| E merkure, 27.10.2021, 07:00 PM |
BOLERO
Skicë
meditative
Nga
Resmi Osmani
E
dëgjoj shpesh.
E
kompozuar nga Raveli, e tëra është një hymn për jetën dhe dashurinë.
O
dashuri!
Nis
e na kumton ardhjen nga një tambur, e vetme, me rrahje zemre. Zemër e
dashuruar, rrahje të qeta, të një trajtshme të
përmalluara, pulsime si psherëtima që si befasi tunduese pushtojnë
hapësirën i japin jetë ritmit.Si fillim një zemër, e vetmuar, që rreh e pulson
gjakun e dashurisë në rrëmbat e planetit. Pastaj, si të drojtura, si psherëtima
molisëse, kënga e flautit, gjithsesi veshur me vel të mistershëm, mistik. I bashkohen thirrjes të
tjera e të tjera, ëmbëlsisht violonat, oboet, klarinetat, trompat, violinçelat.
Një ansambël i tërë. Secila pulson e vibron me tinguj të qetë e të harmonishëm,
zihen dorë për dore, bëhen ujem, edhe bashkë edhe veçë, secila me bukuri dhe
dashuri! Jonet tingëlluese mijëra, miliona, ngiten qiellit si një galaksi. Me
ritëm të qetë, si dallgë deti nën puhizën e lehtë. Bëhen njësh me ajrin,
frymohen,nga dëgjuesi, bëhen njësh me gjithë shqisat. Janë aty të gjitha:
shpresa, pritja, padurimi, dritësimi i syve, vështrimi ngashenjyes, ëmbëlsia dhe kumbimi tingëllues i fjalëve
mikluese: Të dua, të dua! Mjalti i të puthurave, pëshpërimat dhe psherëtimat,
ngashërimi nga magjia e ndjenjave, ankthi i pritjes, fshehtësia e ndrojtur
misterioze dhe përvëluese e Romeos dhe Zhulietës, pafajësia vergjine e Ofelisë,
pastërtia dhe dlirësia e Desdemonës, pritja në anëdet dhe shpresa e
Vajzës së valëve, por edhe lotët, dhimbja dhe rënkimi për dashurinë mëmësore të
Ajkunës për Omerin.
Dashuri,
ti je kudo, në gëzim, pikëllim e hidhërim, në të qeshurat e të lumturve dhe
lotët e fatkeqëve, në të lindurit që vijnë në jetë dhe atyre që ikin nga jeta,
se brenga dhe hidhërimi ushqehen nga dashuria. Zoti është dashuri, dhe jeta
fryt dashurie.
Rri
e dëgjoj. Një mahnitje. Nga Boleroja derdhet deti i tingujve, harmoni qiellore,
mistike, ku nuk mungon gjëmimi, vrulli furia dalldisëse e ndjenjave. Në to janë
gjithë dashuritë.Se dashuritë janë të shumta. Po kjo ç’është?Rënkim, ofshama e
një trombone si rrënimi i zemrës dhe shpirtit. Është Otello.
Xhelozia, urrejtja, shemrat e tua dashuri. Bardh e zi, dritë dhe errësirë, natë
dhe ditë, besnikëri e tradhëti, urrejtje dhe dashuri këto çifte mundonjëse,si
dyzim dhe luftë e të kundërtave rrënuese, munden prej teje, se je më e
fuqishme, triumfuese, forcë që lëviz botën, diellin, hënën dhe yjet, se ti je
hyjnore!
O
dashuri,
Ti
je frymë që, i jep gëzim shpirtit dhe gjallëron gjithësinë! Je në puhizën e
ngrohtë pranverore, që shkrin borën dhe akullin, që ngjall natyrën zgjon nëndhe
farërat dhe rrënjët, vesh me të gjelbër
pyllin. Ti je që çel mijërat e
luleve në lëndinat e jetës, në bukurin e
trëndafilave - mbret i luleve, e kuqja e dashurisë, e bardha e pastertisë dhe
besnikërisë, e verdha e….xhelozisë! Sepse emir yt është vetë bukuria. Jasemini dhe zambaku kanë
aromën tënde që ermiron ajrin. Ngrohtësia jote pranverore mbulon me vello
nuserie bajamet dhe mimozat. Përkëdhel faqet e vashave, ngjall dëshirat dhe bën
të ëndërrojnë për djemtë dhe djemtë për vashat. Je në cicërimat e zogjve dhe
buzëqeshjen plot dritë të gjithëçkaje që na qarkon. Në piklat e vesës mbi fijet
e barit që rrëzëllejnë si diamante nga puthja e rrezeve të diellit.
Edhe
natyra është dashuri.
Edhe
jeta është dashuri.
Ti
je te çdo fëmijë që lind, në gugitjen e tyre, në buzëqeshjen e dashur të nënave
dhe në melodinë e ninullave që ve në gjumë dhe rrit të vegjëlit. Në çdo çerdhe
të dallandysheve, në gugatjen e pëllumbeshave, në këngën e bilbilave.
Ti
je magjistare, fuqia jote e shndrroi Zeusin në mjellmë për t’u bashkuar me
Ledën, dhe që ajo të lindte Helenën, më të bukurën dhe më të dashuruarën dhe ngashnjyesen e grave. E shndrrove
Narcisin në zambak, dhe Adonisin në
anemonë, lulen që çel stinën e pranverës.
O
dashuri,
Ti
je krijim. Sepse nuk ka krijim e ngjizje pa dashuri. Eros në vargjet e poetit
që derdh në to shpirtin, me gjithë drithërimet, të hymnizon, lumturon, shigjeton dhe plagos zemrat. O sa shumë poezi për ty, pa fund! Je në dritë
- hijet dhe ngjyrat e ylberta në tablotë e piktorit, shtatoret dhe nudot me linjat elegante të skulptorit. E si mund
të krijohej Mona Liza dhe Aferdita e Milos pa dashuri? Je te Hirushja e
prrallave dhe princi i kaltër, jo vetëm si ëndërr por edhe dëshirë mahnitëse. Në
fluturimin e avionëve që përshkojnë hapësirat dhe bashkojnë zemrat. Je në çdo
kokërr gruri, në bukën taze të tryezave
tona, në vilet e rrushit, në gotën e verës kuqaloshe, se bujku ka punuar dhe
derdhur djersë, i ka selitur me dashuri, me dashurinë për jetën.
Dashuri,
amore, lowe, sevda…..Je fjalë në gjithë
gjuhët e botës, se fjala ishte e para, dhe ndofta ti je e para e fjalëve!
Fundi:
një tingëllim madhështor, një hymn: njerëz, duajeni jetën, duajeni
njeri-tjetrin, jetoni në paqe e miqësi dashurohuni dhe lumturohuni!
Tiranë, më 21 të
vjeshtës së dytë 2021.