E merkure, 13.11.2024, 06:18 AM (GMT)

Kulturë

Thanas Gjika: Pasuri e madhe me mangësi të shumta

E diele, 15.08.2021, 12:15 PM


PASURI E MADHE ME MANGËSI TË SHUMTA

(Mendime për revistën “ART & TRASHËGIMI”, Nr. 7, 2016)

Nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. Gjika

Revista kulturore artistike dhe shkencore “ART & TRASHËGIMI” me format të madh, kryeredaktor Andi Rëmbeci, botohet prej disa vitesh shqip dhe anglisht prej shoqërisë Franko-Shqiptare ARGJIRO. Numëri 7, vitit 2016, 216 faqe, i është kushtuar trashëgimisë së artit kishëtar që i përket jo një kishe a kishave të një qyteti, por gjithë trashëgimisë së Kishës Shqiptare Ortodokse. Botimi i këtij numëri është kryer nën kujdesin e Shoqatës Shqiptare të Studimeve Bizantine e mbështetur financiarisht nga disa fondacione shqiptare dhe nga fondacioni austriak IMAF - International Music & Art Foundation.

Në këtë numër janë përmbledhur artikuj shkencorë të studjuesve të njohur si Fort Lumtëria e Tij Anastas Janullatos -Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Joan Pelushi -Mitropolit i Korçës, Prof. Dr. Skënder Muçaj, Prof. Dr. Lida Miraj, Prof. Dr. Aleksandër Meksi, Prof. Dr. Pirro Thomo, Prof. As. Dr. Kostantinos Giakoumis, Dr. Elio Obdashi, Dr. Era Xhaferaj, Prof. Dr. Shaban Sinani, Prof. As. Dr. Dhori Q. Qiriazi (Doris K. Kyriazis) , Prof. Dr. Xhevat Lloshi, Sokol Çunga, Andi Rëmbeci, etj. Në këta artikuj shkencorë jepen fakte dhe vlerësime për historinë e besimit të krishter të popullit tonë që nga shek. I, për arkitekturën e kishave, ikonat dhe afresket murale, mbishkrimet e vjetër të kishave të krishtere ortodokse, kodikët e vjetër, arti i gdhëndies së gurëve dhe drurëve që zbukuronin muret ose ikonostaset e kishave, përkthime të hershëm të “Biblës”, muzika kishëtare bizantine, etj.

Në këtë vepër përfshihet vetëm pasuria që u përket kishave që ndodhen në territoret e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, pra që i përkasin Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Lënda e gjerë dhe ilustrimet cilësore e bëjnë këtë numër të kësaj reviste vepër shumë të rëndësishme mbi artin e trashëgiminë kishëtare shqiptare.

Lënda e artikujve shkencorë dhe ilustrimet fotografike të bindin se Shqipëria ka një pasuri të madhe në fushën e artit dhe të arkitekurës kishëtare. Kjo pasuri do të jetë akoma më e madhe, kur të botohen dhe numërat e tjerë të kësaj reviste, ku, si shkruan Z-nja Ilda Mara, drejtoreshë e kësaj reviste në shkrimin përmbyllës, kolana do të vijojë edhe me botimin e trashëgimisë së besimeve të tjera, të besimit të krishter Katolik, të besimit Islamik Synit dhe atij Islamik Bektashian.

Të shtohet mirënjohja ndaj armatës së ustallarëve, piktorëve, drugdhëndësve, gurgdhëndësve, muzikantëve, klerikëve dhe shkruesve të talentuar që punuan gjatë shekujve për ndërtimin, zbukurimin dhe funksionimin e kishave tona të vjetra që i përkasin trashëgimisë së besimit ortodoks. Po ashtu shtohet mirënjohja edhe për ata që punuan pas vitit 1991 për restaurimin e 63 kishave të dëmtuara dhe për ndërtimin e 150 kishave e manastireve të rinj dhe të disa ndërtesave të reja kishëtare si seminare, shkolla, spitale, shtypshkronja, radiostacione, etj. Njohja me këtë pasuri të çmueshme me vlera kombëtare dhe botërore e forcon ndjenjën e mirënjohjes ndaj donatorëve, mirëbërësve shqiptarë të shekujve të kaluar, por edhe ndaj donatorëve të sotëm shqiptarë e sidomos fqinjëve grekë, të cilët kanë dhuruar shuma të konsiderueshme për ringjalljen e Kishës Shqiptare Ortodokse Autoqefale, me nxitjet e Hirësisë së Tij Anastas Janullatos -Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Materialet e shumtë të botuar në këtë libër të bindin se procesi i ringjalljes së Kishës Shqiptare Ortodokse Autoqefale ka kryer gjatë këtyre 30 viteve një rrugë të vështirë, por të suksesëshme dhe tashmë ky proces është drejt përfundimit.

Studimet tona mbi artin e trashëgiminë e besimeve të krishtera dhe islamike kanë mundësi ta nxjerrin gjithnjë e më mirë identitetin shpirtëror dhe kulturor të popullit shqiptar brenda dramës së tij që gjithnjë ka mbijetuar nën vërshimin e qytetërimeve lindore dhe perëndimore, duke dhënë ndihmesën e vet origjinale. Nisur nga fakti se kjo kolanë do të vijojë, po shënoj këtu disa mangësi e gabime që më ranë në sy gjatë leximit të këtij numëri të revistës, me qëllim që të mos përsëriten në studime dhe sidomos në numurat e tjerë të kësaj reviste dygjuhëshe me përhapje botërore.

* * *

Mangësia e parë që më ra në sy në këtë vepër ka lidhje me historinë e fillimit të besimit të krishter në trojet tona. Në studimin “Kisha e Shqipërisë nga vitet apostolike deri më sot” autori, Hirësia e Tij Anastasi, nuk përmend dy vlera të rëndësishme të Krishtërimit në trojet ilire, karakterin autokton të kësaj feje dhe faktin që Shën Pavli / Pali shkroi në Durrës letrën e tij më të rënsdësishme, letrën drejtuar besimtarëve të panjohur të Romës, e cila përbën 15 kapitujt e parë të letrës kanonike “Romakëve” (Rom. 1-15).

Peshkop Joani -Mitropolit i Korçës, në shkrimin vlerësues që hartoi si “Hyrje” për studimin tim “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” Tiranë 2007, theksoi se Krishtërimi në Shqipëri ka karakter autokton, sepse ai nuk u përhap prej misionarëve latinë ose grekë, por prej vetë apostujve, si në gjithë botën mesdhetare të asaj kohe dhe është zhvilluar pastaj në mënyrën e tij (f.7).

Në këtë studim monografik dhe në studimin tjetër “Shën Pali punoi dhe në bigjet e Adriatikut” Tiranë 2014, kam vërtetuar duke u mbështetur në të dhëna historike të historianit italian Daniele Farlati, historianit shqiptar Marin Barleti, në argumente të nxjerra nga teksti, nga të dhëna toponomastike, gojëdhëna, analiza logjike, etj, se Shën Pali / Pavli gjatë qershor-korrikut të vitit 56 pas K. krijoi bashkësinë e parë të krishtere (kishën) në Durrës dhe se për të vijuar mëkëmbjen e kësaj bashkësie ai la në Durrës nxënësit e tij Apollo, Cezar dhe Sosthen. Dy të parët përmenden si peshkopë (Ipeshkv) të kishës së Durrësit në vitin 58 pas K. në Menologun grek të shek. V, të përkthyer italisht prej kardinalit Sirletano.

Duke analizuar tipologjinë dhe disa të dhënave të tekstit të letrës kanonike “Romakëve” vërtetova se është i drejtë mendimi i shprehur prej disa studjuesve se kjo letër është letër e përbërë. Duke vijuar analizat, vërtetova se letra kanonike “Romakëve” është letër e përbërë nga bashkimi i dy pjesëve të shkruara prej Shën Palit / Pavlit në dy kohë të ndryshme dhe në dy vende të ndryshme. Pjesa e parë, e cila përfshin kapitujt 1-15, është letër e plotë, e cila quhet prej studjuesve “Ungjilli” i tij. Këtu apostulli trajtoi temat kryesore të predikimeve të veta dhe ua dha Prishilës dhe Akuilës (Prisca & Aquila) që ta përdornin si material ndihmës gjatë predikimeve të tyre pasi të arrinin në Romë. Duke qenë se autori nuk kishte qenë asnjëherë në Romë, në hyrje të letrës nuk i adresohet asnjë personi me emër dhe asnjë bashkësie konkrete të krishterësh. Këtë letër apostulli e shkroi në Durrës gjatë qershor-korrikut 56 dhe ua drejtoi të krishterëve të panjohur që jetonin në Romë. Kurse pjesa e dytë e letrës kanonike “Romakëve”, e cila përfshin vetëm kapitullin 16 të kësaj letre kanonike, është fragment i një lete të shkurtër, së cilës i mungon hyrja ku autori, sipas rregullit ka prezantuar veten dhe ka sqaruar se kujt po ia drejtonte letrën. Në pjesën Rom. 16:1-27 që ruhet prej letrëssë dytë, autori ka përshëndur 26 besimtarë që jetonin në Romë, gjë që tregon se ai e ka shkruar këtë letër në një kohë kur kishte marrë të dhëna për të krishterët e Romës. Ai ua rekomandon Feben (Phebe), dhjaken e kishës së portit Kenkrea (Cenchreae) të Korinthit që ta ndihmonin në çdo gjë që ajo kishte nevojë, sepse edhe ajo kishte mbrojtur shumë njerëz dhe vetë apostullin (Rom. 16:1-2). Fakti që autori sqaron se Febe ishte dhjake e kishës së portit Kenkrea të Korinthit, i ka shtyrë shumë studjues të gabojnë e të sugjerojnë se Pali / Pavli e shkroi të gjithë letrën kanonike “Romakëve” në Korinth ose Kenkrea, para se të largohej prej atje për në Jeruzalem. Mirëpo këta studjues kanë gabuar, sepse kjo letër e shkurtër me të cilën autori u rekomandonte Feben besimtarëve të njohur të Romës u shkrua pasi i ndodhi një komplot prej judenjve kur ai u bë gati të lundronte nga Kenkrea për në Siri. Këtë fakt e sqaron vetë autori, kur i porosit lexuesit (besimtarët e njohur të Romës) se Febe kishte mbrojtur shumë veta dhe vetë Palin. Kohën se kur dhe nga se e kishte mbrojtur Febe apostullin dhe njerëzit e tij, e kuptojmë nga sqarimi që ka dhënë Shën Luka në librin “Veprat e Apostujve”, kur përmend komplotin që i krijuan judenjtë apostullit kur ishte bërë gati për të lundruar drejt Sirisë dhe pasi shpëtoi u detyrua të kthehej në Jeruzalem duke kaluar nga Maqedonia (Veprat 20:3). Pra, po të mos kishte ndodhur komploti i judenjve, apostulli do të ishte larguar për në Siri dhe nuk do ta kishte shkruar letrën rekomanduese prej së cilës ruhet pjesa Rom. 16: 1-27.

Hirësia e Tij Anastasi më falenderoi me letra pasi mori dy studimet e mia, mirëpo mesa duket nuk i ka lexuar as përmbledhjet (summary) në anglisht e as vlerësimet që kanë dhënë Peshkop Joan Pelushi -Mitropolit i Korçës, Prof. R. Dean Davis -Shef i katedrës së Teologjisë në Atlantic Union College S. Lancaster MA dhe Prof. Akademik Jorgo Bulo.  Po të kishte lexuar këto shkrime do të kishte mësuar mjaft nga arritjet e mia ky studjues i historisë së Kishës Shqiptare Ortodokse Autoqefale dhe nuk do të kishte shkruar: “Apostull Pavli, duke i shkruar bashkësisë së Romës nga Korinthi (në vitet 55-57 pas Krishtit)” (f. 14), sepse apostulli i shkroi jo një bashkësie, por disa bashkësive të krishtera të Romës nga Konkrea, e jo nga Korinthi dhe jo në vitet 55-57, por në mars të vitit 57, pasi shpëtoi nga komploti i judenjve dha para se të largohej nga Kenkrea për në Maqedoni. Apostulli nuk kishte kohë ta shkruante gjithë letrën kanonike “Romakëve” në Kenkrea pasi dështoi komploti i judenjve, sepse aty ai qëndroi vetëm një, dy ose tri ditë, sa për të gjetur një anie për t'u nisur drejt Maqedonisë.

Një fakt tjetër që kam përdorur për të vërtetuar se pjesa Rom. 1-15 është shkruar jo në Kenkrea, po në qytetin e lirë të Durrësit (Dyrrachia, qyteti dhe zona për rreth tij, që varej administrativisht prej Senatit Romak dhe jo prej Provincës së Maqedonisë), është sqarimi i vetë Pavlit / Palit: “atyre nga Maqedonia dhe Akaia (Greqia) u pëlqeu që të japin një ndihmë për të varfërit e Jeruzalemit” (Rom. 15:26). Përdorimi i përemrit vetor “atyre” tregon se autori nuk ndodhej as në Maqedoni e as në Akaia (Greqi), kur po shkruante letrën deri te kapitulli 15. Edhe mbyllja e kapitullit 15 me urimin: “Edhe Perëndia e paqes qoftë me ju të gjithë. Amin!” (Rom. 15:33), tregon se letra mbaron pikërisht me këto fjalë, që autori i ka përdorur si urim në mbyllje edhe të shumë letrave të tjera të tij.

Hirësia e Tij Anastasi do të ishte ndihmuar prej studimit tim dhe nuk do të gabonte duke shkruar se Illyriku në shek. I pas Krishtit ishte “pjesë e Provincës së Maqedonisë” (po aty f. 14), sepse unë kam sqaruar se Illyriku ishte Provincë Romake më vete ashtu si Maqedonia, Achaea (Greqia), dhe se Shën Pali / Pavli shkoi e punoi në pjesën jugore të Provincës së Illyrikut që kishte si qendër administrative qytetin Lisus (Lezha e sotme në Shqipëri), më tej ai shkoi me anie dhe zbriti te gjiri i kepit të Durrësit, i cili pas kësaj vizite u quajt më vonë Kepi i Palit (sot populli e quan Bishti i Pallës). Më tej apostulli shkoi e punoi në Durrës, prej ku kaloi duke ecur në këmbë deri në Butrint e Nikopol (gërmadhat e këtij qyteti gjenden sot pranë qytetit Preveza në skajin jugor të Epirit që në atë kohë bënte pjesë në Provincën e Maqedonisë). Prej këtu ai kaloi në Provincën e Achaesë, ku kaloi tre muaj, si sqaron Luka (Veprat 20:2)

Një dobësi tjetër e numërit 7 të revistës “ART & TRASHEGIMI” lidhet me nënvlerësimin e kishës “Lindja e Shën Marisë” e Labovës së Kryqit, Gjirokastër, kishë e shek. VI dhe mbivlerësimin e kishës së manastirit “Fjetja e Shën Marisë” e vitit 1600 që ekziston mbi fshatin minoritar Goranxi të Gjirokastrës. Kisha e fshatit Goranxi u restaurua me fondet e Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale, kurse kisha e Labovës së Kryqit nuk u restaurua me këto fonde, por u la në mëshirë të fatit, derisa me ndërhyrjen e Z. Stefan Miha pranë Kryeministrit Z. Edi Rama, u restaurua me fondet e shtetit në vitin 2018. Mbivlerësimi i manastirit të fshatit Goranxi bie në sy dhe nga fakti se fotoja e tij është riprodhuar tri herë: në ballinën e revistës dhe dy herë të tjera brenda librit në faqet 19 dhe 102, sikur kjo kishë të jetë më e rëndësishmja, më artistikja, më e vjetra e pasurisë sonë kishëtare. Në vend të kësaj fotoje do të ishte mirë të ishte në ballinë një foto artistike e “Kishës Lindja e Shën Marisë” e Labovës së Kryqit, e cila është një nga 40 kishat më të vjetra të botës dhe përbën një monument të papërsëritshëm për trashëgiminë tonë kishëtare e më tej. Historinë e saj e kanë dokumentuar studjuesit Theofan Popa (1917-1985) dhe Gazmend Muka (1964-2012).

Nënvlerësimi i kishës “Lindja e Shën Marisë” e Labovës së Kryqit vijon edhe me përcaktimin që i ka bërë Prof. Dr. Aleksandër Meksi në artikullin e tij “Trashëgimia monumentale ortodokse në Shqipëri” botuar në faqet 90-93, ku ai shkruan se Kisha e Shën Marisë, Labovë e Kryqit, Gjirokastër ishte ndërtuar në shek. XIII. Ky datim vendoset në tekstin e artikullit, si dhe poshtë fotografisë së kësaj kishe në f. 92. Ky përcaktim i datës së kësaj kishe monumentale me vlera botërore, është i gabuar dhe e nënvlerëson pasurinë tonë të krishtere që trashëgojmë nga koha kur Krishtërimi ishte një dhe i pandarë në ortodoks e katolik, ndarje që ndodhi në vitin 1054.

Ky gabim tregon se Prof. Dr. Aleksandër Meksi dhe kryeredaktori i revistës, Z. Andi Rëmbeci, nuk kanë marrë parasysh rezultatet e studimeve të kolegëve të tyre Theofan Popa dhe Gazmen Muka, botuar disa vite para botimit të këtij numri të revistës.

Studiuesi Gazmend Muka në librin e tij “Kisha e lindjes së Shën Marisë e Labovës së Kryqit” ALBAS.al 2012, 160 faqe, ka shkruar se kubeja e kësaj kishë ishte përfunduar në vitin 554 dhe kryqi i saj u soll në Labovë në prill të vitit 559 prej shpatarit Kostandin Laboviti, si dhuratë e Perandorit Justinian, ilir nga Dardania.

Mësuesi Stefan Miha, i cili e kishte parë dhe mbajtur në duar shumë herë kryqin, thotë se kryqi ishte i veshur me një cipë floriri me peshë 600 gram dhe ruhej në një kamare të fshehtë sipër ikonostasit, ku hipej me një shkallë të drunjtë që mbahej e ndarë në tri pjesë, të cilat bashkoheshin kur duhej të merrej kryqi për të kryer veprime rituale.

Prëveç këtyre të dhënave ka dhe fakte të tjerë që dëshmojnë se kjo kishë i përket shek. VI. Këta fakte janë:

1. Dy piktura murale.

2. Dy mbishkrime në mur.

3. Një tullë bizantine ku ishin gdhendur numurat romake DLIV (ky numër me shifra arabe shkruhet 554 tregon vitin e përfundimit të kishës).

Dy pikturat murale.

A. Në vitet 70-të të shek. XX-të në një pjesë të murit ra suvaja ku ishte pikturuar Jezu Krishti me mantelin e kuq dhe doli një afresk i vjetër ku ishte pikturuar Jezu Krishti me mantel blu. U njoftua studjuesi Theofan Popa, i cili pasi e pa pikturën, në prani të Stefan Mihës sqaroi se ky portret i Jezu Krishtit me mantel blu u përdor vetëm në shek VI-të nga sekti i të krishterëve “Monofizë” që besonin se Jezui ishte vetëm qiellor. Ky portret që i përkiste shek. VI-të, pas eleminimit të fraksionit “Monofizë” u mbulua nga një piktor tjetër, ose nga i njëjti piktor, i cili mbuloi portretin me mantel blu dhe pikturoi Jezusin me mantel të kuq, pra të njëjtë me portretin e të gjithë kishave të krishtere.

B. Në pikturën tjetër është pikturuar dhuruesi i kishës, Perandori Justinian, i cili sundoi Bizantin në vitet 527-565.

Nëse kjo kishë do të ishte ndërtuar në shek. XIII, si shkruan Prof. Dr. Aleksandër Meksi, këto dy piktura murale nuk do të ishin pikturuar në muret e kësaj kishe shtatë shekuj pasi ishte zhdukur fraksioni i sektit “Monofizë” dhe shtatë shekuj pas vdekjes së perandorit Justinian.

Ekzistenca e këtyre dy pikturave murale është dëshmi edhe e faktit se muret e kësaj kishe nuk janë mure të rinj të ndërtuar në shek. XIII mbi themele të një kishe të vjetër, si thonë përkrahësit e datimit të saj në shek. XIII, por janë piktura të mureve origjinalë që ishin ndërtuar në shek. VI.

Dy mbishkrimet.

Studjuesi Andi Rëmbeci në artikullin e tij “Mbishkrime kishëtare në Shqipëri” f. 50-56, ka vënë në dukje se në Kishën Lindja e Shën Marisë e Labovës së Kryqit ruhen dy mbishrime murale, njëri i vitit 525 dhe tjetri i vitit 551 (f. 53), të cilat ishte mirë të ishin riprodhuar me fotot përkatëse. Kjo e dhënë e përmendur prej studjuesit A. Rëmbeci bie ndesh me përcaktimin e Prof. Dr. A. Meksi, sepse duke pranuar se këto dy mbishkrime janë shkruar në vitet 525 dhe 551, si i kanë përcaktuar studjuesit Theofan Popa dhe Gazmend Muka, atëhere përcaktimi i studjuesit A. Meksi bie poshtë, por studjuesi A. Rëmbeci, kryeredaktor i revistës, nuk merret me shtjellimin e kësaj kundërshtie. Me sa duket ai nuk guxon të kundërshtojë një autoritet si Prof. Dr. A. Meksi.

Tulla e kuqe bizantine.

Banorër e Labovës së Kryqit kishin mbrojtur nënën dhe motrën e Ali Pashë Tepelenës kur ato i ndiqnin banorët e fshatit Kardhiq. Ali Pasha për mirënjohje dërgoi rreth viteve 1805-1810 ustallarë për të ndërtuar hajatin hyrës të kishës “Lindja e Shën Marisë” të Labovës së Kryqit, simbolit më të rëndësishëm të këtij fshati. Mirëpo mbi portën hyrëse ustallarët hoqën tullën e kuqe bizantine ku ishte shënuar me shifra romake DLIV viti i përfundimit të ndërtimit të kishës, dhe vunë një pllakë guri ku skalitën me shifra arabe numërin 554. Pra e rishkruan datën e ndërtimit të kishës me shifra arabe. Tulla e kuqe bizantine u la mënjanë si gjë pa vlerë deri nga mesi i viteve 1970-të. Mësuesi Stefan Miha, njeri i pasionuar pas vlerave të kishës, tregon se e mori tullën dhe ia dorëzoi drejtorit të Muzeut Etnografik të Gjirokastrës, të paharrueshmit Lefter Dilo, për ta vendosur në Muze. Mirëpo L. Dilo e la me sot për nesër punën për ta pajisur tullën me një foto të madhe të kishës “Lindja e Shën Marisë” së Labovës së Kryqit dhe me një shënim ku të sqaronte se shifra romake DLIV tregonte vitin 554, vitin e ndërtimit të saj. Tullën biznatine ai e mbajti për ta ruajtur në shtëpi të vet dhe kur iu dogj shtëpia, u zhduk dhe tulla bashkë me shumë materiale të tjerë me vlera historike.

Pllaka prej guri me shifrat arabe 554 që ndodhet edhe sot mbi portën hyrëse të kishës nga ana e hajatit, quhet prej studjuesit A. Meksi si mashtrim i qëllimshëm i datës së ndërtimit të kishës, sepse në vitin 554 nuk shkruheshin datat me shifra arabe, por me shifra romake. Ai nuk pranon se në vend të kësaj pllake ka qenë tulla bizantine me shifrat romake DLIV, si dëshmon mësuesi Stefan Miha.

Ndërkohë, në artikullin “Arti që tejkalon kufijtë e kohës” të studjuesit grek Prof. As. Dr. Kostantinos Giakoumis, pedagog në Universitetin New York, Tiranë, më la shijë të hidhur përcaktimi i origjinës së piktorit të shquar shqiptar Onufri (Onouphrios). Prej studjuesve shqiptarë, piktor Onufri është supozuar se ka qenë me origjinë nga Berati, Elbasani, Shpati i Elbasanit, ose Venetiku. Kurse ky studjues grek e quan Onufrin me origjinë nga Argosi i Greqisë (f. 123) pa përmendur se ka dhe supozime të tjera, të cilat mbështeten te disa mbishkrime të lëna prej vetë piktorit.

Në studimet dhe ilustrimet e këtij numëri të revistës bie në sy dhe një gabim tjetër: Kishat dhe manastiret ortodokse të fshatrave të minoritetit grek të Shqipërisë së Jugut janë përmendur gati po aq herë sa dhe kishat dhe manastiret ortodokse të krejt Shqipërisë, kur dihet se numëri dhe vlerat e kishave dhe manastireve ortodokse të krejt Shqipërisë janë shumë herë më të mëdha se ato të fshatrave të minoritetit grek. Ndërkohë është lënë pa u vënë në dukje se kishat dhe manastiret ortodokte të vjetër të fshatrave që banohen prej fshatarëve minoritarë grekë në Shqipërinë e Jugut janë ndërtuar prej ustallarëve shqiptarë para se të silleshin këta bujq nga zonat greke prej perandorëve të Bizantit, si Perandor Pogoni, në shek XV. Të mbështetur prej pushtetit qendror dhe klerikëve grekë, këta banorë të rinj dalngadal ua mësuan gjuhën e tyre banorëve shqiptarë vendës, të cilët ishin pakësuar nga shërbimet ushtarake, ku shkonin si mercenarë.

Mendoj se do të ishte mirë që në këtë botim të ishin përmendur dhe emrat e kishave dhe manastireve ortodokse të Shqipërisë që rafshoi ose i ktheu në depo diktatura komuniste. Ky krim në një vepër të tillë nuk kishte arsye pse të lihej pa u dënuar duke sjellë shifra dhe emra konkretë.

Ndër kohë, sugjeroj se do t'i shtoheshin vlerat këtij botimi sikur të ishte pajisur me një hartë të Shqipërisë ku të shënoheshin me shenja kryqi të gjitha kishat dhe manastiret, dhe emrat dhe vendndodhja e tyre të jepeshin në një listë shoqëruese në faqet pasuese.

Në botimet e kësaj kolane kur të shkruhet për pasurinë e besimit të Krishter Katolik dhe atë Islam Synit e Bektashian, është mirë të ketë dhe studim të shoqëruar dhe me ilustrime për objekte kulti që i kishin përkitur besimit të krishter, por që gjatë sundimit turk u kthyen në objekte të besimit Isalam, si është rasti i këshës bizantine të Shën e Premtes në lagjen Peshkëpi të Korçës, të cilën Iliaz Bej Mirahori e transformoi në xhami në vitin 1495.

Kisha “Lindja e Shën Marisë” Labovë e Kryqit, pas restaurimit më 2018

Kisha “Lindja e Shen Marise” Labovë e Kyqit, para restaurimit te vitit 2018.

Kishat dhe manastiret shqiptare që kanë mbetur jashtë territorit të Shqipërisë së sotme në qytete e fshatra në Maqedoni të Veriut (Dibr, Kërçovë, Prilep, Manastir / Bitola, Ohër, Strugë) dhe në qytete e fshatra të Greqisë Veriore (Kostur, Mavrovë, Janinë, Filat, Igumenicë, etj) do të ishte mirë të paktën të përmendeshin në disa prej këtyre studimeve. E them këtë sepse mospërmendja e tyre, po u jep mundësi studjuesve grekë dhe atyre maqedonë që t'i tjetërsojnë dhe t'i quajnë këto kisha e manastire si greke e maqedone, edhe pse ato i kanë ndërtuar e frekuentuar populli shqiptar deri para myslimanizimit të tij, ose deri para vitit 1912, kur u ndanë padrejtësisht kufijtë e tij. Si shembull po sjell rastin e Manastirit të Shën Naumit në jug-lindje të liqenit të Ohrit, manastir dhe territor që iu dha Mbretërisë Serbe prej Ahmet Zogut më 1925 si shpërblim për kthimin e tij në pushtet. Historikisht dihet se Manastiri i Shën Naumit ka qenë ndërtuar dhe frekuentuar prej popullit shqiptar, por sot ciceronët maqedonë u thonë vizitorëve se ky manastir është ndërtuar dhe frekuentuar prej popullit maqedon dhe se pikturat e piktorëve korçarë Zografi, nuk kanë qenë shqiptarë, por maqedonë. Ky tjetërsim i prëkatësisë së kishave, manastireve dhe pikturave të tyre, pasuri e popullit shqiptar, po vijon kudo.

Do të ishte mirë që ky numër i revistës të ishte pasuruar me disa faqe nga studimi madhor “Illyricum Sacrum” vol. VIII hartuar prej studjuesit italian Daniele Farlati për krijimin e kishës së Durrësit, me ndonjë artikull të studjuesit Theofan Popa për mbishkrime të ndryshme kishash, me disa fragmente nga studimit “Kisha e Lindjes së Shën Marisë e Labovës së Kryqit” e studjuesit Gamend Muka, etj. Kurse për sqarimet lidhur se problemin se kur dhe ku u shkruan dy pjesët përbërëse të letrës kanonike “Romakëve”, do të ishte mirë të më ishte kërkuar mua një artikull. Ky sugjerim mbetet detyrë e grupit që do të realizojë vijimin e kolanës me numërin ku do të trajtohet arti dhe trashëgimia e Kishës Shqiptare Katolike.

Studjuesit e rinj shqiptarë nuk ka pse t'u nënshtrohen hipotezave të gabuara mbi përhapjen e Krishtërimit në trojet iliro-shqiptare, që kanë formuluar në të kaluarën studjues të ndryshëm, qofshin të huaj ose vendës. Të vërtetat na duhet t'i mbrojmë, ashtu si e tregojnë faktet dhe analizat shkencore objektive, për të zbuluar pasuritë tona të veçanta.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora