E merkure, 30.10.2024, 06:39 AM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Legenat

E hene, 22.11.2021, 07:14 PM


Legenat

Nga Edison Ypi

Që Shqipëria e udhëhequr jo nga burrat por nga legenat një ditë do katandisej për ibret si sot, i pari që e lajmëroi ishte Naimi i madh tek Bagëti e Bujqësi, titulli i së cilës flet vet për legenat tanë animalistikë dhe bukolikë të kudondodhur, posaçërisht aty ku e thot' cop; "Do tu këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni". Domethënë do tu çel sytë për legenat që mbani mbi kurriz e i lini tu vjedhin.

Dhe më qartë akoma, diku tjetër ku tallet hapur;

"O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni".

Pra "O shqiptarë, me legenat që keni më gajasni".

Poeti idealist idilik e dinte se Historia e Shqipërisë ishte plot me hajdutë, llafazanë, mburravecë, grindavecë, dembelë, hileqarë, intrigantë, prandaj dha alarmin për legenat.

Profecisë naimiane pak rëndësi iu dha.

Legenat tanë sot e kësaj dite vazhdojnë të kërcasin, të bërtasin, të vjedhin, të bëjnë ligjin.

Një tjetër shqiptar vizionar tha; "Burrat e dheut e thirrshin nanë".

Pra "Burrat e dheut", që domethënë burrat e vdekur, Shqipërinë e thirrshin nanë sepse e donin, ndërsa të tjerët, legenat, e qujshin plaçkë për ta vjedhur.

S'është për tu çuditur.

Naimi, Çajupi, Pashko Vasa, nuk janë të vetmit.

Libra prej të cilëve 99 % e lexuesve mezi kapin 1 % të thelbit, ka plot.

Për shembull, miliona dashamirë naivë të letërsisë e ngrenë në qiell Pinokun si meselenë moralistike të një buratini të cilit i zgjatet hunda sa herë gënjen. Kjo është vetëm njëra nga pasojat që pak lidhje ka me thelbin. Pinoku ka në themel një shkak madhor, ankthin e thellë, dëshpërimin cfilitës, të një burri të vetmuar i cili në mungesë të një fëmije prej mishi, gdhend një fëmijë prej druri. Thelbet e thella lexuesi i cekët pak i kupton. Mirë bën. Përndryshe do luante mendsh.

Prej qindra vitesh Shqipëria vuan prapësitë e legenave hajdutë.

Ende sot zeja më e përhapur ndër shqiptarë është ajo e legenave që ulurasin, pasi ulurasin vjedhin, pasi vjedhin trashen, pasi trashen  nuk shkulen.

Stërnipat e sotëm të legenit naimian, atij që "blegërin dy a tri herë dhe ikën e merr dhenë", pra legenit që pasi bën sherr ja mbath, si dhe legenave çajupianë, ata që "nënë hije, lozën kuvëndojnë, pika që s'u bie se nga gratë rrojnë", të bëjnë edhe për të qeshur edhe për të qarë, por më tepër për të qarë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora