E merkure, 25.12.2024, 01:04 PM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: A duhet ta festojmë a të mbajmë zi më 29 nëntor?

E hene, 29.11.2021, 09:30 PM


A duhet ta festojmë a të mbajmë zi më 29 nëntor?

Nga Gani Mehmetaj

Me 29 nëntor zyrtarë të lartë shqiptarë çirren si të çmendur: në Luftën e Dytë ishim me aleatët! Aleatë patet Serbinë e Rusinë, dy armiqtë më të mëdhenj të kombit, ndërsa e shkëputët Shqipërinë nga Evropa. Janë për mburrje këto dy krime?

Në kohën e okupimit italo-gjerman u ribë Shqipëria natyrale nga Çamëria në Pazar të Ri. Shqipëria ishte tri herë më e madhe se sa Shqipëria e sotme. Me 29 nëntor 1945 Shqipëri u copëtua, u nda në disa shtete, kurse shqiptarët u masakruan, u shfarosen e u bënë shosh nga plumbat e partizanëve të tërbuar shqiptarë e serbë. Partizanët serbë vrisnin shqiptarë, partizanët shqiptarët vrisnin shqiptarë. Serbët i falën kundërshtarët e tyre serbë, nuk i pushkatuan as kriminelët e luftës, por i angazhuan me uniforma partizanësh prapë kundër shqiptareve në Dardani e Mal të Zi. Komunistët shqiptarë nuk i falën kundërshtarët e tyre: i vranë e i kalbën në burg deri në një.

Data 29 nëntor, duhet te shpallet ditë zie e pikëllimi për shqiptarët e Shqipërinë. Me 29 nëntor duhet të qajnë e ta kujtojnë më pikëllim mu si ditën kur e pushtoi Shqipërinë Turqia, apo e copëtoi e i masakroi shqiptarët Serbia e Greqia. Hyrja e partizanëve me egërsinë e plojën që shkaktuan mund të krahasohet me hyrjen e hordhive turke, ushtrive kriminale greke e serbe. Shqiptarët në vend ta gëzonin çlirimin, sepse ishin të okupuar pesë vjet nga Italia e Gjermani, ashtu sikurse e gëzuan çlirimin kombet evropiane, ranë në zgjedh edhe më të egër.

Evropianët festonin çlirimin nga nazizmi, shqiptarët laheshin në gjakun e tyre, partizanët festonin krimet e tyre ndaj bashkëkombësve.

Marshimi i grupeve të shthurura partizane në Shqipëri, pas tërheqjes së gjermanëve është fazë e errët e historisë shqiptarëve. Pushtues ishin edhe gjermanët, pushtim bënë edhe italianët, mirëpo krimet partizane ishin disa herë më të mëdha, më të shëmtuara e me pasoja afatgjata se sa ato të italianëve e gjermanëve së bashku. Gjermanët e italianët vranë grupet partizane që i ndërsenin komisarët serbë të tipit të Miladinit e Mugoshës. Ndërkaq, partizanët shqiptarë po ashtu të ndërsyer nga komisarët serbë e goditën palcën e kombit: zhduken elitën intelektuale me pushkatime e burgosje, vranë e burgosën priftërinjtë shqiptarë katolikë, elita intelektuale e kreative e kombit.

Aradhet partizane të frustruara nga pafuqia që ta luftonin ushtrinë e fortë gjermane, të etshëm për pushtet e hakmarrje, nisën spastrim të kundërshtarëve politik e atyre që i rrezikonin në pushtet, shprishen krahina të tëra veriore ku hasën në rezistencë, dogjën e pushkatuan popullatë civile. Partizanët ekzekutuan aristokracinë vendëse e intelektualët në jug. Partizanët e pabuksa, të pa komb, të pafe e të pa atdhe u nisën me egërsi kundër veriut rezistentë pasi u tërhoq ushtria naziste.

Me 1945-46 kombi shqiptarë pas arrestimeve e pushkatimeve, mbeti pa kokë, ndërsa e udhëhiqnin vrasësit e të paarsimuarit. Egërsia ndaj nacionalistëve e priftërinjve shqiptarë katolikë u sponsorizua nga Beogradi, sepse nacionalistët e priftërinjtë katolikë ishin pengesë e hegjemonisë serbe në Shqipëri e në Dardani.

Beogradi i serbëve ashtu si nxiti gjykimin e pushkatimin e priftërinjve kroatë, nxiti edhe vrasjen e priftërinjve shqiptarë në Shqipëri e Dardani, donte ta shkëpuste Shqipërinë e shqiptarët nga Evropa, e djallëzoi Vatikanin e Perëndimin. Dhe i shkëputi shqiptarët 50 vjet nga Evropa, mu si i shkëputi e izoloi Turqia 500 vjet.

Pushteti i sajuar nga partizanët shqiptarë me gjysmë opinge e të paarsimuar, jo vetëm që e cyti jugun kundër veriut, duke u përpjekur të shkaktonte luftë civile, sipas cytjes së Serbisë, por simpatinë e paskajshme për rilindësit toskë, donte ta shndërronte në urrejtje ndaj jugut. Emrin e mirë të rilindësve synonte ta përdhoste me komisarë, spiunë, instruktorë e kooperativistë të egër jugor, të gatshëm të bënin çdo gjë.Po të mos ishin aleatët amerikanë, anglezë e francezë, partizanët shqiptarë dhe serbë kurrë s’do ta dëbonin ushtrinë naziste, s’do ta çlironin asnjë qytete a katund.

Dardaninë me 1999 po ashtu e çliruan ushtarët e NATO-s. Por kjo paaftësi lufte as me 1945 as me 1999 partizanët e vjetër e të rinj nuk i pengoi ta merrnin pushtetin e pasurinë kombëtare me gjak.

Edhe një arsye për vajtimin e 29 nëntorit: 29 nëntorin nuk e feston asnjë komb në Jugosllavi, edhe pse Tirana e mori si datë simbolike të bashkimit e çlirimit të Jugosllavisë, ndërsa E. Hoxha donte ta bënte Shqipërinë republikë të shtatë të jugosllave.

Jugosllavia nuk është më, por festa jugosllave e 29 nëntorit (KAÇKJ -AVNOJ-it ) festohet ende në Tiranë, e festojnë shqiptarët e mjerë, që s’mund të shkëputën nga skllavërimi shpirtërorë serbë, mu si nuk u shkëputën kohë të gjatë nga skllavërimi shpirtëror turk, prandaj festojnë festat e tyre. Mjerë këta shqiptarë, e të mjerë ne që i kemi të gjakut.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora