E diele, 22.12.2024, 01:07 PM (GMT)

Kulturë

Emin Azemi: Veçantitë e letërsisë së arbëreshëve të Italisë në veprën e Anton Nik Berishës

E diele, 21.11.2021, 06:59 PM


VEÇANTITË E  LETËRSISË SË ARBËRESHËVE TË ITALISË NË VEPRËN STUDIMORE TË ANTON NIK BERISHËS

(Ose: në vend të një skice për profilin shkencor e krijues të Anton Nikë Berishës)

NGA EMIN AZEMI

Studiuesi dhe shkrimtari Anton Nikë Berisha është një figurë e rëndësishme e botës së letrave shqipe, veprimtaria e të cilit kap një gamë të gjerë profilesh e zhanresh. Ai shquhet për  studimet mbi letërsinë gojore, letërsinë e shkruar, si dhe autor veprash letrare për fëmijë dhe për të rritur.

Veprën  e parë të karakterit studimor Përkime poetike e botoi në vitin 1978 në Prishtinë , kurse veprën fundit letrare – romanin Frymëmarrje nate, botuar para disa javësh në Prishtinë.

Brenda këtij harku kohor Anton Nikë Berisha u mor vijimisht me letërsi, qoftë si studiues, qoftë si krijues. Ndër veprat që edhe sot shërbejnë si burime referenciale për teorinë dhe poetikën e tekstit veçojmë: Mundësi interpretimi (1979), Teksti poetik (1985), Mbi letërsinë gojore shqipe, 1987, Veçanti ligjërimesh poetike (1996), Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë (2001),  Çështje teorike të letërsisë (2005), Njëmendësia e fjalëve. Mundësi interpretimesh letrare, 2006, Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë (2013), Prishtinë .

Në këtë korpus veprash do të veçonim edhe studimet monografike mbi shkrimtarët Gjon Buzuku, Jeronim de Rada,  Gjergj Fishta, Martin Camaj, Ernest Koliqi, Mark Krasniqi Azem Shkreli, Dushko Vetmon,  Zef Skiroi, Ramadan Musliu etj.

Anton Nikë Berisha shquhet për një përparësi të rrallë në përvojën e tij si autor veprash letrare  e studimore, që ka lidhet me specifikën e praktikës shkrimore që ai me sukses ka arritur ta shndërrojë madje në metodë pune e që është e veçantë edhe atëherë kur shkruan për fëmijë edhe  atëherë kur del në pozitën e interpretit dhe teorikut letrar të veprave të letërsië gojore dhe asaj të shkruar  si dhe atëherë kur shkruan letërsi për të rritur. Pra kur përmendet emri i tij, studiuesit dhe antologjistët e letërsisë, bie fjala,  nuk do të mund ta shmangnin Anton Nikë Berishën, autorin e përmbledhjes me vjersha për fëmijë  Kthimi i Skënderbeut në Krujë, botuar në Prishtinë 1970,   Pilivesa e flakëruar (Poemë për fëmijë), Prishtinë 1980, romanet: Motra kërkon vëllezërit, Prishtinë 1984, E Bukura e Dheut, Prishtinë 1989.

Emrin e tij nuk do të mund ta shmangim edhe atëherë kur do të donim të bënim një klasifikim të veprave letrare për të rritur, sikundër janë romanet : Bimorja,  Prishtinë 1993, Gjin Bardhela i arbëresh & Etja e gurëzuar, Prishtinë 2002, Nëna e dritës,  Prishtinë 2004, Ferri i lodhur, Prishtinë 2007 dhe Frymëmarje nate, Prishtinë, 2021.

Përpos veprave në prozë, sutdimeve letrare, përkthimeve e përzgjedhjeve të poezive ku do të veçonim sidomos autorët e përzgjedhur: Frederik Reshpja, Visa Zhiti, Azem Shkreli, Mirko Gashi e Ramadan Musliut, prof. Antoni  ka botuar edhe këto vepra në poezi: "UJËVARË DRITE NË ZEMËR ( dy apo tri herë e botuar në gegnisht si dhe në gjuhën letrare), PRUSHI I BUKURISË, ( tre botime ) , SYTË E HESHTJES.

Një përkushtim i veçant i prof Antonit është dëshmuar edhe përballë jetës dhe veprës së Shenjtëreshës sonë, Nënës Tereze. Janë mbi 15 libra që shpalosin profilin shpirtëror e human të kësaj gruaje të madhe me famë botërore.

Prof. Anton Nikë Berisha shquhet edhe për një qasje të përshktuar e studimore ndaj letërsisë gojore, kurse vepra më kapitale në këtë fushë është “Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe”, botuar në Prishtinë, 2017. Sprova të suksesshme ai tregoi edhe në fushën përkthimit, përktheu:  “Epin e Gilgameshit”, veprën më të moçme të plotë të shkruar që është zbuluar deri më sot, pastaj, “Këngën e këngëve”, dy këngë të “Këngës së Nibelungëve”, “Psalmet” etj.

Prof. Berisha ka në dorëshkrim edhe punë të tjera, dhe mund të themi me plot gojën se ai mund të llogaritet ndër autorët e rrallë që mban llogari në ruajtjen e sensit të cilësisë përballë sasisë, duke i ekuilibruar gjithmonë ato në favor të freskisë dhe risisë që shpërfaqen nga vepra në vepër.

Sot, meqë në kuadër të manifestimit tonë tradicional Ditët e Alfabetit, temë bosht kemi Gjuhën, letërsinë, kulturën dhe traditën e arbëreshëve të Italisë, do të ndalemi te kontributi shkencor i prof. Anton Nikë Berisha në ndriçimin e vlerave të letërsisë së arbëreshëve të Ialisë. Puna e tij e gjatë në Universitetin e Kalabrisë, në Kozencë, mbi njëzetë vjet,  por edhe interesimet e tija më të hershme për krijimtarinë e De Radës, Gavril Darës. si dhe për ndikimet dhe përkimet poetike të letërsisë gojore dhe asaj të shkruar, të gjitha këto i kanë mundësuar prof. Anton Nikë Berishës t’i ofrojë lexuesit një qasje të mëvetësishme  kritike për këtë letërsi.

Vepra më e rëndësishme monografike me një titull kuptimplotë Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë, e ndarë në tri pjesë: Pjesa e parë - Letërsia gojore, pjesa e dytë - Letërsia e shkruar dhe pjesa e tretë – Përkime poetike, paraqet edhe angazhimin jetësor të prof. Anton Nikë Berisha në fushën e studimit dhe hulumtimit të opusit të gjithanshëm letrar të arbëreshëve të Italisë.

E veçanta e kësaj vepre të rëndësishme qëndron në faktin se ajo në mënyrë të sintetizuar dhe analitike shkoqit shtratin e formimit dhe zhvillimit të letërsisë gojore e të shkruara të arbëreshëve të Italisë, duke u ndalur në veçantitë e saj shprehëse, estetike e stilistike, si dhe në profilimin e shkollave letrare që nga romanizmi e deri te modernizmi arbëresh, me emra, vepra e opuse të veçanta krijuese.

Bota letrare e arbëreshëve të Italisë, sipas prof. Anton Nik Berishës i ka dy burime të mëdha formimi e zhvillimi: letërsinë gojore dhe atë evropiane, pa e anashkaluar edhe letërsinë e përgjithshme shqipe. Teksa merret me opusin e gjerë letrar të Jeronim de Radës, Anton F. Santorit, Zef Skiroit,  Dushko Vetmos, Vorea Ujkos, Zef Sikroi di Maxhos, prof. Berisha qartësisht i risemantizon kuptimet dhe nocionet e letërisë gojore (rapsodia e Pal Golemit, sipas të dhënave të derisotme është krijimi i parë i traditës letrare gojore të arbëreshëve të Italisë i njohur në formën e shkrimit) që janë shkri si arketipe sdhjelluese e shprehëse në veprat e këtyre krijueseve.

Për letërsinë e arbëreshëve të Italisë është shkruar mjaft, por efektet që kanë krijuar tek lexuesi këto punime, mezi kanë arritur ta tejkalojnë një perceptim sipërfaqësor dhe fragmentar. Kjo sipërfaqësi është vërejtur sidomos në  qasjet që i janë bërë veprës letrare të Jeronim de Radës, veprës së Zef Skiroit, Françesk Anton Santorit  dhe ndonjë autori tjetër, ndërkohë që në optikën studimore të prof. Anton Nikë Berishës vepra e autorëve arbëreshë,  nuk del vetëm si shtjellim tekstot, por edhe si imazh, nuk del vetëm si formë, por edhe si mesazh poetik, jo vetëm si morfologji fabulare por edhe si poetikë tekstore,  dhe mbi të gjitha mjetet e interpretimit të kësaj letërsie janë të një shkolle krejt tjetër dhe mjaft të avancuar në krahasim me shkollën pozitiviste e tradicionaliste  të realizmit socialist që kanë qenë dhe ende është e pranishme në disa katedra tona universitare.

Pasi ta kemi lexuar veprën voluminoze Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë, përveça vlerave të tjera, do të mund të identifikonim edhe ato që kanë të bëjnë me përpjekjen e sukseshme të prof. Anton Nikë Berishës në interpretimin e poetikës së tekstit letrar të autorëve arbëreshë, me format shprehëse dhe me shtresat kuptimore të tyre, duke ndjekur metodën krahasimtare me studiues të tjerë që si objekt observimi kanë pasur këta autorë, si dhe qasjen tepër përimtuese e hermeneutike të shenjave identifikuese poetike të opusit letrar të autorëve arbëreshë, ku dominon përkushtimi për një mikrolexim të këtij opusi.

Nga ky mikrolexim ne e kuptojmë më mirë arealin jetësor arbrëresh, përmes një depërtimi gati kirurgjikal në nervaturën e botës arbëreshe, ku gërshetohet mitikja dhe realja, tradita gojorje dhe e shkruar dhe mbi të gjitha përvijohen specifikat e strukturës gjuhësore poetike të kësaj letërsie, që përbën edhe një sfidë tjetër studimi për arsye se deri më tani nuk janë ndriçuar aq sa duhet dhe aq sa e meritojnë vlerat dhe prurjet e kësaj letërseë në letërsinë tonë të gjithmbarshme.

Shikuar në planin diakronik e histioriografik, ashtu siç del edhe në veprat studimore të prof. Anton Nikë Betrishës, letërsia e arbëreshëve të Italisë, përpos reminishencave novatore që solli, ajo e pasuroi artin tonë letrar edhe me vepra që inaugurojnë drejtimet dhe zhanret letrare, siç është bie fjala poema “Këngët e Milosaos” e Jeronim de Radës, “Këngëtarja e arbëreshe” e Santorit tragjedia e parë në gjuhën shqipe, “Neomenia” e Françesk Anton Santorit, të cilat, kush më më shumë e kush më pak, kanë ushtruar dhe vazhdojnë të ushtrojnë ndikim thelbësor në rrjedhat e përgjithshme të letërisë sonë.

Akti i receptimit të letërisë së arbëreshëve të Italisë shoqërohet edhe me vështirësitë e komunkimit gjuhësor, dhe për pasojë kjo ka ndikuar edhe në qasje jo rrallë të lajthitura që i janë bërë kësaj letërise, sidomos veprave të Jeronim de Radës dhe ndonj autori tjetër, prandaj merita e prof. Anton Nikë Berishës, nuk qëndron vetëm në nxjerrjen në pah të vlerave të pakontestushme të veprave të shkrimtarëve arbëreshë, pas një seri rilexmiesh, por edhe në deshifrimin gjuhësor të këtij opusi, duke e bërë më të afërt me lexuesit dhe duke e ambientuar atë në horizontin e përgjithshëm të kulturës letrare shqiptare,  në saje të një depërtimi të thelluar kapilar në vetë strukurën poetike-shprehëse të veprave të autorëve arbëreshë.

Shkup, nëntor, 2021

EMIN AZEMI,  është Udhëheqës i Departamentit të letersise në ITSHKS, në Shkup. Ky material u lexua në “DITËT e ALFABETIT” mbajtur në ITSHKSH  Shkup më 19 Nëntor 2021 ku Anton Nik Berisha ishte figurë qëndrore e këtij manifestimi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora