Kulturë
Gjon Keka: 578 vite nga ngritja e flamurit arbëror dhe shpalljes së pavarësisë
E shtune, 27.11.2021, 07:57 PM
578 vite nga ngritja e flamurit arbëror dhe shpalljes së pavarësisë
Gjergj
Kastrioti e udhëhoqi vendin në kohët më të vështira, ia riktheu popullit
shpresën, e ringjalli ndjenjën e lartë kombëtare te ky popull, e nxiti atë për
të jetuar krenar dhe i lirë në shtetin që ai ndërtoi së bashku me ta dhe po ky
shtet shkëlqeu edhe përtej kufijve arbëror
Nga Gjon
Keka
Fakti se shpesh njerëzit janë të lumtur në disa shtete
është se ata udhëhiqen nga lidershipë vizionarë, të urtë dhe të drejtë. Këtë
ndjesi qytetarët e shtetit të Arbërit e kanë përjetuar në mbretërinë e Gjergj
Kastriotit, strategut dhe shpëtimtarit të çështjes kombëtare iliro-arbërore nga
hordhitë turke. Territori arbëror përbëhej nga shkëmbinj dhe male të
pakapërcyeshme, qytete të bukura dhe të lashta, fshatra të begata me peizazhe
të mrekullueshme. Diku në mes të kësaj parajse natyrore shtrihej edhe
kryeqyteti i shtetit arbëror, Kruja, prej nga mbreti arbëror Gjergj Kastrioti qeveriste
në mënyrë të suksesshme popullin arbëror.
Qytetarët, në
përgjithësi, nuk ishin të pasur, por jo edhe shumë të varfër, sepse punonin dhe
jetonin të lumtur nën mbretërinë e Kastriotit, si dhe e ndërtonin dhe e
zhvillonin çdo ditë e më tepër truallin e tyre. Jeta për këtë popull fisnik, me
një udhëheqës që kujdesej për ta dhe të ardhmen e tyre përgjatë tërë kohës që
ai e qeverisi shtetin e Arbërit, kishte qëllim.
Qytetarët e
shtetit arbëror, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit ishin moralisht mirë, ndiheshin
të kënaqur, sepse në liri kishin një jetë më të mirë. Çdo qytetar i shtetit të
Arbërit, që i përkiste moshës 17 deri në 50 vjeç, ishte ushtar nën komandën e
përgjithshme të Gjergj Kastriotit, ndërsa këshilltar besnik ishte ipeshkvi Pal
Engjëlli njëherësh edhe sekretar për punë të jashtme në këtë shtet me famë.
Pozita
politike e brendshme dhe e jashtme, pra ajo ndërkombëtare e shtetit të Arbërit
ishte tepër e avancuar, si dhe jepte siguri të lartë. Ky shtet luftonte një të
keqe të madhe dhe, njëkohësisht, kishte marrëdhënie diplomatike ndërkombëtare
me shumë shtete, çka tregon zhvillim dhe bashkëpunim të domosdoshëm për një
shtet. Shteti i Arbërit ishte i rrethuar me troje të rëndësishme të kulturës
shpirtërore dhe materiale gjë që, në fakt, ishte edhe thelbi i shtratit të
civilizimit të përgjithshëm europian, mbi të cilin Europa si familje ekziston,
jeton dhe zhvillohet edhe në ditët tona. Këto zona me vlera dhe objekte
arkeologjike, dëshmi të lashtësisë dhe kulturës shqiptare, i ruante dhe i restauronte
lideri i shtetit të Arbërit, Gjergj Kastrioti. Ai ishte tepër i kujdesshëm në
ruajtjen dhe rritjen e këtyre vlerave të trashëguara, si dhe të rrezatimit të
kulturës, artit dhe të gjitha fushave të tjera që ishin me rëndësi për vendin.
Kështu që, në periudhën
e viteve 1443 e deri më 1468-n, në këtë shtet ndihej shpresa, krenaria dhe
mirësia e përgjithshme. Gjithashtu, më duhet të nënvizoj se ekzistenca e këtij
shteti është bazuar në një mrekulli, sepse nga ky vend doli guximtari,
vizionari dhe i urti, mbreti arbëror Gjergj Kastrioti, i cili e udhëhoqi atë
dhe e çoi drejt lulëzimit. Heroin tonë Kombëtar e ndoqën edhe apostujt e lirisë
dhe të së vërtetës; realisht edhe sot ky vend mbart në historinë e vet apostujt
e tij të trashëgimisë, që mbajnë në zemrën e tyre testamentin e Heroit, ndërsa
në vena gjakun e tij.
Porse mrekullia e këtij shteti nuk ishte
vetëm një arbëror, siç qe Skënderbeu, shpëtimtari i Arbërisë, ai që solli
lirinë, por që u shpreh se “e gjeti këtë liri në mesin e shumë zemrave dhe
mendjeve arbërore”, të cilët e ndiqnin atë, bashkëndërtonin të ardhmen dhe
luftonin të keqen. Ja se ç’shkruan një kronist i njohur europian për atë vend: “Në
kohën e Skënderbeut njihej një i shenjtë me emrin Pal, i cili jetonte në kodrën
e Prizrenit (aludohet ndoshta në hapësirën e Hasit – shënimi im) dhe, i
vetëm, ky shenjt bekonte hapat e heroit të shqiptarëve dhe lutej për fitoret e
tij, si dhe për vendin, që të dëbohet sulltani dhe e keqja bashkë me të”.
Sidoqoftë, ajo çka tregon më shumë është
tradita e origjinës së këtij shteti, themelet dhe lashtësia e tij, sepse shteti
i Arbërit kishte një histori të vjetër, në kuptimin se mbi ç’parime ishte
ndërtuar ai dhe cili shpirt e mbante atë lidership që udhëhiqte, pra Gjergj
Kastrioti, bir i Gjon Kastriotit, mbretit të Arbërisë, themeluesit të kodit
shtetëror dhe politik në trojet arbërore e deri në Dalmaci. Asgjë nuk ishte në
kundërshtim me themelet dhe traditën në këtë shtet, gjithçka atje ekzistonte
mbi vlera të lashta dhe në traditën e kulturës të mirëfilltë, sepse shpirti i
lashtësisë gjallonte në brendësinë e secilit, ndërsa fryma e zhvillimit të së
mirës së përgjithshme dhe jetës ishte në unitet të shtetit të Arbërit. Jo të
gjitha republikat në periudhën e mesjetës ishin kaq të fuqishme, të lulëzuara
dhe krenare, si dhe nën mbrojtjen e ndonjë shenjti, vizionari, strategu dhe të
urti, siç ishte shteti arbëror nën udhëheqjen e mbretit Gjergj Kastrioti. Dhe,
me të drejtë, shkruante një shkrimtar europian i shekullit XIX, në lidhje me
shkëlqimin dhe pamposhtjen e këtij vendi, pra të Shqipërisë nën udhëheqjen e
Gjergj Kastriotit: “Një gjë është tepër e dukshme, se nën këtë qiell tanimë
u shtua edhe një vlerë më shumë (...)”. Është po ky vend dhe po ky shtet që
ka mbrojtur ekzistencën e tij, lirinë dhe të drejtën e tij kundër pushtuesit
barbar osman, si dhe çdo pushtuesi tjetër, si ai sllav etj. Kështu që,
“Skënderbeu, ai prijësi i famshëm i ushtrisë kombëtare, e dëshironte me tërë
zemrën e tij luftën kundër turkut, për ta shpëtuar Shqipërinë”. Prandaj,
siç nënvizohet më tej, “Ku asht nevoja ma e madhe, ndihmon Zoti ma tepër”. Kështu
shihet angazhimi vertikal dhe horizontal, kështu është parë edhe porta hyrëse e
kombit, e cila mbahej nga duart e mbretit dhe strategut Gjergj Kastrioti. Po
ashtu, ai fuqishëm mbante nën kujdesin e tij edhe çelësin e ruajtjes së kufijve
shtetërorë të kohës, sigurinë për të ardhmen e brezave, gjë që vërehet edhe në
këtë shekull, në të cilin jetojmë si popull, komb dhe shtet.
Nisur nga e gjithë kjo, Gjergj Kastrioti me
bashkëkohësit e tij si bashkatdhetarë e shpallën pavarësinë e shtetit të
Arbërit(28 nëntor 1443), pavarësinë e etërve, pavarësinë e heronjve, pavarësinë
që i nevojitet çdo shteti. Ndërkaq, duhet ditur se në atë kohë shteti i Arbërit
kishte lidershpin, Kuvendin (e Lezhës, më 2 mars1444), kishte ushtrinë, arkën
shtetërore, monedhat, tregtinë, gjyqësinë, diplomacinë, institucionet e jashtme
shtetërore etj. “Ndër ato kohë të vështira doli pra ndër ne nji njeri prej
nji shpijes të madhe e të moçme, e ky kje Gjon Kastrioti, qi atherë zotnote
Matin [...].”
Megjithkëtë jo
pak herë është shkruar për heroizmin e madh të arbërorëve, për trimërinë dhe
talentin e tyre në artin ushtarak. Kështu, shumë studiues e kronistë kanë
përshkruar se “shqiptarët besohet të jenë ushtarët më të mirë të vendit të
tyre dhe në botë”.
Për ta
përforcuar këtë që u tha për heroizmin arbëror, po nënvizoj një historian të
njohur europian, i cili ka shkruar kështu në lidhje me këtë: “Këta shqiptarë
krenarë do të ishin akoma heronj, vetëm nëse ata do t’i printe një
Skënderbe...”.
Sidoqoftë, ishte Gjergj Kastrioti ai që e
udhëhoqi me urtësi dhe strategji vendin; me ushtrinë e tij të paktë ai mori
pozicione të fuqishme, “duke e nxjerrë vendin në avantazh”përballë
ushtarëve të shumtë të sulltanit. Ai nuk i lejoi sulltanët të arrinin progres
në trojet arbërore, por as edhe më gjerë, as t’i fusnin hundët thellë në Europë
dhe mes kombeve të saj. Skënderbeu u bë vetë mburojë dhe i mbrojti vlerat jo
vetëm të kombit të tij të lashtë, por edhe të gjithë familjeve të kombeve
europiane. Bëmat e tij janë tepër të njohura, pasi me trimërinë e tij ai e
riktheu kurorën e atit të vet, e shpëtoi atdheun e tij dhe e udhëhoqi atë në
dritën e zhvillimit, duke e bërë Arbërinë kombin më të admiruar në botë. Të
gjitha kombet donin të kishin në atë kohë një Skënderbe për vendin e tyre, por
ja që ky trim i madh, i urtë dhe vizionar kishte lindur në tokën e lashtë të
Aleksandrit, Konstantinit dhe Pirros, aty ku ky vend gjithmonë ka qenë i njohur
në mbarë botën për heroizëm.
Nën udhëheqjen e të madhit Gjergj Kastrioti,
Arbëria u bë një nga vendet më të njohura, më të respektuara, më të fuqishme e
më madhështore në kontinentin e lashtë të Europës. Kështu, ai Gjergj i vogël që
u mor peng dhe që u rrit në duart e perandorisë osmane u bë një Gjergj i madh
për vendin e tij dhe mbarë Europën. Duhet cilësuar se nga rrënjët e kombit
arbëror gjithnjë kanë dalë filiza shpëtimtare, vizionarë të urtë që nuk e kanë
lënë kombin e tyre të nëpërkëmbet, që të shkatërrohet dhe të bëhet plaçkë lufte
në barbarinë armike. Pra, ky Gjergj u rrit me ëndrrën e fshehur për t’u kthyer
në vendin e tij, pasi ai ishte pasardhësi i denjë i një fisi të madh dhe të
lashtë të kombit tonë, për t’u bërë kështu mbrojtës i atdheut të tij dhe
shpëtimtar i saj. Si Davidi përballë Goliatit,ai qëndroi i pamposhtur dhe
triumfoi përballë një perandorie të kohës, e cila ishte më e egra në periudhën
e mesjetës dhe më pas. Por me talentin, trimërinë dhe strategjinë e tij ai e mundi
Goliatin e mesjetës, e mundi të keqen, e dëboi errësirën nga Arbëria, e mposhti
në mënyrë triumfale bishën e egër osmane.
Kthimi i Skënderbeut në atdhe përbën kthimin
e shpresës për Arbërinë, si dhe realizimin e projektit të kamotshëm të tij për
shpëtimin e atdheut dhe rikthimin e plotë të vendit në duart e një
trashëgimtari të ligjshëm mbretëror të Arbërisë.
Kështu, më 10 nëntor ai u largua në pyjet e
maleve të Drinit, ku mblodhi 300 arbërorë trima për të nisur udhën drejt Krujës
e për ta marrë atë në duar të tij, si dhe më pas pjesë të tjera arbërore. Këtu
u konkretizuan ideja e shpëtimit dhe e ndërtimit të shtetit të Arbërit nën
lidershipin e Gjergj Kastriotit. Këtë ide dhe qëllim-projekt Skënderbeu e
kishte që nga vegjëlia, por e mbante fshehur në mendje e në zemrën e tij. Me
këtë pjesë të vogël të ushtrisë së tij ai “qëndroi për shtatë ditë nëpër
Shqipëri”,vetëm 10 milje larg nga kryeqyteti i saj, nga Kruja. Ai u njoh në
çdo qytet dhe fshat dhe të gjithë brohorisnin me gëzim për rikthimin e tij,
duke iu bashkuan të rinj e të vjetër. Madje, ata ia puthnin atij duart; ata
sollën kupën e nderit për të, iu gëzuan rikthimit të tij me lule nëpër rrugën e
shpëtimit të atdheut. Skënderbeu kishte vështirësi të mëdha për ta ndalur
lajmin e afrimit të tij, para se ai të arrinte vetë në Krujë, sepse populli
kishin filluar ta përhapte lajmin e gëzuar anekënd Arbërisë. Në këtë betejë
Gjergj Kastrioti me bashkatdhetarët e tij arbërorë, të cilëve ua kishte
komunikuar më parë planin e tij të madh të shpëtimit, filluan betejën kundër të
keqes, ku së pari e dekurajuan plotësisht ushtrinë turke e më pas, në mënyrë të
shpejtë, kryen edhe shpartallimin universal të saj. Jo rastësisht, planin e tij
të madh të shpëtimit apo çlirimit të atdheut ia kishte lënë dimrit; për faktin
se pikërisht kjo ishte koha e çmuar që ai zgjodhi dhe shfrytëzoi, ngaqë dimrit
lufta është shumë më e vështirë dhe me shumë pengesa. Aq më tepër, kjo periudhë
paraqiste avantazh për të, sepse vetë ai ishte një strateg i madh dhe vizionar.
Skënderbeu e
udhëhoqi vendin në kohët më të vështira, ia riktheu popullit shpresën, e
ringjalli ndjenjën e lartë kombëtare te ky populli, e nxiti atë për të jetuar
krenar dhe i lirë në shtetin që ai ndërtoi së bashku me të e që po ky shtet
shkëlqeu edhe përtej kufijve. Në këtë kontekst, duhet nënvizuar fuqishëm se
hapi i parë që ai bëri ishte që të gjithë prijësit të betoheshin për flamurin e
tij; dhe këtë e bënë të gjithë arbërorët e tij besnikë. Kështu filloi epoka e
lirisë dhe e fitoreve të njëpasnjëshme me në krye të madhin Gjergj Kastrioti
Skënderbeu. Kthimi i tij përbënte edhe ndryshimin e politikës vizionare për
vendin. Me strategjinë e tij luftarake ai e shkatërroi në themel ushtrinë
turke, mposhti sulltanët dhe rimori menjëherë së paku 230 qytete arbërore që i
kishte pushtuar barbarisht perandoria osmane.
Gjergj
Kastriot Skënderbeu ishte i qetë dhe i palëkundur deri në shkatërrimin e
përgjithshëm të perandorisë osmane. Kjo gjë shihej te guximi i tij, te siguria
që ai kishte në vetvete dhe te ndjekësit; ai nuk e njihte frikën, atë e
shoqëronte zelli i madh. Shqetësimi i madh për atdheun rëndonte në mendjen e
tij të talentuar, porse njihej edhe si njeri i rezistencës së madhe, i cili
futi besimin e madh te ndjekësit e tij. Me anë të këtij besimi ai ngriti
shpresën e suksesit dhe të fitoreve të mëdha përballë së keqes. Ishte
Skënderbeu ai që e ndezi përsëri entuziazmin dhe shpresën e vjetër për atdheun
dhe lirinë e tij në Arbëri.
Ashtu siç e nënvizon edhe Marin Barleti në
veprën e tij mbi Gjergj Kastriotin, “liria ishte në gojën e të gjithëve,
emri i lirisë bëri jehonë kudo”. Ai ushqeu në zemrën e tij dëshirën për t’u
kthyer në atdhe dhe për të luftuar kundër pushtuesit osman, i cili i kishte
okupuar dhe shkretuar atdheun e tij. Skënderbeu shkëlqeu me talentin e tij luftarak
dhe këtë më së miri ai e tregoi në mbrojtje të vendit të tij. Ai ishte i
rrethuar me kurorën e lavdisë, ishte modeli i gjeneralëve të vjetër, të urtë
dhe të shkathët, ashtu si Aleksandri i Madh. Sapo u rikthye në Krujë, e shpalli
veten armik i përbetuar i turqve, jo më pjesë e Oborrit, siç e kishte pasur që
nga pengmarrja. Kështu ai filloi ofensivën e tij duke i goditur ata nga të
gjitha rastet, si dhe duke korrur fitore të mëdha. Madje, e gjithë bota mbarë
ishte mrekulluar se si një vend i vogël si Shqipëria bëri të mundur që të
dështojnë planet e turqve barbarë. Me trimëri dhe në sajë të virtyteve që
kishte, Gjergj Kastrioti arriti t’i dëbojë turqit jo vetëm nga Arbëria, por
bëri të mundur që të mos i lejojë ata të futen në brendësi të kontinentin europian
për ta shkretuar atë.
Ky arbëror trim ishte i pamposhtur, burrë i
urtë e vizionar, tregojnë kronistët europianë, të cilët shkruajnë se, “sapo
ai (sulltan Mehmeti II) nisi me qeverinë e tij, ai i ofroi paqe Skënderbeut, me
kusht që ai të mbajë vendin e tij, por ai duhet të paguajë tribut (lloj
haraçit) vjetor për të. Tani, kur Skënderbeu ia preu shkurt këtë propozim të
tij me përbuzje, sulltani dërgoi dy ushtritë e tij kundër Epirit”.
Gjergj Kastrioti dhe historia e pavarësisë
së Shqipërisë në shekullin XV kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë
e popujve të Europës, duke gëzuar respektin e famën te të gjithë.
Realisht, siç shkruante një kronist, “ishte
heroi shqiptar Gjergj Kastrioti, i quajtur si Skënderbeu, i cili i mundi turqit
disa herë, dhe se jeta e tij u rrethua me aureolën e madhështisë. Ai ishte
trim, i talentuar, ndërsa veprat e tij ishin të admirueshme nga të gjithë”.
Duke parë se ishte e
pamundur ta pushtonte shtetin e Gjergj Kastriotit, Sulltani arriti ta fusë
farën e shkatërrimit nga përbrenda, duke kërkuar bisedime me Moisiun dhe
Hamzanë. Ata i përdorën si veglat e tyre, duke iu dhënë atyre një shumë të
paparashikueshme parash, vetëm e vetëm që ta merrnin Krujën dhe të gjitha
vendet që zotëronte mbreti Gjergj Kastrioti. Me gjithë tendencat e tyre për ta
kapur dhe pushtuar vendin nga brenda, kurrë nuk arritën t’i realizojnë, sepse
Gjergj Kastrioti tanimë e njihte edhe këtë strategji të tyre demoniake, dhe se
të gjitha të papriturave ai ishte i gatshëm t’u përgjigjej duke e mbrojtur dhe
ruajtur vendin me të gjitha mjetet, si dhe me jetën e tij prej trimi të madh.
Duke e ditur historikisht se kombi iliro-arbëror kishte rrënjë të thella, si
dhe duke pasur parasysh ndikimin e shumë personaliteteve mbikohore që kanë lënë
gjurmë, Gjergj Kastrioti ishte vazhdimësi e natyrshme e paraardhësve të
guximshëm. Ai kështu u bë lavdia e kombit të tij. Kjo tregon më së miri se
kombi arbëror kurrë nuk është shuar, por, edhe nëse është lodhur nga skllavëria
dhe pushtimet, ai sërish është zgjuar dhe ka reflektuar nga rrënjët frymën e
tij të bujarisë, trimërisë, vizionit dhe guximit të pashoq.
Një grup autorësh, në një nga veprat e tyre
nënvizojnë: “Po, unë besoj te Kastrioti, ne takojmë një person të madh, siç ka
pasur edhe më parë, si ai i Leonidasin ose Themistoklin. Unë shoh Pirron dhe
shikoj në të Aleksandrin, dhe se ai kishte armikun e tij më të fuqishëm sesa
këta”,(por që triumfuan gjithmonë – shënimi im). Këta të gjithë lulëzuan, i
dhanë formë kohës dhe jetës së tyre me anë të veprave madhështore dhe gjurmëve
të pashlyera.
Nuk e dinte sulltani, ky Goliat, se qëndronte
përballë Davidit të kohës së tij! Nuk e dinte sulltani se kishte përballë,
ashtu siç e kanë quajtur shpesh, “Dragoin e Shqipërisë”.Dragoi është
simboli i të gjitha miteve pellazge apo iliro-arbërore, ndaj dhe jo rastësisht
është cilësuar kështu Gjergj Kastrioti. Kjo tregon edhe rrënjën e prejardhjes
së tij, si dhe vazhdimësinë e frymës që nga lashtësia, me të cilën e ka
përcjellë kombin iliro-arbëror.
Sidoqoftë,
Kruja tanimë nuk ishte vetëm kryeqyteti i shtetit të Arbërit, por edhe
kryeqendra e rezistencës në Europë; aty u mbrojt atdheu, aty u mbrojt shteti i
Arbërit, aty u mbrojtën vlerat, kultura burimore arbërore europiane dhe civilizimi
i tërë kombeve europiane. Pikërisht aty u vulos fati i arbërorëve dhe i
familjes europiane; po aty Europa ka avokatin e saj të madh, që nuk lejoi të
kontaminohet i tërë kontinenti me ideologjinë e perandorisë osmane.
Edhe pse po
kjo Europë – që Skënderbeu e mbrojti deri në ditët e fundit të jetës së tij – i
admiroi veprat e tij të mëdha dhe ia çmoi sakrificën, nuk bëri asnjë hap për ta
ndihmuar dhe mbështetur atë në përpjekjet e gjakosura për liri, në ruajtjen e
vlerave, të identitetit etj., për ta dëbuar përgjithmonë pushtuesin barbar
osman nga kontinenti i përbashkët i kësaj familje. Edhe pse ndihma dhe
mbështetja e duhur nuk iu ofrua, kur ai kishte më së shumti nevojë, ishte i
vetmi që e ruajti parimin e tij dhe nuk u dorëzua asnjëherë. Kështu Skënderbeu
u bë edhe më i fuqishëm, një avokat i patundur i themeleve dhe kulturës
europiane, i atdheut dhe vlerave të tij, si dhe fytyra e vetme guximtare e
Europës përballë perandorisë turke dhe sulltanit.
Skënderbeu ishte i vetmi mbret në Europë që u
bë imazhi kalorësiak triumfues në betejën me të keqen nga ku doli fitimtar,
sepse atë betejë ai e bëri deri ditët e fundit të jetës së tij, duke mbrojtur
shtetin e tij dhe tërë civilizimin europian.
Me pak fjalë qeverisja e Gjergj Kastrioti
ishte mbi të gjitha monument i një qeverisjeje të mirë, vizionare dhe
patriotike. Në shtetin e Arbërit patriotizmi triumfonte mbi çdo bindje,
religjion etj., pra në thelb aty qëndronte e konservuar ruajtja e qenies
kombëtare, e identitetit të lashtë arbëror, e kulturës të vlerës së besimit të
krishterëve arbërorë. Kështu vazhdoi gjatë gjithë jetës së tij Gjergj Kastrioti
si lidershp, të veprojë si një udhëheqës, strateg i mençur, komandant i
patrembur dhe njeri i madh. Liria ishte për të shpirti i shtetit arbëror, forca
lëvizëse e gjithë manifestimit të tij, ndërsa e vërteta qe qëllimi i tij
politik. Prandaj ai, me fuqinë e tij, e ka dëshmuar po fuqishëm të vërtetën e
parimit të lirisë.
Pasi ai i dha
jetë sërish lirisë së arbërorëve, pas shumë vuajtjeve dhe persekutimeve të
popullit nga barbarët turq, mund të themi se kjo lloj lirie e fituar me shumë
sakrifica është sinteza e vërtetë e politikës së ndjekur prej tij, dhe se liria
si koncept nuk ishte thjesht një fjalë për Gjergj Kastriotin dhe shtetin e
Arbërit; ajo ishte më tepër se kaq, ishte mishërimi i idealit të paraardhësve.
Në përputhje me rrethanat e kohës, Skënderbeu
shpalosi vetëm një pamje të vetme, që e vërteta ishte objektiv i politikës së
tij vizionare. Duhet rikujtuar këtu se në fjalimin e tij në Kuvendin e Lezhës,
para të pranishmëve ai shpalosi strategjinë e tij të rikthimit të natyrshëm të
hapësirës së plotë të Ilirisë në vendin e vet. Ky fjalim, në lidhje me këtë
bashkim apo lidhje është transmetuar nga dëshmitarët venecianë në këtë asamble
apo kuvend kombëtar, të cilët e kujtojnë të ngjashëm me stilin e madh të
heronjve të Homerit. Luftëtarët shqiptarë ngjasonin tashmë si në ditët e lashta
të Epirit dhe Ilirisë, oratorë dhe poetë. Ndërkaq, duhet nënvizuar edhe ajo çka
shkruajnë kronistët, se Pavarësia, edhe pse ishte e shkurtër, ajo qe si një
meteor mbi qiellin kombëtar të arbërorëve.
Nisur nga kjo dëshmi, Gjergj Kastrioti ishte
jo vetëm hero, por edhe një udhëheqës, një mbret, si dhe një shpëtimtar, i cili
ndiqej edhe nga energjia pozitive, kurajuese dhe guximtare e arbërorëve dhe
luftëtarëve që ishin krah tij në luftën kundër barbarëve turq. Po ashtu, duhet
nënvizuar fort se çështja e tij – dhe për të cilën ai luftoi deri në vdekje
– ishte më tepër nacionale sesa religjioze, sepse ai erdhi për ta shpëtuar
popullin e tij, për t’ia këputur atij zinxhirët e skllavërisë, për të mos i
lënë më të jetojnë në persekutim dhe të vdesin si skllevër, por të jetojnë e
gëzojnë si arbërorë të lirë dhe me të ardhme të ndritur për brezat në vazhdim.
Në kohën kur
jetoi dhe veproi Gjergj Kastriotit shteti i Arbërit ishte shtet i shpresës, i
mbrojtjes dhe i krenarisë kombëtare, madje ky shtet ishte model edhe për vetë
Europën dhe kombet e saj të periudhës së mesjetës. Ndërkaq, ai kishte themeluar
shtetin dhe kishte shpallur pavarësinë e gjerë kombëtare mes popullit arbëror;
energjia dhe aftësia e tij tashmë ishin pranuar pothuajse pa përjashtim nga të
gjithë prijësit arbërorë, me të cilët qeveria e Gjergj Kastriotit përfaqësonte
interesat e shtetit në të gjitha drejtimet, duke e fuqizuar atë në themel dhe
duke siguruar se do të kishte marrëdhënie ndërkombëtare e diplomatike të
fuqishme me aktorë të kohës në shumë vende europiane.
Për shtetin e Arbërit, Gjergj Kastrioti ishte
fanari që bënte dritë, dhe kjo dritë u ndez për t’i treguar popullit dhe vendit
udhën nga duhej të shkonte; këtë dritë Perëndia e vuri shpejt mbi altarin e
tij, si dhe të vetë kombit arbëror, por edhe të familjes europiane.
Dashuria, në kuptimin e përgjithshëm, në
thelbin e saj është një zjarr shpirtëror, ndërsa dashuria për atdheun që Gjergj
Kastrioti shihet tepër qartë në rikthimin e tij për ta shpëtuar atë, për ta
bërë të lirë si dhe për të ndërtuar shtetin e Arbërit. Realisht, kështu ishte
edhe veprimi i tij, çka do të thotë se ai zjarr i brendshëm për atdheun
shpërtheu jo vetëm në Fjalët e tij pas rikthimit, në kuptimin e
dashurisë së tij shpirtërore e fizike për vendin e tij, por edhe në Veprat
e mira në shërbim të vendit, që ai bëri më pas gjer në vdekje.
Pra, për
fat të mirë, shteti i Arbërit kishte një lider të papërsëritshëm, një guximtar
të pashoq e të madh, një vizionar e strateg largpamës, si dhe një diplomat të
urtë. Sidoqoftë, Skënderbeu ishte vërtet një patriot i madh arbëror, vizionar,
strateg dhe diplomat, i cili gjatë jetës së tij rezistoi dhe u bë mburojë e
civilizimit të familjes europiane. Ishte ai i vetmi që e paralizoi Portën e
sulltanit, e dobësoi atë dhe i ndaloi ambiciet e sulltanit për ta pushtuar tërë
kontinentin europian. Me pak fjalë, Gjergj Kastrioti, ky vizionar i Arbërisë,
bëri gjithçka mund të arrinte “vetëm një komandant i madh dhe i mençur, ndaj
jo rastësisht mbante edhe pseudonimin Aleksandri i Madh (Skënderbeu)”. Duke
parë gjithçka që ai bëri dhe ndërtoi me dashuri për atdheun, shtetin dhe kombin
e tij, me urtësi dhe trimëri, plotësohet kuadri i besimit që ai kishte në
vetvete, i cili në të vërtetë ishte bërë një mburojë e fuqishme kundër
shigjetave të së keqes.