Kulturë
Xhevahir Cirongu: Trokitje në enigmat e jetës
E diele, 17.10.2021, 05:06 PM
TROKITJE NË ENIGMAT E JETËS
(Refleksion
për librin poetik “Kohë e mjegullnajave” të Bedri Tahirit, Lena, Prishtinë,
2021)
Nga
Xhevahir CIRONGU
Po të udhëtosh
drejt atij “mali” krijues të autorit Bedri Tahiri, padyshim lexuesi do gjejë
diçka të re, por edhe takohet me kohën që jeton shkrimtari së bashku me
lexuesit e tij.
Pikërisht, është
kjo arsyeja që vjen ashtu si një re qiellore e ngarkuar me ato bulëza shiu
krijuese, e cila vrapon të rrok ndjenjat e poetit për të hedhur vargjet e
poezive në këtë libër të titulluar “ Kohë
e mjegullnajave”.
Në gjithë gamën e
botimeve të këtij shkrimtari e poeti, lexuesi zbulon atë botë të fshehur pas
skutave të shpirtit, enigmat e jetës, të cilat kërkojnë zgjidhje. Kjo e ka
ngutur poetin Bedri Tahiri, që të ulet këmbëkryq mbi sofrën e shpirtit të
trazuar të vetë autorit, por edhe të mbarë shoqërisë njerëzore, për të trokitur
në enigmat e jetës sonë.
Kështu, duke iu
referuar vargjeve të poezive të këtij vëllimi poetik, vërejmë atë thirrje të
brendshme të autorit për të “kapur” ligësitë që i ka shkaktuar virusi
vdekjeprurës njerëzimit në mbarë botën. Kjo ndjenjë shpirtërore me plot
pasthirrma, ka ndikuar te autori për të na shkruar një vëllim të shkurtër me
poezi, por sigurisht mesazhet e gamës krijuese që sjell në librin aq domethënës
qysh në titullin e tij metaforik e sugjestiv “Kohë e mjegullnajave”, na
ngacmon memorien tonë si lexues e si qenie njerëzore për të reflektuar mbi këtë
gjëmë fatkeqe të njerëzimit.
Ai e thotë bukur
te poezia me titullin “E vërteta”, ku hedh hapin e vargut drejt kërkimit
udhëtar për të zbuluar enigmat e kësaj katastrofe që ka kapur njerëzimin. Dhe
vazhdon duke ecur më tutje me poezinë “Karantina”, e cila shkund atë
ndjesi aq tronditëse që ka mbërthyer si me darë shpirtrat e njerëzve në mbarë
globin tonë.
Përjetimet
tronditëse kanë ndikuar edhe te vetë poeti. Pra, janë këto përjetime të cilat
kanë ndikuar që poezitë e këtij vëllimi përshkruajnë fatdhimbjet e mbarë
njerëzve të gjallë apo fatkeq, të cilët nuk i rezistuan dot virusit
vdekjeprurës.
Poeti Bedri
Tahiri, na dikton me anën e vargjeve të poezive atë “ilaç” shërues të shpirtit
tonë, e na bën thirrje për ta mposhtur me vetëpërmbajtje e kurajë plot besim
për jetën tonë!
Janë vargjet
kuptimplote të cilat e thonë bindshëm këtë gjë te poezia me titull “Borë në
pranverë”. Poeti vjen si një uragan shpresëmadh me mesazhet që na përcjell
te ky libër i shkurtër e përmbajtjesor, sepse jeta është dhe duhet vlerësuar
drejt, me atë vështrim këmbënguljeje për të mposhtur të keqen që na rrethon,
sot e nesër, për t’i thënë “ndal” së keqes, në rastin e virusit të këtij
fillimshekulli të 2021.
Poeti e shpreh
bukur këtë te poezia me titullin “Mjegullnajë” nga ku ka marrë edhe titullin libri. Dhe, ja si e shpreh në vargje poeti Bedri
Tahiri te kjo poezi:
...Por, sot, disi krejt më ndryshe
Gjithë bota në një katandisje
Mbyllje, izolim, në karantinë
Rrimë në ethe, pa shijuar lirinë...
Por, drita e
shpresës nuk mungon…
Kjo thirrje vjen
si drita e diellit, si drita e yjeve të qiellit e na jep shpresa jete për të
nesërmen e njerëzimit, sepse jeta duhet jetuar, e këtë dëshirojmë ne të gjithë
për ta jetuar atë të lire!
Autorit i urojmë
suksese, dhe dashamirësve të poezisë, lexueshmëri të këndshme së bashku me
librin “Kohë e mjegullnajave “.
Durrës, shtator 2021