| E merkure, 10.11.2021, 08:29 PM |
NDËRROI JETË POETI, SHKRIMTARI E PUBLICISTI ZEQIR LUSHAJ
Nga
Adil FETAHU
Si rrufeja nga qielli i kthjelltë goditi zemrat e
familjarëve, shokeve, miqëve e lexuesve të shumtë, lajmi se sot (më 10 nëntor
2021) pushoi zemra e gazetarit, poetit, shkrimtarit e publicistit Zeqir Lushaj,
nga Shëngjini.
Zeqiri u lind në fshatin Gri
të Tropojës, më 8 mars 1949. Shkollën fillore (katërvjeçare) e kreu në
vendlindje, ndësa 7-vjeçaren e përfundoi në Geg-Hysen. Në vitin 1967 kreu
Shkollën Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër. Qysh sa ishte maturant Zeqiri
nisi të botojë shkrime, së pari në "Zëri i Rinisë”, e më vonë në shtypin
qendror shqiptar. Pas mbarimit të maturës, punoi tri vjet mësues në Geg-Hysen.
Në vitin shkollor 1970-73 kreu studimet e larta me rezultat të shkëlqyeshëm në
Akademinë Sportive “Vojo Kushi” në Tiranë.
Nga viti 1974 – 1977 punoi
si gazetar dhe redaktor në gazetën “Zëri i Rinisë”, prej nga kalon në detyrën e instruktorit në
apartatin e Komitetit Qëndror të Rinisë,
dhe pas 7 vjetësh instruktor në Këshillin e Përgjithshëm të FDSh, ndërsa në
periudhën 1991-1993 zgjidhet sekretar i përgjithshëm në atë institucion.
Në përpjekjet për të
realizuar transformime demokratike, Zeqiri bashkë me një grup intelektualësh të
pavarur: Aleks Luarasi, Mehmet Myftiu, Agim Cerga, Haxhi Aliko,Teodor Laço,
Tamara Malaj, Hajredin Rudi, Bujar Muharremi, Mirdash Brace, Hasan Lekaj, Vehbi
Furrxhiu etj, krijojnë Shoqatën
“Bashkimi Kombëtar Shqiptar”, e cila pas një viti merr emrin “Lëvizja Shqiptare
për Mirëkuptim dhe Paqe”, e cila u pranua në Këshillin Botëror për Paqe. Zeqiri
kreu detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Shoqatës dhe të bashkëbotuesit të
gazetës “Paqa”. Krahas angazhimeve në këto detyra, Zeqiri ishte gazetar-bashkëpunëtor produktiv dhe
cilësor në shtypin e kohës.
Prej vitit 1998 deri më
2014, me familje ka jetuar dhe punuar në Amerikë (Nju Xhersi), prej nga është
këthyer dhe vendosur në shtëpinë e tij të bukur
në Shpat-malin mbi Portin e Shëngjinit.
Shtëpia e Zeqirit rrallëherë mund të ishte pa mysafirë nga rrethe të
ndryshme të Shqipërisë, të Kosovës dhe më gjërë. Tradita e trashëguar dhe e kultivuar e
bujarisë së mikrpritjes, të cilën e praktikonin Zeqiri dhe bashkëshortja e tij,
e ndjera Sabrije Lushaj, ishin karakteristike dhe të veçanta. Atë mund ta dijnë
vetëm kush ka qenë mysafir i tyre.
Veprat e
botuara
Në 60-vjetorin e
lindjes së tij, Zeqiri botoi 6 vepra:
1.”Hija e vendlindjes” (vjershta); 2) “Lisi i shkruar” (vjersha); 3) “Vdekja e
varreve” (vjersha); 4) “Dyqani i mendjes” (shkrime publicistike); 5) “Pengjet” (vjershërime); 6)
“Fjala mbi tel” (tekste këngësh popullore).
Në vitin 2016, botoi
edhe 6 libra tjerë: 1)“Si n’kurbet, bre vëlla” (vjersha); 2) “Zbehje e heroizmit” (shkrime
publicistike); 3) “Duhama e Valbonës” (vjersha); 4) “Piedestali” (vjersha), 5) “Rrokada” (vjershërime politike); dhe 6) “Sportit i mbeta borxh” (reportazhe,
portrete, kujtime).
Këto ditë priste të dalin
nga shtypi edhe disa vepra tjera të
reja.
Zeqiri ishte redaktor i
përgjithshëm i revistës-portalit “Zemra Shqiptare”, portal më i lexuar në shqip, me bashkëpuntorë dhe korrespodentë të njohur.
Si e
njoha Zeqir Lushajn
Zeqirin e kam njohur
fillimisht përmes shkrimeve që botonte në “Zemra Shqiptare”. Shkrimet e tij më
bënin përshtypje për stilin e veçantë, qartësinë e shprehjes, gjuhën e pastër,
fjalë të urta që fuste nëpër shkrime ishin margaritar i posaçëm. Pasi unë kaloja disa dite të pushimeve verore
në Shëngjin, i shkrova një e-mail ku
shpreha dëshirën të takohemi për një
kafe dhe të njihemi realisht. Përgjegja nga Zeqiri s’mund t’ishte ndryshe, vetëm
pozitive, siç e kishte falë Zoti aq bujar e mikpritës. Dhe u takuam,
biseduam gjërë e gjatë dhe konstatuam se
na përputhen karakteret e kjo ishte bazë për të vazhduar miqësinë. Dhe e
vazhduam. U takaum përsëri, e përsëri. Herën tjetër, kur shkova në Shëngjin dhe
iu lajmërova, Zeqa ma ktheu përgjigjen
me dy fjali: “Mirëse ke ardhur në Shëngjin, por mikut që ia di shtëpinë,
nuk ke pse i lajmërohesh prej së largu,
veçse t’i vijsh në shtëpi”. Dhe kështu u bëmë miq të shtëpisë. Dhe, fati
e deshti që në shtëpinë e Zeqirit u bemë
miq edhe me çiftin Dr. Domenika
Gjekmarkaj-Kapllaj dhe bashkëshortin e saj z. Arben Kapllaj, nga Lezha, të
cilët ishin miqë të ngushtë të Zeqirit dhe u bëmë miqë të ngushtë e shumë të
dashur edhe bashkë. Të gjitha takimet me
Zeqirin dhe me çfitin Kapllaj, i kam shumë për zemër dhe mbaj
kujtime mbresëlënëse. Pushimet në Shëngjin i bëja kryesisht për hir
të takimit me çiftin Lushaj dhe me
çiftin Kapllaj.
Kushdo që ka pasur një takim
rasti me Zeqirin, do ta mbajë mend për një burrë të veçantë, modest, i ditur
dhe i mençur, një intelektual të nivelit
të lartë, me një përvojë të gjatë në kohë, në vende e në situata të ndryshme.
Ikja e Zeqirit prej kësaj
bote, e ka varfëruar Familjen,
vendlindjen, vendbanimin, shoqërinë, letërsinë, kulturën, burrërinë, bujarinë
shqiptare. Por, Zeqiri do të na mungojë
vetëm fizikisht, sepse me veprat, me
sjelljen njerëore, kulturën, bujarinë, mikritjen, atdhetarizmin që ka lënë pas
vete, do të jetë përherë në kujtimet ma të mira të të gjithë atyre që e njohën
përsëafërmi.
Dhe për fund të këtyre rreshtave, ju shpreh ngushellime të
thella trashëgimtarëve të Zeqirit,
motrave e vëllezërve , farefisit, shokëve e miqëve të shumtë të Zeqirit Shpirti i tij pushoftë në paqe të amshueshme!
_________