Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Fund Mosndëshkimit të Krimeve kundër Gazetarëve
E merkure, 03.11.2021, 08:33 PM
DITA NDËRKOMBËTARE PËR T’I DHËNË FUND MOSNDËSHKIMIT PËR KRIMET KUNDËR GAZETARËVE
Nga
Frank Shkreli
2
Nëntori, 2021 shënon Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të
Krimeve kundër Gazetarëve, është një ditë që shënohet çdo vit nga Organizata e
Kombeve të Bashkuara, (OKB-së), nga qeveritë anëtare të OKB-së dhe nga
organizata jo qeveritare, mbrojtëse të lirisë së shtypit dhe të drejtave të
gazetarëve, anë e mbanë botës. Është një ditë që bota i kushton vëmendje
krimeve të dhunëshme kundër gazetarëve dhe përfaqsuesve të medias si dhe lirisë
së shtypit, në përgjithësi. Shkeljet e lirisë së fjalës dhe mosndëshkimi
për krimet kundër gazetarëve, anë e mbanë botës, vazhdon të rritet nga viti në
vit, sepse qeveritë e ndryshme kanë dështuar të hetojnë krimet kundër
gazetarëve. Me këtë rast, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe një numër
qeverish anë e mbanë botës e shënojnë këtë ditë me veprimtari të ndryshme dhe
me deklarata, ku shprehin mbështetjen e tyre për lirinë e fjalës dhe shtypit të
lirë në vendet e tyre dhe në botë. Ashtu ndodhi edhe sivjet.
Bazuar
në statistikat e agjencisë ndërkombëtare, UNESCO e cila ndër të tjera, merret
edhe me mbrojtjen e gazetarëve dhe të punëtorve të medias në përgjithësi, vetëm
vitin e kaluar, janë vrarë 62 gazetarë, vetëm e vetëm, se pse kryenin detyrën e
tyre. Gjithnjë sipas UNESCO-s, nga viti 2006-2020, mbi 1,200 profesionistë të
gazetarisë kanë humbur jetën në, duke bërë detyrën e tyre si gazetarë. Në 80
për qind e rasteve, vrarësit e gazetarëve i kanë shpëtuar ndëshkimit. Si
rrjedhim, për arsye të statistikave si këto thuhet se -- në “Ditën
Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve Kundër Gazetarëve”,
2021 -- është vendosur që t’i kushtohet një vëmendje më e madhe rolit të
prokurorëve, për të sjellur para drejtësisë vrasësit e gazetarëve por edhe për
të ndjekur penalisht personat që kërcnojnë me dhunë gazetarët, për arsye të
profesionit të tyre.
Në
mesazhin e tij, duke shënuar këtë ditë ndërkombëtare në mbrojtje të gazetarëve
dhe të lirisë së fjalës, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-ës, Z. Antonio Guterres
vuri në dukje se shumë gazetarë/e janë vrarë ndërsa raportonin nga zona
konfliktesh, ndërsa numri i gazetarëve të vrarë jashtë zonave të konfliteve,
është rritur vitet e fundit, gjithashtu.
“Unë u bëjë thirrje shteteve anëtare (të OKB-ës) si dhe komunitetit
ndërkombëtar të jenë solidarë me gazetarët anë e mbanë botës sot dhe, çdo ditë
tjetër dhe të demonstrojnë, njëkohësisht, vullnetin politik për të hetuar dhe
për të ndjekur penalisht krimet kundër gazetarëve dhe puntorëve të tjerë të
medias, me kompetencat dhe me fuqinë më të madhe të ligjit”, është shprehur me
këtë rast, udhëheqsi i organizatës botërore (OKB-ës), Z. Guterres. Kjo ditë kujton që të gjithë dhe jo vetëm
qeveritë dhe organizatat e ndryshme mbrojtëse të gazetarëve, duhet të
kundërshtojnë dhe të luftojnë kërcënimet me dhunë dhe krimet kundër gazetarëve
– si pjesë e përpjekjeve për të mbrojtur lirinë e fjalës, për të gjithë, thuhet
në deklaratën e organizatës botërore në “Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund
Mosndëshkimit të Krimeve Kundër Gazetarëve.”
“Kur
kërcënohet e drejta dhe mundësia për të pasur informacionin, krijimi i një
atmosfere të tillë, dërgon një mesazh shqetësues që, njëherazi, minon
demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, ka nënvijuar udhëheqsi i OKB-së, Z.
Antonio Guterres, me këtë rast, duke shtuar se, “Në shumë vende të botës,
thjesht, hetimi i korrupsionit, trafikimit, shkeljeve të drejtave të njeriut,
ose edhe çeshtjeve të mjedisit, venë në rrezik jetën e gazetarëve”. Sipas Sekretarit të Përgjithëshëm të OKB-ës,
“Krimet kundër gazetarëve kanë një ndikim të madh në mbarë shoqërinë, sepse ato
bëjnë të pamundur që njerëzit të ndërmarrin vendime, bazuar në informacione të
sakta.” Z. Guterres i kujtoi botës se
femrat gazetare, veçanërsiht, përballen me rreziqe të mëdha në punën e tyre të
përditëshme.
Këtë
ditë e kujtuan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nepërmjet një deklarate të
Zëdhënsit të (DASH), Z. Ned Price --The International Day to End Impunity for
Crimes against Journalist - United States Department of State
“Shtypi
i lirë dhe i pavarur mban përgjegjës udhëheqsit, mbron të drejtat e qytetarëve
dhe siguron që komunitetet tona të jenë të mirëinformuara. Në shumë vende,
gazetarët përballen me kërcënime, me dhunë dhe burgosje për punën e tyre
gazetareske. Shtetet e Bashkuara dënojnë
kërcënimet, bezdisjet dhe dhunën që ve në shënjestër gazetarët dhe puntorë të
tjerë të medias. Gjithnjë e më tepër
këto kërcënime bëhen nga qeveri që shtrijnë influencën e tyre përtej kufijve,
përfshirë përgjimet digjitale të komunikimeve dhe vendndodhjes së gazetarëve,
me qëllim për të kufizuar mundësitë e gazetarëve për të raportuar korrupsionin
në qeveri dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Asnjë pjesëtar i medias nuk
duhet të kërcënohet, të bezdiset, të sulmohet fizikisht ose të arrestohet,
thjesht, se bejnë punën e tyre si gazetarë”, thuhet në deklaratën e Zëdhënsit
të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Zëdhënsi
i DASH përmendi me këtë rast, deklaratën e Presidentit Biden të para do kohe,
me të cilën lavdëroi Komitetin Nobel, për nderimin që u bëri gazetarëve Maria
Ressa nga Filipinet dhe Dmitri Muratov nga Rusia, duke iu akorduar atyre Çmimin
Nobel për Paqë. “Nevoja jonë për lajme dhe raportime të sakta, bazuar në fakte
si dhe nevoja për një diskurs të hapur dhe publik, por edhe përgjegjshëmëria,
nuk kanë qenë kurrë më të mëdha”, shprehet zëdhënsi i diplomacisë amerikane, në
“Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve Kundër
Gazetarëve”, të shpallur nga OKB-ja. Sot më shumë se kurrë, tha zyrtari i lartë
i diplomacisë amerikane, duhet të kundërshtojmë ashpër përdorimin, në rritje e
sipër, të sulmeve fzike, nagcmimeve “online” kallximeve në gjyq, si mjete
frikësimi si dhe presionet për rregullimin dhe centralizimin e kontrollit të
medias me anë ligjesh – që përdoren anë e mbanë botës për t’i mbyllur gojën
gazetarëve dhe medias në përgjithësi, tha Z. Ned Price.
Zëdhënsi
i Departamentit Amerikan të Shtetit, Z. Ned Price, në përmbyllje të deklaratës
me rastin e “Ditës Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve
Kundër Gazetarëve”, u zotua në emër të administratës që ai përfaqëson se, “ne
ritheksojmë vendosmërinë tonë për të promovuar një shtyp të lirë e të hapur,
larg kufizimeve të padrejta, duke mbajtur përgjegjës të gjithë ata që sulmojnë
lirinë e medias. Ne kujtojmë, gjithashtu ata gazetarë dhe profesionistë të
tjerë të gazetarisë, të cilët janë vrarë gjatë kryerjes së detyrës.
Departamenti Amerikan i Shtetit zotohet se do të çojë përpara përpjekjet për
promovimin e fjalës së lirë në vendin tonë dhe në botë, ndërkohë që u bëjmë thirrje
qeverive të tjera të mbajnë përgjegjës të gjithë ata aktorë që venë në
shënjestër gazetarët, me qëllim për t’i bezdisur, për t’i frikësuar dhe për t’i
dhunuar”, ka përfunduar zëdhënsi i DASH, Z. Ned Price, deklaratën e tij mbi
angazhimin e qeverisë amerikane në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe në
mbështetjte të gazetarëve dhe të profesionit të tyre, anë e mbanë botës, në
“Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve Kundër
Gazetarëve”, (2 nentor 2021).
Ndërsa,
Drejtoresha e Përgjithëshme e UNESCO-s, Z-nja Audrey Azoulay në mesazhin e saj
me këtë rast u shpreh se, “Shtetet kanë përgjegjësinë të mbrojnë gazetarët dhe
të sigurojnë që ata që kërcënojnë dhe që kryejnë krime kundër gazetarëve, të
dënohen. Sidomos, gjykatësit dhe prokurorët, tha ajo, kanë rolin kryesor në
promovimin e zhvillimit të proceseve penale ashtuqë ata që kryejnë krime kundër
gazetarëve, të mos i ikin drejtësisë, të pa ndëshkuar. “Vetëm duke lejuar të
flitet e verveta, ne do mundemi të çojmë përpara dhe të sigurojmë paqën,
drejtësinë dhe zhvillimin e vazhdueshëm për shoqëritë tona”, tha Drejtoresha e
UNESCO-s, Z-nja Audrey Azoulay.
Shtetet
e Bashkuara dhe Evropa Perëndimore kanë një traditë të gjatë të lirisë së shtypit dhe të fjalës së lirë. Me shembjen e Murit të Berlinit, këtij grupi
i janë shtuar një numër vendesh ish-komuniste – tani anëtare të Bashkimit
Evropian dhe Aleancës Nato – ku mund të thuhet se liria e fjalës dhe e medias
në përgjithësi, zbatohet, respektohet dhe mbrohet me ligj. Vende këto të cilat konsiderohen si vende
“plotësisht të lira” nga vlersimet e organizatave ndërkombëtare që merren me
lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës.
Ka
të tjera vende, si Shqipëria dhe Kosova të cilat nga të njëjtat orgnaizata
konsideorhen si “pjesërisht të lira”.
Arsyeja për këtë klasifikim si pjesërisht të lira është fakti se
organizatat që merren me të drejtat e njeriut, nuk konsiderojnë se këto dy
shtete të shqiptarëve janë të lira plotësisht, pjesërisht, edhe për mënyrën se
si Shqipëria dhe Kosova trajtojnë gazetarët dhe të drejtën e lirisë së fjalës
në përgjithësi në vendet e tyre.
Dihet
se një prej kushteve në procesin e zgjërimit të Bashkimit Evropian (BE) është
edhe liria e medias, si një tregues i gatishmërisë së një vendi për tu antarësuar
në (BE). Liria e medias dhe liria e fjalës janë të paprekshme ashtu siç
përcaktohen në Kartën e të Drejtave themelore të BE-ës dhe në Konventën
Evropiane të Drejtave të Njeriut për të mos thenë asgjë për Kartën Universale
të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara – dokumenti kryesor që
shërben si një udhëzim për liri dhe barazi – në mbrojtje të drejtave të çdo
individi, kudo dhe pa dallim – përfshirë lirinë e fjalës dhe të medias. Veç një Zot e di se si dhe pse nuk u hynë në
kokë ky mesazh udhëheqësve shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë, se liria e
fjalës dhe liria e medias janë baza themeltare të një shteti të lirë e
demokratik.