| E merkure, 28.07.2021, 08:04 PM |
Lamtumirë poeti kombëtar Agim Shehu
Nga
Keze Kozeta Zylo
Poeti,
shkrimtari, eseisti, publicisti i jashtëzakonshëm Agim Shehu iku në parajse
atje ku e ka vendin ky soj poeti. Në
këtë ditë të mbrame më shfaqesh me penën në dorë duke shkruajtur dhe nderuar
mësuesit e parë, ashtu siç dinte të nderonte një poet si ju. Ju i nderoni me përulësi si në këto
vargje: “A” e madhe e shtypit, e
thjeshtë fare/ dy vija që puqen, dhe një vizë brënda…! Zogjtë hapnin sqepin si
“A” e madhe/dhe në folé prisnin bukë nga nëna/ Dorën e vogël, mësuesi në klasë/
folé zogu ma mbante në dorën e vet…/Ngjita këmbët e vogla te këmba e “A”-së/
dhe u nisa në jetë…
Ti
ece në udhën e ndritur vetë dhe pse donin atë udhë të shenjtë ta errësonin të
pagdhendurit. Sa dhimbshëm e mora këtë
lajm poet! Dhimbje po aq e madhe që
emigruat në moshën e tretë dhe ndërtuat një folezë tjetër në Zvicër. Ike larg, shumë larg, shkrepave të akullta si
në poezinë me metaforën “Retë refugjate”.
Lart në qiellin e ftohtë/ tufa reje refugjatë/ ecin varg drejt
perëndimit/ Dinë nga nisen…/s’dinë ku venë! Të pasigurt në tokë,/udhën e bëjnë
në qiell/ Të çdo moshe, të çdo ngjyre –era i largon nga vatra/ i shtyn tutje –
“prapa diellit”/ Rezet u lëmojnë leckat, se arnat s’ua qepin dot.
Eci
poeti labirintheve të kohës, herë vraponte si kalë i hazdisur, herë heshtëte si
një Sokrat i urtë, herë takohej me Bajronin në ëndrra, e herë ngjitej në kala
me Ali Pashanë. Nga kalaja kundronte
pamjen madhështore të Tepelenës me ujërat e mëndafshta të Vjoses, dhe si vegim
i vinte përshkrimi mahnitës i Bajronit, poetit botëror i cili u magjeps nga
pamja tepelenase kur e vizitoi. Por
çuditërisht apo diçka hyjnore është se poetët e gjejnë ngushëllimin tek poezia
dhe ja si shkruan: “Shpërblim për këngët s’mora, as nuk prita/ kolegët në
pushtet i kisha prita/ Një vjershë e dashur m’u bë kupëz vere/ ku piva një
gëzim që s’e arrita. Nga poema: (Bisedë
me rubairat).
Agim
Shehu vdiq larg Atdheut i sëmurë. Asnjë
qeveritar, apo “topmodel” parlamentar nuk shkruajtën asnjë fjalë ngushëllimi,
packa se në vesh të të dashurave të tyre mund t’ju kenë kënduar ndonjë këngë
ose tekst të tij poetik si psh: Më trete formulë, më shkrive të gjalle/ si një
copez akull në plus njëqind shkallë/ Folmë shpirti im, shpirt në maksimum/ se
pa ty s'kam gjumë as në minimum!
Sonte
kjo natë e mbrame ka përzgjedhur ngjyrën e ëmbël të Hënës si tek poezia “Qylymi
i nënës sime”. Ju ditët mjeshtërisht
sikur të kishit shpikur Abetaren e poezisë të krijonit poezi, poezi klasi,
poezi prej një poeti lirik nga më të shquarët dhe të magjepsit lexuesit e
shumtë anë e mbanë botës ku frymojnë shqiptarë.
Sonte lexuesit tuaj kanë shtruar qylymin e nënës suaj duarartë në
respekt të dhuratës së cmuar që ju ke lënë si: Gjalmin zgjedhur prej çdo
ngjyre, nëpër gishta - shpjer e bjer…/Mbi tezgjah, krahët mes tyre/i formonin
një ylber. Ngjyrën e ëmbël të Hënës/tek e verdha që shikoni/ -biri kur sëmurë ka
qënë/nëna e derdhi ngjyr' limoni.
Ju
sot u ngjitët si Elena Gjika në qiell që ju e cmonit aq shumë dhe ashtu sic ajo
vazhdon të bisedojë me perënditë pellazge jam e sigurte si lexuesja juaj e çdo
poezie dhe rreshti se do të vazhdoni në rrugën e saj për Kombin pellazg. Ju keni qenë në oponencë me qeveritë ndaj dhe
asnjë president shqiptar nuk mori guximin t’ju dekoronte… E kush më shumë se ju
o biri i denjë i Progronatit shkruajti
kundër genocidit grek, kunder andarteve grekë që me ura zjarri dhe thika therrnin
e vrisnin patriotët në Jugun e Shqipërisë!
E kush më shumë se ju shkruajti kundër genocidit serb që vrisnin dhe
therrnin popullin martir të Kosovës!
Agim Shehu është një publicist i jashtëzakonshëm që ka ndikuar fort në
opinionet e lexuesve dhe njëkohësisht ka kritikuar ashpër politikanët dallkaukë
që e lanë vendin në një mjerim të tejskajshëm… dhe ja si shkruan në poezinë:
“Karrikja me tri këmbë para OKB-së në gjenevë”
Karrikja
e Madhe – Statujë me tri këmbë/ rri te hyrja si mbi erë…/Kombi im prerë nga
diplomatët,/është këmba e saj e prerë/ Ajo sheh zyrtarët asnjanës/ të vjetër e
të rinj/ e u thotë: – gjersa unë jam e prerë/ ju çaloni, Zotërinj!
Në
veprat e shkruara me plot enigma të shpirtit, të diskursit kritik, filozofik,
të ethshëm, historik pasurooi mendjet tona dhe hoqi llumin e moçalit ku
dëshirojnë ta drejtojnë disa antishqiptarë.
Ju
ikët krenar, në heshtje, pa zë, ia shalove Pegasit të artë të letërsisë për në
qiell. Ju jeni dishepulli i Rilindasve,
i humanizmit, erudit atdhetar zemërzjarr.
Ju jeni me kryet gjer tek maja malesh dhe mbeshtet gjoksin në Progonat
që i këndove me aq dashuri dhe përkushtim.
Ju ishit gati si një profet që parashikonit vdekjen e ngadaltë të
llahtarshme e shoqërisë që politika kobzezë e ka future në moçalishte. Poezitë tuaja jane një spektakël i vërtetë.
Arti
i poetit Shehu është një shkollë e nivelit të lartë, është një Harvard
shpirtëror aty ku Baladat e Lirisë së Kosoves dhe Shqipërisë trondisin
kontinentet me aktet e tragjedive që janë luajtur mbi popullin shqiptar. Foshnjat e Kosovës të lidhura në djep mbahen
mbi shpinë të poetit ndaj dhe ai përvajshem ligjëron me kuje labi: Dhe sot i vranë në prag shtëpie/ nga tym i
predhës u thinj Zoti/ Te syr’ i nxjerrë i një fëmije/ përmbys po rrotullohet
globi. Kushdo që e lexon Baladën për
Kosovën, me siguri Zoti i shfaqet thinjur, meket përballë kanibalëve serbë që
hanë sy fëmijësh. Metaforat e poetit
janë gjerdanë në gushën e bukur të Atdheut, janë hymn për trojet tona ndaj dhe
i këndon: Ti gjak virgjin i racës sonë/ në duel me çdo mbretëri/ sa vriteshe në
Fushë-Kosovë/ Ringjalleshe në Çamëri.
Agim
Shehu është një krye lirik që me vargjet e tij herë të përkëdhel si fijëza Hëne
Progonati e herë të qeras si një amvisë e bukur me mjaltë taze nga hojëzat e
nje shpirti poetik. Qysh në rininë e
hershme të befason me figuracionin e dendur metaforik apo dhe paralelizmin
figurativ që përdor midis dy lëndëve ekstreme letërsi dhe matematikë, por dhe
aq të lidhura pazgjidhmërisht me njera tjetrën.
E kush nga studentet nuk i dinte përmendësh këto vargje! Le ta ndjekim në poezinë: "Të
dashurohesh nga nje matematikan" poezi që ndihet dhe duket sikur skuq
honet dhe lëshon bisqe nën trungje të vjetra:
"Ty po të drejtohem, vajze moj syzezë/ më do a po s'më do kjo është hipotezë/ Pamja jote e ëmbël, posi teoremë/ kur të shoh përpara sikur zgjidh problem/ Ti je elegante si ekuacion/ mesi yt i hollë posi ypsilon...
Ai
iu bashkua bashkëshortes së tij fisnike, Zanës së Ali Asllanit i cili e pagëzoi
me emrin e bukur shqiptar dhe kjo është një histori më vehte që fatmirësisht
poeti e ka lenë të shkruar. Ai jetoi me
ikonën e mirësisë, ata jetuan si dy aristokrat të Arsimit shqiptar. Dashuria e çiftit bashkëshortor ngeli e
pastër si velloja e bardhë e Zanës e cila ecën si në balada dhe i lexojmë në
këto vargje brilante si: “Vellua e bardhë e nuses/ kujtimet na erdhën pranë/
nga lëndina e bregdete/ një mjegull, mbi Vjosë matanë/ vellon e kish marrë me
vete.
Në
intervistën që kemi pasur në New York me poetin dhe bashkëshorten e tij fisnike
Zana, ende në memorje më rri zëri i tij, si zëri i një Perëndie, apo i nje
mësuesi të urtë dhe të mençur që fjala i rrjedh si ujëvarë e Peshtures, ujevare
progonatase.
Agim
Shehu është një kryepoet dhe duhet t'i jepet titulli "Nderi i
Kombit".
Lamtumire Agim Shehu!
Drite sjellshi nga Parajsa!
27 Korrik, 2021
Staten Island, New York