E enjte, 14.11.2024, 06:48 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Dita e zezë e 13 korrikut

E enjte, 15.07.2021, 08:05 PM


Blerim Latifi:

Për të gjithë ata që duan ta deformojnë historinë dhe ta minimizojnë figurën historike të Azem Bejtës, kapedanit të maleve të Kosovës, ja faktografia e dhënë nga njëri prej historianëve më kompetentë ndërkombëtarë të Ballkanit, Oliver Jens Schmitt, në librin e tij më të fundit "Ballkani në shekullin XX" : Nga fundi i i vitit 1918 e deri në vitin 1924( viti kur u vra Azem Galica), në raste të veçanta deri me 1927, kaçakët shqiptarë ( rreth 10.000) luftuan kundër administratës serbe, e cila nga ana tjetër rekrutonte paramilitarë nga rradhët e popullatës serbe dhe deportonte me të madhe gra dhe fëmijë shqiptarë.Beogradi nuk kërkonte zgjidhje politike, por ushtarake: 22.000 të burgosur, 12.400 të vrarë dhe 6.000 shtëpi të shkatërruara, ishte bilanci i këtij konflikti...". Azem Bejta ishte kreu i gjithë kësaj rezistence të madhe, e cila mori fund me 15 korrik të vitit 1924, kur mijëra trupa ushtarake serbe, të ardhura nga korpusi i Shkupit dhe ai i Nishit sulmuan Komunën e Prekazit me qendër në Galicë, e cila prej kohësh ishte shpallur zonë e lirë. Pas disa orë luftimesh Azem Bejta, ndonëse i plagosur rëndë, ia kishte arritur të dilte nga vijat e para të luftimeve dhe me pak luftëtarë të futej në Çyqavicë, e cila po ashtu ishte e rrethuar nga të gjitha anët. Mehmet Konjuhi dhe Vëllezërit Bajçinovci me çetën e tyre nga Popova e LLapit ishin të vetmit që patën guximin të futeshin brenda zonës së luftimeve dhe ta nxirrnin Azemin e plagosur që andej, duke mos lejuar që trupi i tij i gjallë ose i vdekur të binte në duar të ushtrisë serbe.

_________

E lexova fjalimin e Kurtit në këtë sympoziumin e Athinës dhe e krahasova me fjalimin e Edi Ramës, të mbajtur në të njëjtin vend.

Në fokus të fjalimit të Ramës ishte situata aktuale e bllokimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, situatë për të cilën Rama kritikoi me një gjuhë të ashpër BE-në dhe shtetet anëtare të saj.Po ashtu nuk harroi të përmend edhe izolimin e Kosovës për shkak të mosliberalizimit të vizave dhe edhe për këtë akuzoi ashpër BE- në.Thënë shkurt: Rama foli si kryeministër që e di se ka vetëm një detyrë në forumet ndërkombëtare, të përfaqësoj interesat e shtetit të tij.

Ndërkaq, fokusi i fjalimit të Kurtit ishte krejt tjetër.Kurti kishte bërë një fjalim, siç duket, për t'u treguar të pranishmëve në sympozium se sa mirë i njeh çështjet ideologjike dhe filozofike të së majtës, si dhe problemet globale. Në funksion të kësaj ai e kishte mbushur fjalimin me emra mendimtarësh si Tukididi, Perikliu, Samuel Huntington, Aleksandër Dugin, Carl Schmitt, e të tjerë.

Më shumë se si kryeministër, Kurti kishte bërë figurën e një mendimtari në Sympoziumin në fjalë. Pasi i ka bindur njerëzit e vendit të tij se është i dijshëm, duket se tani po synon që t'i bindë për këtë edhe diplomatët e shtetarët e huaj.

A është kjo detyra e kryeministrit të një shteti i cili para brengave filozofike, ballafaqohet me probleme ekzistenciale? Natyrisht se jo.

Për mua personalisht është një lloj satisfaksioni kur e shoh që kryeministri i vendit tim ka një pasion të fuqishëm për filozofinë, por në rrafshin e politikës shtetërore gjërat duhet të shihen më ndryshe, sepse dhënia pas teorive të mëdha e dobëson vullnetin për t'u marrë me gjëra dhe halle konkrete të njerëzve, të cilat e përbëjnë punën kryesore të qeverisjes. Filozofi është nëpunës i njerëzimit, thotë Huserl. Ndërkaq, një kryeministër është vetëm nëpunës i njerëzve që e kanë zgjedhur.

_________

Dita e zezë e 13 korrikut dhe konstantja e pandryshueshme e Ballkanit

13 korriku është njëra nga datat më fatale në historinë e shqiptarëve. Është data e Kongresit të Berlinit(1878), në cilin Serbia e Mali i Zi u njohën si shtete të pavarura nga Fuqitë e Mëdha e Perandoria Osmane, ndërsa shqiptarët morën vetëm një çertifikatë të mosnjohjes së ekizstencës së tyre.U kishin mbijetuar shekujve të sundimit osman, por ja tani diplomacia evropiane, me një të rënë lapsi, kishte shpallur joekzistencën e tyre. Por, siç ndodhë shpesh në jetën njerëzore, fati i mirë fshihet brenda fatkeqësisë.Shtetet e reja ballkanike, duke qenë shtete me identitete nacionale të lidhura ngushtë me ortodoksinë, natyrshëm anonin nga politika ruse.Kështu largimi i osmanëve nga territoret etnike shqiptare dhe marrja e këtyre territoreve nga shtetet ortodokse ballkanike, nënkuptonte daljen e Rusisë në Adriatik. Kjo mundësi reale alarmoi Fuqitë evropiane, në rradhë të parë Austro-Hungarinë, e cila donte ta kishte ndikimin e saj ekskluziv në Adriatik. Kështu ajo dhe fuqitë tjera evropiane që donin ta mbanin sa më larg Rusinë, i hëngrën fjalët e tyre për shqiptarët që i thanë në Berlin dhe u detyruan të rizbulojnë ekzistencën etnike të shqiptarëve dhe të fillonin edhe përkrahjen që etnia e tyre të shndërrohej në kombin modern shqiptar.

Që nga ajo kohë kanë kaluar qindra vite, kanë ndryshuar shumë gjëra në Ballkan e Evropë, por një gjë ka mbetur konstante që atëherë: shqiptarët si faktor frenues i ndikimit rus në Ballkan.

_________

Me siguri e keni pa një fakt: përkujtimi i Srebrenicës gjithmonë është ngjarje ndërkombëtare, ndërsa përkujtimet e masakrave tona gjithmonë kalojnë si ngjarje lokale, shpesh edhe si ngjarje fshatrash.

Një krim genocidi nuk e bën të tillë sasia e viktimave, por motivi dhe qëllimi i krimit dhe në këtë pikëpamje Srebrenica nuk dallon asgjë nga Meja, Verboci e Izbica.

Mos vallë bota na ka faj pse sot ndjeshmëria dhe kujtesa ndërkombëtare për masakrat e kryera nga Serbia në Kosovë, përditë e më shumë po zbehen?

Mos kemi pritur që të huajt të kujdesen edhe për memorien tonë kolektive dhe të vërtetën e tragjedive tona?

_________

Kjo është një nga hartat më të vjetra të Europës Juglindore.I përket vitit 1455.Autori i saj është hartografi italian Bartolomeo Trincherio. Mbi territorin e Kosovës së sotme shkruhet Albania, ndërsa poshtë saj territoret janë emërtuar Sacanderbeco, pra territore nën sundimin e Skënderbeut. Kjo dëshmi e autentike e kohës, përkundër dokrrave historiografike serbo-otomane, e tregon qartë se Kosova e shekullit të XV ndërkombëtarisht njihej si Shqipëri, pra një territor i banuar nga albanët (arbërit), emri latin i shqiptarëve.

_________

Gjatë shekullit XIX, kur popujt e Ballkanit njëri pas tjetrit po dilnin nga sundimi shekullor osman, u krijuan edhe letërsitë, historitë kombëtare dhe doktrinat e tyre politike. Ajo që i dallon shqiptarët nga fqinjët e tyre në këtë rrafsh, është fakti se në letërsinë dhe doktrinat e tyre kombëtare e politike nuk gjen askund thirrje dhe plane për t'i shfarosur fqinjët. Dikush mund të thotë se kjo është pasojë se ishim të dobët dhe nuk na binte në mend tjetër gjë përveç përpjekjes për t'u mbrojtur dhe mbijetuar.Mendoj se në pyetje është etika kanunore e cila të ndalon ta cenosh të pafajshmin dhe të përvetësosh me dhunë atë që i përket tjetrit. Është po kjo etikë që e përjashton dhe e ndalon masakrimin e tjetrit. Madje e bën të paprekshëm edhe varrin e tjetrit. "Eshtnat e vorrit e guri i kufinit faqe Kanunit janë baraz.Me luejt kufinin asht nji si me luejt me eshtnat e të dekunve", thotë një nen kanunor.

_________

Sa herë fillon sezona e pushimeve verore, imamët vahabistë aktivizohen me propagandën e tyre duke thënë se si pushimet në bregdet janë haram, të turpshme, e broçkulla të ngjajshme, blla blla blla.

Vërtet kemi të bëjmë me gjendje të rëndë mendore kur fizikisht ndodhesh në shekullin 21, ndërsa mentalisht vazhdon të endesh nëpër mesjetë.

_________

E lexova një lajm të tmerrshëm se si në qytetin Al Hasakah të Sirisë një grup i burrave e paskan vra mizorisht një vajzë të fisit të tyre, sepse ajo paska refuzuar të martohej me kusheririn e saj. Kjo më kujton se si shumë imamë vahabistë, sidomos në Maqedoninë e Veriut, propagandojnë që edhe shqiptarët duhet të praktikojnë martesat brenda lidhjes së gjakut.

Lavdi i qoftë legjendarit Lekë Dukagjini që na e la me ligj që martesa me të afërmin e gjakut tek shqiptarët është krim mbi krimet!

_________

Nëse helmimi i ujit në Deçan, nga i cili pësuan rreth 900 qytetarë, del se është vepër e qëllimshme, atëherë mund të përfytyrojmë se sa të pasigurta janë sistemet publike të furnizimit me ujë në Kosovë. Mund të mendojmë se secili i çmendur apo terrorist fare lehtë mund të helmojë ujin në këto sisteme, për të nxitur pasiguri e kaos në këtë shtetin tonë, edhe ashtu mjaft të brishtë. Qeveria e Kosovës duhet të veproj menjëherë që këto sisteme të kenë sigurinë e mjaftueshme. Deri me tani, fatkeqësisht, te kjo qeveri nuk e kemi parë ndonjë ndjeshmëri të veprimit emergjent në këtë drejtim.

_________

Njëri thotë se është bartës i shpirtit të Jezusit. Një tjetër po flet se është i dërguar i Allahut. Një tjetër duke ardhur nga Zvicra në Kosovë ka parë UFO. Sot një deputet i Kuvendit të Kosovës paska paralajmëruar lëshimin e një rakete kozmike gjatë mandatit të qeverisë Kurti. Jetë o jetë! Ka shpërthy budallaku n'kët' Kosovën tonë të vogël, si bari n'fusha pas Shën Gjergjit.

_________

E more Buzuk, kanë kalu 466 vjet prej kur fillove me i mësu bashkatdhetarët e tu me shkru gjuhën shqipe, e ata hala emrin gabimisht ta shkruajnë!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora