Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Veprimet destruktive të Beogradit rrezikojnë paqen në rajon
E marte, 09.11.2021, 07:59 PM
VEPRIMET DESTRUKTIVE TË BEOGRADIT NË BOSNJË DHE HERCEGOVINË RREZIKOJNË PAQEN NË RAJON
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Situata në Bosnjë dhe Hercegovinë është e tensionuar. Pas
kësaj krize të radhës në BH, si gjithmonë, qëndron Serbia. Që nga themelimi i
saj, Republika Serbe ndjek politikë qendërikëse. Veprimet e
Millorad Dodikut, i cili është në listën e zezë të ShBA-së, janë në kundërshti
të plotë me Marrëveshjen e Dejtonit. Me synimin e këtij entiteti
fantomik për ta krijuar ushtrinë e vet, ky entitet aspiron shkëputjen nga
shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës dhe bashkëngjitjen Serbisë. Këto veprime të
Serbisë, jo vetëm që e destabilizojnë BH-në, por shpijnë edhe në shpërbërjen e
saj. Këto veprimeve hegjemoniste dhe ekspansioniste të Serbisë do të nxisin
edhe reagimin e Zagrebit. Ndryshimi i kufijve në BH nuk do të kishte kaluar pa
një konflikt të përgjakshëm, si ai i viteve 1991-1995.
Rrjedhimisht, kriza e krijuar në BH, mund të ketë
reperkusione për mbarë rajonin. Pas kësaj, kërkesat e veta kolonialiste Serbia
do t’i intensifikonte edhe ndaj Kosovës.
Bosnja dhe Hercegovina përbëhet prej dy entiteteve:
Federatës Myslimano-Kroate dhe Republikës Serbe. BH-ja përbëhet pre tre
popujve konstitutivë: boshnjakëve (myslimanëve), serbëve dhe kroatëve.
Krizën permanente në BH e shkakton Republika Serbe, e cila kurrë nuk iu është
bindur organeve të pushtetit qendror.
Nga kjo flakë e konfliktit nuk do të kursehej as
Maqedonia e Veriut, një e treta e popullsisë të së cilës janë shqiptarë etnikë.
Kësisoj, i tërë rajoni do të rikthehej në fillim të viteve ’90 të shekullit të
kaluar, periudhë kjo e përshkuar nga gjakderdhja dhe gjenocidi serb në Kroaci,
në BH dhe në Kosovë.
Krijimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe në
Kosovë do të thotë krijim të entitetit serb në të. Me fjalë të tjera, në Kosovë
do të kishim një dodik republikë e cila sapo të krijohej, do të
vepronte për t’u shkëputur nga Kosova dhe për t’iu bashkëngjitur Serbisë. Këtë
e tregon qartë kriza permanente në BH e cila tani duket sikur ka arritur
kulmin.
Me politikën e vet klerofashiste, Beogradi synon krijimin
e Serbisë së Madhe. Duke qenë satelite politike historike e Rusisë, Serbia
dëshiron ta sjellë Rusinë në rajon, pikërisht në një kohë kur Shqipëria dhe
Kosova aspirojnë integrimin në strukturat euroatlantike.
Nëpërmjet Serbisë si dhe forcave të tjera proruse në
rajon synon, Rusia synon të krijojë në Ballkan sferën e saj të ndikimit dhe
zonën e vet të interesit.
Para pretendimeve ruse për t’u penetruar në gadishull
Fuqitë e Mëdha perëndimore nuk duhet të rinë duarkryq. Fuqitë perëndimore duhet
t’i ndërpresin investimet ekonomike në Serbi. Ajo duhet të vihet nën sanksione
ekonomike të botës perëndimore. OKB-ja duhet të miratojë rezolutë me të cilën
Serbisë duhet t’i vihet embargo për shitjen e armëve. Me fjalë të tjera, asnjë
shtet, përfshi Rusinë dhe Kinën, të mos ketë të drejtë t’i shesë armë Serbisë.
Militarizimi i Serbisë mund të nxit armatosjen e mbarë rajonit të varfër.
Me politikën e saj anakronike, retrograde, hegjemoniste,
ekspansioniste dhe kolonialiste, Serbia është penguesja kryesore e integrimit
të vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike.
Kundër kësaj murtaje të zezë të Ballkanit – Serbisë së
Madhe, duhet të reagojnë sa më parë Uashingtoni, Londra dhe Berlini.
Destabilizimi i rajonit, në kohë të pandemisë Covid-19 dhe të krizës
energjetike, rrezikon paqen dhe qëndrueshmërinë edhe në kontinentin e vjetër.
Është momenti i fundit që Fuqitë e Mëdha të Perëndimit të
pushojnë ta konsiderojnë Serbinë si të përkëdhelurën e tyre.