Kulturë
Hivzi Islami & Arsim Ejupi: Gjeopolitikat antishqiptare në Gadishullin Ballkanik
E shtune, 13.11.2021, 03:46 PM
GJEOPOLITIKAT ANTISHQIPTARE NË GADISHULLIN BALLKANIK
NGA
AK. HIVZI ISLAMI & PROF. ARSIM EJUPI
Në
këtë studim shqyrtohen rrethanat
gjeopolitike në rajonin e Gadishullit Ballkanik dhe manifestimet e tyre
në hapësirën gjeoetnike shqiptare. Ballkani i cilësuar si “fuçi baruti” për një
kohë të gjatë, sa i përket kufijve të “vizatuar” me dhunë dhe copëtimeve të
njëpasnjëshme, eksperiencat më të hidhura i kanë shqiptarët. Pozita e
rëndësishme gjeokomunikative, veçoritë e ndërlikuara etniko-demografike,
ambiciet ekspansioniste të disa shteteve në rajon, para së gjithash të Serbisë,
dhe ndikimet e fuqive të mëdha, kanë qenë përcaktuesit kryesorë të fatit
historik për popujt e Ballkanit e në veçanti për shqiptarët. Historia e vonë dhe
e re e rajonit veçohet me zhvillime të vrullshme gjeopolitike, çfarë janë
konfliktet dhe luftërat, shpërnguljet e dhunshme dhe spastrimet etnike,
zgjerimet territoriale dhe ndryshimet e rivizatimet e hartës politike të
rajonit. Nga këto rrethana të ndërlikuara gjeopolitike më së shumti u godit
kombi shqiptar në gjithë gjeotrungun e tij. Mirëpo, korrigjimi i padrejtësive
historike nuk mund të bëhet pa dhunë, spastrime etnike dhe luftëra të
përgjakshme. Kjo u pa në rastin e agresivitetit hegjemonist serb gjatë viteve
të 90-ta të shek. XX.
Në
kuadër të “Shqyrtimeve hyrëse” trajtohen
konceptet themelore të gjeografisë politike dhe
të gjeopolitikës. Sidomos vihet
theksi te ky i fundit, i cili është një nga nocionet më kundërthënëse dhe të
kontestuara profesionale-shkencore, që jo rrallëherë madje edhe nga
profesionistët nuk përdoret drejtë. Ka të tillë që mendojnë se gjeografia
politike dhe gjeopolitika nënkuptojnë thjeshtë të njëjtën gjë, ndërkaq ka të
tjerë që thonë se gjeopolitika është “gjeografi politike aplikative” ose
“versioni propagandistik i gjeografisë politike”.
Përdorimi
i nocionit “gjeopolitikë” është në radhë të parë rezultat i “Luftës së Ftohtë”
dhe të gjitha proceseve politike që i kanë karakterizuar marrëdhëniet
ndërkombëtare pas Luftës II Botërore.
Në
pjesën e parë prezantohen “Projektet hegjemoniste serbe dhe spastrimet etnike
të shqiptarëve”, të cilat ishin në shërbim të realizimit të ambicieve
territoriale të Serbisë ndaj fqinjëve të saj dhe në veçanti ndaj truallit
gjeoetnik shqiptar. Të udhëhequra nga institucionet më të larta shkencore,
kulturore dhe fetare ato ishin bërë pjesë e politikave zyrtare shtetërore.
“Naçertania” e Ilija Garashaninit (1844), kolonizimi dhe reforma agrare,
projektet gjenocidale në fillim të shek. XX e deri te “Memorandumi” i Akademisë
Serbe të Shkencave dhe të Arteve (1986) dëshmojnë për koncepcionin dhe synimet
afatgjata të qarqeve politike, akademike, kulturore dhe fetare serbe për
zgjerimin territorial të Serbisë, e cila këto ndërmarrje i arsyetonte me
nevojën për zgjerimin e “hapësirës jetësore” për popullin serb. Ky koncepcion
përputhet me nocionin Lebensraumm – shqip: hapësira jetësore, të cilin e kishte
futur në përdorim Friedrich Ratzel (1897), që konsiderohet si themelues i
gjeografisë politike. Mirëpo, në rastin e Serbisë ky koncept kishte shërbyer si
motiv kryesor për pushtimet territoriale, ngjashëm me ato të Gjermanisë naziste
për të siguruar hapësirë më të madhe jetësore dhe resurse natyrore për popullin
e vet, andaj nuk mund të trajtohen ndryshe përveç si ndërmarrje hegjemoniste me
premisa fashiste.
Në
këtë pjesë trajtohet çështja e Kosovës si nyja më komplekse neogjeopolitike në
Ballkan dhe Evropë. Brenda kësaj teme trajtohet roli me hile i Evropës, e cila
në përpjekjet për dominim dhe duke mos e kuptuar realitetin politik nuk ka
arritur t’i zgjidhë problemet në truallin e vet dhe sidomos në Gadishullin
Ballkanik. Rezultat i kësaj qasje jokonsekuente është shkatërrimi i
Jugosllavisë, i cili përfundon me luftën e Kosovës dhe intervenimin e
bashkësisë ndërkombëtare (1999), kurse përgjatë procesit të shpërbërjes së kësaj
krijese gjeopolitike artificiale zhvillohen luftëra, të cilat shkaktojnë humbje
të shumta në njerëz, shkatërrime masive materiale, shpërngulje të dhunshme të
popullatave, spastrime etnike dhe gjenocid. Segregacioni, krimet, okupimi i
Kosovës dhe kërkesat e lëvizjes politike shqiptare, politikat dhe
ndërmarrjet serbe për kolonizimin dhe
përndjekjen e shqiptarëve, intensifikimi
i veprimeve gjenocidale ndaj shqiptarëve, janë disa nga problemet që
shtjellohen brenda kësaj pjese përmes të cilave bëhet e qartë çështja komplekse
gjeopolitike e Kosovës dhe rrugëtimi i saj i vështirë deri te çlirimi në vitin
1999 dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Në
pjesën e dytë “Gjeopolitikat ekspansioniste: aspiratat shek- ullore serbe për
dalje në det përmes uzurpimit të territoreve shqiptare” bëhet një vështrim
kritik dhe analitik-shkencor i projekteve të planifikuara infrastrukturore,
çfarë janë rrugët hekurudhore dhe kanalet ujore që shpërfaqin etjet e Serbisë,
e cila tenton të mënjanojë hendikepin e të qenit shtet kontinental (land-locked
country) dhe të realizojë ëndrrat shekullore për dalje në det. Dalja e Serbisë
në portet e Durrësit dhe Shëngjinit përmes hekurudhave, apo edhe projekti i
shtrenjtë dhe vështirë i realizueshëm i kanalit ujor Morava-Vardar përmes të
cilit Serbia do të siguronte dalje në portin e Selanikut ishin planifikuar të
kalojnë nëpër territoret etnike shqiptare.
Këto
projekte janë punuar dhe nga ekipe të ekspertëve serbë dhe të huaj, por që
ideatorë të tyre kanë qenë institucionet më të larta shkencore dhe akademike
serbe, me shkencëtarë të njohur të kohës, çfarë ishte J. Cvijiqi (1865-1927), i
cili edhe në qarqe evropiane në fillim të shek. XX konsiderohej si një ndër
njohësit më të mirë të Gadishullit Ballkanik, të strukturës së tij fizike,
shpirtërore dhe shoqërore. Artikulli i
tij i vitit 1912 me titull “Dalja e Serbisë në Detin Adriatik”, i botuar në
“Glasnik Srpskog Geografskog Društva” do të shërbejë si pikënisje për
përpilimin e disa projekt-ideve në vazhdim për daljen e Serbisë në det, të
cilat i arsyeton me domosdoshmërinë për zgjerimin e “hapësirës jetësore”
përkundër faktit që argumentet etniko-demografike nuk ishin në anën e tyre, por
do të realizoheshin në dëm të shqip- tarëve dhe trungut të tyre gjeoetnik. Në
këtë pjesë trajtohen edhe qëndrimet e Ivo Andriqi (1892-1975) dhe veprimtaria e
tij në shërbim të politikave hegjemoniste serbe. Ai e hartoi elaboratin special
(1939), ku shtjellon idenë e kahmotshme ekspansioniste të Serbisë për dalje në
detin Adriatik, madje edhe me hekurudhë, identike me idenë e Cvijiqit të vitit
1912. Andriqi angazhohej për ndarjen e Shqipërisë midis Jugosllavisë dhe
Italisë dhe në këtë kontekst edhe të okupimit të Shqipërisë së Veriut. Midis
tjerash, në elaborat theksonte: “Lugina e Drinit dhe Shkodra përbëjnë një
tërësi gjeografike me Malin e Zi dhe viset kufitare të Serbisë”.
Për
shkak të rëndësisë që ka pasur në kohën kur është publikuar, por edhe për
aktualitetin gjeopolitik, në këtë botim për herë të parë autorët e sjellin të
përkthyer në gjuhën shqipe pun- imin e Cvijiqit me titull “Dalja e Serbisë në
Detin Adriatik”. Gjithashtu brenda kësaj pjese është shtjelluar hollësisht
ideja për ndërtimin e kanalit ujor Morava-Vardar, nga paraqitja e saj dhe
akterët e përfshirë e deri te riaktualizimi në kohët e fundit, bene- fitet
ekonomike, sociale dhe mjedisore, por edhe pasojat afatgjata të kostos së lartë
financiare (qindramilionëshe); janë pasqyruar edhe qasjet realiste dhe
pragmatike për ndërtimin e kanalit etj.
Në
pjesën e tretë “Kufijtë e Kosovës me fqinjët” shqyrtohet problematika shumë
komplekse e kufirit të Kosovës me vendet fqinje, procesi i demarkimit të
kufirit të Kosovës me Malin e Zi, instrumentalizimi i shkencës dhe vënia e saj
në shërbim të qarqeve politike dhe parapolitike me të vetmin qëllim për t’i
shndërruar ato në kauza politike në kuadër të luftës së egër për pushtet. Dhe
në fund, për të përmbyllur harkun kohor më shumë se njëshekullor të zhvillimeve
të vrullshme gjeopolitike në Ballkan dhe në veçanti në trojet shqiptare, në
këtë pjesë flitet për “korrigjimin e kufirit” Kosovë-Serbi dhe idetë e reja (të
vjetra) për shkëmbimin e territoreve dhe popullatave ndërmjet Kosovës dhe
Serbisë, të cilat si projekte dhe ide i takojnë mendësisë së shekullit të
kaluar të Serbisë hegjemoniste dhe të gjitha janë në kundërshtim të plotë me
realitetin dhe rrezikojnë zhbërjen e shtetit të ri të Kosovës dhe integritetin
territorial të tij. Mjerisht, në këto vitet e fundit në këtë lojë të
Presidentit të Serbisë, A. Vuçiq, janë implikuar fuqimisht ish-Presidenti i
Kosovës, H. Thaçi për t’i ikur drejtësisë ndërkombëtare (Gjykatës së Hagës),
dhe Kryeministri i Shqipërisë, E. Rama për ta penguar funksionimin e shtetit të
ri të Kosovës dhe cenimin e integritetit territorial të tij. Në këtë angazhim,
Thaçi dhe Rama gjithnjë kishin mbështetjen e disa qarqeve të huaja me ndikim
politik dhe financiar, por edhe qarqeve të tjera ndërkombëtare antishqiptare!
Ky
libër studimor është rezultat i punës shumëvjeçare të autorëve. Sa është
arritur në përmbushjen
e objektivave dhe pritshmërive, mbetet të gjykojë opinioni profesional
dhe opinioni i gjerë lexues. Autorët i mirëpresin vërejtjet dhe sugjerimet
konstruktive dhe dobiprurëse.
Me
këtë rast, autorët e falënderojnë botuesin, z. Rexhep Shahu, që pati mirësinë
ta publikonte këtë studim, sikundër që e ndjejmë për obligim ta falënderojmë
kolegun tonë, dr. Valbon Bytyqin për ndihmën
profesionale rreth përpilimit të hartave tematike, redaktimin teknik dhe
dizajnin. Në fund, i jemi mirënjohës kompanisë “Bici Commerce” nga Bujanoci, që
i mbuloi shpenzimet financiare të shtypit të këtij botimi.
Nëntor,
2021