E diele, 22.12.2024, 12:20 PM (GMT)

Kulturë

Dromca nga "Të Lirë", Lea Ypi

E marte, 23.11.2021, 07:24 PM


“Po ne a kemi ndonjë kushëri që ka marrë pjesë në luftën antifashiste?”, pyesja unë prindërit me kureshtje. Ata binin në mendime të thella, rrëmonin mekanikisht nëpër albumet me fotografi të zverdhura, belbëzonin fjali të pakuptueshme, si të zënë në faj, këshilloheshin me zë të ulët me njëri-tjetrin, derisa tema davaritej në ajër.

>>>>>>>>

Çdo 5 maj, kur përkujtonim heronjtë e luftës, udhëheqës të Partisë bënin vizita në shtëpitë e dëshmorëve për të ngushëlluar të afërmit, duke i siguruar ata se gjaku i bijve më të mirë të Shqipërisë nuk ishte derdhur më kot. Unë ulesha pranë parvazit të dritares dhe soditja me zili shoqet e mia veshur me rrobat më të bukura, me tufa karafilash të kuq në njërën dorë dhe flamurë të vegjël në dorën tjetër, teksa ia merrnin këngëve partizane duke pritur shokët e Partisë. Kur më në fund ata shfaqeshin, fëmijët vraponin për t’i përqafuar me dashuri dhe u tregonin rrugën për në shtëpi. Të emocionuar, familjarët e vënë në rresht u shtrëngonin dorën dhe dilnin fotografi me ta. Pak ditë më vonë këto fotografi vinin në shkollë dhe fëmijët që i sillnin dilnin në tabelë të nderit. Unë nuk kisha as lule, as fotografi, as vizita nga shokë Partie, as kushërinj heronj të popullit. Nuk kisha hiçkurrëgjë.

>>>>>>>>

Sikur kjo të mos mjaftonte, çdo 5 maj më duhej edhe të justifikohesha. Kuislingu shqiptar, ish kryeministri i dhjetë i vendit, tradhtari i kombit, armiku i klasës që meritonte urrejtje dhe përbuzje gjatë diskutimeve në shkollë mbante të njëjtin mbiemër me mua dhe të njëjtin emër me tim atë.

>>>>>>>>

Nëna, babai dhe gjyshja ishin rreshtuar nga e njëjta anë e tavolinës së vogël të bukës, me fytyrat nga ana e kundërt e derës, ulur në tre karrige të vogla që dukeshin sikur nga çasti në çast do të thyheshin nga mbipesha. Me bërrylat shtrirë mbi tavolinë, pëllëmbët e duarve që u mbulonin krejt fytyrat dhe kokat e zgjatura aq larg nga trupi sa dukej sikur papritur do të shkëputeshin e rrokulliseshin mbi mbulesën e tavolinës, ata thua se kishin hyrë në një zonë të re graviteti. Të tre ishin të përfshirë në një ritual të çuditshëm kolektiv, në qendër të së cilit ndodhej një objekt enigmatik që trupat e tyre e mbulonin duke e bërtë të padukshëm. U ngrita në majë të gishtave dhe zgjata qafën për të parë më mirë. Në mes të tavolinës dallova radion e shtëpisë.

>>>>>>>>

“E kuptuat? Nesër nuk shkoj në shkollë!”, përsërita me zë të lartë duke hedhur tre hapa të vendosur në aneks. Librin e historisë e shtrëngoja fort në dorë, të hapur pikërisht në faqen me fotografinë e ish kryeministrit. Edhe Lani përplasi këmbët në tokë, pastaj u kthye nga unë me një shprehje mbështetjeje të pakursyer. Im atë u rrotullua me pamjen gjysëm sulmuese e gjysëm fajtore të një njeriu që kapet në flagrancë. Nëna shoi radion. Dëgjova vetëm dy fjalët e fundit para se zëri të tretej: “pluralizëm politik”.

>>>>>>>>

“Më ka dalë prapë në mësim ai”. E kam për atë Ypin kuisling. Nuk shkoj në shkollë nesër. Nuk jam në gjendje të merrem me shokët e klasës e t’i sqaroj prapë se s’kemi lidhje me atë njeri. Ua kam thënë njëqind herë, nuk marrin vesh. Prapë kanë për të pyetur, do të bëjnë sikur nuk e dinë, sikur nuk e kanë dëgjuar më parë. Nuk kam çfarë t’u them më. Nuk jap më shpjegime, ua kam dhënë kushedi sa herë, nuk marrin vesh.”

Të njëjtin monolog e kisha recituar qindra herë më parë, sa herë që fashizmi përmendej në mësimet e historisë, të letërsisë apo në edukatë morale. Prindërit nuk më jepnin kurrë leje për të munguar në shkollë. Me siguri edhe kësaj radhe do të kundërshtonin. Nuk më kuptonte askush. Ata nuk e kuptonin dot barrën që më peshonte sa herë që flitej për historinë e vendit. Edhe shoqet e klasës nuk e kuptonin dot çfarë do të thoshte të jetoje në një familje si ajo e imja, ku vetëm e tashmja dhe e ardhmja kishin rëndësi ndërsa e kaluara sikur nuk kishte qenë kurrë. Ndoshta edhe unë vetë nuk e kuptoja mirë atë rrëmujë ndjenjash që përjetoja atëherë, atë përshtypje të turbullt se jeta ime, brenda dhe jashtë mureve të shtëpisë, në fakt nuk ishte një  por dy jetë. Ato ndonjëherë e plotësonin dhe mbështesnin njëra-tjetrën por më shpesh përplaseshin në një realitet të vrazhdë ku rrekesha më kot të gjeja drejtpeshim.

>>>>>>>>

Sikur të kishim ndonjë hero të popullit ose të paktën ndonjë ish-partizan, fundja edhe ende të gjallë, jo doemos të vdekur, sa për ta përmendur ndonjëherë në klasë. Atëherë nuk do të merrej njeri me atë Ypin tjetër. Po ju nuk më gjeni dot asnjeri, as në familje e as në farefis. Askënd që të ketë mbrojtur lirinë. Askujt nuk i intereson liria në rrethin tonë.”

“Jo, jo, këtu e ke gabim”, ndërhyri im atë. “E kemi një. Të kemi ty. Ty të intereson. Ty të kemi luftëtare lirie”.

Përgatiti: Edison Ypi



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora