| E merkure, 21.07.2021, 05:04 PM |
Flet aktori, “Mjeshtri i Madh” Aleksandër Rrapi:
Me regjisorin Pirro Mani jam prezantuar kur
isha student, më ka befasuar
-Piro Mani: Me Aleksandrin duhet të vendosni
në skenë “Jul Çezarin”, pasi plotëson figurën e heroit si me zërin e bukur
Roli im i parë “Kështjella dhe Helmi” i
Kadaresë, një dramatizim për fëmijë
-Babanë e hoqën nga Teatri Popullor dhe mua
nuk më dhanë burs për aktrim për kleçkë në biografi
-Pandemia tregoi se sa i domosdoshëm është
arti e në veçanti teatri
-Si më nxiti Esat Oktrova të konkuroja në
vitet e fundit të sistemit komunist
-Një ndihmë të madhe më kanë dhënë Sheri
Mita, Gëzim Kame, Agim Qirjaqi
Nga Albert
Zholi
Profesionin e
aktrimit, e mori nga babai i cili ishte pjesë e trupës së Teatrit Popullor
në vitet e parë të funksionimit të tij. Por “ceni në biografi” e dëmtoi edhe
atë. Në vitet e fundit të komunizmit ju realizua ëndrra duke konkuruar në
Institutin e Arteve. Me ardhjen e demokracisë emigroi në Greqi ku vuri në pah
talentin e tij në disa skena të Greqisë dhe filma me regjisorë grekë. Më vonë
emigron në Amerikë ku ende performon duke mos e lënë në harresë pasionin e tij.
Nga Presidenti Meta u dekorua me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
-Kohë pandemie. Si është kjo periudhë për një artist jashtë
skenës?
-Teatri është një nga artet më të
vjetra në botë, sepse njeriu lind me një nevojë të brendshme për të krijuar art
me trupin, zërin e tij, për të krijuar një realitet artistik, ku të shfaqë
probleme madhore si një mjet spastrimi ose argëtimi të mirëfilltë. Mos
funksionimi i një shoqërie në kushte normale, sigurisht bëri të pamundur dhe
teatrin të tillë. Paraliza dy vjeçare për shkak pandemie, bllokoj edhe ne
artistët të krijojmë gjatë gjithë kësaj periudhe, por tregoi se sa e
domosdoshme është arti e në veçanti teatri, për një shoqëri të civilizuar.
-Aktrimi një profesion i bukur, frymëzues dhe shtysë vizionesh, si
lindi dëshira për profesionin dhe kush e zbuloi talentin tuaj?
Teatri ka qenë gjithmonë pjesë e
proceseve historike, duke u lidhur ngushtë me politikën, filozofinë,
psikologjinë dhe artet e epokave të ndryshme historike.
Tek unë ky “mikrob”u infektua nga im
atë, pasi profesioni i tij ishte aktrimi, si pjesë e trupës
së Teatrit Popullor në vitet e parë të funksionimit të tij. Mbështetur dhe
nga nëna që ishte një grua e një niveli të përparuar për kohën njohëse e mirë e
gjuhës italiane dhe greke. Dhe pas dy motrave që vija unë, babai realizoi
ëndrrën e tij që një nga fëmijët e tij të merrej me artin dramatic. Ky fat më
takoi mua, pasi dhe motrat e mia janë marrë në fillimet e jetës së tyre me
skenën në festivalet e ndryshme teatrale që organizoheshin dikur, dhe ishim të tre
fëmijët e familjes Rrapi, baza e çdo grupi teatral që krijohej në bazë shkallë
apo në qytet.
– Cili ishte roli juaj i parë dhe kush e vlerësoi?
Duke pasur një baba regjisor, (pas
Teatrit Popullor, babai im emërohet regjisori i parë në Pallatin e
Kulturës, “M.Tutulani” në Berat) isha pjesë e çdo aktiviteti në rang
rrethi, kujtoj me shumë mall dhe kënaqësi, organizimin e Festivaleve Teatrore
midis shkollave 8-vjeçare ku roli im në skenë, ka qenë nga kjo dramë,
“Kështjella dhe Helmi” e I.Kadaresë, një dramatizim për fëmijë. Pastaj me
‘’kolegë’’ më të rritur, bëhem pjesë e trupës amatore të fabrikës së filaturës
në Kombinatine Tekstileve Berat,në dramën’’Shembja e Idhujve”, në rolin e një
fëmije të familjes së mësuesit të fshatit, që vritet gjatë dramës. Këtë rol nuk
e fshij kollaj nga kujtesa, pasi si nxënës në klasën e 4-fillore, humbisja
gjatë shfaqjes midis historisë në dramë, dhe ngjarjes në skenë, dhe sa
mbaroja rolin, kërkoja me sy aktorin që lunate mësuesin, për të besuar që
ishte gjallë, dhe nuk kishte vdekur sipas ngjarjes dramatike.
Kur dhe si konkurruat për aktrim, çfarë roli interpretuat dhe kush
ishte në komision? Cili ishte vlerësimi?
Pas një rrugëtimi të gjatë në lëvizjen
amatore të rrethit, si pjesmarrës në shumë festivale të shkollave të
mesme,koha erdhi ti drejtohesha shërbimit të detyrushëm ushtarak, pasi “kleçka
e biografise time, ishte difekt serioz për Parinë, dhe nuk mund të bëhej
një artist me një baba të përjashtuar nga “Teatri Popullor” e nga Partia, e
cila e transferoi në qytetin e Beratit si regjisorin e Pallatit të Kulturës
“M.Tutulani”, që sa ishte ndërtur në atë kohë. Nuk ndihesha vërtetë mirë, kur
shokët e miqtë e moshës shkuan në shkollën e lartë, e unë ju drejtova fshatit
Gjoroven në Berat për 2-vjet në shërbimin ushtarak. Kjo nuk më pengoi të
merresha me aktivitetet e repartit të Divizionit dhe të Shtëpisë së Oficerëve,
Qendra Kulturore e Ushtarakëve në Berat. Edhe sot ruaj marrdhënie me
ish-komandatine repartit, z.Lirim Ago, apo Xhevahir Baxhi, si dhe komisarin e Divizionit.
Njerëz që përtej detyrimeve partiake, më mbështetën në rrugëtimin tim artistik,
duke besuar tek unë organizimin e çdo aktiviteti artistik të kohës. Pas
mbarimit të detyrimit ushtarak, (si pjesë e vështirë psikologjike për
mua) rikthehem në Kinoklubin e Kombinatit, baza e rrugëtimit dhe formimit tim
si aktor, kunjihja çdo cep dhe kënd të asaj skene, u rrita në atë godinë
dhe bashkë me mua, dhe dëshira për t’u bërë aktor ishte konkretizuar
plotësisht. Kujtoj me shumë qartësi e mall shprehjet e prindërve,
Nëna më thoshte: “Lartësia e njeriut, fillon aty ku mbaron gjatësia
fizike, lufto në jetë për të rritur gjithmonë këtë lartësi,ajo
varet vetëm nga Ty”. Ndërsa babai, duke ruajtur brenda vetes
plagën që Partia i shkaktoi pas largimit nga Teatri Popullor, më përsëriste
shpesh shprehjen: “Në artin dramatik, teatër, ka shumë aktorë, ata ndahen në
numra dhe emra. Për të qëndruar gjatë në këtë fushë, lufto për të krijuar emrin
tënd, se numrat matematikë janë shifra që ndryshojnë shpesh, por emri ngelet
në histori”, dhe kujtonte Aleksandër Moisiun simpatizantin e tij personal, si
dhe ngacmuesin që emri im vinte nga dashuria që ruante babai për atë actor. Të
kthehemi tek konkurrimi…Ishte muaji mars dhe në sallën e “Kinoklubit
Tekstilisti”, në Festivalin e radhës, kryetar jurie ishte regjisori dhe
“Artisti i Merituar”,Esat Oktrova. Në ceremoninë e vlerësimeve, përveç
grupit fitues të festivalit në heshtje e një salle të mbushur plot, kryetari
jurisë lexon dhe emrin tim “Laurant i Festivalit, Aleksandër Rrapi…Isha vërtetë
i befasuar nga ky vlerësim pasi trupat konkuruese në festival, kishin bërë
vërtetë një punë serioze dhe çdo trup, kishte element të talentuar breda tyre.
Por nga ana tjetër ky ishte dhe kontakti i parë me një figurë të shquar të artit
skenik dhe regjisurës shqiptare si z.Esat Oktrova. Në bisedën intime të
ceremonisë, më pyet në intimitet;
-Përse nuk vjen në Institut
Aleksandër? -Çështje biografie- i them me sytë e mbushur me lot. Babin tim
Partia e ka dëbuar nga rradhët e saj, dhe kjo….-Sivjet ky Institut, nuk do
shikojë biografitë e konkurruesve, po talentin dhe ju e keni këtë me
‘’shumicë’’-më ndërpreu menjëherë- duke shtuar: Keni dhe një zë të
fuqishëm, dhe kjo është arma kryesore për një aktor … Fluturova në qiell.
Komplimente shoqërore, miqësore, familjare dhe gjithçka tjetër kisha dëgjuar,
por nga një figurë e njohur e artit shqiptar siç ishte Eset Oktrova, “Artist i
Merituar”, ishte hera e parë në jetën time. Ky vlerësim më ndezi motorin e
përgatitjes për konkurrimin e kanditatëve për në Institutin e Lartë e
Arteve, sot Akademia e Arteve të Bukura. Pra hyra student në vitin 1987-1991.
Një rrugëtim të ndërtuar me shumë punë, sakrifica prindërore e familjare,
vështirësi ekonomike, shtytje dhe bërryla….Besoj se është i vetmi profesion që
ushqen një ‘’luftë të ashpër ndaj kolegut’’, dhe kjo ndodh në Shqipëri. Teatri
në kapitalizëm, që kisha mundësi t’a provoja, këtë luftë çdo aktor e ka me
krijimtarinë, e jo me kolegun.
Kur e keni realizuar rolin e parë si profesioniste dhe ku? Sa role
keni realizuar deri më sot?
Pas shumë aktivizimeve që kisha shpesh
herë në teatrin profesioniste të rrethit që sapo ishte krijuar, në dramat ‘’Dy
krisma në Paris’’ me regjisor Sheri Mitën apo ‘’Dufan në Dovlet’’me regji
të Gëzime Kames, në Institutin e Arteve kisha një përzgjedhje që në vitin e
parë nga petagogu i paharruar prof. Agim Qirjaqi për t’u aktivizuar me
kursin e vitit të tretë, (gjë që ishte e rrallë të ndodhte me një student
të porsa ardhur)në dramatizim e tij të veprës së I. Kadaresë ’”Krushqit janë të
ngrirë’’që u shfaq me dyer të mbylluar dhe u “burgos’’ si çdo shfaqje e
avancuar për kohën. Këtu në analizën e Katedrës për studentët që vlerësoheshin
në këtë punë, është përmendur dhe emri duke marre një vlerësim modest nga
pedagogët. Rolet në teatër janë të shumtë, por më të veçantat në gjithë atë
arshivë rolesh të krijuara do të përmendja dy: Aktivizimi im me babain tim në
dramen’’Më fal Baba’ dhe me djalin tim Thoma (me emrin e gjyshit të tij) në
dramën “Emigrantët” shfaqur në vitin 2017 në skenën e Pallatit
“M.Tutulani” në Berat. Tre braza të familjes Rrapi, shkelin në këtë skenë.
– A mund të jetosh sot me aktrim?
Një pyetje që të shpie në një ‘’kurth
gazetaresk’’. Unë nuk kam jetuar me aktrimin në Shqipëri, dhe kjo do më
vështirësoj t’ju jap një përgjigje të saktë në raport me kolegët e mi që
jetojnë në atdhe. Kolegët në Shqipëri kanë vërtetë
vështirësi të shumta ekonomike dhe kushte teknike të amortizuara
nga koha. Suksesi i një shfaqje nuk varet vetëm nga talenti i gjithë secilit,
pa kushte komode që kërkon arti skenik, kjo “zhvlerëson” pa dashur interesin e
publikut për të ndjekur në salla të mbytur nga lagështia një shfaqje teatrale…
mungesa e kushteve minimale, ngrohje në dimër, e ftohje në verë, kushte
higjenike të ambjenteve që shfrytësohen nga aktorët. Studiot dhe ËC publike për
spektatorët. Të gjitha këto që përmenda më sipër, ulin pa dashur, vlerën e një
bilete që do rriste ndjeshëm të ardhurat personale të çdo aktori. Në teatrin
kapitalist që unë gjeta në Greqi, dhe në përgjithësi në gjithë botën, nuk
ka bordero, por projekte dhe ftesa nga regjisori i radhës që afrohet për
të thirrur grupin krijues. Nëse je pjesë e këtij projekti, aktori vet, vendos
mbi të ardhurat e tija, nëse i duket e mjaftueshme kjo pagesë apo jo! Personalisht,
duke jetuar dhe punuar jashtë Shqipërisë në teatër për një periudhë 10-vjeçare,
mund të them që jetohet dhe paguhesh shumë mirë si aktor.
-Cilat janë rolet tuaja më të vlerësuara?
Në aktivizim tim në tragjedinë e
Euripidit, “Eleni’’ në teatrin “KNOSSOS” të Athinës, si dhe në Festivalin
Ndërkombëtar e Filmit në Selanik në vitin 2010, në filmin ‘’Nobady”(Askushi).
-Cilët janë autorët në botë që ju impresionojnë?
Difiçitet e krijuara prej vitesh në
Atdhe, nga një mungesë e theksuar e lindjes dhe zhvillit të teatrit të
lashtësisë greke, si dhe aktivizimi im në këto shfaqje, duke përmendur këtu dhe
komedinë e Eristofanit, “Irini”, më detyruan t’i kthehem kësaj literature duke
shfletuar seriozisht dhe për nevojat profesionale, shumë autorëve të tragjedisë
dhe komedisë botërore, si Aristofani, Sofokliit, Euripidit etj….
-Si arritët sukses në një vend që në fillim kishte një frymë
antishqiptare dhe racizëm të papranueshëm?
Kjo rriti më tepër ‘’luftën”
brenda vetes që ju përmenda më sipër, aktori ‘’Lufton”me
krijimtarinë, jo me kolegun. Në Shqipëri me plot gojën, mund të them që ‘’lufta
banale që bëhet midis kolegëve, është një banalitet i kohës ‘’moderne’’ që po
kalojmë.
-Cila ka qenë dita më e bukur dhe më e vështirë në Greqi?
Kur një nga gazetat kryesoer dhe më të
mëdhatë e Greqisë ‘’Ta Nea’’, boton një artikull në 1-gusht të 2004, e dielë
(që numri i botimit dyfishohet) artikullin me Titull: “Shqiptari me portretin e
lashtësisë greke” ngacmuar nga interpretimi im në Tragjedinë “Eleni’’në teatrin
“Knnosos”. Kur kisha folur nga afër me gazetarin për këtë intervistë, nuk më
kishte përmendur titullin e shkrimit (ashtu si dhe në këtë rast) dhe kur
e pyes gazetarin, pse fillonte artikulli me Alvanosi …Është prejardhja juaj më
tha……dhe jo keqësia e emërimit që ishte bërë ‘’modë’’ në Greqi se pas çdo
vjedhje, vrasje apo incidenti, fshihej një Alvanos!? Këtu më lejoni të
ndërrojmë pak pozicinet….Unë të bëhem gazetar për të marë një përgjigje nga ju!
Si ka mundësi që Teatri Kombëtar Shqiptar, fton aktor grek për të luajtur
në tragjedi të tilla me kosto disa fish nga pagesa bazë e tyre në Greqi, dhe
nuk na fton ne aktorët shqiptare që luajnë në këto kryevepra?!
–
Sa roli realizuat si aktor dhe sa si regjisor në Greqi?
Në Greqi në karrierën e gjatë që kasha
duke qenë edhe anëtar i “Shoqatës së Aktorëve’’status që jo çdo
kush e fiton pasi ka kushte aktivizimi në teatër, film e televizion, (kushte që
të japin këtë satus) jam aktivizuar në teatër me tragjedi, komedi e muzikal.
Kam ngritur trupa teatri në Bashkinë e Athinës në qendrat rinore të
Kerateas, Nikias, dhe Pankratit…Në televizionin grek, dhe konkretisht në
kanalet kryesore “MEGA” dhe “Ant1”, jam aktivizuar në telenovelën “Dashuria
erdhi nga larg” dhe telekomedinë, “Tilebora” me një kast aktorësh në të dyja
rastet shumë të mirë, dhe me regjisorët tashmë shumë të
njohur grek. Në kinemanë greke, jam aktivizuar në filmin “Nejradha’’dhe
‘’Kanenas”.
-Pse
dhe si u larguat nga Greqia?
Dëshira e prindit për të bërë më të
mirën për fëmijët e vet, kjo ishte arsyeja kryesore e largimit nga Greqia. Duke
parë aftësitë e fëmijëve të mij që bënin diferencën midis nxënësve të klasës,
kërkuam një hapësirë më të përshtatëshme për ta, ky vendim u mor brenda
“këshillit” familjar me 100% të votive. Sot ata finalizuan me sukses çdo
përpjekje tonën si nga unë dhe nëna e tyre Entela, në profesionin e
ekonomistit, duke mbaruar me sukses Universitetin e Tampes neëdegën e Ing,
kimike në fushën e farmaceutikës, degë e vështirë dhe e pa shfaqur në Europë.
–
Në Amerikë cilat kanë qenë lidhjet tuaja me Pirro Manin dhe mendimi juaj për
të?
Kontaktin e vetëm fizik me profesor
Piro Manin, e kam pasur në kohën kur isha student, kur një student i
regjisurës më paraqet tek pedagogu Piro, me një fragment të dramës
“6-Persona në pyetje’’ pranë Teatrit Kombëtar ku bëheshin takimet, me
profesorin. Pas prezantimit të punës dhe dëgjesës nga ana e
profesorit, dëgjova nga i madhi Piro këtë koment: Me Aleksandrin duhet të
vendosni në skenë “Jul Çezarin”, pasi
plotëson figurën e heroit si me zërin e bukur, ashtu dhe me fizikun e
tij”( dëshmi që kolegët e mij mund ta vërtetojnë, si A, Rama, A. Bora B.Laco,
A. Elmazi). Besoj se është momenti që emri i Piro Manit duhet të kthehet
në histori, si një pikë takimi për brezat e ardhshëm të regjisurës
shqipatre nëpërmjet një institucioni apo shkolle artistike duke marrë emrin e
tij. Nuk e kuptoj akoma pse ndodh ky fenomen në Shqipëri, që presin të vdesin
fizikisht, figura kaq të mëdha si Piro Mani, për një vlerësim pas ikjes, dhe
nuk i vlerësojnë për së gjalli një jetë të tërë në skenë!!
Duke ju falenderuar për bisedën dhe mundësinë
që më krijuat më lejoni ta mbyll këtë kontakt me këtë thënie:
“Mos
u përpiq ta përmirësosh imazhin tënd për askënd.
Jemi
njerëz normalë për ata që nuk na njohin.
Jemi
mendjemëdhenj për ata që na urrejnë.
Jemi
njerëz të mirë për ata që na njohin.
Jemi
njerëz të jashtzakonshëm për ata që na duan shumë!
”
~ Fyodor Dostoevsky ~