Mendime
Adil Fetahu: Libër i veçantë, për një grua të veçantë
E hene, 02.08.2021, 07:03 PM
LIBËR I VEÇANTË, PËR NJË GRUA TË VEÇANTË
(Dr.
Domenika Gjekmarkaj-Kapllaj: GRUAJA FISNIKE – Sabrie Lushaj, Tiranë, 2021)
Nga
Adil FETAHU
Pak ditë më parë, doli nga
shtypi libri i doktoreshës familjare, drejtoreshës së Qendrës Shendetësore në
Shëngjin, dr.Domenika Gjekmarkaj – Kapllaj, titulluar: Gruaja fisnike,
Sabrie Lushaj. Ky liber është i veçantë nga shumë aspekte. I
kushtohet një personaliteti jopublik, krejtësisht privat, por të veçantë për
karakterin, cilësitë dhe virtytet e saj fisnike: si bashkëshorte, si nënë, si
gjyshe, si punëtore, si zonjë shtëpie,
si shtyllë e familjes, si mikpritëse e dalluar. E veçanta tjetër e librit është
se ky është libri i parë i autores dr.Domenika, e cila përkundër angazhimeve të
mëdha në profesion dhe në udhëheqjen e institucionit shëndetësor, pati vullnet dhe gjeti kohë për të shkruar
për mikën e saj, Sabrien. Në hapje të librit,
autorja ka shkruar: “Një libër … për një njeri. Jeni të falënderuar që po e
këndoni këtë libër. Është një libër për një njeri të thjeshtë. Ama, për një
njeri.
Hyrjen e librit e titullon:
“Po flas për Sabrien… dhe shton si nëntitull: “Me Sabrien dhe me ju, të nderuar
lexues”. Si “enterfil” fjalës së hyrjes,
autorja jep një pasazh emocionues, në të cilin thotë: “Më beso mikja ime
Sabrie Lushaj, errësira që na ke lënë pas është shumë e madhe. Kam ardhur disa
herë pranë teje, aty në Tiranë ku prehesh e qetë, sikundër jo rrallë jam
mbyllur edhe në zyrën time, duke derdhur pika loti përballë portretit tënd,
duke lutur Zotin që pika e derdhur e lotit të bëhet dritë aty ku ti prehesh.
Emocionet, kujtimet e përmallshme që le pas me ikjen tënde nga kjo botë për një
botë tjetër të RE, më nxitën të shkruaj (këtë) libër për ty (edhe) si sprovë e
parë në jetën time”. Dhe më tutje vazhdon me “Parathënien” e gjatë të
librit, prej faqe 7 – 19, në të cilën radhitë vlerësimet e saj për personazhin
së cilës ia kushton librin. Edhe “Parathënia” përshkohet, përveçse me fjalët më
të zgjedhura për vlerësimin e personalitetit të të ndjerës Sabrie, edhe me
shumë emocione, dhe kjo tregon se vërtetë autorja e ka dashur me zemër Sabrie
Lushajn. – “Të shkruash diçka për një njeri që e ke dashur dhe të ka dashur
shumë, është e dhimbshme. Kështu po e ndjej unë, ndoshta nga që jam
mjeke dhe jo edhe aq shkrimtare”, thotë dr.Domenika.
Autorja thotë se me të
ndjerën Sabrie është shoqëruar dhe është bërë mike e ngushtë, qyshse çifti
Zeqir e Sabrie Lushaj ishin këthyer nga Amerika, nga fundi i majit të vitit
2014 dhe ishin vendosur në shtëpinë e tyre në Shëngjin. Në Amerikë çifti Lushaj
ka jetuar e punuar 17 vjet, dhe janë këthyer me shtetësinë dhe pensionin e
fituar me punë atje, ku kanë krijuar rrethin e gjërë të miqëve, nga radhët e
migrantëve shqiptarë, por edhe të tjerë, dhe me kolegë të punës. Para se të
emigronin për Amerikë, pas shpërnguljes
nga Grija e Tropojës, Sabrieja ka punuar 16 vjet në ndërmarrjen “Albturizmi” në
Tiranë. Ajo si në familje e farefis, si në punë e në shoqëri, ka lënë
përshtypjet më të mira si grua model në jetën familjare dhe punëtore e vyeshme
dhe e respektuar në punë.
Për ta vërtetuar autoritetin
e fituar të asaj zonje të veçantë, autorja në Parathënien e librit jep një
“insert” nga rasti i përcjelljes nga Shëngjini për ta vorrosur në Tiranë. Duke
parë gjithë atë turmë njerëzish që po e
përcillnin, në kohë pandemie kur tubimet ishin reduktuar në minimum, një banor
i Shëngjinit (M.Gj.), kishte thënë: “A po e shihni, nuk paska nevojë të jesh
i madh, more, as ministër as deputet, që të jesh shumë i/e nderuar…,
dhe kishte folur me zë: “Udha e mbarë Sabrie”, dhe i kishin rrjedhur
lotët për faqe, që janë raste të rralla të qesin lot burrat e malësisë.
Në vazhdim të Parathënies,
autorja përmend edhe shumë takime e vizita të paharruara dhe plane për vizita tjera të përbashkëta në Tropojë, Valbonë e vise
tjera të cilat i donte me zemër e ndjera.
Autorja e librit,
dr.Domenika, si mjeke familjare dhe si mike,
i kishte ndejtur pranë afër tre muaj sa ishte Sabrija e sëmurë, në
Shëngjin, në Lezhë dhe në Tiranë. Kur e shihnin personeli mjeksëor i Spitalit
të Kardiologjisë, në Tiranë, se sa njerëz interesoshehin për gjendjen
shëndetësore të Sabries dhe sa vinin për ta vizituar në spital, çuditeshin me gjithë ato interesime e ato
vizita. Një ditë shefi i pavjionit të
reanimacionit, i kishte thënë Sabries, duke qeshur:
Po çka
bëhet kështu me ty moj Sabrie Lushaj? Dhe Sabrija, duke qeshur e kishte pyet:
Pse
doktor, çfarë ka ndodhur..?
Po tanë
Tirana është çuar në këmbë për ty moj Sabrie.
Në vazhdim të Parathënies,
autorja tregon se si i lindi ideja për të shkruar librin. Duke parë qindra
njerëz që kishin marrë pjesë në përcjelljen e fundit, qindra të tjerë vizitorë
për ngushëllime, me ditë, me javë e me muaj, dhe duke lexuar nga mediat letra, telegrame
ngushëllimi dhe shkrime që vinin në adresë të Zeqirit, me vlerësime e nderime
për bashkëshorten e tij të ndjerë,- autorja kishte biseduar Zeqir Lushajn dhe i kishte shprehë mendimin
dhe dëshirën për ta bënrë një libër kushtuar Sabries së ndjerë, në të cilën do
të përfshinte edhe ato letra e ngushëllime që ishin botuar deri atëherë. Dhe,
siç e thotë vetë autorja, librin “e kanë shkruar” miqtë e shumtë të çiftit Zeqir e Sabrie Lushaj, nga shumica e shteteve dhe qyteteve të vendit, të
Kosovës, të Amerikës, Italisë, Zvicrës, Gjermanisë e deri në Zelandën e Re dhe
në Australinë e largët. Në ato letra,
emaila, mesazhe shprehin dhembjen,
ngushellimet dhe vlerësimet per Sabrien. Dhe për t’i bërë nderë personazhit që
i kushtohet, ky libër nuk do të shitet,
por do t’iu jepet dhuratë rrethit të gjërë të familjes, farefisit, miqve,
kolegëve e shokëve të shumtë të çiftit Lushaj, dhe të vet autores, gjithandej
ku gjenden ata.
Në fund të Parathënies,
autorja që ështe mjeke familjare, ka dhënë një pasqyrë për gjendjen
shëndetësore të të ndjeres Sabrie në këto gjashtë vjetët pas kthimit nga
Amerika, e që asnjëherë nuk ka pasur shqetësime as ankime, derisa i është paraqitur tinëzisht sëmurja të cilën nuk
arritën ta mposhtin, me gjithë kujdesin dhe angazhimin e përkushtuar të personelit mjekësor, duke filluar nga vet
autorja e deri te ai i Spitalit “Nenë
Tereza” e “Shefqet Ndroqi”, në Tiranë.
Por, Sabrieja gjatë tërë kohës ka qëndruar e fortë dhe nuk i është dorëzuar
sëmundjes për asnjë çast, deri në frymën e fundit. – Qëndroi dhe shkoi pa
bërë as ah, as oh, dhe pa një pikë loti as fytyre të mërrolur; e priti vdekjen
trimërisht, si një burrneshë e vërtetë. Edhe natën e fundit të jetës, doli vet
në ballkon të shtëpisë dhe piu kafe me ne. Hallall të qoftë 1000 herë shërbimi
e çfarë mundëm të bëjmë për lehtësimin e dhimbjeve tua, o Sabrie Lushaj. Qofsh
e Xhenetit dhe paç me vete Dritën e Perëndisë”, e përfundon autorja Parathënien e librit, duke
shtuar: “Edhe njëherë pra, jeni të falënderuar që po e këndoni këtë libër,
për një njeri të thjeshtë, ama, për një njeri”!
Mesazhe
ngushëllimi e vlerësimi, emocione…
Në raste të dhembjes për
njerëzit e zemrës, fjalët ngushëllluese, kur janë të sinçerta, janë ilaçi më i
mirë. Në librin Gruaja fisnike – Sabrie Lushaj, janë përfshirë mbi 110
mesazhe ngushëllimi të miqve të shumtë të familjes Lushaj, nga Shqipëria, nga
Kosova, nga Amerika, Italia, Zvicra, Gjermania, Norvegjia, Zelanda e Re e deri
te Australia e largët. Të gjitha mesazhet janë të përshkuara me ndjenjen e
dhembjes dhe me vlerësimet më të mira për personalitetin e të ndjerës. Në ato
mesazhe do të gjeni cilsime, vlerësime e mbiemra simbolizues e portretzues, siç
e kanë njohur të ndjerën. “Dua ta falënderoj zonjën Sabrije se na nderoi sa
herë na erdhi në shtëpinë tonë dhe
hijen e saj fisnike, me virtytet e larta
të malësores, do ta kemi gjithë jetën tonë prezente në kujtimet, në zemrat dhe
në mendjet tona”, shkruan Aleks Kapllaj, gazetar nga Lezha, që jeton e punon në
Itali. Disa mesazhe janë edhe mjaft
emocinuese. Në mesazhin e gjeneralit
Halit Mifar Gjeci, nga Tirana, që ia dërgoi Zeqirit në tremujorin e shkuarjes
së Sabrijes në amshim, mes shumë vlerësimeve, në post scriptum shton: “M’u
ba shumë gjatë pa ardhë, po a’e din pse? Druaj se kur të zbres në at’oborr, më
lëshojnë të dy këmbët!”
Në ato mesazhe të shumta ka
kujtime, vlerësime, ngushëllime, këshilla si ta përballojë dhembjën dhe vetminë
bashkëshorti i të ndjerës, Zeqir Lushaj.
Në këtë libër do të gjeni
edhe një tufë poezish të Zeqir Lushajt (6 vjersha,si dhuratë për gruan,
Sabrien, në 60-vjetorin e lindjes). Prej tyre, për këtë shkrim po shkëpusim
poezinë e titulluar: Gruaja…, botuar në vitin 2008, kushtuar zonjës
Sabrije me rastin e 40-vjetorit të martesës:
“Mbas 40 vjetësh martesë,
4 dekada, luftë-ndryshim!
Gjithsesi, gruaja ime,
Sabrina*),
(Jo thjeshtë, për kortezi)
E meriton një falënderim.
…!
Të mos shohim aq shumë nga
gruaja,
Që të të ndihmojë (kushedi
në jetë,
Ka bërë boll, kur nuk bahet
pengesë,
…E meriton emrin: - grua
e vërtetë!”.
( *) Në Amerkë, emri Sabrina
është shumë i përhapur ndër femra. Kështu po e thërrasin të gjithë edhe gruan
time Sabrien, sqaron Zeqiri).
Nga letërshkëmbimi
ngushëllues dërguar Zeqir Lushajt me rastin e ndarjes nga jeta të bashkëshortes
së tij Sabries, një poezi të gjatë, prej 11 strofa, mjaft emocionuese, kushtuar
të ndjerës Sabrie, titulluar: “Motër-mirës
Sabrie Lushaj”e kishte shkruar (dhe botuar në disa organe shtypi) poetja
Sadete Hakiu, nga Isniqi (shih faqe 138-140). Do të gjeni në këtë libër edhe
poezinë prej 14 strofash, të mësuesit veteran
Xheladin Gjonaj nga Geghyseni, Tropojë.
Po cilat nga
letër-ngushëllimet të dallosh, do t’iu hijsh në hak të tjerëve, sepse të gjitha
burojnë nga zemra, nga nderimi e respekti për të ndjerën dhe nga dhembja për
Zeqirin, që mbeti pa gjysmën e vet më të mirë, pas më se gjysëmshekulli jete të
harmonishme. Një letër e z.Hysen Berisha nga Norvegjia, botuar në “Zemra
Shqiptre” dhe në VOAL, e që është përfshirë në këtë libër (fq.147-152),
evokon kujtime nga takimet e tij në
Familjen Lushaj dhe komenton vlerësimet, flet në superlativ për këtë familje,
ndërsa zonjën e shtëpisë (tashmë e ndjerë) Sabrien e quan bujare me tapi.
Në një shkrim tjetër të gjatë, botuar në VOAL (Zvicër) dhe në
Limited.al (Tiranë), me rastin e 6-mujorit të ndarjes nga jeta të Sabrie
Lushajt, shkrimtari Bardh Nëngurra nga Istogu, që jeton në Norvegji, tregon në
hollësi njohjen me familjen Lushaj, se gjashtë vjet rresht, gjatë
pushimeve nga disa ditë e netë ka qenë
mysafir në shtëpinë e tyre, vizitat dhe shetitjet e përbashkëta nëpër Shqipëri.
Bardhi tregon nga një bisedë telefonike me Zeqirin, të cilin e ka pyetur: “A po
merzitesh”, Zeqiri i është përgjigjur: “Ah more kusheriri im, 52 vjet e 4 ditë
jetë i kam bërë me te e kurrë nuk mu
ka skuqë fytyra shkakku i Sabries” (fq.190).
Janë këto dromca jete,
kujtime, nderime e vlerësime për të ndjerën Sabrie Lushaj, keqardhje e dhembje
për bashkëshortin e saj, Zeqirin. Në poezinë e saj kushtuar motërmirës Sabrie
Lushaj, poetja Sadete Hakiu nga Isniqi, në një strofë të poezisë së saj “e
qorton Sabrijen”, kur i thotë:
“Do t’i them dy fjalë…: Aaah moj motra
ime,
-Sabrie, nuk bëre mirë, Mendjen me ta
mbushë,
Që të vetmuar ke lënë, Mbi pesë dekada
jetë,
Bacën tonë Zeqir. Me të
nuk më ndau kush”.
Profesor Kolë Tahiri nga
Brukseli, në një mesazh ngushllëmi që i dërgon Zeqirit me rastin e
gjashtëmujorit të ndarjes nga jeta të Sabrie Lushajt, ndër të tjera shkruan: “I
dashur Zeqir, uroj që pishtari i kujtimit për njerin tënd aq të shtrenjtë,
Sabrien, si në këtë 6-muor, të mos shuhet asnjëherë. Njerëzit e mirë si Ajo,
jetojnë dy jetë. Vazhdojnë të ruhën në kujtimet tona, në trashëgiminë e lënë.
Ajo ka lënë gjurmë në gjithçka pati prekur me dorë. Sabrija jeton në shpirtin
dhe në mendjen e atyre që e patën fatin ta njohin. E kjo nuk është pak?!... Sa
të drejtë paskan pasur të partë tanë, të cilët nuk dorëzohehin kollaj, ngritnin
kokën lart, përfshiheshin në punë dhe hidnin vështrimin përpara. Me konsideratë
i kujtoj ata pleqtë tanë, të cilët edhe në raste të fatkeqësive, uleshin
këmbkryq, ndiznin çibukët dhe u hapnin rrugën “derteve filozofike” për
jetën. A gjendet kund burrë Malësie i cili mund ta mohojë Ty, Zeqir, genin e
atyre kreshnikëve?!... Në një mesazh tjetër, profesor Kola, që është profesor i
psikologjisë, me përvojëtë gjatë, i sugjeron Zeqirit këshilla se si ta largojë
dhembjen, që “nga mendja dhe shpirti” ta kalojë te muskujt, të lëvizë, të hecë,
të bëjë ushtrime e punë fizike, shëtitje, vizita e udhëtime të gjata, që ta
mposhtë vetminë.
Për të ndjerën Sabrie
Lushaj, mesazhe ngushëllimi, dhe vlerësime kanë dhënë edhe kolegët e punës në
Amerikë. Kubanezi Julio Soto, nga Cliflendi, shkruan fjalët më të mira për
Sabrijen: “Ishte një gru e shkëlqyer, ishte një zonjë e shkëqyer”, thotë ndër
të tjera z.Soto (fq.208).
Dhe kështu, duke kaluar pa
përmendur shumë emra e pa komentuar shumë mesazhe të miqve të Familjes Lushaj,
vijmë te fundi i librit të dr.Domenika Gjekmarkaj-Kapllaj: GRUAJA FISNIKE
- Sabrie Lushaj.
Nga fundi i librit, Familja
Lushaj falënderon me radhë: spitalet dhe mjekët, duke filluar nga Qendra
Shëndetësore në Shëngjin, veçmas drejtoreshen Dr Domenika Gjekmarkaj-Kapllaj,
pastaj spitalet në Tiranë: “Nëna Terezë”, Sanatoriumin Sauk; pastaj
shtypin dhe mediat e tjera brenda e
jashtë Shqipërisë (duke i përmendur të
gjitha me radhë(), të cilat i dhanë aq hapësirë dhe vlerësime zonjës Sabrie; të
gjithë atyre miqve e dashamirëve që në në çfarëdo mënyre dërguan mesazhe
ngushëlluese, komente e vlerësime, por i flënderon apriori edhe lexuesit e
këtij libri të cilin e ka bërë Dr Domenika, me aq zell e pasion. Zoti ju
nderoftë të gjithëve e ua kthefshim për gezime!, përfundon falënderimin e vet
Familja Lushaj.
Në faqe 214-226, është një album i vogël, me 12 foto, nga jeta
e Sabrie Lushajt. Ndërsa në mbyllje të librrit (fq.230), do të lexoni këtë përmbyllje, të cilën
autorja e ka titulluar: SOT E MBRAPA…
“Sot e mbrpa, Sabrie, ne që
na deshe e të deshëm aq shumë, edhe për Ty, do ta kujtojmë (edhe) me shpesh një
varg aq të ndjeshëm e njerëezor të poezisë së poetit të madh Dritëro Agolli:
“Në raft
të librave do të më gjesh!”.
Pushofsh
në paqen e përjetshme, o Mike fisnike, o e dashur Sabrie Lushaj!
Amin!”.
(Ndërsa unë që shkrova këta
rreshta modest për librin, e lus Zotin e Mardhërishëm që shpirtin e të ndjerës
Sabrie Lushaj ta meshirojë dhe shpërblejë me Xhennet, kurse autoren Dr Domenika Gjekmarkaj-Kapllaj, e falënderoj
për këtë libër kaq të mirë që na ka dhuruar, në kujtim të GRUAS FISNIKE –
Sabrie Lushaj).