Mendime » Radovani
Fritz Radovani: 20 vjet pa Lukë Kaçaj
E hene, 06.09.2021, 07:21 PM
20 VJET PA LUKË KAÇAJ
Nga Fritz RADOVANI
7 Shtator 2001...
O syshqiponjë! A me të vertetë Je pranë Krijuesit Tand !?..
E pra, tash plot 20 vjetë Rinia Shqiptare këndon.., por,
këndon pa Ty, o Luk Kaçaj, e ndoshta, sa vite të tjera do të shkojnë, tue
kerkue tingujt e zanit tand !.. Po, po, atje nalt nder Yjet e Pashuem të Asaj
Botë pafund !
O i Madhi e i pavdekshmi Lukë Kaçaj, Ti ishe shkam i Alpeve
tona!..
Ti ishe Prijs i kangës me Lahutë e që dijte me at za si
pushka, me na lanë n’ Atdheun e Shqipeve Dykrenare gjurmët e qytetnimit
Europjan...
E bash ajo Europë, të priti e të percolli si Birin e vet të
pashoq atëherë, kur pak kush i dinte majet e pashkeluna t’ atij arti të
pavdekshem, që Ata mësues me zhguna të murrmë, dijtne me të mësue ty o zheniu i
Maleve!
E oxhaku i gurt’ i Atyne Maleve lajmonte per Ty, se u shtue
një pushkë!
Stajanicat plaka, vazhdonin me shtrue sofrat: Hajde bujruem,
urdhnoni “Mirse Ju ka prue Zoti, urdhnoni Buk’ e krypë e Zemer!”... E
shkrepeshin gotat e Atyne Burrave, që nder shekuj të pafund nderuen Atdheun e
Gjergjit të Madh Trimit të Gjon Kastriotit tonë... Atij Plakut vuejtun, e që
mbas Tij kje Bij’ e Atyne Maleve kreshnike edhe Nana Tereze e Shkupit...
Edhe në vitin 1924, me 24 Shkurt, në Bajzë të Kastratit në
Malsisë së Madhe, kur u le Lukë Kaçaj. Luka porsa mori mend ju kushtue Urdhnit
Fretenve të Vegjel, dhe shkoi me vazhdue shkollen e Tyne në Gjuhadol të
Shkodres, ku spikati zani i Tij... I pakrahasueshem per bukuri e forcë.
Ishte i pari At Martin Gjoka që dalloi talentin e rij dhe i
tregoi rrugen e artistit të madh. Atje në Liceun “Illyricum” Luka, kur Mjeshtri
i Madh i muzikës At Martini, i vuni në ballë djaloshit Bajzës së Alpeve shenjen
e perjetshme t’ artistit t’ panjoftun e t’ pashoq... Nder Trojet tona.
Luka më ka tregue me gojen e Tij, sesi kur po permbytej
Shqipnia nga komunizmi, në vitin 1946: “At Mati Prennushi thrret në Kuvend të
Gjuhadolit baben e Lukës dhe i thotë: “Koha sa vjen e po bahet ma e rrezikshme
per xhakoj ashtu si per ne, prandej, merre Luken në shtëpi, sikur ai nuk do me
ndejë ma këtu dhe mundou me i dhanë rrugen e muzikës, mbasi ka mundsi që Liceu
i ynë, të mbyllet nga komunistët dhe të mos hapet ma...Kjo këshillë e At Matisë
dhanë babës sim, më shpetoi nga arrestimi i sigurtë që në 1946... Gjithmonë e
kam kujtue At Matinë me mirnjohje... ” (Dëshmi gojore e të Ndjerit Lukë Kaçaj,
Shkoder 1996).
U ndihmue prej kompozitorit Kristo Kona, tue e angazhue
Luken me korin e Filarmonisë. Luka fillon punen në Filarmoni. Sjellja e Lukës
prej qytetari me njohuni si pak kush të disa gjuhëve të hueja, italisht,
latinisht, greqisht dhe në mënyrë të persosun gjuhen Shqipe. Në 1951 i hapë
rrugen per studime jashta shteti në Moskë, në konservatorin “P.I.Çajkovski” në
B.S., Luka paraqitet në konkurs dhe porsa perfundon së kënduemi, Drejtori i
Konservatorit u çue në kambë tue thirrë: “Otliçno! (shkelqyeshem)”...E nuk do
të vonojë kur Shaporin deklaron: “Ky bas asht një Shaljapin i ri, Shaljapini
Shqiptar!” Luka i befasoi si artist i madh të gjithë. Ai ishte interpretues në
disa gjuhë, tue mësue atje edhe rusishten, frengjishten dhe gjermanishten. Në
një turne në shtetet “demokratike” të Europës Lindore, Luka kishte një repertor
të gjanë mbi 100 pjesë në 5 gjuhë të hueja. I duertrokitun nga gjithë Europa...
Në 1966 emnohet pedagog i kantos në Institutin e Naltë të
Arteve dhe jep kontributin e tij me vlerë në përgatitjen e brezit të ri të
këngëtarëve. Po, nuk shkon gjatë... Po në 1966...Ramiz Alia, në kuadrin e
“Revolucionit Kultural” e largon nga skena!“Mos vallë… ky asht fundi im…!?” Ju
ngul në kokë Lukës...Parandjente até që do të ngjiste me 28 Maji 1973..,kur
sigurimi i shtetit do ti vinte hekrat Lukës në prani të studentave dhe
pedagogëve, në hollin e Akademisë së Arteve të Bukura, me etiketen e njohun të
“rrezikshmërisë shoqërore, dhe në emër të popullit arrestohet si armik i
tij...” Lukë Kaçaj, djali Fisnik i Bajzës së Kastratit, asht para xhelatëve
shpifës e terroristë, kur Nana Tone me lot perfaqe i lutej “trupit gjykues” per
djalin e pafajshem të vetin, por dënimi i tij asht i pashmangshem. Luka u dënue
me 5 vjet heqje lirie...
“Revolucioni Kultural” antinjerzor e burgosi artistin LUKË
KAÇAJ...
Luka ishte “armik i popullit” se kishte recitue vargjet e At
Gjergj Fishtes, mësuesit të vet, dhe nuk kishte “harrue endè” me i ra në gjuhen
e Tij “Lahutës së Malësisë”, të cilen e adhuroi deri në vdekje. Ana, zonja e
Tij e nderueme nuk mungoi as nder telat rrethues me gjema të kampeve.
Luka u lirue nga burgu i “vogel” në vitin 1978. Vazhdoi disa
vite hamall tek Pazari i Ri në Tiranë... Në vitin 1988, e bukra Ana, që nuk
kishte kursye me shitë edhe “gjakun” per me mbajtë gjallë burrin besnik të saj
në burg, mbylli vuejtjet e jetes e mbeshtetun per gjoksin e basit të njohun në
Botë, me sy të ngulun tek Luka! Gjendja shndetsore e Lukës nuk u kuptue. Ai e
mbante veten! Me 7 Shtator 2001, Luka nuk këndoi kurrma! Komunizmi kerkoi me e
varrosë “hamall” të Madhin Lukë Kaçaj, basin e njohun nga të gjitha skenat
botnore që e dishruen praninë e Tij.
Ne njohem një brilant të muzikës Shqiptare që nuk i vjen
kurrma Asaj...
Ai ishte i madhi Lukë Kaçaj!..
Melbourne, 6 Shtator
2021.