| E diele, 14.11.2021, 02:26 PM |
Në 70 – vjetorin e vdekjes së Poetit tonë Kombëtar!
Ia kushtojnë, Autorët
Dhetor 2010
Kopertina®: Foto e Përkrenares Gj. Kastriotit Vienë, D. Gazulli 2007
Portret i At Gj. Fishtës, Grafikë nga F. Radovani, 2010.
AT GJERGJ FISHTA O.F.M.
ASHT
MENDJA, ZEMRA E SHPIRTI I
POPULLIT SHQIPTAR
JETA DHE VEPRA E
AT GJERGJ FISHTËS OFM.
ASHT PËRGJITHMONË:
MENDJA, ZEMRA DHE SHPIRTI I
POPULLIT SHQIPTAR !
Nga Daniel GAZULLI - Fritz RADOVANI
30 Dhetor 1940...
Nalt nga qielli zbret një Engjëll e bie tue përplasë Flatrat e Tij...
Asht Flamuri i Shqipnisë, që mbulon Fytyrën e Poetit tonë Kombëtar...
E bashkë me Te... vorroset edhe Ai, ndoshta përgjithmonë....
Themi përgjithmonë, mbasi atë ditë nuk u vesh vetëm Shkodra, Malet e fushat e saja me të zeza, po u vesh gjithë Shqipnia, tue hy në zi të pafund të vitit 1941...
Plot 70 vjet ma parë! Kur Shqiptarët menduen se një zemër e madhe pushoi së rrahuni, pikërisht prej asaj dite Ajo vazhdoi me gufue ma shumë se kurrë, për t’ i ndejë fjalës së dhanun:
Kurrë, Shqipni, s’kam me t’ harrue,
Edhe në vorr me t’ përmend kam.
E kjo, me siguri, asht arësyeja që At Gjergj Fishta, vazhdon mos me u prehë në vorrin e vet!
Me mbarimin e luftës, re të zeza, ngarkue me llohë stepash ruse e zgjyrë kulisash serbe, u shfaqen në qiellin e letrave shqipe, si në gjithë jetën shqiptare, e zunë yjet ma të ndritun; ndër ta edhe yllin e kalvarit të mundimeve shekullore, At Gjergj Fishtën. Por ai:
Ndërtue kishte ‘i pomendore,
rr’fe as mot mos m’e dërmue.
Nuk mund të shkatrrohej vepra e Tij gdhenë me daltë hutash e martinash drejtpërdrejt mbi shkambijtë alpinë; nuk mund të shuhej Ai vullkan, shpërthye ma shumë prej zemres se sa prej mendjes së Poetit erudit. Kujtuen përbindshat katilë se vullkanin do të mund ta shuenin përgjithmonë tue hedhë baltë mbi te, po më kot: Ai shfaqej e rishfaqej me një shkelqim lëbyrës në qiellin e zymtë shqiptar të letrave.
Dhe ja, yjet e rralluem kanë zanë përsëri vend në Panteon.
Njeni prej tyne na grishë sot t’i përkujtojmë 70-vjetorin e vdekjes.
Që ky komb ynë i lashtë i Mesdheut të bahej shtet e të mund t’ i dilte zot vetes, nuk mjaftonin martinat e topat e botës mbarë; duhesh dituni, pa të cilën asnjë komb nuk mundi t’u bajë ballë rrebesheve të historisë. Asht kjo arësyeja që pushtuesit kudo në botë, ma parë se kështjellat, rrafshojnë shkollat, themelin e ndërgjegjes kombëtare e liridashëse pakufi të Tij.
Ndërkohë qiri i Frashërllijëve ishte ba pishtar, Prizreni shpërndante anë e kand Shqipnisë flakë lirie e atdhetarie. Shkodra e vjetër, dikur portë e Ballkanit, po zgjohej nga letargjia e randë osmane, nga një gjumë vërtet vdekjeprues. Malet po shkundnin supet e pluhnosuna nga zgjedha disashekullore.
Lezha, që pesë shekuj ma parë do të merrte përjetësisht në gji Gjergjin e Madh të Historisë, katër shekuj ma vonë do t’ i jepte Atdheut në një fshat të vogël të Zadrimës, Gjergjin e dytë, Apostullin e Lirisë. Fishta, ky fshat shpeshherë i pashënuem në harta, e ndoshta i lanun në harresë me dashje, asht sot në gojën, mendjen e zemrat e shqiptarëve kudo që janë në trojet e tyne sidhe kudo përreth ku gjendet “gjaku ynë i shprishur.”
Ishte fund i asaj nate të gjatë osmane, “natë tri herë mizore”, që kishte rrënue qytete e fshatra, kështjella e kisha, kur lindi Ai me 23 tetor 1871. Atdheu kishte në trup nandë varrë, Atdheu ynë i brishtë ishte tretë në dhimbjen e vet. Bijtë e Tij të ligun, por të paepun, sa kishin fillue me thurë andërrat e para për një Shqipni “zonjë më vete”. Ndërkohë, çapojtë gllabrues të sllavëve të jugut e ata të helenëve kishin shkëputë mish e gjak nga Atdheu ynë brijëdalë e lakmia e tyne ishte me të vërtetë rrënqethëse.
Po Zoti nuk do kurrë me e humbë Truellin e Kastriotit të Madh...
E n’ ato gërmadha të braktisuna, Ai i Lumnueshmi, dërgoi një djalë me emnin Zef...Kur ishte 9 vjeç, porsa Françeskanët kishin çelë në Troshan një shkollë, ndër nxanësit e parë ishte edhe Zefi i vogël, i biri i Ndokë Simonit.
Një studjues dhe adhurues i Popullit Shqiptar, At Lavro Mihaçeviq, pikërisht Ai profesor i Kolegjit Françeskan të Troshanit, ishte që zgjodhi dhe çoi në Bosnje për studime At Gjergj Fishtën dhe At Shtjefen Gjeçovin. Më 1886, Zefi 15-vjeçar asht në Bosnje për të vazhdue ma tej studimet. Atje filloi me marrë nektarin e dijes...
Mbas një viti, simbas rregullave françeskane, ndërroi emnin nga Zef në Gjergj. Ishte një përkim fatlum të merrte emnin e Kastriotit të Madh, emën që e mbajti me nder sa ishte gjallë.
Zadrimori i ri, atje në dhé të huej, mes mureve të Kuvendeve të Guçjagorës e të Livnos, mallin e tij vullkanik filloi ta shprehte në vargje, i ndikuem edhe nga poetët dalmatë Andrea Kaqçiç e Gega Martiç, edhe ata të përvëluem për liri.
Më 1893 Fishta i ri u kthye në Atdhe. Me 25 shkurt 1894 meshoi për herë të parë në Troshan, pikërisht aty ku kishte hedhë hapat e parë drejt një bote të trazueme e që quhej bota e shkronjave dhe e ditunisë.
Kurse më 1897-1898 shërbeu si kapelan në Lezhë, ku do të kthehej herë mbas here, sidomos për të gjetë prehje e për të shkrue disa prej kangëve të Lahutës, këtu, në mes zadrimorëve të tij e Lekëve të Malësisë, që rrethonin Lezhën. Ku tjetër mund të gjente prehje e frymëzim si në Lezhë ku ishin:
qielli i kaltër, toka e blerë,
njeti dimën, këtu pranverë …
Por nuk do të ishte gabim të shprehemi se e përpjeta drejt lavdisë e At Gjergj Fishtës nis pikërisht në Gomsiqe, ku pat rastin e fatin të njihej me Abatain e Mirditës, Imzot Prengë Doçi, atdhetar i flaktë, luftëtar i paepun, por edhe poet e burrë me kulturë të rrallë për kohën: Kishte rrahë botën në mërgimin e Tij të detyruem, prej Njufëlandit të SHBA, deri në Indi. Abati do të bahej udhëheqësi shpirtnor e kulturor jo vetëm i Tij, po edhe i shumë klerikëve të tjerë.
Luigj Gurakuqi, At Gj. Fishta dhe Don Ndre Mjedja, 1923.
Në janar 1899, Imzot Doçi bahet nismëtar i themelimit të Shoqnisë “Bashkimi”, tue mbledhë rreth vetes anëtarë të shquem, si Dom Ndoc Nikajn, At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, At Shtjefen Gjeçovin, Dom Ndre Mjedën. E nisun si shoqni kulturore, ajo luejti rol të dorës së parë jo vetëm me botimin e fjalorit të quejtun i “Bashkimit”, e të 34 librave të tjerë, por sidomos në krijimin e një votre atdhetarësh që shkelqej në gjithë Shqipninë.
Kuvendi Françeskan ishte kthye në berthamë të një qendre të studimeve albanologjike. Krahas shërbimeve fetare, ata banin edhe jetë shkencore sikur të ishin në një institut të mirëfilltë studimor. Shoqnia “Bashkimi”, e ma vonë edhe revista “Hylli i Dritës”, ishin monumenti që ndërtoi Akademia Françeskane.
Që në nisje të veprimtarisë së Tij poetike, pedagogjike, gjuhësore, publiçistike, ende nën sundimin otoman, At Fishta u kosiderue menjëherë Apostull i Shqiptarisë, por me një vizion përveçse thellësisht kombëtar, kryekëput edhe përendimor dhe europian.
Aty ku vuni kambën e zbathun të fratit t’ Asizit, vështroi me kujdes dhe përvetësoi me saktësi nga goja e popullit frazeologjinë e tij, që arrijti me e njohë si pak kush para e mbas Tij dhe e vuni në punë ma aq mjeshtri, sa rrallë kush mundet me lidhë fjalën me psikologjinë e popullit të vet, për me lanë në thesarin e kulturës sonë kombëtare kryevepren e letërsisë shqipe, “Lahuta e Malsisë”, e cila ngërthen 15.563 vargje ndër 30 kangë. Krijimtaria poetike e botueme e At Fishtës kalon 50.000 vargje.
Ai ishte i pari drejtor shqiptar qysh prej themelimit të shkollës françeskane më 1861. Asht ky një çast në jetën e Fishtës që nuk mund të kalohet lehtë, pse:
Kur në shkollë zbutun shqiptari,
N’mni t’ket marrun ai gjakun dhe dhunën
E me dije të ket kapun ai punën,
Shqipnisë fati do t’i çilet taman.
Duen apo nuk duen disa, Ai na mësoi të gjithë Shqiptarëve me shkrue e me lexue në Gjuhën Shqipe. Alfabeti nuk ishte një çashtje teknike akademikësh, po një çashtje kombëtare që kërkonte BASHKIM e ngritje mbi çdo ndasì, grindje, mni e ngatrresë, për atë gjuhë që ishte:
Porsi kanga e zogut t’ verës,
Që vallëzon n’ blerim të prillit;
Porsi i ambli fllad i erës,
Që lëmon gjinjtë e drandofillit:
Porsi vala e bregut t’ detit,
Porsi gjama e rrufesë zhgjetare,
Porsi ushtima e një tërmeti,
Ashtu asht gjuha jonë Shqiptare!
Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit Shkodër. Arkitekt At Gj. Fishta. Foto Marubi 1935. |
NË SHQIPNI...
Në çdo fushë ku veproi Ai, tregoi se ishte gjeniu i pakrahasueshëm, prandaj edhe mundi t’u dilte mbanë sa e sa ndërmarrjeve nga ma të vështirat: prej artit, tek publiçistika, prej gjuhësisë, tek arkitektura, prej arësimit te muzika, prej humorit tek politika...
Tashma në qytetin e lashtë të kontrasteve të thella, nga dita në ditë konturohej figura shumëplanëshe e fratit 30-vjeçar. Qysh në penelatat e para u duk qartë se veprat e Tij nuk do të ishin përvijime të lëmueta e aq ma pak laramanime orientale, por gjithçka do të ishte e ashpër, diçka dritë hije rembrandiane me tone të forta. Gëte dhe Manxoni, Shën Françesku dhe Da Vinçi, e kishin po fisniknue fytyrën e fratit të ri, por landa mbet ajo që ishte: Shkamb i gjallë hedhë prej vullkanit fuqishëm e të pashuem të shpirtit shqiptar.
Ishin nevojat historike të Atdheut që i diktuen At Fishtës drejtimin e gjithë veprimtarisë së Tij artistike, pedagogjike, publiçistike ashtu edhe në impenjimin e Tij politik.
Lahuta ka në themele shkambij ciklopikë, në dukje pak të pagdhenun, herë-herë arkaikë, por aq të harmonishëm e të natyrëshem, sa të duket se nuk patën nevojë për daltë, por arkitekti e hartoi drejtpërdrejt në masivet e Alpeve, sa të papërsëritshme, aq edhe brilante.
I gjithë universi intelektual i Fishtës ka pasë si yll polar interesat e Atdheut dhe vetëm interesat e Atdheut, pse në shpirtin e Tij ideja Atdhe ishte ba ideal suprem.
“Petrarka, thotë Ai, …fshan e kjan bihude ndër kangë përnjimend të mrekullueshme, por për Italinë, pak e aspak, megjithëse do të kishte për çka me kja.”
Ja pra, pse At Fishta nuk zgjodhi vargun e lëmuet, po ate të ashprin, vargun e lahutës, që ata të shkonin drejtpërdrejt në zemrat e atdhetarëve të etun për liri e t’i ndezte flakë me guxim për luftën e këputjes së prangave shekullore, për luften për dije e përparim kombëtar. Kanga e Tij asht një britmë deri në dëshprim, e sa e sa Herojëve që nisen në luftë u thotë:
S’
T’desin pra, nuk
P’r ‘i grusht eshtna, pashi Zotin,
t’mos korisim Gjergj Kastriotin,
t’mos korisim na sot Hotin…
E ban këte, jo për mëni ndaj sllavëve, por, sepse, siç e ka thanë në një intervistë, po të ndodhte e të rihumbëte lirinë Shqipnia, “kishin me plasë dhime sa janë bjeshkët tona.”
Si mund të quhet shovenist Poeti i një kombi 12 shekuj nën robni sllave e osmane pse lëshon anatemën ndaj arijëve të bardhë të ardhun prej stepave ruse e që ende guxojnë e na e quejnë sot e kësaj dite Kosovën Martire Serbi e vjetër?!...
Atyne po, u thotë:
T’i mësojnë fëmijtë mbas sotit
mos t’ lakmojnë tokës s’ Kastriotit,
se u bjen shtrejt, qe besa e Zotit!
At Fishta nuk ngurron t’ i lëshojë namen as Europës në
Me gjith këta, por larg nuk shkon
e me i vra ka rr’feja e Zotit
t’ shtat mbledhë si janë n’London.
Gjuha e Tij asht thellësisht popullore, pse ishte i vetëdijshëm se po shkruente një vepër që do të ishte universitet atdhetarie për Malet tona ku mungonin edhe shkollat fillore, sa me shumë vend thotë Profesor Zekiria Cana: “Shqiptarët në Jugosllavi, duke mësuar përmendsh “Lahuten e Malcisë”, përvetësuen arësimin kombëtar, kur ky mungonte.”
Por që të gjykosh Lahuten, duhet të rijetosh historinë me dhimbje, siç e jetoi Poeti.
Në këto rrethana, aty nga viti 1904, zu e lëshoi akordet e para Lahuta e Tij ngjethëse, tue u ngjeshë për parzem të malësorit.
At Fishta vetë ishte një shembull i shkëlqyeshëm i mbylljes së tragjedisë së gjakmarrjes, një vepër e pandërpreme e Françeskanëve Shqiptarë, sa kur i vranë të vëllanë, Çupin, jo vetëm e fali vrasësin, po edhe lëshoi thirrjen:
Ndalnju, burra! Ku veni!
Pashi Zotin, lëshoni hutat,
se mjaft gjak asht derdhë!…
Në prag të ditës së madhe të 28 Nandorit Ai tashma naltohej si lis vigan me rrajë thellë në truellin arbnor e degë që piqeshin me bjeshkët. Penës së Tij, veç kangëve të para të Lahutës, i përkisnin sa vepra të tjera, ato “Pika vese” që dridheshin mbi petale, “Anzat”, vepër satirike e pashoqe deri më sot në letërsinë shqipe, bash ato anza të lëshueme rrugëve të Shkodrës e të mbarë Shqipnisë, ku tue përqeshë me humorin e hollë shkodranë, here tue thumbue keq e jo rrallë tue fishkullue pa mëshirë. Penës së Tij i përkisnin veprat e para dramatike, origjinale, të përshtatuna a të përkthyeme, ndër të cilat “Shqiptari i qytetnuem”, vu në skenë prej Atij vetë më 1909, sidhe plot libra për shkollat tona shqipe.
Por edhe 28 Nandori la shumë vepra mangut. Përgjysë andërrat, përgjysë shpresat, përgjysë vetë Atdheu e që Ai e vajtoi... me “LOT GJAKU”. E gati si tue lëshue piskamën, porositë:
Edhe me u thanë anmiqve e t’ tanë njerëzimit:
“Unë këtu sundoj! N’ këtë shkamb mue m’ vuni Zoti,
E këndej nuk luej, pa u shue stina e moti”!?
Fati i vendit do të vazhdonte të ishte i trazuem edhe pothuej për një 10 – vjeçar. Filloi me rrethimin malazez të Shkodrës, e vazhdoi me trazime të pafund deri në Korçë, Gjirokastër e ma përtej...
As në ato ditë të vështira At Fishta nuk u step. Ishte në ballë të luftës për mbrojtjen e Shkodrës prej knjazit të Cetinës, atëherë kur botoi të parën revistë shprese mbrenda Atdheut e që e quejti “Hylli i Dritës”, bashkë me Gurakuqin, Mjedjën, Logorecin, tue themelue “Komisinë letrare”, e në fund të Luftës së Madhe, që trandi botën, po bashkë me Gurakuqin e Bumçin shkuen t’i dilnin zot Atdheut coptuem në Versajën hijerandë. Ai kapërceu edhe Atllantikun, deri në Amerikë, për të shpëtue ç’mund të shpëtohej nga e shumëvuejtuna dhe e nëpërkambuna Shqiptari.
Në proçesverbalin e mbledhjes të Komisisë thuhet: “U vendue me themelue një drejtshkrim sa ma tepër të përbashkët për të dy dialektet”, ishte ai parim mbi të cilin punohej për Bashkim, parim që u shkel me te dy kamët në Kongresin famëkeq të vitit 1972 e që nuk po ndreqet as sot!
Frati me zhgun nuk i la asgja mangut detyrës ndaj Atdheut, Nëse la mangut diku, i la pikërisht detyrës së Tij si “klerik”. Por, do të thotë ndokush, si arrijti atëherë aq nalt edhe në hierarkinë ekleziastike?
...Asht rast i rrallë, ndoshta i vetëm, që pikërisht vepra letrare dhe atdhetaria e ngritën edhe në hierarkinë fetare, që për nevoja të Atdheut i ishte dashtë ta linte shpesh mënjëanë. Sa Shqiptar ishte Ai dhe sa klerik, e shprehin qartë vargjet e maposhtëme, ku, mbasi andërron me çelë një shkollë të naltë në Shkodër, thotë:
Por n’Shqipni pse nji meshtar
Posë se prift do t’jetë Shqiptar,
Shqiptar, po pa dredha.
Unë rektor e profesorë
Sakristan e baçeva
T’gjithë shqiptarë i zgjodha.
Kur lufta mbaroi dhe paqa mirë a keq u vendos, punët sërishmi nuk shkuen dhe aq mbarë. Mehmurët që kishin heqë fesat dhe ishin veshë allafranga, mendonin si të banin zap popullin e jo si ta udhëhiqnin atë. Këta “batalla fytyrë-fudullë, batakçij e me nji lasker kulturë, sa me mzi me shkrue emnin e vet”, si i pikturon me mllef At Fishta, e ndjenin veten ma shumë turq se shqiptarë, të gatshëm të bashkëpunonin me sllavin e me djallin, mjaft qe të përmbushnin nepset e tyne prej lubishë të pangopuna. Shumë kohë ma parë Poeti i kishte jetue këto mënxyra dhe kishte parandje zvarritjen e tyne të lyrosun, sa kishte humbë durimin tue iu drejtue Zotit:
O perendi, a ndjeve?
Tradhëtarët na lan pa Atdhe
e ti rrin e gjuen n’errfe
lisat n’per male kot.
Ishin kohë të turbullta, kur, si thotë Poeti,
“tash qi u ba Shqipnia, duhen ba Shiptarët.”
E për me ba Shqiptarët Ai ishte që:
Në vitin 1913, thëmeloi dhe drejtoi deri sa vdiq revistën
“Hylli i Dritës.”
Në vitin 1916, themeloi e drejtoi fletoren “Posta e Shqipnisë.”
Në vitin 1919 asht sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit.
Në vitin 1921 asht zgjedhë deputet i Shkodres në Parlamentin Shqiptar.
Në vitin 1921 asht edhe nënkryetar i Parlamentit tonë.
Në vitin 1930 asht në Athinë anëtar i delegacionit të Konferencës Ndërballkanike.
Në vitin 1931 asht ftue për mbrojtjen e të drejtave të Shqipnisë dhe të Shqiptarëve në disa shtete, ku ka spikatë fjala e Tij, në 1931 në Stamboll dhe 1932 në Bukuresht.
Në vitin 1931 asht ftue në
Me 6 qershor 1921, në zgjedhjet e para Parlamentare në historinë e Shqipnisë, Shkodra e dërgon At Fishten përfaqësues të vetin bashkë me miqtë e Tij Gurakuqin e Mjedën dhe Parlamenti e zgjedh Nënkryetar të Kuvendit Kombëtar. Ky polemist i shkelqyeshëm në lamen e gazetarisë, me prodhimtari ma të madhe se çdo gazetar profesionist, do të shfaqej në Parlament si një orator i pashoq, një atdhetar i flaktë në akuzën kundër Serbisë për masakrat mbi vëllaznit kosovarë; por edhe kompetent si ekonomist, gjeolog, pedagog e agronom, jurist e diplomat “sa me pasë nder me e pasë çdo parlament i Europës”, siç shkruente një gazetar i huej që ndiqte punimet.
Me fjalën e Tij të zjarrtë i tregoi mbarë Europës se At Fishta ishte dhe mbetet Tribun i Popullit Shqiptar, që luftoi pa i ba syni vek për të Drejtat e Shqiptarëve për vetvendosje, tue demaskue haptas qellimet e fqinjëve grabitqarë të Tokave tona përrreth, të cilët vepronin dhe mbroheshin nga Fuqitë mëdha.
Polemikës së At Fishtës i jep shpirt satira, me ndihmën e së cilës realizoi pikturën estetike të së keqes. Ai godet me forcë të gjitha llojet e devijimeve morale, sidomos ato të zyrtarëve ma të naltë. Këte luftë e ban me guxim, pa pyetë se me cilin binte në kontraditë. Prandaj edhe asht quejtë mbreti i polemikës shqiptare. Nuk trajtoi në to asnjëherë çashtje vetjake, pse si synim i polemikës së Tij të ashpër ishte lufta kundër pseodoatdhetarëve “me barkun kodër” dhe “xhepat e frymë”...
“Shka ka me dijtë me folë mbi politikë e mbi organizmin e shtetit civil nji njeri malok, matrahul, qi me m’zi ndoshta ka krye dy a tri klasë fillore e qi djerset kur i duhet me shkrue emnin e vet. Pse asht edhe tradicjoni shpijak e edukata familjare, qi shumëkend ndër ta e ban krejt të neveritshëm e ekcentrik. Ky babën gjaks, gjyshin katil, stergjyshin mizuer, rritë me katila, me gjaksë, me mizorë, me intriganta, batakçij, vagabonda, rrugaça, me njerëz hasëm të kulturës e të gjytetnisë, kah mund të mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e nji kombi ende primitiv? Pse me sundue nji shtet nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakçilleku, rrena, tradhëtija; duhet nder dhe urtì, burrnì: qe se shka duhet. Po, por dija, urtija, ndera, burrnija u nxejshin në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë, e jo ndër kafeshantana t’Europës e mejhane paçaxhihane të Tiranës, tuj luejtë “tavell” e “bigjoz” e tuj pi “mastikë”.
Një portret i përkryem i “udhëheqësit” tonë të ardhshëm...
Në trazimet e vitit 1924 ishte përkrah Nolit, Currit, Gurakuqit, dhe s’ kishte si të ishte ndrysh. Atyne që fenë dhe klerikët i kanë gjykue vetëm si antikombëtar, mjaft t’u kujtojmë se ndër figurat madhore të atij viti demokratik të papërsëritshëm ishin një pop, Noli, dhe një frat, At Fishta.
Më 1925 At Fishta detyrohet të mërgojë në Itali për të mos pasë fatin e Currit, mbytë në Shpellën e Dragobisë, të Gurakuqit vra në Bari t’ Italisë e të Dom Gjon Gàzullit, varë në Shkodër.
Mbas kthimit prej mërgimit, murgu poet, prozator, dramaturg, pedagog e gjuhëtar, arkeolog e muzeolog, gazetar e diplomat, piktor e arkitekt, u tërhoq nga jeta politike.
Legjendë e gjallë, tashma 60-vjeçar, merrte rrugën e Athinës, të Stambollit e të Bukureshtit, tue i lanë nder Atdheut me përfaqësimin e Tij tue akuzua haptas mbrapaskenat e Beogradit e të Athinës. Ndërkohë përfundonte kangët e Lahutës, të cilën e botoi të plotë në vitin 1937, sidhe arrinë të plotësojë e të përmirësojë “Mrizin e Zanave” me lirika nga ma brilantet në shqip, e pse jo, në letersinë botnore.
E na vjen me u shprehë me fjalët e Tij në Vlonën e Flamurit para arkivolit të Avni Rrustemit:
“…fatzeza, moj Shqipni – po ishte faj me të dashtë ty...”
Veprimtaria e At Gjergj Fishtës, në fushen letrare ishte me permasa gjeniale, ku talenti dhe aftësia e Tij e bani të njohun mbrenda dhe jashtë Atdheut. Ai ishte dhe asht një Poet i përmasave që ka terheqë vëmendjen e shumë bashkëkohësve edhe në Europë, por nuk mbet i tillë vetëm në fushën letrare, mbasi Ai, si Atdhetar i vërtetë, veprimtarinë e Tij e shtrin edhe në lamën shoqnore dhe politike, ku mbrojti me vendosmëni dhe guxim çashtjen tonë mbarëkombëtare.
Jeta e Tij në shërbim të Formulës “Fe e Atdhe” e lidhi përjetësisht me brohoritjen në kupen e qiellit për Atdhe dhe ofshamjen e thellë të Popullit Shqiptar, të cilit i këndoi me aq mjeshtri në veprat e Tij të pavdekëshme.
Sa ishte gjallë arrijti majat ma të nalta të vlerësimit, sa u quejt Poeti Kombëtar i Popullit Shqiptar, tue u vlersue dhe nderue me një mirënjohje të madhe me shumë dekorata, medalje e tituj nderi:
Në 1911, Kunorë argjenti, nga Klubi “Gjuha Shqipe” e Shkodrës.
Në 1912, Dekoratën Ritterkreuz nga Mbreti i Austrisë.
Në 1913, Penë florini nga Qyteti i Beratit.
Në 1925, Medaglia di Benemerenza, nga Papa Piu XI.
Në 1929, Lector Jubilatus, prej Parisë së Urdhnit Françeskan.
Në 1931, Dekoraten Phoenix nga Greqia.
Zemra e Fishtës, një ditë, si llavë vullkani, shpërtheu në kangët e pamort të Lahutës së Malësisë. Ato kangë ishin jehonë malesh e betejash, pabesie e babëzitjeje, një kapërthim i egër ndjenjash, siç ishte e ashpër, deri në dhimbje, vetë historia e këtij populli. Lufta e tij: një çetë fatosash ndër shpella e në male, një grusht trimash në grykë, një pritë skifterash në rranza, njeni në Kosovë, tjetri në Hot, këndej kundër turkut, andej përballë sllavit, këtu i pabesi atje tradhëtari...
Ka vërtetë një hark kohor në të cilin zhvillohen ngjarjet e Lahutës, që kap vitet 1858-1913, por tue mos mujtë kurrë me u quejtë aspak një kronikë, si me dashakeqësi e ka quejtë “ndokush”, ajo asht përthyemje e ndjenjave që rrezatonin ngjarjet e kohës, ajo po, me plot të drejtë, asht quejtë Epope e Kombit Shqiptar.
At Gjergj Fishta dhe vepra e Tij, ja si u vlersue para vitit 1945:
“Koha e ardhshme ka me dijtë me e çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e Tij të jenë përkthye ndër gjuhë ma të përhapuna.”
Prof. Dr. M. Lambertz
“Fishta është shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar.”
Lasgush Poradeci
“Kot përpien grekët e sotem të gjejnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotësuar se ‘Lahuta.”
Faik Konica
“Lahuta e Malsisë’ mund të qendrojë përkrah veprave poetike ma të shqueme të popujve të tjerë.”
M. A. Freün von Godin
“At Fishta, ky gjeni me rrajë në tokën amtare të Popullit Shqiptar, që për shkak të njohjes së thellë që kishte për letërsinë klasike dhe mbi jetën e sotme shpirtnore të kombeve të Europës, u ngjit deri ndër majat ma të nalta të kulturës.”
Prof. Dr. Norbert Jokl
“Fishtën, poet me temperament thjeshtë klasik nuk do ta frymëzonte asgjë më parë e më shumë se Atdheu. Gati krejt vepra e tij i është kushtuar Atdheut.”
Lefter Dilo
“Poemi epik ‘Lahuta e Malsisë’ asht një vade mecum i çdo atdhetari.”
K. Prennushi
“Sa qe gjallë, Fishta arriti apogjeun e vlerësimit, duke u ngritur në piedestalin e lartë të Poetit Kombëtar...Vetëm katër – pesë vjet pas vdekjes, jeta dhe vepra e Fishtës u përbaltën në mënyrë të pashembullt, me synimin që ai të varrosej njëherë e përgjithmonë, ose, e shumta, të mbetej si një njollë e zezë dhe e turpshme në historinë e letërsisë shqiptare...”
Prof. Ndue Zef Toma
Poeti ynë kombëtar asht i ndërgjegjshëm se:
Jo, jo! Për burra, që me gjak praruen
Namin e kombit e Lirinë ia sollën,
Atdheu kunora s’ ka. Për ta nuk gdhendet
Gur, as nuk ndizet qiri. Mbi vorr t’ tyne
Shpërthen rrushkulli e ferrmana, strukë ndër t’ cilat
Pret dhelpna e shqarthi...e shumta
As vorr nuk patën me u kondisë për s’ dekuni
Veç n’për t’ errshmet humnera e nëpër prroska
Kurmat e tyne shkapërderdhë përdhe,
Prej orlash edhe korbash t’ zez qenë shqye,
Shqiptarët, po, i kanë harrue...
Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botue në Tiranë në vitin 1985 nga Akademia e Shkencave e RPSSH, në faqe 270–271, shkruhet: “Fishta Gjergj (1871 – 1940). Shkrimtar dhe publicist reaksionar, përfaqësues kryesor i letërsisë klerikale-katolike. Që në fund të shek. XIX mori pjesë gjallërisht në jetën politike dhe kulturore për të forcuar në të ndikimin e klerit katolik. Në vitin 1913 e deri me 1938, me ndonjë ndërprerje të shkurtër, drejtoi revistën “Hylli i Dritës”, një nga tribunat më aktive të reaksionit klerikal. Në shkrimet e tij publicistike luftoi me tërbim kundër ideve përparimtare. Me 7 prill 1939 përshëndeti pushtimin e vendit nga forcat fashiste italiane. Krijimtaria letrare e tij është shumë e gjerë dhe e larmishme; shkroi vjersha, poema dhe drama etj. Vepra e tij kryesore është poema Lahuta e Malëcisë (botuar e plotë më 1937) një panoramë poetike e ngjarjeve kryesore historike të viteve 1878 – 1912, të pasqyruara nga pozita e klerit katolik; në të Gj.F. himnizoi prapambetjen e jetës së malësisë, patriarkalizmin, padijen, lartësoi mercenarizmin etj. Më 1923 shkroi pamfletin me vargje Gomari i Babatasit që drejtohej kundër laicizmit të shkollës, dhe, në përgjithësi, kundër përparimit shoqëror e kulturor të vendit. Një pjesë e mirë e krijimtarisë së tij letrare përshkohet nga fryma e besimtarisë fetare. (V.B.)” Siglat V.B. në redaksinë e letërsisë përfaqsojnë “prof.” Vehbi Balën, nga Shkodra.
Sikur ky Fjalor Enciklopedik të ishte botue para vitit 1912 nga mejtepet e Stambollit, me siguri autorët do t’ishin tregue pak ma të kujdesshëm në shprehjet e tyne të pakontrollueme anadollake, se sa “profesori ynë shkodran”. Ai të pakten të kishte parasyshë dekoratën e dhanun nga Mbretnia Turke në vitin 1912, apo aprovimin që qeveria e Stambollit dha në 1902 për futjen e Gjuhës Shqipe ndër shkolla me kërkesën e At Fishtës. Me siguri Vehbi Bala ka harrue se asht tue shkrue për atë At Fishtë, që në vitin 1913, kur vuni Flamurin Kombëtar të Kastriotit në kompanjelin e Kishës së Fretënve në Gjuhadol, ka pas lidhë vargun e kandilave me drita prej atij kompanjeli me minaren e Xhamisë në Fushë të Çelës, në shenjë vëllaznimi e miqësie të katolikëve me muslimanët shkodranë, pse të gjithë ishim e jemi Shqiptarë. Përgjigjen At Fishta ia jep vetë në poezinë “Shqipnia e lirë”:
Por, po ndodhi se vjen dita,
Që me faj Shqipninë e darni,
Që e Lirisë u erret drita
Edhe n’ t’ huej Atdheun e mëvarni,
A për pare a marri t’ tjera,
Si ndër kohë, që shkuen, atëhera,
Ju marroftë i Madhi Zot!
At Gjergj Fishta vdiq në prag të vitit ri 1941. Me formimin e Partisë Komuniste Shqiptare nga emisarët jugosllavë të Titos, vetkuptohet se jeta, shkolla, kultura, shoqnia apo politika do të kalonin nën ndikimin sllav, që ma vonë mori edhe formën qeveritare e shtetnore të Jugosllavisë, e njohun nga vendimet e Jaltës në Shkurt të 1945, kur Stalini u takue me Rusveltin e Çërçillin.
Ja parashikimi i At Fishtës që në 1914, në
“Një gjamë dëshpërimi!...”
Veç sot pse Europa, sot që asht gjith’ uzdaja
Se Shqiptaria e lirë del zojë n’ vetveti,
Pse sot Europa, - do Mbretni t’ Mëdhaja –
Duen me e ngushtue kah toka edhe kah deti,
E n’ vende tona duen që shkjau të shklasë
E fisi shqiptarit n’ dhe t’ humbasë?...
Atëherë kur Shteti Shqiptar dhe Qeveria Provizore e Tiranës u zgjodhën dhe vazhduen me u drejtue nga komunistët shqiptarë, sherbëtorë besnikë të Titos dhe të Stalinit, çfarë mund të pritej përveç një pushtimi të ri, që po zëvendsonte atë fashist e nazist? E të mendosh se Shqipnia, mbas pushtimit fashist të vitit 1939, kur kryeministër ishte Mustafa Kruja, arrijti me hapë 120 shkolla shqipe jashta tokës Nanë, në territoret e pushtueme nga Serbia, në Ulqin, Tivar, Hot, Grudë e Kosovë, e kudo kishte në organet shtetnore vetëm Shqiptarë. Pushtuesit nazistë njohën edhe të drejtën e vendosjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar pa shenjat e fashizmit apo të nazizmit.
Ndërsa, me 29 Nandor 1944, po në kompanjelin e Fretënve, aty ku At Fishta vendosi Flamurin Kombëtar në 1913, partizanët komunista të Enver Hoxhës vendosën Flamurin e zhigatun me yllin e kuq jugosllav, porosi e “shokut” Tito, në shenjë poshtnimi të Mbasardhësve të Gjergj Kastriotit, Dedë Gjo’ Lulit, Ismail Qemalit, At Fishtës dhe të gjithë Atyne Atdhetarëve Shqiptarë, që luftuen Trimnisht e vdiqën Burrnisht për Shqipninë Europiane, por kurrë të poshtnueme prej sllavëve.
Me të drejtë At Fishta shkruen:
Këtu, këtu Shqiptarë!.. A ndiet?.. Ku ju kam...Ku jeni?
Mo’ leni burra!.. M’ armë!.. Mbaroi Kosova!...
Janina humbi!.. e ndoshta Tepeleni...
Shkoi Manastiri! Dibra dhe Gjakova!...
Vendet ma t’ mira ne na i mori shkjau,
E, çka asht ma zi, ne vëlla me vëlla na ndau.
E zani i Tij sot... ndër Rrëmaji ushton: “Surgite mortui!”
“ÇOHUNI, TË VDEKUN!”
Ah! N’ kambë, bre burra! N’ kambë! Çka jeni fshehë
Ndër furka t’ grave, si do rrole t’ këqia?...
Sot armët duen rrokë; taganat sot duen mprehë;
Asht turp, për Zotin! Shurdhë me humbë Shqipnia.
Mo’ leni, burra, bre! Kushtrim! Kushtrim!
A gjallë me nder; a vdekë grue e trim!
E n’qoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mëni,
Që flijë t’ bahet ndo’i shqiptar n’ therore,
Qe, mue tek m’ keni, merrni e m’ bani fli
Për Shqiptari, me shue çdo mëni mizore.
Oh! Edhe pa mue Shqipnia qoftë e rroftë,
E nami i saj përjetë u trashigoftë!...
At Gjergj Fishta asht e do t’ jetë mendja, zemra dhe shpirti i Popullit Shqiptar!
Ai ishte dhe mbetet përgjithmonë vetëdija e kombit shqiptar!
Këta pak rreshta le t’jenë...
“Një Lule Vjeshtet”
Emnin Tand kanë për t’ këndue, e vrrini e bjeshka
Gjithmonë i ri, tue njehë furit e tmerrshme,
Ambël prej emnit Tand kanë me jehue.
Me maje t’ briskut kanë me shkrue mbi lisa
Me shkrola t’ njohuna Veç prej barinjve
Kanë me u rritë lisat, përse sopata as reja
S’ e prekin landën, ku asht ravisë Ai emën:
E tue u rritë lisat, kanë me u rritë shkrolat;
E kështu ma t’ qarta, mbas disa qindvjetëve,
Nipat ma t’ vonët kanë me i këndue e emni,
Sa t’ bjerë dielli tokës, ka me t’ u këndue.
“I dëbuemi”...“I dëbuemi”...“I dëbuemi”... “I... Lamtumirë!.. .Vendet e mia... Qe po zhduken... dalngadalë... Lamtumirë! Ti shtëpia e t’ Parëve,
Ku ma s’ pari m’ agoi drita...
...E ku strehë u dhashë shtegtarëve...
Miqt e babës edhe ku i prita. Lamtumirë,
...carani n’ votër! Lamtumirë, ju armët e shkreta!...
Lamtumirë, ti Nanë e motër!
Lamtumirë, përsa t’ jetë jeta!..O shtegtar, n’ një vorr të ri N’ hasësh ndonjëherë ti, tue ndjekë shtegun, T’ çelun n’ ranë n’ për ndonjë shkreti, Aty vetë kam me kenë vdekun.
Një Kryq druni, të kjofsha true, Nxirre e venma përmbi krye, E, nemose, ti për mue Lutju Hyjit për çka t’ kem fye....
Dhetor 2010.