E merkure, 30.10.2024, 06:39 AM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Tim Xhilaga

E shtune, 31.07.2021, 12:21 PM


Tim Xhilaga

Nga Edison Ypi

Me veshje, gjeste dhe muhabete, djemtë dhe vajzat e Tiranës mundoheshin t'i binin sa më tepër në sy njëritjetrit në Xhiro.

Ai që nuk merakosej aspak për të rënë në sy, madje as dilte në Xhiro, e megjithatë shquhej më tepër se të gjithë, ishte Tim Xhilaga.

Duke parë me vështirësi televizionet italiane, si dhe ndonjë revistë, të gjithë ishin të etur ta ndiqnin modën e kohës. Por nuk mund të shihnin të gjithë televizor, nuk mund të çfletonin të gjithë revista. Për ta mësuar si ishte në perëndim, modeli i pantallonave, xhaketës, këmishës, rripi i mesit, modeli i flokëve, dhe të tjera, shembulli fatkeqësisht nuk isha unë dhe asnji tjetër.

Në epiqëndër të modës perëndimore në Tiranë ishte Tim Xhilaga.

E kush nuk kishte qef të kishte historira me të dashura si nëpër romane dhe filma. Me kacavjerrje natën në katin e dytë e të tretë. Hedhje  nga muri me gjakosje gjunjësh dhe thyerje brinjësh. Zbritje alpinistike me çarçafë të lidhur si litar nga dritarja e shtëpisë së një oficeri sigurimi pas një nate dashurie me gruan e tij, aventura plazhi, e të tjera historira nga ato që pasi kalojnë gojë më gojë bëhen të pavdekëshme.

Më mahnitëset e këtyre aventurave i kishte Tim Xhilaga.

Atëhere kriteri për tu cilësuar një Don Zhuan i thekur apo një Casanova i përsosur ishte numuri i dashnoreve. Të gjithë e dinin dhe e pranonin se kampion absolut i numurit të dashnoreve ishte Tim Xhilaga.

Sot "katunar" cilësohet një njeri i pasjellshëm, një gdhë që vishet keq, flet keq, sillet keq etj.

Atëherë "katunar" ishte gjithkush që nuk vishej dhe nuk sillej si Tim Xhilaga.

Me bo dashuri me një femër të huaj nuk ishte fitore që korrej lehtë. Ishte një supersukses që arrihej me shumë sakrifica.

Kur diktatura ishte më e egër se kurrë, kur Tirana ishte plot me spiuna, ai që ja mrriti, jo vetëm t'i puthte, por edhe të bënte dashuri me dy femra të huaja motra me minifund, ishte Tim Xhilaga.

Në kushte tepër të vështira shqiptarët dëgjonin kanconeta. Pasi i dëgjonin nja njëqint herë i fërshëllenin ose i këndonin. I vetmi që kanconetës ja fiksonte tekstin dhe muzikën pasi e dëgjonte 1 herë të vetme, ishte Tim Xhilaga.

Tim Xhilaga ishte një spektakël lëvizës.

Tim Xhilaga ishte një legjendë e gjallë e kohës së vet.

Tim Xhilaga nuk ishte më inteligjent se Ajnshtajni, më mahnitës se Dante Aligieri, më i thellë se Shopenhaueri.

Tim Xhilaga nuk zbuloi Amerikën, nuk vajti në Hënë, nuk shpiku Internetin, nuk shkruajti kryevepra.

Tim Xhilaga bëri shumë më tepër se kaq;

Me shembullin e vet Tim Xhilaga u tregoi shqiptarëve se pavarsisht nga burgjet, telat me gjëmba, kongreset, parakalimet, nuk ka zinxhirë që nuk këputen, nuk ka pranga që nuk shkatërrohen, nuk ka zgjedhë që nuk flaket.

Tim Xhilaga ishte ndër të rrallët që nuk e lanë vajgurin e kandilit të shterrej, flakën e qiririt të fikej, gjakun e njeriut të ftohej.

Tim Xhilaga me ekzistencën e vet e tmerronte sigurimin dhe nomenklaturën më tepër se NATO dhe Traktati i Varshavës.

Tim Xhilaga ishte më i fortë se Diktatura.

Diktatura ishte artificiale, e imponuar, e urryer, e refuzuar.

Tim Xhilaga ishte i vërtetë, i vetvetishëm, i natyshëm.

Kur kërrciste çizmja e ushtarit dhe të shurdhonin klithmat e proletarëve, Internet, celular, fejsbuk, email, kopertinë reviste, ishte 1 njeri i vetëm, Tim Xhilaga.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora