Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: At Anton Harapi dhe At Gjon Shllaku, viktima të barbarizmit më ekstrem komunist
E merkure, 01.12.2021, 09:15 PM
AT ANTON HARAPI DHE AT GJON SHLLAKU, VIKTIMA TË BARBARIZMIT MË EKSTREM KOMUNIST
(Fjalimi i Anton Harapit
kushtuar Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit)
Nga
Frank Shkreli
Në Tiranë më 24
Nëntor, 2021, Françeskanët e trojeve shqiptare -- në bashkëpunim me kryedioqez?n Metropolitane Tiranë – Durrës kujtuan 75-vjetorin e
martirizimit të At Anton Harapit dhe At Gjon Shllakut – dy figura të mëdha të
Kishës Katolike dhe të Kombit shqiptar – në Bibliotekën Françeskane, pranë
Katedralës së Shën Palit, në kryeqytetin shqiptar. Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë
përfaqsues të Urdhërit Françeskan shqiptar dhe zyrtarë të lartë të Kishës
Katolike shqiptare. Morën pjesë gjithashtu edhe Përfaqsuesi i Vatikanit në
Shqipëri i Përndershmi Luiggi Bonazzi dhe kryetari i Prezencës së OSBE-së në
Tiranë, Ambasadori Vinçenzo del Monaco.
Në
mungesën e shëmtuar të shtetit dhe qeverisë shqiptare për të kujtuar, pa
dallim, të gjitha viktimat e komunizmit në Shqipëri -- 30-vjetë pas shembjes
zyrtare të atij regjimi barbar -- është mirë që të pakën Françeskanët dhe grupe
të tjera jo-qeveritare kujtojnë viktimat e tyre të komunizmit. Ishte shumë
bukur gjithashtu të shihje të pranishëm në përkujtimin e martirizimit të At
Anton Harapit dhe At Gjon Shllakut të mërkurën në Tiranë edhe Ambasadorin e
OSBE-së në Shqipëri, Z. Vinçenzo del Monaco.
“Ne
duhet që, patjetër, të bëjmë më të mirën që mundemi, ashtuqë Demokracia dhe të
Drejtat e Shënjta të Njeriut të sigurojnë, më në fund, progresin e këtij
Kombi”, u shpreh Shefi i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Del Monaco, i cili
foli në emërin e tij personal, me rastin e 75-vjetorit të martirizimit të At
Anton Harapit dhe të Lumit Gjon Shllaku.
Ai falënderoi “miqtë e mij françeskanë” për ftesën për të marrë pjesë në
atë tubim “aq të veçantë dhe tepër domethënës, jo vetëm për Kishën Katolike,
por edhe për Shqipërinë.” Ambasadori del
Monaco u tha të pranishëmve se nuk e gjeti të lehtë të fliste për një subjekt,
jashtzakonisht, të rëndësishëm, siç janë martirët – për “ata të cilët ndajnë
mundimet dhe vuajtjet e tyre me Krishtin, pa iu dorëzuar turmave pagane, duke
dhenë jetën, ose më mirë të themi të rilindur në vdekje, duke i falur
persekutuesit e tyre…ashtu siç ishin At Anton Harapi dhe i lumi At Gjon
Shllaku”, u shpreh ambasadori i OSBE-së në Shqipëri. “Viktima”, shtoi ai, si At
Gjergj Fishta të cilin e kujtuam kohët e fundit në Shkodër, ashtu si edhe shumë
e shumë të tjerë. Të gjithë ata, viktima të barbarizmit esktrem komunist”, u
tha të pranishëmve Përfaqsuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në
Evropë në akademinë përkujtimore në Tiranë, kushtuar martirizmit të At Anton
Harapit dhe të At Gjon Shllakut.
Shefi i OSBE-ës në
Tiranë, Z. Vinçenzo del Monaco e përfundoi fjalën e tij në përkujtim të
75-vjetorit të martirizimit të At Anton Harapit dhe të Lumit Gjon Shllaku nga
komunizmi, duke theksuar se, “Rinia ka një përgjegjësi të madhe për të bërë
pyetje dhe për të reflektuar, në përgatitje për një jetë sakrificash, duke
ushtruar lirinë.” Ndërsa të rriturit,
sipas tij duhet të “Bëjnë më të mirën që mundemi, ashtuqë Demokracia dhe të
Drejtat e Shënjta të Njeriut të sigurojnë, më në fund, një mjedis sa më të mirë
për progresin e civilizuar të kombit”, tha Del Monaco.
Ndërkaq, Përfaqësuesi diplomatik i Vatikanit, Luigi
Bonazzi, At Gjon Shllakun dhe At Anton Harapin i quajti, “patriotë shqiptarë
dhe dëshmitarë të Krishtit”, dhe i cilësoi si dy “figura të shkëlqyera”,
martirë që vazhdojnë të kujdesën për Shqipërinë. “Ne fakt”, shtoi përfaqsuesi i Vatikanit,
“martirët nuk janë një kujtim i së shkuarës, një faqe e mbyllur e historisë. Ata
jane njerëz të gjallë që vazhdojnë ta shoqërojnë, ta ndihmojnë dhe t’a
mbështesin sot rrugëtimin e kësaj Kishe dhe të gjithë shqiptarëve.” Krye-Françeskani Gjergj Fishta këndonte: “Kurrë, Shqipni, s’kam me t’ harrue,
Edhe në vorr me t’ përmend kam”.
Ky vit shënon jo
vetëm 75-vjetorin e martirizimit të At Anton Harapit dhe At Gjon Shllakut nga
komunistët shqiptarë por edhe 85-vjetorin e gjetjes së eshtrave të dy heronjve,
ndër dëshmorët e parë shqiptarë – Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli, njëri
revolucionar me pushkë në krah dhe tjetri gazetar me pendë në dorë – duke
luftuar për lirinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve – u masakruan barbarisht nga
forcat terroriste serbo-malazeze afër Shkodrës.
Eshtrat e tyre u zbuluan 20 vjetë pas vrasjes së tyre (1936). Po e
përmend këtë përputhje përvjetorësh – pasi jemi edhe në prak të Ditës së
Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – për të kujtuar këta dëshmorë të cilët
punuan aq shumë për lirinë e atij vendi, por edhe për mesazhin që ata kanë lënë
trashëgimi me fjalët e shkruara dhe me veprat e trashëguara. Përzgjodha, me këtë rast, fjalimin e At Anton
Harapit mbajtur me rastin e dërgimit për në Gjirokastët të eshtrave (zbuluar më
1936) të dëshmorëve të Atdheut Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli. Përzgjodha këttë fjalim prekës, ndër fjalimet
më klasike të oratorisë shqiptare, të At Anton Harapit, për nga përmbajtja e
tij patriotike, por edhe për mesazhin që mbartë edhe sot, sidomos për të rinjtë
dhe të rejat shqiptare, në prak të Festës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Më poshtë fjalimi
i At Anton Harapit në ceremoninë e përcjelljes së eshtrave të Çerçiz Topullit
dhe Mustafa Qullit nga Shkodra në vendlindjen e tyre, (Teksti i fjalimit ishte
botuar në revistën e françeskanëve shqiptarë, “Hylli i Dritës”, Shkodër 1936).
“DY LOTË E NJË
BETIM”
Ndalnju! Ku
veni, o burra ?!…
Çerçiz e
Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, këtu në log të kuvendit, para se të
ndaheni.
Doni t’a leni
Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së pari patë t’amblat rreze të
diellit, ku, si filiza të shëndoshë, gëzueshem e rritet shtatin, atje prej kah
Shqipnija u qiti edhe u ndriti! Le të lëvdohen po, për ju Gjinokastra e
Leskoviku, vendet ku ju u lindët për jetë, por grimë ma pak s’do të gezohet me
ju Shkodra, vendi, ku ju nuk vdiqët, por u lindët për atdhe.
Njimend se
ato u dhanë tamblin e gjiut, e u janë nana të natyrëshme, por ju tashma, nuk
jeni njerëz të zakonshem, nuk jeni çfardo shqiptarësh, jeni kreshnikë, jeni
burrat shqipëtarë; e si të tillë u priti e ju mbajti, si të tillë sot me gëzim
u përcjell Shkodra, lama e nana e kreshnikisë s’uej.
Jo, nuk u
lëshon ju Shkodër lokja, ambël pa u puthun në të dyja faqet, thekshëm pa u
lëmuem të dy krahët, permallshëm pa u derdhun dy pika lotësh, lotë gëzimi e
pikllimi, mbi eshtënt t’uej.
Eshtën të
pamort, u falem! Të pavdekshëm, po, pse ndër veme t’ueja rueni një visar të
çmueshëm, njat ide e cila e patrandun do të jesë ndër ne deri sa të jetë
Shqipnija.
E udha e
mbarë u qoftë!
Veç, o burra,
që vdekun, flitni; të mbetun, ngjalleni; të humbun, sot ndritni, kah rreth e
rrokull t’i bini Shqipnisë, dhe lëshonje një za, at zanin t’uej kumbues si të
luajvet, diftoni djelmënisë shqiptare shka ua ushqeu idealin, shka u a mbajti
karakterin, shka u bani të pavdekshëm.
Diftoni, po,
se ka e do të ketë Shqipni deri sa të kemi e të mbajmë nji Zot mbi vehte; ka,
po, Shqipni deri sa të dalin Shqiptarë fatosa; ka dhe do të ketë Shqipni derisa
gjaku i juej i kërthnesët e i gjallë të vlojë në kujtim e ndër ndjesi të
Shqiptarvet, deri që në Shqipni, pa ndryshim krahine e besimi, të çmohen e të
madhnohen themeluesat e atdheut.
Kemi pse te
jemi e të mbahemi Shqiptarë, deri sa të shënjta të ruhen besë e burrni. Me të tanë fuqinë t’uej vigane m’i a bani një
urim Shqipnisë; m’i ndillni të mbarë e përparim, pagjë e ngadhnjim.
Por dhe nje
namë, si rrufeja, m’i a lëshoni kulshedres së re, rrymvet dërrmuese, që po e
brejnë jetën shqiptare: atyne po, të cilët thonë se po bashkojnë e na
shkatërrojnë: lëvdohen për dashuni, e na qesin mëninë e fitmen, duen te na
mesojnë e po na zhburrnojnë.
Heu! Ata mos
qofshin, e Zoti i vraftë njata, të cilët duen t’i lanë Shqiptarët pa besë ndër
vehte, duen t’i qesin nga morali dhe karakteri, nga familja e historia.
Nuk po u pyes
kush jeni e kah po veni. Kudo shkojshi, të bardhë qofshi ; ku ndejshi, flori
ndritshi. Ideali i juej më tregon se kush jeni, vdekja e juej më dishmon se ku
dueni. Nuk me duhet gja kush u vrau, por knaqëm, kah marr me mend atë per shka
ju ratë preja e dorës mizore. Nuk marr parasysh ç’ krahine ishit e ç’ besim patët,
më mjafton të dij se besuet në nji Zot, e si kristal i kulluet rrodhi ndër dejt
t’uej gjaku shqiptar.
Ju mësytë
Shkodrën për strehe atdhetarije, për lamë veprimi, për strofull sigurie. Edhe
Shkodra me kënaqësi iu priti e iu dha nderimin që ju përkitte: pa ndryshim ju
rreshtoi nder fatosat e vet, ndër të vdekunit e pavdekshëm, krahas me nji Dedë
Gjo’ Lulë e tjerë sokola.
Eh, moj
Shkodër, moj mizore! Si s’u ngine ma njiherë me gjak? Deri kur ma do të m’i a
këndojsh kangën vdekjes e shemtimit?
Shka asht në ty,
që dukesh si të ngadhnojshesh ma fort mbi vdekje se sa në jetë, si të
gezojshesh ma fort për të mbetun se për të gjallë? Me shka ma mund do të shuhet
ajo etja e jote, që tashma sot të rreshkë e të përvlon?…
Ti, mizore
njimend, por fatose, pse sikurse në djep t’and përkunde burrat e maleve, ashtu
në prehën t’and mblodhe, ne votren t’ande rreshtove kreshniket e kombit.
Mizore, po, por trimneshë, pse kurdoherë në vdekje pave shpëtimin; në therori,
fitimin; në burrni, forcën. Mizore po, por fisnike, pse nderë e burrni i pate
gjithmonë për piri.
Zotnijë të
ndritshëm! Nuk due t’u ndali ma. Keni udhë të gjatë. Mirrni kto visare të
çmueshme, e shkoni. Por para se të niseni, ejani këtu, e mbi këta eshtën,
shëmbull ideali, force dhe bashkimi, t’ia shtrijme dorën shoqishojt, Toskë e
Gegë, muhemdanë e të krishtenë, e me besën e burravet, me besën Shqiptare, të
lidhemi per t’i a mbajtë Shqiptarit të pa prekun një Zot të vertetë, një atdhe
të lumtun, për të bamë Shqipninë e re, të fortë e të madhnueshme, të denjë për
Skenderbeun.
T’i diftojmë,
po, botës, se Shqiptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë,
muhamedanë e të krishtenë, e njiheri Shqiptarë të njimendët.
Zoti i
vërtetë e Atdheu le të na bashkojnë, Zoti e Atdheu të na mbajnë;
Me Zot e me
Atdhe të lumnojmë”! (“Hylli i Dritës”, Shkodër 1936.)
Një mesazh i fortë
i At Anton Harapit 85-vjetë më parë – por edhe një mesazh për botën e sotme
shqiptare! At Anton Harapi nuk ishte as “tradhtar”, as “armik i
popullit” dhe as një “Klerik që shiti atdheun”, siç e akuzonte jo vetëm regjimi
anti-kombëtar i Enver Hoxhës, por edhe apologjetët e tij edhe sot e kësaj dite,
por ishte dhe mbetet një atdhetar, i cili me besimin në Zotin dhe me dashurinë
për kombin e vet, edhe sot në këtë 75-vjetor të martirizimit të tij, i fton
Shqiptarët dhe udhëheqësit e tyre aktualë – ashtu siç u kërkoi shqiptarëve të
kohës së tij, në fjalimin e mbajtur si anëtar i Parlamentit shqiptar në vitin
1944: “T’a bajmë monumentin kombëtar – bashkimin e Shqiptarëve”.
Lavdi Dëshmorëve!
Gëzuar Dita e Madhe e Pavarësisë së Shqipërisë dhe e Kombit shqiptar!
Ambasadori i
OSBE-së në Tiranë, Z. Vincenzo del Monaco
Veprat e Anton Harapit, dhuruar autorit nga i ndjeri ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës, Mark Sopi, në vitin 2005 në Prishtinë. Gjatë p?rkujtimit të 75-vjetorit të martirizimit të tyre të mërkurën, në Tiranë u zhvillua edhe promovimi i botimit të plotë i veprave të Át Anton Harapit dhe të Lumit At Gjon Shllaku. Dy françeskanët martirë shqiptarë, nuk kërkojnë asgjë prej nesh, vetëm t’i kujtojmë dhe t’i njohim pak më mirë -- duke lexuar veprat e tyre lenë pas, si trashëgimi për brezat.