| E enjte, 26.08.2021, 06:01 PM |
VELIPOJË, REPORTAZHI QË
NUK U SHKRUA DOT
NGA
NDUE DEDAJ
Ishim
këtë fundjavë në Velipojë, një ditë e një natë, për t’u parë me disa miq të
ardhur për pushime nga Italia. Jemi ç’jemi, thamë, po i mbajmë ca shënime që të
shkruajmë diçka për Velipojën, si me thënë pozitive, pasi ka do kohë që ky
plazh po lajmërohet në publik vetëm për ngjarjet e tij të rënda. Pa hyrë në
Shkodër, makina merr kthesën për në Velipojë, qarkullimi i automjeteve normal,
me pak trafik te Harku i Bërdicës, nën monitorimin e kujdesshëm të Policisë dhe
mbas 27 kilometrash rrugë nis e shpërfaqet qyteti llamburitës i plazhit, që
shtrihet në 14 kilometrat e vijës bregdetare, nga bregu i Bunës në Vilun. Por
nuk duam të mbetemi te mbresat rastësore, ndaj vemi në qendër, ku mendojmë se
duhet të ketë një zyrë informacioni, që t’i orientojë pushuesit për hotelet,
rojet e plazhit, koncertet etj. Dhe ishte një kioskë e mjerë që kishte shërbyer
për këtë punë, por këtë vit, siç na tha një djalosh që merrej me këmbimin e
parave aty pranë, nuk e kishte çelur derën. Dukej më shumë një ish-zyrë
shoqatash, që pas mbarimit të ndonjë projekti, e kishin lënë ashtu në mëshirë
të fatit, ku nga dritaret dalloheshin disa fletëpalosje të mbuluara nga
pluhuri.
U
sollëm andej - këndej qendrës së Velipojës, se mos kishte ndonjë zyrë bashkiake
apo të Agjensisë Kombëtare të Bregdetit për të marrë informacion për turizmin,
por nuk hasëm askund ndonjë të tillë. Pyetëm dhe te recepsioni i një hoteli,
nëse kishin dijeni për ndonjë zyrë të informimit publik, por punonjësja ngriti
supet. Shkurt, asgjë zyrtare nuk mundëm të mësonim për Velipojën, sa ishte
numri i pushuesve në gusht e sa kishte qenë në korrik? Nga ishin e nga s’ishin
pushuesit? A kishte rritje apo rënie të numrit të tyre krahasuar më dy apo tre
vite më parë? Le pastaj të mund të bëje dhe ndonjë krahasim përmes shifrave, me
plazhin më të afërt, atë të Shëngjinit, apo të Ulqinit. Natyrisht që njerëzit
duan t’i dinë këto. Ata, për më tepër, do të donin që tashmë të kishte
përfunduar rruga që do të lidhte këtë plazh me Ranën e Hedhun dhe plazhet e
tjera të Lezhës, Shëngjinin, Kune - Vainin, Talen etj. Ashtu siç ende nuk ka
një pikë ndërkufitare me Malin e Zi për kalimin andej e këndej Bunës. Në
mungesë të një ure mbi Bunë - vetëm të një ure - një turist i Velipojës, nëse
dëshiron të pijë kafe në anën malazeze të këtij lumi dhe të vizitojë kishat e
vjetra të asaj ane, duhet të bëjë të paktën 50 kilometra nga Shkodra në
Muriqan, Ulqin, Shtoj. Dhe thuhen aq shumë fjalë të mëdha qeveritarësh në
Tiranë e Podgoricë për integrimin rajonal, europian!..
Ndërsa
endemi në kërkim të fakteve për reportazhin, befas në ekranet e mëdhenj të
televizorëve, gjithkund lokaleve me muzikë, jepet lajmi se në Velipojë atë
paradite (22 gusht) ishte mbytur një pushues rreth 59 vjeç nga Kosova. Nuk mund
të mos trishtohesh nga një lajm i tillë me vdekje në Velipojë, kur vetëm para
pak kohësh, në fund të qershorit, ka pasur katër të tilla “për një fjalë goje”,
siç e përkufizon tragjedinë e shezlongjeve një i moshuar, duke shtuar me
shqetësim njerëzor e qytetar: “Nuk bahet kjo punë kështu, dora fill e te pushka!
E gjitha ka ndodh për mungesë të shtetit”. Pushuesit shkojnë e vijnë, por
Velipoja (Fusha Madhe) zien përbrenda,
nga konfliktet e dukshëm e të padukshëm, pasi nga zaptuesit e pronave publike
shihet si një “parajsë” që nuk duhet humbur. “Në Velipojë punohet për njëzet
vetë, as 30 përqind e popullatës nuk ka tapi të tokës së marrë me ligjin 7501,
ndër të cilat dhe unë që po flas, thotë një banor vendali. Kur kam ardhë me
banim këtu, kah 1980, ka pas qenë kënetë dhe ranishte, nuk ka pas tokë buke, toka
ka qenë e krapit e jo e privatit, e tash i dalin pronarët!?...” Dhe ti thua, të
dhëna ta tilla nuk do t’i gjejë kurrë në zyra, jo atë të informacionit për
turistët, por as ato të bashkisë së Shkodrës apo qeverisë, pasi informaliteti
nuk ka “dokumente”.
Velipoja
ka historinë e saj, kanë qenë vetëm 12 shtëpi në fillim, malësorësh që uleshin
nga bjeshkët për të dimëruar bagëtinë këtu, pastaj u shtuan me të shpërngulurit
e Gomsiqes, kur po ndërtohej hidrocentrali i Vaut të Dejës. Janë vetëm disa
mijë banorë të përhershëm, kurse në verë numri i “banorëve” shkon dhe 80 mijë.
Ashtu si gjithë qytetet e tjera plazhe, ka vetëm tre muaj punë, ndaj të gjithë
nxitojnë të kapin fitimin, ku është e ku s’është, aq më tepër që vitin e kaluar
ka qenë pandemia që i ka penguar. Nuk mund të thuash se nuk ka përmirësim të
shërbimit në jo pak hotele, bar-kafe, restorante, por çmimet janë kudo si me
“pesë yje”, të papërballueshme për shumicën e pushuesve. Të shërbehen të gjitha
llojet e peshkut, gatuar nga kuzhininerët më të mirë të Shkodrës e gjer misrat
e pjekur. Syri të rrok pamjet masive të çadrave gjithë ngjyra plot me pushues
mbi rërën e pastër dhe ato rrugëzat prej dërrase që të mos digjen këmbët, si
dhe në plazhet e të tjera të Adriatikut, shqiptare ose jo, por ja që ta prish
imazhin bash në qendër të Velipojës një mbledhës me karrocë i bidonave plastikë
të ujit, hedhur në kazanët e mbetjeve urbane, që nesër, pasi t’i kenë shpëlarë
me zorrën e ujit, do të na kthehen në treg të mbushur me vaj ulliri, raki dhe
verë, çka nuk mund të ndodhë kurrësesi në një vend të qytetëruar. Edhe në
detaje të “vogla” si ky i bidonave të pistë ti si qytetar kërkon shtetin si
dalzotësin tënd, por jo. Tek ne kushdo mund të bëjë çfarë të dojë e si të dojë.
Pjesë
e tregtisë së plazhit janë dhe suveniret artistike, që paraqesin kështjellën e
Rozafës, Urën Mesit etj. Një çift
bashkëshortësh të moshuar, Ndoi nga Dukagjini dhe Filja nga Vermoshi, shesin në
plazh punimet e tyre artizanale të traditës, lahuta, sharki e çifteli, si dhe
veshje kombëtare: xhubleta, tirq, xhamadanë etj. Me nga një gotë raki rrushi
përpara, na tregojnë disa lahuta të punuara me simbolika të ndryshme, që nga
portreti i Gjergj Kastriotit-Skënderbut, shqiponja, imazhi i Alpeve, lule të
gdhendura etj., ku bie në sy sidomos një lahutë të vjetër, me dy krerë dhije,
brirë për brirë, që janë duke u “ndeshur” mes tyre. “Nji lahutë e bëj për 25
ditë dhe kushton 40 mijë lekë të reja”, thotë ustai i tyre, i cili flet me
admirim për kryemjeshtrin Kujtim Çërmelin, nga Gimajt e Shalës, me të cilin i
punojnë së bashku veglat muzikore folklorike në Shkodër. Ato paraqesin interes
si për shqiptarët e ardhur me pushime nga Kosova e trojet e tjera shqiptare,
ashtu dhe për të huajt: polakë, gjermanë, boshnjakë, malazez etj. Filja, që ka
marrë dhe një diplomë në një panair në Gjermani, nuk ka një mjedis, por i punon
rrobat në shtëpinë e tyre me qera në lagjen “Rus”. 12 kostume kombëtare të
trevave të ndryshme i kanë porosi nga shqiptarët e Amerikës, për çka punon dhe
vajza, Enduela, pasi mjeshtritë artizane trashëgohen brez pas brezi nga
malësorët. Rrobat e stilizuara hijshëm punohen me dorë, duan mjeshtri të hollë
dhe kohë e durim, se një spik qendisjeje, aq i thjeshtë në dukje, ka 12 fije
peri. Një xhubletë e vjetër e kompletuar në Kelmend është shitur dhe dhjetë
mijë euro, kurse këto te rejat deri në tre milionë lekë të vjetra, ku fitim
është vetëm një e treta. Nuk arrin askush më të prodhojë xhubleta të mirëfillta
si ato të hershmet, ndaj ka gjasë që ato të zhdukën duke u blerë nga të huajt,
pasi muzetë tanë etnografikë mund të mos i kënë kaq para për t’i blerë. Por kjo
do të ishte një temë më vete.
Pas
bisedës së këndshme me dy artizanët dashamirë, që i kanë zgjedhur zejet e tyre
(burri - veglat muzikore e gruaja - rrobat kombëtare) si mjet jetese, ngrihemi
për të folur me të tjerë njerëz. Ngado që vemi, në kokë na rri ajo shprehja, që
kushedi sa herë e kemi dëgjuar: “Velipoja, me pas kush me e administrue si
duhet, mban krejt Shkodrën...” Ëh, me pas kush!? Shqipëria ka “Velipoja” pafund
në det e në mal...