Mendime
Eduard Frrokaj: Simbolika e festës së sotme në Gjakovë
E marte, 09.12.2008, 10:49 AM
Simbolika e festës së sotme në Gjakovë
Nga Eduard Frrokaj
Tregim për festat e shqiptarëve dhe koekzistencën në gjak, Në mes të traditës me koekzistencë në gjak si vendosin disa shakaxhinj për të kontestuar Skënderbeun. Lutjet për festa në Kosovën e pavarur. Bajrami i parë me 6 pika të shkruara me shije të Beogradit. Si ka nisë me lulue shpresa se kryetari i Gjakovës mundet me ndryshue qytetin me model të qeverisjes së mirë. Dhe kur te shihemi në Bajramin tjetër apo festën tjetër ndërshqiptare “a do të hamë me lugë të dukatit” apo tërë Kosova do të blejë bukën e përditshme në marketin e Mishkoviqit në veri të vendit…
Jerusalemi i Kosovës, koekzistencë në gjak…
Si kanë mundur shqiptarët për të ruajtur koekzistencën fetare shembullin e gjen në qytetin e Gjakovës. Tradita e fiseve dhe kujtimi për brezat e gjenezës kristiane nuk e pengojnë traditën e një bajrami madhështor në qytetin që rilindasit do të thonin se e “kanë la me gjak pushtuesit” në të gjitha etapat e historisë.Pikërisht në Gjakovë në fillim të shekullit të kaluar imzot Lazër Mjeda nuk e kishte pranuar sherrin e autoriteve serbe që para ekzekutimit të ndahen shqiptarët e besimit katolik nga ata të besimit islam. Ky shembull i koekzistencës në gjak do të jetë akoma më i tmerrshëm me 27 prill 1999 në Meje udhëtimi i patër Marjan Lorencit nëpër kalvar dhe vdekje me shqiptarët e të dy besimeve. Atë ditë i ndaluan qindra shqiptarë për t’i ekzekutuar pak km larg nga Gjakova, në një lëndinë që u emërtua lëndina e pikëllimit. Është i njohur shembulli i një gruaje që kishte arritur ta shpëtojë djalin e vetëm nëpër rrathët e ferrit, forcat serbe e ndaluan djalin e saj në qytet, por patër Lorenci e vendosi veten para ekzekutimit me thënien - Nëse ka faj ky djalë, atëherë edhe unë kam faj - dhe arriti ta shpëtojë. Por 400 meshkuj të tjerë të të dy besimeve u vranë atë ditë që shqiptarët të festojnë së bashku Pashkë e Bajram. Fillet e kësaj tradite, kujtimi, gjaku dhe bashkimi nuk i gjen ndoshta askund më të gërshetuara se në qytetin e Gjakovës. Në mes të gjithë kësaj tradite, dikush e gjen rastin jo vetëm për të debatuar, por edhe për të kontestuar Skënderbeun. Çfarë shakaxhinjsh!
Bajrami në Kosovën e pavarur
Është një simbolikë si refren, lutje, shpresë tek shqiptarët se festën tjetër do të shihemi më mirë, në liri, në Kosovën e pavarur, në Kosovën e shpresave, iluzioneve, rënieve dhe ngritjeve. Se si u kujdes Beogradi që para kësaj feste të fusë pyka në pavarësinë e Kosovës me 6 pika të shkruara me shije nën dritën e “mrekullisë së tij”. A thua është satisfaksion siç po interpretohet apo po na bëjnë sytë se posa të përfundoj festa do të ndërrohen shenjat, targat e pushtetit dhe do të shohim Eulex-in “bardhë si bora e Kelmendit” duke u vendosur në veri të vendit. Nuk mund të jesh qindpërqind i sigurtë nga kaosi i deklaratave, thyerjeve dhe shpresave por është iluzion me e menduar si do të duket Mitrovica veriore festave të tjera. Diçka si mjegull nëpër tym dhe shpresë. Atje ka kontrabandë, kaos pushtetesh dhe administratash dhe asnjë shenjë e shtetit të 17 shkurtit. Të shohim Bajramin tjetër synin e Mitrovicës se si ka me lulue do të thonin pleqtë e Kelmendit…
Modeli i Palit
Po thotë politika shpeshherë se publicistika,gazetat, televizionet po shohin vetëm zi me sy.Duhet pranuar edhe si skeptiku i fundit gjatë një udhëtimi të thjeshtë se kryetari i Gjakovës ka tentuar të ketë një model ndryshe apo të konceptoj punën para sehireve të magjistarëve në një qytet që ka vuajtur shumë.Modeli i tij duket se funksionon nëpër tehun e dy anëve të medaljes jo vetëm se tërë buxhetin e dërgon në investim publik por edhe në faktin se edhe cështjet e hidhura i vendos në diskutim. Qeverisë me gjurmët e një tradite duke e parë dallimin në bashkim. Është katolik që shkon në kishë dhe xhami. Nëse e përdorim metaforën e pleqve të Kelmendit për të ka nisë me lulue një shpresë se mundet me ndryshuar modelin e qeverisjes dhe kthimin e shpresës.
Mirupafshim në Bajramin tjetër/Kur të vij Bajrami tjetër u thua kemi me hangër me lugë të dukatit”. Askush nuk e beson… A po si ka me u duk marketi gjigant i paralajmëruar i Mishkoviqit në veri të vendit ku po thonë tregtarët se tërë Kosova ka me e ble bukën e përditshme. Një gjë është e sigurtë se kemi me udhëtuar bashkë në të njëjtën anije të shpresës dhe kthimit në realitet. Natyrisht edhe kemi për të festuar bashkë.E sigurtë për krishtlindje kemi për të pirë të njëjtat cigare që i pimë për Bajram nën të njëjtën tym oxhaku të cilën po e kthen shtëpia e përbashkët…