Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Të mos i zhgënjejmë shqiptarët, zonja Ambasadore!
E enjte, 05.08.2021, 07:05 PM
TË MOS I ZHGËNJEJMË SHQIPTARËT, ZONJA AMBASADORE
“RRUGA PËRPARA PËR
MARRËDHËNIEN SHBA-SHQIPËRI”
Nga
Frank Shkreli
“Rruga Përpara Për
Marrëdhënien SHBA-Shqipëri” është titulli i një shkrimi të Kryediplomates
amerikane në Tiranë.
Rruga Përpara për Marrëdhënien SHBA-Shqipëri | Ambasada e
SHBA në Shqipëri (usembassy.gov)
Ambasadorja e
Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Shkëlqësia e saj, Juri Kim ka bërë një
ekspoze të “arritjeve” dhe “sukseseve” të Shqipërisë në një artikull që e
lexova në portalin e ambasadës tonë në Shqipëri. Me të thënë të drejtën, ky shkrim m’u duk aq
i pazakontë për një diplomat/e amerikane, si për nga përmbajtja ashtu edhe për
nga qëllimi se pse e nderuara ambasadore e shkruan pikërisht në këtë kohë një
artikull si ky. Zakonisht, “arritjet” dhe “sukseset” e kaluara dhe planet për
të ardhmen deklarohen në fund të vitit, normalisht, ose në ndonjë raport të
veçantë drejtuar Departamentit të Shtetit. Prandaj, ky shkrim më duket më shumë
si një “lamtumirë”, ose ndoshta edhe si një përpjekje në mbështetje të
njëanëshme ndaj qeverisë socialiste të Shqipërisë, për të justifikuar
perceptimet e shumë vetave se ajo është palë, siç kanë komentuar shumë lexues
në portalet e ambasadës amerikane.
Që në fillim dua
të shprehem se kam respektin më të madh për diplomatët amerikanë që shërbejnë
anë e mbanë botës, shpesh në rrethana shumë të vështira, përfshir sidomos ata
që shërbejnë në Shqipëri dhe në Kosovë.
E them ketë se gjatë karierës time, kam pasur nderin dhe privilegjin të
bashkpunoj me shumë prej tyre – në kohë të mira e sidomos në kohë të vështira
-- gjatë luftës së ftohtë e më vonë në periudhën e tranzicionit. Me diplomatët amerikanë që kanë shërbyer me
dinjitet në trojet shqiptare dhe anë e mbanë Evropës lidnore e qendrore
ish-komuniste -- si përfaqsues të denjë të Atdheut tim të adaptuar – Shteteve
të Bashkuara të Amerikës, ku gëzojmë lirinë, demokracinë dhe të drejtat tona
njerëzore. Kësaj Amerike të bekuar që
50-vjetë më parë ka strehuar mua dhe familjen time si edhe qindëra mijëra
shqiptaro-amerikanë gjatë dekadave – të detyruar të largoheshim nga trojet
shqiptare nga një prej diktaturave më të egra komuniste sllavo-aziatike, siç
ishte regjimi komunist i Enver Hoxhës për pothuaj gjysëm shekulli.
Në këtë frymë, pra
– me dashuri dhe respekt për vlerat e Atdheut tim të adaptuar, Shteteve të
Bashkuara të Amerikës dhe për të mirën e Atdheut të parëve të mi, por edhe me
respekt për punën e diplomatëve amerikanë në Shqipëri dhe për hir të
marrëdhënieve miqësore SHBA-Shqipëri, megjith kundërshtimet e mia ndaj disa
prej politikave të ndjekura prej tyre gjatë dekadave – të më lejohet që të
shprehi kësaj radhe disa kundërshtime të mia përsa shkruan Zonja Ambasadore në
artikullin e saj të botuar të mërkurën për rrugën përpara në marrëdhëniet
SHBA-Shqipëri.
“Shqipëria
ka përfunduar zgjedhje që do të shënojnë rikthimin e opozitës në parlament, një
ngjarje me rëndësi kritike. Siç vërejti ODIHR në raportin e tij përfundimtar,
zgjedhjet e 25 prillit ishin të mira, por jo të përsosura…”, shkruan Zonja Kim.
Përkundrazi,
e vetmja gjë pozitive që unë lexoj në raportin e ODIHR-it është se zgjedhjet,
siç thuhet në raport, ishin të “qeta”.
Të qeta ishin edhe në kohën e Enver Hoxhës zgjedhjet, por pse ishin të
qeta, nuk i bën ato “të mira” as të lira.
Shqipëria nuk ka patur zgjedhje të mira, të lira as të drejta në këto
30-vitet e fundit, pa marrë parsysh se cila parti ka qenë në pushtet. Frank Shkreli/ Zgjedhjet e 30-qershorit: Një poshtërsi për
qeverinë shqiptare, një dështim për opozitën, një turp për ndërkombëtarët dhe
një fatkeqësi për kombin shqiptar! | Gazeta Telegraf
Kjo
traditë vazhdoi edhe me zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Asnjë vërejtës i paanshëm nuk mund të
pretendojë se këto zgjedhje ishin të “mira”, të lira dhe të drejta. Ose i besojmë ODIHR-it ose jo. Ndër të tjera, në raportin e tij për
zgjedhjet në Shqipëri, për t’i ra shkurt bisedës, thuhet se partia në pushtet
“keqpërdori burimet administrative”.
Përcakton “mbledhjen e informacionit për të dhënat personale”, si një
problem seriroz. “Shitblerja e votës
mbetet shqetësim”, thuhet mëtej.
“Presionet ndaj medias” nga korrupsioni i madh që ka prekur shoqërinë
shqiptare, thuhet, ndër të tjera, në raportin e ODIHR-it për zgjedhjet e fundit
në Shqipëri, është gjithashtu diçka për t’u shqetësuar për të gjithë ata që
besojnë në votën e lirë. Nëqoftse këto probleme dhe shqetësime të tjera në
raportin e ODIHR-it i bëjnë këto zgjdhje të “mira”, atëherë ne kemi një
ndryshim të madh në interpretimin e dallimit midis të mirës dhe të keqes, si
koncept. Në çdo vend tjetër të Evropës këto zgjedhje nuk besoj se do të
cilësoheshin si të “mira” as të drejta, dhe as të lira. Si të tilla, fatkeqësisht, nuk besoj se do e
çojnë Shqipërinë “në familjen evropiane”, ashtu siç dëshirojmë të gjithë.
“Pesë
vjet pas miratimit të ligjeve, reforma në drejtësi po jep rezultate reale që do
të ndihmojnë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”, shkruan ambsadorja
Kim. Të gjithë ata që e duan Shqipërinë
dhe ia duan të mirën Kombit shqiptar – e në këtë grup besoj të jetë edhe
ambasadorja Kim – e duan dhe e mbështesin reformën në drejtësi, për t’i dhenë
fund njëherë e mirë, “pandëshkueshmërisë” dhe korrupcionit në atë vend, përfshir
pandëshkueshmërinë politike që mbretëron në politikën shqiptare për një shekull
tani. Është shumë mirë që “reforma e re”
në drejtësi po merret me ndëshkimin e hajdutëve, kriminelëve, të korruptuarve
dhe rrugaçëve. Ju urojmë sukses!
Po
çfarë mund të thuhet për rreth 30-antarëve të parlamentit të ri shqiptar, nga
të gjitha palët-- të cilët, sipas disa mediave shqiptare – kanë qenë anëtar ose
kanë patur lidhje me ish-Sigurimin famëkeq të regjimit komunist. Këta kanë
dalur nga zgjedhjet “e mira” të këtij viti në Shqipëri dhe do bëjnë ligjet për
të ardhmen e Shqipërisë. Pse nuk ngulet
kembë nga diplomatët perëndimorë në Tiranë që antarët e Kuvendit të ri, që do
fillojë punimet në shtator, t’i nenshtrohen një vetingu të pastrimit të figurës
– siç është bërë në shumë vende ish-komuniste. Pse nuk bëhet në Shqipëri. Për
derisa komuniteti ndërkombëtar nuk këmbëngulë që Shqipëria të përballet me të
kaluarën e saj komuniste – ashtu siç kanë berë vendet e tjera ish-komuniste të
Evropës dhe me krimet çnjerëzore të Enver Hoxhës, Shqipëria nuk do të bëhet
shtet normal as anëtare e Bashkimit Evropian!
Gjithashtu,
siç e kam thenë edhe herë të tjera, nuk besoj se reforma e re në drejtësi mund
të dalë me sukses – megjithë disa shënja pozitive fillestare – kur kjo reformë
është pothuaj, ekskluzivisht, në dorë të ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve të
regjimit komunist. Si është e mundur që institucionet më me rëndësi të
Shqipërisë kontrollohen ende nga trashëgimtarë dhe apologjetë të regjimit
komunist. Uroj që t’ia dalin, por mbetet
për tu parë. Unë shpesh ua kam bërë këtë pyetje diplomatëve perëndimorë në
Tiranë, por kurrë nuk kam marrë ndonjë përgjigje që justifikon mbështetjen që
ata u kanë dhënë e u japin këtyre njerëzve në nivelet më të larta të qeverisë
dhe shtetit shqiptar. Unë nuk besoj se mund të ketë reformë, cilado qoftë ajo,
me këta njerëz të komprometuar me regjimin e Enver Hoxhës dhe ndoshta edhe me
krimet e atij regjimi.
E
vërtetë se siç shkruan Ambasadorja Kim, “Tridhjetë vjet pasi populli shqiptar –
me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara – hodhi tej vargonjtë e
diktaturës komuniste, Shqipëria ka arritur në një çast të ri mundësie
historike.” Shqipëria, Zonja Ambasadore,
ndoshta i ka hedhur vargonjtë e diktaturës komuniste ashtu siç ishin para 1990-ës,
por jo trashëgiminë dhe njerëzit që e mbajtën të gjallë atë diktaturë për
pothuaj një gjysëm shekulli. Jam i sigurt se shumë prej tyre i ke takuar në
Tiranë. Shumë prej tyre do jenë në
parlamentin e ri shqiptar ku do të vendosin të ardhmen e Shqipërisë 30-vjet pas
shembjes së Murit të Berlinit, e shumë prej tyre vendosin “drejtësinë” edhe
sot. Keni të drejtë kur thoni se
Shqipëria ka nevojë për reflektim të thellë të ndërgjegjes morale dhe
planifikim real. Të gjthë duhet të
pyesim pse janë këta njerëz pjesë e politikës shqiptare sot – por jo vetëm për
mësim nga e kaluara, siç sugjeroni ju – por Tirana zyrtare dhe klasa politike
në përgjithësi dhe pa dallim, përfshir edhe diplomatët preëndimorë si ju Zonja
Kim -- kanë nevojë për një distancim zyrtar, njëherë e mire -- nga trashëgimia
e të kaluarës komuniste. Shqipëria, ka
nevojë për pastrim, për një fillim të ri, me njerëz të ri, sepse siç shkruani
edhe ju, Shtetet e Bashkuara duan “një aleat që është i fortë, i aftë dhe i
begatë.” Kjo nuk arrihet me heshtjen e diplomatëve perëdnimorë dhe duke qenë
asnjanës ndaj nostalgjikëve të Enver Hoxhës në nivelet më të larta të qeverisë
dhe të shtetit shqiptar! Shumë prej
tyre, përfshir Kryeministrin Rama, kanë shprehur adhurimin e tyre për atë
periudhë të zezë të Kombit shqiptar. Ka
vite që e them, se me këtë klasë politike të komprometuar moralisht dhe
politikisht dhe e mbështetur nga ndërkombëtarët, Shqipëria nuk do të jetë një
aleat i vyer, as i fortë, as i begatë, që ndanë vlera të përbashkëta me
popullin amerikan, e si rrjedhim nuk do të jetë as një aleat i denjë që
meritojnë Shtetet e Bashkuara. Shqipëria ka nevojë për pastrimin nga politika
të gjithë ish-bashkpuntorëve dhe nostalgjikëve të komunizmit aq sa ka nevojë
edhe për pastrimin e të korruptuarve të sotëm nga jeta politike due nga sistemi
juridik.
E
nderuara Ambasadore jam dakort me ju se Shqiptarët janë lodhur dhe nuk durojnë
më këtë klasë të korruptuar politike, gjoja post-komuniste. Jam dakort se siç
përfundoni edhe ju shkrimin tuaj, shqiptarët me të cilët kini vizituar dhe
folur – nga Shkodra e deri në Gjirokastër,
të gjithë, “bashkohen në një pikë: iu ka ardhë në majë të hundës me
metodat e vjetra; duan ndryshim të vërtetë; duan fundin e korrupsionit; duan
një sistem drejtësie ku askush nuk është mbi ligjin; duan që kriminelët të
qëndrojnë jashtë qeverisjes dhe politikës; duan një vend që i josh të rinjtë të
qëndrojnë për shkak të mundësive; duan një vend që ecën përpara, jo
prapa.” 30-vjet post-komunizëm askush
nuk mund të jetë krenar për ndonjë arritje të madhe në Shqipëri -- as poltika
vendase as ndërkombëtaraët -- kur shumica e shqiptarëve, sidomos të rinjtë
shikojnë për mundësi për tu larguar nga vendi sa më parë që të jetë e mundur.
Kjo situatë e boshatisjes së vendit, në të vërtetë, po këthehet në një tragjedi
kombëtare, të përmasave epike.
Si
përfundim, edhe unë bashkohem me ju, Zonja Ambasadore për nevojën urgjente se
për të shpëtuar demokracinë shqiptare, nevojitet një reflektim moral,
planifikim dhe intensifikim i përpjekjeve të gjithë shqiptarëve dhe diplomatëve
të huaj vullnetmirë në Tiranë. Ka ardhur koha që shqiptarët të marrin fatin e
tyre në dorë duke zgjedhur (në zgjedhje të lira e të ndershme) udhëheqës të ri
që do të çojnë përpara jo vetëm lidhjet SHBA-Shqipëri, por edhe të cilët do të
punojnë pa kursim dhe pa interesa personale e partiake të korruptuara, për një
të ardhme më rë mirë për të gjithë shqiptarët pa dallim dhe për një distancim
të përhershëm nga trashëgimia tragjike komuniste. Me ju gjithashtu, “Shpresojmë që udhëheqësit
e Shqipërisë – ata në pushtet dhe ata që shpresojnë të jenë në pushtet një ditë
– po kështu do të reflektojnë dhe planifikojnë për të ardhmen, për një Shqipëri
më demokratike, më të sigurt dhe më të begatë”, për të gjithë.
Shqipëria
ka nevojë për një fillim të ri, me njerëz të ri! Për të mirën e atij populli
shumë të vuajtur, për të mirën e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të
shqiptarëve dhe Amerikës, të cilën Kombi shqiptar, për më shumë se një shekull
edhe tani e shikon si shpresën e fundit. Mos t’i zhgënjejmë shqiptarët, Zonja
Ambasadore! Kanë kaluar 30-vjetë. Mjaft është mjaft!
DEMOKRACIA
NUK PRET!
I
kalofshi pushimet verore si është më mirë!
Frank Shkreli