E shtune, 21.12.2024, 12:35 PM (GMT)

Mendime

Enver Bytyçi: Berisha i tretë

E premte, 19.11.2021, 07:31 PM


Berisha i tretë

Nga Enver Bytyçi

Sali Berisha ishte betuar se nuk do te promovonte një Berishë të tretë. I dyti, sidomos i dyti, ishte aq i sukseshëm, sa të mos e nxiste për ta ngacmuar sedren e egon e një Berishe tjetër, të fazës së tretë. Jo vetëm për moshën. Por edhe se ai dëshiroi sinqerisht promovimin e një politike të re në Partinë Demokratike.

Por nuk ndodhi kështu. Lulzim Basha nuk mundi ta largojë kompleksin e të qenit i dytë në hierarki, rol të cilin ai di ta luajë mirë. Kompleksi i të paturit një tutor të vetin e bëri atë të varur së paku psikologjikisht te ish-lideri historik i Partisë Demokratike. Ndoshta e ushqeu këtë edhe prezenca publike e paraardhësit të tij. Megjithatë ishte detyrë e zotit Basha të shkëputej nga paranoja se “Pa Berishën nuk mund ta udhëhiqte partinë” që e mori në tavë. Deri sa ai gjeti një tutor tjetër, Edi Ramën. I provoj këto që thashë edhe nga vëzhgimet e drejtpërdrejta që kam bërë vetë në marrëdhëniet konkrete, bisedat dhe sjelljet e kryetarit aktual kundrejt liderit historik.

Ndaj personalisht i kam thënë zotit Basha se “Do të doja që ju ta respektonit Sali Berishën, por nuk do të doja që ta kopjonit atë ose që të silleni si vartës i tij”! Fakti që Basha nuk u bë dot lider dhe për më tepër ndërroi tutorin e vet nga Berisha te Edi Rama e detyroi ish-liderin historik të adresohet te Berisha i tretë.

Tashmë është e qartë se rikthimi i tretë i Sali Berishës ka ardhur. Nuk e ndal dot as kërcënimi i Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga PD, as akuzat se “po bashkëpunon me kriminelë” të cilët Rama dhe Basha ia dërgojnë në foltore, nëse ka të tillë! As me akuza të lojës anti e pro-amerikane. Sali Berisha është bërë njësh me Partinë Demokratike dhe Lulzim Basha nuk ka më asnjë mundësi e forcë që ta mënjanojë faktin se frymëzimi i kësaj partie është paardhësi i tij. Kryetar të bën fryma që sjell, jo vula që mban! Sa më shumë Lulzim Basha ta shohë Sali Berishën si armik, aq më shumë do të fundoset në humnerën e tij moralo-politike.

Por cili do të jetë Berisha i tretë? Berisha numër një i viteve 1990-1997 ishte njeriu që udhëhoqi ndryshimin e sistemit nga diktatura në pluralizëm. Por pa eksperiencë dhe si të gjithë tjerët, me një barrë konceptesh të trashëguara nga regjimi totalitar. Berisha i dytë (2005-2013) pati dy faza të ndryshme nga njëra-tjetra. Mandati i parë i jashtëzakonshëm në historinë e pluralizmit shqiptar. Ndodhi Gërdeci në atë mandat, por ishte vepër e atyre që nuk e donin Shqipërinë në NATO! Mandati i dytë, i brishtë për shkak të koalicionit me LSI-në, por edhe për shkak të lodhjes nga pushteti. Berisha i dytë dhe jo Basha apo ndonjë tjetër projektoi e realizoi Rrugën e Kombit, një infrastrukturë të jashtëzakonshme, të pa menduar. Dyfishoi e trefishoi në disa sektorë rrogat dhe pensionet. Rriti shumëfish aksesin e shqiptarëve në teknologjinë e internetit etj. Integroi vendin në NATO dhe nënshkroi marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në. De facto i dha Shqipërisë gjithashtu statusin e vendit kandidat.

Po Berisha i tretë çfarë mund të sjellë? Shumë njerëz shprehen e thonë se Berisha “nuk duhet të jetë kryetar i PD-së” dhe se ai “nuk duhet ta pretendojë postin e kryeministrit”! Të tjerë thonë se “As Basha dhe as Berisha nuk e mundin dot Ramën”! Ka nga ata që thonë se “Rama do ta donte Berishën përballë si kryeopozitar”! Luhet edhe me non gratën amerikane! Të gjitha janë fantazi, ose më e pakta projeksione të artikuluara e stisura nga ata që nuk e duan Berishën në krye të PD-së.

Një Sali Berishë sot në krye të Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare do të jetë personi me eksperiencën më të madhe politike në vend. Ai do të jetë njeriu më i motivuar që ta sillte PD-në në pushtet. Nofka e anti-amrikanizmit thjesht shërben si preteks për luftën kundër tij. Sali Berisha nuk bën pazare e kompromise të llojit të të qenit peng. Nuk joshet nga aferat korruptive të shtimit të pasurisë. Aq më pak në këtë fazë të jetës së tij.

Berisha në foltore po dëshmon një energji të jashtëzakonshme, po artikulon me mendje shumë të kthjellët, po operon me taktika politike asgjësuese për kreun e partisë dhe atë të mazhorancës. Në fakt është shumë lehtë ta asgjësosh një kryetar si Lulzim Basha. Por ajo që dua të them lidhet me faktin se edhe nëse Berisha do të jetë kryeministër, në këtë fazë të jetës së tij do të jetë më i motivuar se kurrë të punojë për vendin e jo për veten, madje as për Partinë Demokratike në kuptimin e korruptimit të konceptit të detyrës. Berisha i tretë do të jetë shumë më i aftë, më I sprovuar dhe më i motivuar për suksesin e shqiptarëve. Do të jetë shumë më i gatshëm për kompromise dhe konsensus sesa në periudhat e mëparshme. Do të jetë një mbrojtës I pamposhtur I interesave kombëtare e para së gjithash të interesave të Kosovës! Pikërisht këto janë nevojat imediate politike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në rajon!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora