| E premte, 17.09.2021, 07:16 PM |
PËRMASAT TRONDITËSE TË KRIMEVE SERBE
Nga Xhelal
Zejneli
Gjatë luftës në
Kosovë të vitit 1999 Serbia bëri krime. Ndonëse që atëherë kanë kaluar 22 vjet,
shumë pyetje kanë sot e kësaj dite kanë mbetur pa përgjigje.
Ushtria, policia,
njësitë paramilitare apo falangat serbe:
- kanë kryer vrasje;
- kanë vrarë civilë;
- kanë vrarë fëmijë;
- kanë vrarë njerëz
të pafuqishëm;
- kanë ekzekutuar
civilë;
- kanë kryer
përdhunime;
- kanë dëbuar popullsinë
civile nga shtëpitë e veta;
- kanë krijuar
varreza masive;
- kanë djegur
kufoma;
- kanë hedhur kufoma
në lumë;
- i kanë humbur
gjurmët e viktimave;
- kanë djegur
shtëpi;
- i kanë shkatërruar
pronat e popullsisë civile;
- kanë shkatërruar
pasuri të tjera të Kosovës.
Sipas të drejtës
ndërkombëtare, vrasjet e sipërthëna konsiderohen dhe përkufizohen si krime
lufte, apo si krime kundër njerëzimit.
Sipas organizatës Fondi
për të drejtën humanitare, të prezantuara në “Librin e kujtimit të Kosovës”
(LKK), gjatë luftës së vitit 1999 janë vrarë ose janë zhdukur 10.812 shqiptarë.
Shifra e sipërthënë është nxjerrë nga analiza e 31.600 dokumenteve
burimesh të ndryshme. Të dhënat burojnë edhe nga deklaratat e viktimave dhe të
dëshmitarëve të krimeve të luftës.
Gjatë luftës së Kosovës, ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë
vrarë 1133 fëmijë shqiptarë.
Numri i civilëve
shqiptarë të vrarë nga ushtria, nga policia dhe nga njësitë paramilitare serbe
sipas komunave: në Gjakovë - 1.022 vetë; në Skenderaj – 984 vetë;
në Gllogoc – 804 vetë; në Rahovec – 724 vetë; në Pejë – 561
vetë; në Prishtinë - 466 vetë; në Prizren – 464 vetë; në
Vushtrria – 451 vetë; në Suharekë – 434 vetë; në Mitrovicë
417 vetë.
Me gjithë këtë numër
të evidentuar të personave të vrarë nga forcat serbe të sigurisë, edhe 21 vjet
nga përfundimi i luftës së Kosovës, 1227 civilë shqiptarë
konsiderohen të pagjetur dhe për ta ende nuk dihet gjë.
* * *
Në një raport të
organizatës së OKB-së për refugjatët (UNHCR) thuhet se në
periudhën prej 23 marsit deri më 9 qershor të vitit
1999 nga Kosova u larguan 862.979 refugjatë. Në një raport të OSBE-së
thuhet se ndërmjet marsit dhe qershorit të vitit 1999 u
dëbuan nga Kosova 863.000 civilë. Amnesty International thekson
se deri në fund të luftës në Kosovë në qershor të vitit 1999, më shumë se
gjysma e popullatës civile të Kosovës jetonin në kampe refugjatësh në Shqipëri
dhe Maqedoni.
* * *
Në Komitetin
Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe në Komisionin për persona të zhdukur -
të qeverisë së Kosovës, në bazë të kërkesave të familjarëve, janë
evidentuar 6.057 raste personash të zhdukur. Këta persona evidencohen si
të pagjetur. Tragjedia e shumicës prej tyre është zbardhur, por
për 1.647 persona, sot e kësaj dite nuk dihet asgjë.
Autoritetet e
Kosovës, si dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare bëjnë të ditur se rreth
80% e personave të zhdukur gjatë luftës kanë qenë meshkuj të moshës prej 18
deri në 40 vjeç. Pjesa tjetër janë të moshës 41 deri në 60
vjeç. Duhet shtuar se ka pasur edhe raste
rrëmbimesh dhe zhdukjesh të personave të moshës mbi 60 vjeç.
* * *
Pas përfundimit të
luftës, në Kosovë dhe në Serbi u zbuluan një numër i madh varrezash masive. Në
dokumentet e Tribunalit të Hagës shihet se në aktakuzat ndaj të
akuzuarve për krime lufte të kryera nga pala serbe, prej marsit të vitit 2000
janë identifikuar 529 varreza masive. Pjesa më e madhe e tyre
janë në Kosovë. Në këto varreza janë gjetur trupat e pajetë të 4.300
personave të vrarë.
* * *
Pas luftës së
Kosovës, në Serbi u zbuluan disa varreza masive. Sipas burimeve të Beogradit,
në Serbi ka shtatë varreza masive. Në to janë gjetur trupat e
shqiptarëve që ishin vrarë në Kosovë. Varreza më e madhe masive u zbulua në Batajnicë
afër Beogradit. Në këtë poligon të njësive speciale të Serbisë u zbuluan
mbetjet mortore të rreth 930 shqiptarëve. Sipas të dhënave të UNIMK-ut
të vitit 2001, në varrezën masive të Batajnicës janë zbuluar 744 mbetje mortore
shqiptarësh të vrarë. Po atë vit, në varrezën masive në Petrovo Selo të
Serbisë lindore u gjetën 61 mbetje mortore shqiptarësh. Në vitin 2001,
në liqenin Peruçac u zbulua një varrezë masive me 84 trupa. Në
vitin 2013, në Rudnicë që ndodhet në afërsi të vendkalimit
kufitar të Kosovës dhe Serbisë - në Jarinë, u gjetën mbetjet mortore të 52
personave. Në vitin 2020 një varrezë masive u zbulua në
Kizhevak afër Rashkës me mbetjet mortore të 17 personave që
besohet se janë shqiptarë të Kosovës. Siç shihet, varreza masive e Kizhevakut
zbulohet 21 vjet pas përfundimit të luftës.
S’ka dyshim se për
lokacionet e varrezave masive autoritetet serbe kanë pasur informacione, por
për to kanë heshtur qëllimisht. Për publikimin e varrezave masive ka
munguar vullneti politik. Çdo agresor gjatë historisë i ka fshehur krimet e
kryera ndaj popullsisë civile të vendit të sulmuar dhe të pushtuar.
Për vrasjet, për
rrëmbimet dhe për zhdukjet e civilëve në Kosovë, të periudhës prej 15 qershorit
të vitit 1999 deri në fund të dhjetorit të vitit 2000 flet edhe drejtorja e FDH-
Natasha Kandiq.
* * *
Gjatë luftës së
vitit 1999 në Kosovë, llogaritet se ka pasur rreth 20.000 viktima
të dhunës seksuale të kryera nga ushtria, nga policia dhe nga falangat
serbe ndaj femrave shqiptare. Për këtë ka folur para Kongresit amerikan
edhe ish-kryetarja e Kosovës Atifete Jahjaga. Për përdhunimet e kryera
në Kosovë nga pushtuesit serbë, sot e kësaj dite nuk është përgjigjur askush. Deri në vitin 2018, për
verifikimin e statusit të personit të dhunuar seksualisht gjatë luftës në
Kosovë, kanë parashtruar kërkesë 1050 femra. Këtu janë përfshirë
abuzimet apo dhuna seksuale të kryera brenda periudhës prej 27.02.1998 deri më
20.06.1999.
Të dhëna për dhunën
seksuale në Kosovë të kryer në periudhën e lartpërmendur jep Komisioni për
njohjen dhe për verifikimin e statusit të personave të dhunuar, i themeluar
pranë qeverisë dhe që zyrtarisht e ka filluar punën në shkurt të vitit 2018. Po
kështu, vepron edhe Qendra për rehabilitimin e viktimave të torturës. Shumë
raste të dhunës seksuale janë trajtuar më herët edhe nga organizatat
joqeveritare.
* * *
Shkatërrimi i pronave civile nga forcat jugosllave, përkatësisht serbe në 1999
konstatohet edhe në një raport të Human Rights Watch të pasluftës. Duke
cituar një sondazh të UNHCR-së të nëntorit të vitit 1999, kjo organizatë
raporton se rreth 40 % e
shtëpive të banimit në Kosovë janë dëmtuar rëndë ose janë shkatërruar
plotësisht.
Nga gjithsej 237.842
shtëpi, 45.768 sosh u dëmtuan rëndë, ndërsa 46.414 u
shkatërruan. Serbët dëmtuan edhe shkolla dhe objekte fetare. Sipas vlerësimit
të dëmeve të kryer nga Kombet e Bashkuara, nga 649 shkolla në
Kosovë, më shumë se një e pesta e tyre ishin dëmtuar rëndë dhe më shumë se 60
për qind ishin shkatërruar plotësisht.
* * *
Përgjegjës për
shtyllën IV që kishte të bënte me rindërtimin dhe me zhvillimin ekonomik, ishte
Bashkimi Evropian. Pas luftës, në kuadër të misionit të UNMIK-ut,
për një periudhë prej tre vjetësh, për të rindërtuar Kosovën e shkatërruar nga
lufta, kishte vlerësuar një kosto prej të paktën 4 miliardë dollarë.
Çështja e kompensimit të dëmeve të luftës duhet të jetë pjesë e rëndësishme e
dialogut që rifilloi në vitin 2020. Në këtë dialog duhet biseduar me ngulm edhe
për personat e pagjetur.
* * *
Sipas studimeve të
ekspertëve ekonomikë të Kosovës, gjatë luftës Serbia i ka shkaktuar Kosovës
dëme në një shumë prej rreth 22 miliardë eurosh. Këtu janë përfshirë
dëmet e shkaktuara në sektorin publik, në atë privat, në fondin e pensioneve.
Janë përfshirë edhe depozitat e qytetarëve etj.
Gjatë luftës, dëme
të mëdha janë shkaktuar edhe në sektorin privat. Beogradi dhe
Uashingtoni e Berlini duhet t a dinë se prona private është e paprekshme dhe e
mbrojtur edhe me Konventën për të drejtat dhe liritë e njeriut.
Me sa më sipër duhet të njihen edhe Uashingtoni, Berlini dhe Londra.
S’ka normalizim
marrëdhëniesh me Serbinë, s’ka fqinjësi të mirë me të, derisa Beogradi të mos e
zbardhë çështjen e të pagjeturve, të mos kërkojë falje për vrasjet dhe
ekzekutimet, të mos pendohet dhe të mos kërkojë falje për fëmijët e vrarë dhe
të ekzekutuar, të mos i paguajë dëmet e luftës apo reparacionin e luftës. S’ka
normalizim marrëdhëniesh, as Ballkan të hapur
derisa Serbia të mos e njohë sovranitetin e Kosovës, tërësinë tokësore dhe
pavarësinë e saj. S’ka fqinjësi të mirë me Serbinë, derisa Beogradi të mos i
japë fund politikës klerofashiste të saj.
* * *
Historia e lavdishme
e Kosovës, qëndresa heroike e saj gjatë tërë shekullit XX përballë pushtuesve
dhe kolonialistëve serbë, lufta për jetë a vdekje e Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës, heroike, epike dhe legjendare duhet të mësohen dhe të studiohen – vite
me radhë - nëpër të gjitha shkollat dhe universitetet e kombit shqiptar në
rajon.