| E marte, 09.11.2021, 05:52 PM |
Rishqyrtime historiografike (2)
RIPUSHTIMI
JUGOSLLAV I KOSOVËS DHE REZISTENCA KOMBËTARE
(Me
futjen e brigadave partizane nga Shqipëria në Kosovë, iu hap rruga brigadave
partizane jugosllave për ripushtimin e
saj. Kjo u kundërshtua nga lëvizja e
Rezistencës Kombëtare Shqiptare. - Gjatë
shtatorit dhe tetorit, brigadave partizane iu bë rezistencë e fortë nga Ushtria
Shqiptare si dhe forcat e tjera
patriotike, të cilat vazhduan luftimet edhe pas largimit të Qeverisë së Xhafer
Devës nga vendi, më 26 tetor 1944. - Regjimenti IV i Kosovës nga Prishtina nën komandën
e kolonel Fuat Dibrës për një muaj iu kundërvu
par-tizanëve serbë dhe bullgarë në pjesën lindore. - Njësive të
shkëputura të Ushtrisë Shqiptare filluan t’u bashkohen vullnetarët nga radhët e patriotëve të shumtë
kundër ripushtimit serb me ç’rast në pjesën e Anamoravës u themelua Komiteti
për Shpëtimin Kombëtar. - Rezistenca Kombëtare Shqiptare kualifikohet “lëvizje
e armatosur e reaksionit” dhe “kundërrevolucion”).
Nga
Jusuf BUXHOVI
Në
Kosovë, në vitet e kthesave të mëdha 1943-1944, krahas realitetit antifashist
dhe të shtrirjes së organizimit të tij në vend me anën e Këshillave
Nacionalçlirimtare, i cili, pa ndonjë ndikim dhe herë-herë i pavërejtur fare
shtrihej jashtë sferave urbane dhe të shumtën ishte i natyrës ilegale,
ekzistonte pushteti real i Shtetit Shqiptar. Në planin institucional ai
përfshinte jetën shoqërore, administrative, ushtarak dhe politike të vendit në
formën e një mekanizmi të përbashkët. Ishte vendosur nga shtatori i vitit 1943,
i dalë nga Asambleja Kombëtare, në të cilën pasi ishte shpallur ndarja e
Shqipërisë nga Italia, ishte caktuar Këshilli i Lartë i Regjencës me Mehdi
Frashërin në krye, që më 5 nëntor kishte emëruar edhe qeverinë shqiptare me
kryetar Rexhep Mitrovicën. Në spektrin politik të vendit përfshiheshin forca të
ndryshme, të shfaqura gjatë kohës së regjimit të qeverisë së Mustafa Krujës,
por aktiviteti i tyre ishte intensifikuar në prag të kapitullimit fashist, në
verën e vitit 1943, ku më i fuqishmi shfaqej “Balli Kombëtar”, i ndjekur edhe
nga “Legaliteti”.
Meqë
ballistët si forca më e përhapur dhe më e konsoliduar politike në Kosovë dhe
pjesët e Maqedonisë që luftonin për një Shqipëri Etnike, ishin futur në
qeverinë e Rexhep Mitrovicës, ishte e natyrshme që ata, si forcë kryesore
politike që kishte qeverisur vendin për më shumë se një vit, ta merrnin
përgjegjësinë kryesore të mbrojtjes së vendit.
Mund
të thuhet se në kuadër të kësaj përgjegjësie Ballistët, të cilët ishin forca
kryesore në xhandarmëri, bashkë me njësitë e tjera mbrojtëse që i drejtonte Lidhja II e Prizrenit (numri i të cilave
vlerësohej se kalonte dhjetë mijë dhe nga pikëpamja e organizimit ushtarak dhe
pajisjes mbikëqyreshin nga Vermahti),
nga fillimi ishin vënë në ballë të detyrës, në mbrojtje të kufijve veriorë të
vendit (në drejtim të Saxhakut dhe në lindje, në drejtim të Serbisë), duke u ndeshur me forcat
çetnike të Drazha Mihajloviqit, i cili synonte që të depërtonte në pjesët
veriore të Kosovës. Ngjashëm kishin vepruar edhe në Maqedoninë Perëndimore,
kur, pak më vonë, pas kapitullimit të forcave bullgare kishin pushtuar hapësirën
që ata mbanin (në Shkup dhe Dibër), duke zgjeruar kështu hapësirën e shtetit
shqiptar në ato pjesë për të cilat pretendonin edhe partizanët jugosllavë dhe ata shqiptarë, me të cilët ata do të
zhvillojnë luftime të ashpra gjatë gjithë kohës.
Luftimet
e para me çetnikët serbë u bënë nga fundi i nëntorit të vitit 1943 me rastin e
sulmit që ata ua bënë disa katundeve të Pejës dhe tutje Rugovës. Luftimet, që
shkuan deri në Kollashin, zgjatën mbi tri javë, që ndonëse me humbje të shumta
për të dy palët, përfunduan me disfatën e çetnikëve.
Në
janar të vitit 1944 çeta e Pavle Gjurishiqit bëri një sulm të papritur në
Morinë të Malit të Zi dhe në Çakorr, por u zmbraps me humbje të ndjeshme nga
forcat e Lidhjes. Po në atë kohë, pati sulme çetnike dhe në Shekullarë, ku
forcat shqiptare kaluan në kundërsulm dhe pushtuan Shekullarën.
Sulmet
çetnike do të shpërthejnë edhe në anën e Tutinit dhe të Pazarit të Ri. Ato u
thyen nga mbrojtësit nën drejtimin e Aqif Blytës, të cilit i erdhën në ndihmë
vullnetarët e Ukë Gjurgjevikut, i vëllai
i të cilit, Sadiku, me forcat e tij mbronte kufirin në drejtim të Kollashinit.
Forcat
e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, edhe pse nuk kishin shumë kohë për t’u
konsoliduar ushtarakisht, kishin përgjegjësinë e mbrojtjes së kufirit në verilindje
në një gjatësi nga Sanxhaku e deri në Karadak, fillimisht kundër forcave
çetnike e më vonë kundër atyre partizane, të cilat u intensifikuan në verën dhe
vjeshtën e vitit 1944 pasi që ushtria sovjetike të ketë depërtuar në Bullgari
dhe po bëhej gati të kalonte edhe në
pjesën e Jugosllavisë. Ndërkohë edhe ushtria gjermane “F” kishte filluar
tërheqjen nga jugu (nga Greqia, Shqipëria dhe Serbia) drejt veriut, në mënyrë
që të shpërthente linjën e frontin të
aleatëve, që kishte filluar të vendosej në Srem për ta penguar grupimin e tyre
në hapësirën Danub-Elbë, prej nga Gjermanët planifikonin “stabilizimin dhe
rikthimin” në luftë kundër Sovjetikëve dhe forcave aleate në pjesën qendrore të
Europës dhe hapësirën gjermane.
Në
përputhje me këto zhvillime, edhe forcat kryesore të ushtrisë shqiptare, ato të
regjimentit IV të Prishtinës të komanduara nga kolonel Fuat Dibra (Fuat
Xhaferraj), ishin përqendruar në pjesën
e kufirit nga Mitrovica deri te Gjilani dhe Karadaku, të cilat do të ndeshen me
brigadat partizane jugosllave nga fundi i verës së vitit 1944 dhe gjatë
vjeshtës dhe dimrit të atij viti. Në fillim të shtatorit forcat shqiptare të
Regjimentit IV të Prishtinës, patën një përleshje të ashpër në pjesët e
skajshme të Podujevës me partizanët jugosllavë dhe disa njësi bullgare, të
cilat përpiqeshin të depërtonin në Podujevë. Me këtë rast u shkatërruan tri
divizione bullgare të motorizuara, që tashmë udhëhiqeshin nga komunistët. Në
këto luftime mori pjesë edhe batalioni i të rinjve nga Vuçitërna “Hasan Prishtina”,
i cili pati humbje të mëdha.
Forcat
mbrojtëse të Lidhjes bashkë me ato të tjerat patriotike (të shumtën
vullnetarë), gjatë gjithë muajit shtator, përkundër humbjeve të mëdha, ndalën depërtimin e aradheve partizaneve
jugosllave, të cilat ia kishin mësyrë Kosovës nga verilindja dhe jugu. Por ato
nuk ishin në gjendje t’u bënin ballë sulmeve të tyre të vazhdueshme më gjatë,
meqë ishin më të paktë, të papërgatitur si duhet ushtarakisht, dhe ç’ishte edhe më keq, pas fillimit të
tërheqjes së forcave gjermane drejt veriut, me anatemën e “bashkëpunëtorëve
fashistë” dhe të “kuislingëve,” në Kosovë dhe Shqipëri, forca nacionaliste dhe
patriotike, kishin mbetur pa furnizim dhe të vetmuara. Në këtë rrethana, të
përballuara me formacione të rregullta ushtarake jugosllave, të cilat
ndihmoheshin nga partizanët sovjetikë, forcat e shkapërderdhura patriotike,
humbjen e përbashkët e kishin të pashmangshme.
Edhe
si të tilla, pra të shkëputura dhe në atë gjendje, forcat nacionaliste dhe
patriotike, në luftë kundër pushtuesve
sllavo-komunistë, ushqeheshin nga një nacionalizëm i sinqertë burimor-popullor,
që lidhej me mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe të vatanit. Te disa grupe dhe
formacione të shkapërderdhura ushtarake (të Ballit, Legalitetit, Lidhjes e të
tjera) mbretëronte shpresa se
rezis-tenca edhe si e tillë ja vlente të vazhdohej deri në pikën e fundit. Meqë
një ditë, si e tillë, do të përfillej nga aleatët anglo-amerikanë, të cilët
përkundër marrëveshje që kishin me Sovjetikët rreth ndarjeve të sferave të
interesit Lindje-Perëndim, rezistencën shqiptare mund ta shfrytëzonin në dobi
të zgjerimit të sferës së tyre.
Si
do të shihet, ky iluzion do ta mbajë të gjallë rezistencën e disa grupeve të
shkëputur edhe për dy vitet e ardhshme, me të cilin ata edhe do të largohen për
në Greqi me shpresën se një ditë do të kthehen në atdheun e tyre të lirë.
Por,
me fillimin e fundit të Gjermanëve në Shqipëri, do të vijë edhe fundi i
Qeverisë Shqiptare, e cila para një viti pati edhe miratimin e Vermahtit
gjerman dhe madje edhe të vetë Hitlerit, i cili në Berlin priti Xhafer Devën, në cilësinë e Kryetarit të
Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me ç’rast u
morën vesh edhe për “aftësimin
ushtarak të Kosovës për t’u vetëmbrojtur”, gjë që në të edhe filloi të punohet. Por, ishte koha
tepër e shkurtë si dhe fatet e luftës që po shkonin në dëm të Fuqive të
Boshtit, që pas pak atë do ta ballafaqojnë me disfatën, që e pamundësuan të ngrihet në nivel të përgjegjësisë së duhur.
Në
këto rrethana, ishte e natyrshme që edhe qeveria e Rexhep Mitrovicës dhe së
fundit ajo e Xhafer Devës, me hapësirë të kufizuar veprimit dhe të varur nga
raportet e luftës botërore, të përjetonin fatin e mbështetësve të tyre
kryesorë. Kjo do të shihet çastet që
Gjermanët do të përgatiten të largohen nga Shqipëria, nuk iu mbetej tjetër pos
që më 26 tetor, të shpallnin botërisht se i jepnin fund çdo veprimtarie të tyre
qeveritare dhe, me ndihmën e Gjermanëve, nga ana e detit, do të largohen në
drejtim të Vjenës dhe Berlinit.
Largimi
i qeverisë së Xhafer Devës si dhe udhëheqjes së ngushtë të saj në drejtim të
Perëndimit i hapi rrugën triumfit partizan si dhe vendosjes së pushtetit të tyre.
Në
Kosovë, vendosja e pushtetit partizan njëherësh do të thoshte ripushtim i
Kosovës nga sllavo-komunistët, që për uverturë pati futjen e njësive partizane
nga Shqipëria (Brigada V dhe III), të cilat pas pak atë do t’ua dorëzojnë
partizanëve jugosllavë. Brigadat e tyre (të shumtën çetnikë të konvertuar në
partizanë), me mbi 30 mijë forca të organizuara ushtarake, depërtuan nga drejtimi
i Podujevës, Shkupit dhe pas pak edhe nga Çakorri, në drejtim të Pejës, duke
ripushtuar pëllëmbë për pëllëmbë hapësirën e saj.
Sidoqoftë,
edhe në atë gjendje të rëndë të okupimit të Kosovës nga ana e forcave partizane
jugosllave, që ua kishin hapur rrugën partizanët e Shqipërisë, do të fillojë të
funksionojë betimi i mbrojtjes së vatanit në formën e shprehjes së rezistencës
së armatosur, e cila ndonëse nuk do të ketë një koncept gjithë-përfshirës dhe
as një qendër të përbashkët veprimi, megjithatë riaktivizoi gjuhën e
mospajtimit me pushtimin sllavo-komunist, e cila u pasqyrua me shfaqjen e rezistencës së armatosur ndaj një gjenocid tashmë të paralajmëruar që
vendit po i përgatitej nga komunistët. Ai bëhej edhe më ogurzi kur lidhej me
programet e kahershme hegjemoniste të Beogradit ndaj Shqiptarëve dhe hapësirës
së tyre jetësore, të cilave rrethanat e reja ua krijonin këtë mundësi.
Edhe
pse propaganda jugosllave menjëherë rezistencën e forcave të shkapërderdhura
balliste dhe të grupimeve të tjera nacionaliste dhe patriotike kundër
ripushtimit sllavo-komunsit të Kosovës (fillimisht në Ferizaj dhe pastaj në
Gjilan, e cila do të jetë më e theksuar nga fillimi i dhjetorit), ku në shumë
prej tyre edhe më tutje kishte flakëruar shpresa e zbarkimit të premtuar
anglo-amerikan, do ta cilësojë “fillim i kundërrevolucionit shqiptar të
përmasave të mëdha”, që udhëhiqej drejtpërdrejt nga “shtabi i fshehur i Xhafer
Devës” e të ngjashme - ajo nuk kishte
qenë e tillë dhe as që kishte pasur mundësi të ishte e tillë. Meqë në Kosovë
nuk kishte ngadhënjyer kurrfarë revolucioni, siç quhej, por kishte ndodhur
ripushtimi i saj nga aradhet partizane jugosllave, të cilat kishin rrënuar një
pushtet legjitim shqiptar, të shpallur në tetorin e vitit 1943 nga
përfaqësuesit e vet legjitim, të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Fakti
se shteti i pavarur shqiptar kishte lindur në rrethanat e pushtimit gjerman që
kishte zëvendësuar atë italian dhe si i tillë ishte pranuar prej tij madje duke
iu garantuar edhe neutraliteti dhe se forcat nacionaliste shqiptare në Kosovë
dhe gjetiu ishin vënë në mbrojtje të tij dhe kundër ripushtimit jugosllav, ata
nuk mund t’i kthente në “kuislingë” dhe “shërbëtorë të okupatorit” me të cilët
duhej qëruar hesapet me mjete revolucionare pasi që të jenë shpallur
“kundërrevolucionarë”, por në viktima të një terrori të ri
shtetëror-ideologjik, që po vendosej për të lansuar një diktaturë të re
komuniste.
Andaj,
nga kjo pikëpamje, rezistenca e armatosur shqiptare në Kosovë kundër
ripushtimit të saj nga partizanët jugosllavë dhe aleatët e tyre shqiptarë,
njëherësh paraqiste rezistencën e parë të armatosur antikomuniste në Europë në vigjilje të
fitores së komunizmit në lindje të saj dhe të lansimit të socializmit si model
shtetëror në përputhje me ideologjinë e bolshevizmit sovjetik.
Lëvizja
antikomuniste shqiptare, e fokusuar të
shumtën në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, mbeti “e shkëputur” dhe e pa
përkrahur dhe me anatemën “e kundërrevolucionit” që ia vunë jugosllavët, ngaqë,
si u pa në Konferencën e Jaltës, Anglo-Amerikanët nuk ishin në gjendje për një
konfrontim me Sovjetikët - aleatin e
tyre të fuqishëm kundër fashizmit.
Në
këto rrethana, alarmi i shpërthimit të “kundërrevolucionit”, i shpallur me të
gjitha kambanat, jugosllavëve do t’u konvenojë që atë ta shfrytëzojnë
shumanshëm për t’i realizuar qëllimet sa më parë, dhe kjo ishte në përputhje me
qortimet dhe kërcënimet që i vinin Kosovës që nga Konferenca e Bujanit, sipas
të cilave hyrja në Kosovë e njësive partizane jugosllave duhej të sillte:
a)
rrënimin e strukturave të pushtetit vendor, të dala nga Konferenca
Nacionalçlirimtare e Bujanit
b)
rrënimin e strukturave ushtarake të Shqiptarëve si dhe shkrirjen e mbetjeve të
tyre në përbërje të ushtrisë jugosllave
c)
anulimin e vendimeve të Bujanit rreth vetëvendosjes së Shqiptarëve për t’u
bashkuar me Shqipërinë si të drejtë që u takonte në përputhje me Kartën e
Atlantikut dhe krahas kësaj të krijohen rrethanat për një “deklarim tjetër
vullnetar” të bashkimit të Kosovës me Serbinë nga i njëjti forum si dhe
d)
qërimin e hesapeve me nacionalistët dhe patriotët shqiptarë, në emër të
“bashkëpunëtorëve të fashizmit”, me çka
mund të hiqej qafe secili shqiptar që nuk i përkiste lëvizjes
nacionalçlirimtare të udhëhequr nga komunistët.
Kështu,
pa dimensionin e “kundërrevolucionit” dhe alarmin e tij, Jugosllavët nuk do të
mund të shpallnin vendosjen e gjendjes ushtarake, siç do të veprohet më 8
shkurt 1945, dhe pa këtë “alarm”, nuk do të mund të krijonin rrethanat për
ripushtimin faktik të Kosovës dhe aneksimin e saj nga Serbia, duke përfshirë
këtu Kuvendin e Prizrenit mbajtur nga
8-10 korrik1945, edhe pse për këtë ata kishin miratimin e Konferencës së
Jaltës.
(Shkëputje nga "Kosova 1912-1945", faqe 336-341)