikimin e tillë, foklësi lirik merr e jep njerëzore dhe brengat e tij.
Butësia është komunikimi i hyjnueshmes, njerëzores, pegasianes, të cilin e
marrin vesh më mirë qoftë njerëzit me shpirt të dëlirë, qoftë Qenia Supreme,
Absoluti, pegasiana. Sa shumë jehona dhimbjesh ka në shpirtin e poetit, të
cilat derdhen nëpër poezi të ngjashme, te proza e eseistika, si dhe tek
shkrimet tjera të këtij autori! Tashmë ai e ka krijuar një nocion të ri letrar
e që quhet burgologjia, e ngritur në sistem shkrimi te dhjetëra libra, te
qindra shkrime të tjera. Ai ka arritur që me mërmëritjet e tilla të qelisë, ta
zgjojë nga gjumi botën e shurdhër rreth nesh e brenda nesh.
Mbi
të gjitha, këtu është poezia që na ligjëlron më mirë se secili shkrim për të.
_________
VISAR ZHITI:
ARDHJA
E PEGASIT NË QELINË TIME
Ditën
–
paradite,
mbasdite,
Natën
–
paramesnate,
në mesnatë, pasmesnate
çdo
trokëllimë më rrëqethte…
…më
dukej si prangat,
sikur
do vinte polici të më merrte
të
më flakte në një shpellë
ku
do tmerroheshin dhe tmerret.
Çdo
trokëllimë…
Ç’do
trokëllimë?…
Ç’kërkon?…
Një
trokëllimë…
Vura
veshin si me frikë…
Afër
frëngjisë,
nëpër
barin e pakët-patkonj.
Kulloste
një kalë
si
dikur,
si
në ëndërr.
Trupi
i tij i bukur –
muzg
i larë me shi dhe hënë.
Ç’e
mirë të solli kështu?
Mos
je ti Pegasi?!
Kam
pasur edhe unë dëshira të blerta
Të
njoma si bari.
Ca
m’i kanë shkelur,
ca
i kam mbajtur.
Ty
po t’i hedh –
haji!
Dhe
me buzët e thara
Mërmërita
ngadalë
Siç
mërmëritet nëpër dashurira:
-Kalë,
o kalë…
Ngriti
kokën,
u
pamë sy më sy.
Kisha
kohë pa u parë në një pasqyrë,
pothuaj
e kisha harruar fytyrën time,
u
pashë në sytë e kalit
kaq
shumë njerëzorë
dhe
me një si brengë shndritëse.
Isha
i qethur tullë,
pis
dhe me mjekër…
U
mënjanova
se
mos i dukesha kalit i egër.
Dhjetor 1979