Kulturë
Fatmir Minguli: Shpendi Topollaj - Klithma nga burgu
E hene, 19.07.2021, 06:08 PM
“Klithma nga burgu” i Shpendi Topollajt një libër që i bën nder atyre që vuajtën mizoritë komuniste
Nga Fatmir
Minguli
Libri
me gati 500 faqe “Klithma nga burgu” i autorit Shpendi Topollaj, botim i
2MPrinting, i shkruar nga një mjeshtër i shquar i fjalës dhe mjaft i kulturuar,
është ndofta homazhi më njerëzor, më i sinqertë dhe më dashamirës që u është
kushtuar vuajtjeve, rezistencës, dinjitetit, guximit, mençurisë dhe idealeve të
pastra të të gjithë atyre që provuan llahtarin e krimeve komuniste. Janë të
rrallë ata shkrimtarë që si ky autor, në të gjithë krijimtarinë e tyre t`i kenë
kushtuar kaq vëmendje këtyre njerëzve të nderuar dhe fisnikë që bënë sakrifica
të panumërta vetëm pse nuk u pajtuan asnjëherë me komunizmin. Respekti për ta
ndihet i pranishëm në poezitë, tregimet, novelat, romanet, dramat,
publicistikat dhe në dhjetra librat me kritika letrareqë ky autor ka botuar.
Dhe jo vetëm kaq; Shpendi Topollaj, duke qenë pranë tyre, dhe mik me ta, qysh
nga përmbysja e sistemit të kaluar, ka qenë një organizator i pashoq në
promovimin e veprës së tyre. Librave që ata kanë shkruar rreth asaj që pësuan
(kujtime apo monografi), apo dëmeve që iu bënë atdheut nga sundimi i barbarëve
të kuq megallomanë, ai u ka bërë jehonë në takime mbresëlënëse në Pallatin e
Kulturës “A. Moisiu dhe qytete të tjera, ka botuar pa fund artikuj kushtuar
veprës së atyre dhe i ka zgjedhur dhe skalitur pikërisht ata si personazhe të
respektuara të gjithë prozës së tij aq të pëlqyer. Arshi Pipa, Dhora Leka, Uran
Kalakulla, Hysen Haxhia, Gjergj Titani, Visar Zhiti, Agim Musta, Fatos Lubonja,
Saimir Maloku, Enver Memishaj, Gjergj Komnino, Veronika Dafa, Vaso Papaj, Bahri
Hoxha, Halim Ramohito, Gëzim Medolli, Uran Butka, etj. janë vetëm disa nga ata,
sikurse ai u ka kushtuar gjithë artin e tij qëndrimit trimëror prej njerëzish
me karakter të pathyer të Adem Allçit, Hafiz Sabri Koçit, Thoma e Stavri
Rafaelit, Trifon Xhagjikës, Fadil Kokomanit, Vangjel Lezhos, Rukie Ramës,
Rrahman Parllakut, Petrit Dumes, Abaz Fejzos, Isuf Allamanit, dr. Ludovik
Kalmarit, Luigj Benussit, Zoi Xoxes etj. Intelektual demokrat, pa nxitur aspak
urrejtje, veç mirëkuptim e falje, sikurse e tregon edhe romani i botuar tash së
fundi “Pajtimi”, Shpendi mbetet njëri nga shkrimtarët tanë që ka dhënë një
kontribut të çmuar në demaskimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Njeri i
dashur për këdo, pavarësisht krahut që ata përfaqësojnë, Shpendi e konsideron
domosdoshmëri vlerësimin e të përndjekurve politikë dhe dhënien atyre të
gjithçkaje u detyrohet ligjërisht shoqëria jonë.
Po
mbi të gjitha, ai shpreh bindjen se ata duhet të zenë vendin që u takon në
shoqëri, pas atyre që kaluan burgjeve e internimeve, ku u shkoi mes përbuzjes
rinia, deri dhe fëmijëve të tyre. Është kjo arsyeja që ai, në një shënim në
faqen e pasme të kopertinës shkruan: “U përkulem me respektin më të madh, të
gjithë ju motrave dhe vëllezërve që vuajtët pa asnjë faj, tmerret e burgjeve
komuniste; por ta dini se Atdheu u ka nga bijat dhe bijtë më të mirë dhe
populli do t`u jetë përherë mirënjohës për gjithë sa bëtë që liria dhe
demokracia të lulëzojnë edhe te ne si në të gjitha vendet e qytetëruara”.
Realisht, nuk tingëllon aq mirë kur sheh se edhe pas tridhjetë vitesh demokraci
ka ende probleme në trajtimin e tyre. Por për këtë autor, nuk është vetëm kjo;
ai në të gjitha shkrimet e tij, duhet se shqetësohet për atë që njerëzit duket
se janë të prirur të harrojnë, dhe kjo do të qe fatkeqësi e madhe. Nga ana
tjetër, ai merakoset edhe për faktin se brezi që nuk e jetoi atë diktaturë të
pashembullt, nuk e di se ç`ka ngjarë, sikurse edhe nuk i besohet se shteti mund
t`ua nxinte jetën deri në atë shkallë, qytetarëve të tij. Ka botuar vite më
parë Sh. Topollaj librin me epigrame “Ishte koha kur…”, një libër që do të
ishte i domosdoshëm të gjente përhapje të gjerë, deri edhe në shkollat tona.
Fundja, pikërisht këtë synim ka pasur edhe libri i nobelistit rus Aleksandër
Sollzhenjicin, të cilit ai i referohet herë pas here. I referohet, pasi në
krimet e tyre, diktaturat ngjajnë. Ca më shumë ajo jona me atë të Josif
Stalinit, të cilin Enver Hoxha e quante babanë e tij shpirtëror dhe me të cilin
i lidhte ideologjia e përbashkët. Duke ditur sesa i nevojshëm është demaskimi i
asaj ideologjie që jo vetëm solli aq mjerime, por edhe e ndau dhe përçau
mizorisht popullin tonë, Shpendi ka analizuar me kompetencë, fakte, thellësi
argumenti dhe kurajë të admirueshme librat demagogjikë të Nexhmije Hoxhës,
Liljana Hoxhës, Kiço Mustaqit, Rrapi Minos, Feliks Tuçevit ( Felix Tchouev:
“Biseda me Molotovin”), çiftit francez
Elisabeth dhe Jean - Paul Champseix etj. Në këtë këndvështrim, pa asnjë ndikim
politik, pa asnjë interes a përfitim, pasi veç të tjerash, ai që prej dhjetë
vjetësh është në pension dhe po e kalon gjithë jetën në një sipërfaqe prej 50
m2, juristi Shpendi Topollaj, me ndershmërinë e tij, guximin për fjalën e lirë
dhe bindjet e pastra për demokracinë, është jo vetëm një njeri i dashur dhe i besueshëm
për këdo, por ndofta edhe shembulli që duhet të frymëzojë çdo intelektual të
këtij vendi në gjithë krijimtarinë apo qëndrimin e tij. Ja, pse ai ka gjithë të
drejtën me vete që të konsiderohet si njëri nga apologjetët më besnikë dhe të
paluhatur të të gjithë asaj shtrese që duke qenë aq largpamëse, i pagoi
shtrenjtë idealet për të cilat luftoi. Është e vërtetë se ai, bir i njërit nga
luftëtarët më të vjetër të Kolonjës dhe një nëne nga familja atdhetare e
Agallinjve të Vlorës, që u përndoqën egërsisht nga komunizmi, duke qenë oficer
u ndëshkua pa asnjë faj, u la në detyra nga më të ultat, larg gruas e vajzave
të tij, iu kontrollua shtëpia, u survejua nga sigurimi famëkeq dhe nuk ju nda
“Dosja 2A”. Por, në asnjë rresht të krijimtarisë së tij nuk nxitet përçarja dhe
hakmarrja. Ai, herë pas here bën thirrje për mirëkuptim, bashkim dhe
vëllazërim. Dhe e gjithë kjo, është e qartë si drita e diellit edhe në artikujt
e pareshtur që ai boton në shtypin e ditës. Ja si shprehet ai në njërin prej
tyre: “Atdheun të gjithë e duam njëlloj. Nuk duhet harruar se qysh atëherë, në
botë, por edhe në Shqipëri ka rrjedhur shumë ujë; koha e gjatë që ka kaluar(se
nuk janë pak afro tetëdhjetë vjet), ka qenë mëse e majftueshme, si për të
krijuar sekush bindjen e tij, ashtu edhe për të fashitur mospajtimin. Sot ne
jemi miqësuar dhe kërkojmë të na pranojnë në aleanca shtete dhe pinjollët e
atyre që na sulmuasn me avionë, tanke e topa, që na vranë, na dogjën e na
plaçkitën, dhe nga ana tjetër, i bëjmë karshillëk vëllezërve të të njëjtit
gjak. A nuk tingëllon si paradoksale kjo? Si do na dukej sikur në Francë fjala
vjen, ende të vazhdonin konfliktet dhe stigmatat midis zhirondinëve të moderuar
dhe jakobinëve të Robespierit, paçka se këta e kishin përfunduar misionin qysh
në fund të korrikut të vitit 1794? Për njerëzit e mençur, nuk mund të vazhdohet
në pafundësi kështu. Evropa i ka kapërcyer me kohë ndarjet e tilla. Mjaft me
armiq imagjinarë. T`i shtrijmë dorën e miqësisë njëri - tjetrit”. Për të qënë
deri në fund të vërtetë, duhet pohuar se domosdoshmëria e këtij bashkimi ka
qënë kredua e të gjithë atyre personazheve për të cilët flet Shpendi. Dhe
Shpendi i portretizon ata si mendimtarë, si intelektualë me formim perëndimor,
për të mos thënë se disa prej tyre si Arshiu, Kalakulla, Lubonja, Hafizi,
Dhora, Titani, Visari, Komninua, Zoi, Butka, kishin format filozofi.
Kundështimi i tyre me sistemin ishte ai i ndeshjes së ideve dhe mendimeve. Në
atë luftë ata nuk ishin në kushte të barabarta, ndaj sakrifikuan aq shumë, pasi
ideve të tyre ju kundërvu pushka. Por ja që vjen një ditë dhe ata futen me
lavdi në altarin e Kombit, ndërsa xhelatët e tyre mbërthehen në shtyllën e
turpit. Dhe duke pasur parasysh se aspiratë e të dënuarve politikë ka qenë edhe
bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, kushtimi i këtij libri Heroit Ramush
Haradinaj, është një gjetje mjaft domethënëse, ashtu sikurse është kuptimplotë
edhe gatishmëria e Institutit të të Përndjekurve Politikë me në krye zotin
Bilal Kola për ta botuar këtë libër me kaq vlera, libër i cili duket si një
piedestal për monumentet e atyre që bënë aq shumë për atdheun e tyre.
Durrës, Korrik 2021