Mendime
Mehmetali Rexhepi: Emancipimi zgjedhor
E hene, 15.11.2021, 07:35 PM
EMANCIPIMI ZGJEDHOR
Nga
Mehmetali REXHEPI
Të
nderuar garues për zgjedhjet e pushtetit lokal në Kosovë, të 14 tetorit 2021!
Nuk mund të heshtë e të mos shpreh mbresat e mia, tashmë një përvojë, jo aq e
shkurtë, për kulturën e votimit për kandidatët e balotazhit për kryetarë të
komunave në Kosovë, më 14 nëntor 2021.
Kësaj
radhe të zgjedhjeve, u shfaq një nivel e vetëdijesim më i baraspeshuar i
popullit. Po ashtu, edhe kandidatët mëtues për qeverisje komunash, qenë paksa
më të përmbajtur në premtimet e tyre për vijimin ose marrjen e mandatit...
Është për t`u theksuar se u përdor një gjuhë më e kujdesshme, pa fyerje, pa
nënçmime, pa kërcënime... Konkurruesit për kryetarë, që me shpalljen e
rezultateve të numërimit të votave, pranuan rezultatin e kundërkandidatit dhe
uruan fituesit, domethënë nuk kontestuan rezultatin e tjetrit. Këto sjellje
dëshmuan për nivelin e standardizimit të kulturës në skenën politike të
Kosovës. Tek ne nuk janë rrethanat për luks politik për akëcilin mandatarë
komunash... Përse? Ndodhemi mes trusnive gjeostrategjike, veçmas kërcënimeve
dhe veprimeve hegjemoniste të Serbisë, e shtyrë nga Rusia për shpërbërjen e
pavarësisë së Kosovës! Nga pikëpamja ekonomike dhe rrethanat e këtilla, Kosova
nuk po mund të këndellet dhe, si pasojë kur papunësisë i rëndohet krimi e
korruptimi, jo funksionaliteti institucional politik, dëshpërimi i popullit,
veçanërisht i brezit të ri, hap shtigje për zbrazje të pandalshme, për largimin
nga atdheu ?!... Pararendësit tanë, gjyshërit e baballarët këtë atdhe, me
vuajtje e gjak dëshmorësh e lanë trashëgim për ne... Mijëra e mijëra vite
burgimi përjetuan atdhedashësit tanë, për ta ruajtur Dardaninë!... Të
papërshkrueshme dhe shekullore janë masakrat, dëbimet sllave-ortodokse dhe
vuajtjet sizifiane mbi ekzistencën shqiptare!!!
Ja
ku jemi... Kjo mënyrë e votimit, me ndonjë përjashtim parregullsie, mund të
pohojmë pa modesti: është model votimi për gjysmën tjetër të kombit, për
Shqipërinë Perëndimore dhe, madje për Ballkanin... Jemi nën ndikimin,
fatmirësisht, të sferës Euro-Atlantike dhe, përmes zgjedhjeve dëshmohet vizioni
ynë përcaktues, drejtimi i synimit... Zëvendësimi i bartësve të praktikave të
vjetra politike me bartës të rinj,... Vullneti për ndryshime praktikash
qeverisëse të korruptuara, është një rikthim shpresash, pothuajse të venitura,
për politikë-bërjen e Kosovës. Tashmë kandidatët shpresë-dhënës nuk i shohim
vetëm brenda një subjekti të cilit i përkasim, por kemi filluar t`i përjetojmë
si përfaqësues të institucioneve, të cilat dalin jashtë kornizave të tyre partiake.
Gjithsesi, ky është një emancipim i bërjes politikë te ne. Le të shpresojmë se
nga premtimi tek e bëra nuk do të kemi një det në mes, por një lumë, që do të
mund të kapërcehej më lehtë.