Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Ai nuk thehej!

| E diele, 26.09.2021, 08:43 AM |


Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa XXXIX.)

AI  NUK  THEHEJ !..

120 VJET  PERPARA... 1901...

Në Muzeun Shtetnor të Vjenës, në një vitrinë të sektorit historik, asht e vendosun një Përkrenare dhe një Shpatë disa shekullore. Asnjëna nuk flasin!... Vizitorët kalojnë andej pari, edhe ata pa e folë një fjalë... Prej vitit 1468 Përkrenaria dhe Shpata kanë ra në “Paqën e Përjetëshme”...

Çfarë fatit!... Me të vërtetë një fat i madh, ma mirë me thanë një mbrekulli, që në pragun e 500 vjetorit të ramjës në Paqë, pra në vitin 1967, ata asnjena mos me kenë në Atdhe!...

Të dyja do të ishin “kapakë” të ndonjë pusete rruge, ashtu si kumbonët e Katedralës 100 e sa vjeçare, apo të Kishës Françeskane të Shkodrës e të asaj të Laçit të Vaut të Dêjës, që rrahnin në “një anë” ndër shekuj për vdekjën e Prijsit dhe Mbrojtësit të tyne.

Një copë Shqipni e pak Shqiptarë kishin mbetë në një qoshe! Rrokullisej historia sikur të ishte një rrotë e vjetër qerreje mjedis një brrake, që me vish-vishët e saj, të dukët sikur të ka ngulë mu në zemër thonjët, e rri tue të shkye nga një copë çdo ditë... Ec, ec, e rrotullohët nëpër rrugët e porsa daluna nga përmbytja shekullore, tue marrë me vedi lym, llaç e llom, baltë dhe ferra e jarg pislleku, që rrjedhin rrëkajë mbi gërmadhat e themeleve të qytetnimit të Ilirisë së vjetër, mu në zemër të coptueme të Ballkanit plak, të shkrumuem,  të djegun, të zharitun të përluem n’ gjak.

Janë vetëm TRI  GOZHDË, që e mbajnë, e forcojnë, i japin drejtim, e bajnë me ecë përpara e nuk e lanë me ikë rrugë parrugë, e që, në fund të fundit, Ajo me siguri do të binte e do të zhytej në ndonjë greminë, golle apo shpellë, sikur mos t’ishte kenë!

Janë vetëm TRI  GOZHDË, që i kanë dhanë drejtim historisë! Sa shumë sakrifikuen per Ata TRI GOZHDA.

Janë vetëm TRI  GOZHDË, që kanë ba një EPOKË të RE.  E pra, janë vetëm TRI dhe asnjë ma shumë!

Janë vetëm TRI  GOZHDË, që Ruejti e Mbrojti me nder e lavdi ndër shekuj i Madhi Kastrioti yni- Skënderbé!..

Janë vetëm TRI  GOZHDË, që “i harruem” na, e “ata!”.

Kishte edhe prej nesh, që nuk i harruen.., madje, edhe thirrën: “Eni e më merrni, qé ku jam, po deshët edhe më gozhdoni.., ashtu si keni gozhdue Mësuesin Tém! Ma shumë nuk keni çka më bani!”... Po po, kishte! Na e besojmë se kishte sepse.., e kemi pa me sy!

Ai ishte At Pjetër Mëshkalla S.J.!

Melbourne, 25 Shtator 2021.