Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frrok Vukaj: Martinajt e Tropojës në New York e pinjolli Lush Pepa

| E merkure, 14.07.2021, 08:02 PM |


MARTINAJT E TROPOJËS NË NEW YORK E PINJOLLI LUSH PEPA  (Luçiano)

Nga Frrok Vukaj - Kryetar i Shoqatës Akademia e Shkencave të Edukimit, Tiranë

Pak histori për shtëpinë e Ndre e Balë Prekës, Curraj

Kur kalon nga Qafa e Kolçit e zbret  për në Nikaj-Mertur, çdo udhëtari i dalin para sysh pamje përrallore në çdo stinë: majat e larta e kreshtat e maleve shumicën e kohës të zbardhura me borë, pyjet e paanë të rritura shumë vitet e fundit, rupat e livadhet e gjelbëruara, prozhmet me lajthi e kashnjetet me gështenja e arra, pemëtoret e vreshtat, diku - diku të qëndisura për bukuri nga banoret vendas, e të tjera të përkeqësuaka e të braktisura nga lëvizjet masive të popullsisë.

Gjatë rrugës, kur pushon në pika  dominuese, sheh si në pëllëmbë të dorës Majën e Hekurave, bjeshkët e Currajve të Epërm e Krasniqes, Rrukun e Kakinë , Majën e Kores e Shtyllën e Grisë, Thermen e Shllumin e Aprripës, Lugun e Ndërmajës e Vranën piktoreske, lumenjtë e kristaltë të Merturit e të Nikajve që ushqehen nga burime bore prej  lartësive të Alpeve, por edhe nga dhjetëra përrenj me rrjedhje të thekshme e të bollshme uji në vjeshtë e pranverë ; burimet hidrike e të tjera pasuri të mëdha akoma janë të pashfrytëzuara sa e si duhet.

Në një pushim lehtësues e zbavitës sipër Shëngjergjit, në Kodrën e Spahisë, ballas bie ne sy fshati i bukur i Currajve e në qendër të tij Fusha  e Kishës, një toponim i trashëguar nga thellësia e shekujve. Sot me shumicë, por edhe më herët shquheshin kullat e gurta dy e tre katesh dikur të mbuluar me rrasa guri, arat e livadhet e sistemuara , kopshtet e brezaret me mure guri , vreshtat e pemëtoret e mirëmbajtura me aq merak e kujdes nga currajt punëtor e civilizues, të shquar si sedërli e novator, për këmbëngulje e aspirata drejt vlerave përparimtare.

Para viteve `60 ngriheshin afër njëra tjetrës edhe dy kulla binjake të arrira në vlera estetike e funksionale: njiheshin kollaj nga më i vogli e më plaku , nga vendasit e bajrakët e malësisë si kullat e Prek Qunit e Mark Qunit, të ndara nga një oxhak e të shquara për mikpritje e bujari, me burra të zot e të përmendur . Sot në atë kodër shohim vetëm themelet e asnjë frymë robi; të tjera banesa të shumta, edhe më të bukura e bashkohore , pasardhësit e atyre trojeve kanë ngritur jo vetëm në shumë qytete të Shqipërisë, por edhe në Evropë e Amerikë .

Djemtë e Ndre Prek Qunit ( Pepa , Deda e Lulashi ) e kushëriri i tyre Pjeter Bala, nga fillimi i viteve `60, ngritën një shtëpi kullë jo larg së parës, në një vend të sheshtë e piktoresk, më e  mira në të gjithë krahinën, më funksionale e me mundësi jetese  më të mira.

E ndërtuar me ranë lumi, me mur guri të latuar, me qoshe të gdhendura e qëndisura nga mjeshtrit më në zë të Nikaj-Merturit e Dukagjinit, të udhëhequr nga Lulashi, i shquar për punë të fortë e mjeshtri të hollë; me dyer e dritare plot dritë, ndriçuar nga rrezet e diellit jetëdhënës pothuajse gjithë ditën, me korridore të gjëra e shkallë të drunjta, dysheme e tavane me pishë të kuqe marrë në Kakijë e afër Majës së Hekurave, me çati alpine, me trarë e ngrehinë gështenje mbi 100 vjeçare, pa harruar të shënojmë ballkonin e gjerë, ujin e rrjedhshëm e tualetet; dhome pritja me orendi të bukura, bujare për njerëz të thjeshtë e burra të shquar të malësisë e deri për udhëheqësit më të lartë të pushtetit vendor e qendror .

Kjo shtëpi karakteristike u ndërtua me parametra bashkohor, me art e dashuri, frymëzuar nga ato që kishin dëgjuar e parë si njerëz të shëtitur e të ditur, pa harruar këshillat e porositë e vyera të oficerëve të asaj shtëpie: Marashit, Nikollës, Gjonit e Lazrit . Si kazermë dukej ajo shtëpi në atë Fushë Kishe prej asaj pune titanike. Shumëkush mendonte se zori më i madh ishte kryer, por jo; më e madhja sa kishte filluar në atë rrafshinë tokë rënde, në ato shpatina e rrëpira toke të mbushura me gur e shkëmbinj të gjallë, ferra e shkoza. Punuan si luanë ditë e natë, hapën toka të reja, bënë sistemime, zgjeruan e bashkuan sipërfaqe, mbollën pemëtore e vreshta, eksperimentuan e provuan varietete të reja; shtuan dukshëm bagëtinë e kosheret e bletëve.

Unë kam lidhje shoqërore e miqësie e me dhjetëra herë kam bërë vizita familjare e pune në ato troje e në atë fshat që ngjan me një oazë parajse . Mund të shkruaj një roman, por po veçoj sa më poshtë :

1)  Sot , ndonëse janë larguar të gjithë, aty banon e kujdeset për gjithçka një familje tjetër e një lagjeje tjetër ( Pashk Lekaj), çka tregon shumë për harmoninë e urat e komunikimit .

2)  Befasohet njeriu me murembajtëset "Ilire" të fund arave e brezareve me gur mesatar mbi 1 metër kub e më të mëdhenj .

3)  Lëvizja e shtratit e sistemimi i një përroi të rrëmbyeshëm me përmasa të konsiderueshme e me ujë shumë në stuhi që përpinte tokat e zhvendosja disa metra larg, duket si e pabesueshme .

4)  Mirëmbajtja e pyllit, e pemëtores e vreshtave, apo mjediseve rrethuese, ruhet edhe sot në këto vite  të vështira tranzicioni . Prodhimet bio nuk kanë të krahasuar.

5)  Pa përmendur ndodhi të tjera ju kujtoj lexuesve se në atë Pemëtore me zë u organizua një miting i madh në Qershor 1983, në të cilin mori pjesë numri dy  i Partisë e Shtetit, Ramiz Alia, i cili bëri një vizitë edhe në këtë familje .

6)  Afër Rrasës së Currajve, në një pozicion turistik të veçantë, aty ku lumi përbiron me vështirësi mes Mulajve e Currajve, hapën toka  e ndërtuan një shtëpi tjetër të re .

7)  Janë tregues të pashembullt frymëzimi këto që thashë e të tjera të pathëna. Shquhet kjo vllazni e gjithë fshati për punë e vullnet të hekurt, por edhe si arsimdashës .

Në librin tim Krenari për Vendlindjen ( Triptik për Nikaj-Merturin ) në vitin 2006 nga kjo familje e madhe kam evidentuar 15 universitarë . Sot   kjo shifër është dy e tre-fishuar.

8 ) Të shkruash me objektivitet e realizëm e të mos përmendësh gratë e asaj familje do të ishte një mangësi e madhe. Pa hezitim mund t`i quash heroina krah atyre burrave në zë. Rushe Baftia qe krye zonjë, si një nënë e dytë e model për Zojë Rexhen, Dilë Fragen e Zojë Zefen e më të rejat Lezina Prendin e Lule Ndonen, pa harruar edhe zonja e zonjusha të tjera e djem të rinj me ambicie pozitive, me kërkesa e ëndrra të guximshme për jetën.

U rrit kjo familje e madhe pa u ndarë deri në 4-5 breza, me shumë kurorë e shumë fise brenda.

Pa bekimin e këtyre zemërbardhave e duarartave, fort më herët do të shpërbehej ajo kullë me emër.

Disa vite pas ngritjes së kooperativës bujqësore, kur jetesa u vështirësua, Deda iku në qytetin e “Bajram Currit” e Lulashi në shtëpinë e re tek Urëvaja; në ato troje të reja me mikpritje të spikatur.

Pepa e Pjeter Bala  familjarisht, ndonëse të larguar në breza, jetuan së bashku edhe shumë vite, deri kur ndërtuan aty afër një kullë tjetër model.

I shpërndau jeta e zhvillimet e vrullshme shoqërore, mbijetuan me arritje e jetesë fort më të mirë, mbështetur në punën e ndershme e sfidat e egra të konkurrencës. Vetëm në New York janë mbi 50 pjesëtarë të kësaj familje, përfshirë nipër e mbesa. Janë integruar e përshtatur në atë qytet metropol, secili e ka gjetur vetveten e mbijeton me dinjitet e sakrifica, rinia shkollohet e më të rriturit punojnë e nderohen pa paragjykime nga komuniteti vendas e i ardhur. Marrin dije bashkëkohore, por nuk harrojnë gjuhën shqipe ( apo e mësojnë më të vegjlit),  nuk harrojnë as historinë e kulturën e kombit shqiptar me të cilën me të drejtë krenohen. Bëjnë vizita te  njeri -tjetri e mblidhen shpesh për raste gëzimi a hidhërimi, fatmirësisht këto të fundit më të radha. Shtëpia e Lush Pepë Martinajt i mbledh më së shumti ku shmallen, gëzojnë e festojnë në harmoni familjare, duke kujtuar e rikujtuar me mall vendlindjen e paharruar, Tropojën e gjithë Shqipërinë.

Pepë Ndreu i Nikajve, përballë sfidave të jetës

Pikë lidhëse e indicie për këto shkrime është nxënësi im Lush Pepë Martinaj, por të flasësh për të, për Martinajt, pse jo edhe për Currajt e të mos shkruash për Pepë Ndreun është e pamundur.

Ndre Preka, qe i përmendur si burrë i traditës për bujari e trimëri, për qëndresë e dinjitet përballë çdo sunduesi vendas apo të huaj.

Pepa ka qenë i njohur në të gjithë Veriun e Shqipërisë e ka ndikuar dukshëm në formimin e personalitetit të Lushit, i cili trashëgoi  prej tij shumë cilësi fizike e vlera morale. Malësia ka pasur e ka burra në zë e Pepe Ndreu i Nikajve qysh se i ri  u radhit krah tyre.

Me trupin e gjatë si qetinë pishe e kapuçin e  bardhë, qysh në rini ra në sy nga i madh e i vogël. Edhe në Tiranë për afër 15 vite e deri sa u nda nga  kjo jetë, e mbajti atë trup të drejtë, këmishën e bardhë e kapuçin si bora kur shkëlqen nga rrezet e diellit në qiellin pa re, aq sa edhe dashamirët e tij habiteshin e bëheshin disi xheloz. Në raste gëzimi e hidhërimi, në  kuvende e tubime, në oda burrash e salla mbledhjesh, ishte e pamundur pa u shprehë ai; pritej fjala e mendimi i tij. Orator i lindur e artist prej natyre, me gjestikulacione të gjetura e të përmbajtura, me një zë  karakteristik, kumbues e metalik, herë pajtues, i shtruar e i qetë si lumë fushor, herë të ngritur e imponues, me pauza e digresione spontane, me fjalë të gjetura e ngarkesë emocionale, por edhe rrëmbyeshëm e kërcënues si lumë malor. Ka pasur e ka të tillë sa thamë më lart, por janë të  radhë ata me një mendje të hollë e logjikë si ai ; argumentues i zoti, njohës i traditave, kodeve e mendësive të kohës, psikolog i pa shkollë.

Edhe pse i pa arsimuar, qe diplomat popullor i shkallës së lartë, parashikues i situatave e aleancave në mjedisin rrethues, pse jo edhe racional e pragmatist( kush më shumë e kush më pak, cili në jete nuk qe pragmatist).

Atdhetar, energjik e i palodhur, trim e mikpritës, respektues për çdo shtresë, punëtor i jashtëzakonshëm, arsimdashës i zjarrtë ( 6 nga 8 fëmijët e tij kanë mbaruar shkollën e lartë).

Gëzonte respekt e kishte shumë autoritet, por kishte edhe kundërshtarë siç ndodhë kudo. Duronte e dëgjonte me vëmendje, por, kur teprohej, e "zhveshte shpatën" e ishte sfidues e i papërmbajtur përballë rreziqesh me pasoja të rënda; triumfonte kundër shpifësve e arrogantëve.

Në raste gëzimi e hidhërimi, i printe gjithmonë karvanit si bajrak, e hijeshonte kuvendin ndaj kërkohej e respektohej.

Nga miq e "armiq" shumë është folur e flitet për këtë njeri me vlera të pamohueshme. Jeta e tij e hapur, por edhe me mistere e enigma të pathëna. Në vitet `50 e `60, flitej se ka qenë anëtar i Partisë Social Demokrate ilegale të kryesuar nga Pjetër Arbnori, se ka mbajtur me bukë e strehuar kaçakë e diversantë, se ka sabotuar në fshehtësi   ngritjen e kooperativës bujqësore, se kishte krushqi me familje me përbërje të keqe politike, se njihej e vlerësohej nga qeveritarë të lartë, se shumë direktiva e vendime Partie para se të shtroheshin në popull, konsultoheshin me Pepën, se ka bërë pajtime të fshehta në familje e mes familjesh, mes kuadrosh e grupe kundërshtare, mes fshatrash e fisesh. Me drejtësinë e mençurinë e spikatur ishte sugjestionues e imponues; për shumë vite kryetar i këshillit popullor të fshatit, anëtar e zëvendëskryetar i komitetit ekzekutiv të lokalitetit e më vonë të këshillit të bashkuar të kooperativës bujqësore Shëngjergj  apo në forume të tjera.

U përpoqën ta frenonin e ta nënshtronin, por nuk ia dolën dot. Dështakët e kundërshtarët ( madje edhe kuadro parie e pushtetarë) e sulmonin për probleme politike e  njolla  në biografi me akuza të rënda që kushtonin shumë, të qëna e të  paqena, por qëndroi si lisi në furtunë e çdo herë doli fitimtar.

Për 15 vite në Tiranë bëri një jete aktive në shërbim të familjes e komunitetit.

I palodhur e këmbëngulës, me shokë e miq, me  zyrtarë e pushtetarë, i ndiqte ditë për ditë punët e problemet e shumë prej tyre u zgjidhën: për legalizimet, për dritat elektrike, për rrugë e kanalizime, për ujëra të zeza e të bardha, pa harruar  përkushtimin maksimal për të bërë model shtëpinë e bahçen përreth. Ai nuk e kishte lexuar poetin e famshëm Geten gjerman, por kush më  mirë se ai e zbatoi mesazhin e tij për një jetë aktive e të dobishme në të gjitha periudhat e jetës së njeriut.

I tillë qëndroi deri në janar të vitit 2011, kur një arrest kardiak ia pushoi zemrën. Rrallë kam parë aq shumë njerëz në një përcjellje mortore.

Lush Pep Martinaj i peripecive e suksesit

Lush Pepa, ndër 8 fëmijët e Pepë Ndreut, qe më i vogli; siç dihet, 6 prej tyre me shkollë të lartë. Kur lindi u gëzua i madh e i vogël, jo se nuk kishte mashkuj kjo shtëpi, por do t`i shtohej më vonë edhe një burrë këtij trualli.

Si fëmijë i pleqërisë u desh e u respektua si të ishte i madh; rritej e hidhte shtat çdo ditë e në trup e në mendje i ngjante shumë të atit.

Shkollimin e parë i kryen në Curraj, ndërsa arsimin 9-vjecar e të Mesëm të Përgjithshëm në qendër të krahinës së Nikaj- Merturit.

Më vonë ndjek studimet universitare për mjekësi të përgjithshme e i përfundon në vitin 1994.

Për arsye të lidhjeve familjare e detyrës sime si mësues e drejtor për shumë vite ruaj shumë kujtime për intelektin e natyrën trazovaçe qysh se i vogël. Shkolla ku mori maturën qe e Mesme e Bashkuar, bujqësore plus gjimnaz plus 9- vjeçare. Lushi qe në maturën e parë të Gjimnazit, degë e hapur në vitin 1985, disa vite më vone se Bujqësorja (1976).

Qysh në ditët e para ra në sy në rrethin shoqëror e ndër mësues, ndonëse nuk ishte krejt i panjohur. Ndër më të mirët nxënës, me një intelekt të lindur, me një zhdërvjelltësi e sedër pozitive, hiperaktiv e pasionant.

Me ditë të tëra qëndronte ndër më të mirët me rezultate maksimale, por kishte edhe " punë të tjera", ndaj shpesh edhe luhatej e përsëri dilte në krye. E rrëmbente sporti, veçanërisht futbolli, gjimnastika e atletika.

Në atë natyrë fantastike e plot diversitet e larushi rrëmbehej nga udhëtimet, ngjitjet alpine, nga flora e fauna, nga bora e madhe e ortigjet e shumta. Arena ku shpërthenin energjitë e tij ishin Fushat e Kole Balës, kodra e Korrenit, pyjet e shkëmbinjtë e Rrukut, mjediset e Shkollës së Mesme e sa e sa vende të tjera të paharruara. Lumin e Merturit e kishte jo larg shtëpie, ku mësoi not qysh në klasat e fillores. Shumë kohë kaloi brigjeve të atij Lumi me ujë kristal e reflekse marramendëse.

Nga Rrasa e Currajve e Shkëmbi i Mulajve, mes atyre pamjeve mahnitëse, të bukura e madhështore, ku përbirohej me vështirësi ai lumë e deri sa derdhet në Dri, Lushi edhe sot përshkruan me nostalgji çdo pus, çdo rrase guri e shkëmbhedhje, shelgjet e myshqet, shtjellat, pragjet e ujëvarat, rrjedhat e qeta e të rrëmbyeshme, cekëtinat e puset e thellë sterrë të zi, ku veçon Pusterrin e Urevajës që "nuk i gjendet fundi", me mistere e legjenda të frikshme. Përmend llojet e peshqve e ngjalave, ku veçon troftën e famshme pikaloshe të kuqe, tregon për shpella e strofulla ku rrinin egërsirat e malit...Kënaqej e harlisej, po prap mendjen e kishte te mësimet; edhe pse i lodhur librat nuk i lëshonte nga dora deri pas mesit të natës. Me aq studim që bënte, rendimenti ishte maksimal, se edhe koha nuk i mjaftonte.

E shohim ne rolin e liderit, të gjykatësit e avokatit, të komentatorit, arbitrit e trajnerit, të lojtarit e kapitenit, të partizanit e ballistit, të heroit e të burgosurit, të ndërmjetësit e pajtuesit. Rritej e përvijonte personalitetin e tij, sidomos në dy vitet e fundit.

Aktivizohej në konkurse e olimpiada, në tryeza shkencore, në veprimtari artistike e sportive, por interesat më shume i shfaqte në lëndët matematikë- biologji e edukim fizik. Në një Olimpiade Matematike në nivel Kombëtar zuri vend të dytë ( edhe e motra Gjystina, në vitin 1984 ishte pjesëmarrëse e grupit të Recituesve të Shkollës së Mesme Lekbibaj që përfaqësoi Tropojën në një Konkurs Kombëtar në Gjirokastër).

Dashuria e përkushtimi, kërkesa e llogarisë, shembulli pozitiv, frymëzuesit e engjëjt mbrojtës nuk i mungonin as në familje, por e nxisnin për më shumë punë e përparim; i ati disi më i rreptë e kërkues, vëllezërit e motrat më të ngrohtë: Ndreu, Agetina, Prela, Natasha, Gjystina ( respektivisht mjeku, inxhinierja, juristi, mësuesja, ekonomistja).

Mbaron Maturën me rezultate shumë të mira e fiton të drejtën për Studime Universitare në Mjekësi te Përgjithshme, degë fort e kërkuar në çdo kohë. Në ato vite filluan edhe ndryshimet e mëdha Demokratike.

Pa mëdyshje rreshtohet krah Rinisë Studentore me moton " Liri Demokraci", " Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropën". Kontributet e tij janë të dukshme e të vlerësuara, por nuk pajtohet me teprimet e spekulimet që bëheshin në dëm të demokracisë, sidomos me dhunën e  vandalizmat.

I vëllai, i nderuari doktor Ndreu, ish student i shkëlqyer i Berishës, me respekte të ndërsjella, preferoi të vazhdonte punën e mjekut të përkushtuar në Spitalin e Tropojës. Këshillat e tij të urta për Lushin ishin udhërrëfyes në ato kohë të trazuara, veçanërisht ajo për përfundimin e shkollimit.

Disi edhe i zhgënjyer, pas përfundimit  të studimeve Universitare ëndrra e synimi i tij ishte Amerika, për atë vend të bekuar të demokracisë e qytetërimit, ku vlerësohen e respektohen vlerat e njeriut e puna. Në pranverën e vitit 1996 me plot fantazi e ëndrra të guximshme prek tokën e shenjtë të atij vendi. Dilema e tij: t`i përkushtohej mjekësisë apo të provonte aftësitë e vullnetin në atë Perandori vlerash e përpjekjesh, lider botëror, në themel të  cilit janë demokracia e konkurrenca e vlerave.

Jo pa dhembje e ndrojtje zgjedh të dytën: temperamenti i tij nuk e lejonte të zgjaste me vite me shkollë e provime pa prekur suksesin. Pa shumë përvoje rriskon, provon e "eksperimenton". Shpesh edhe dështon, por prek edhe suksese që i ngjallin optimizëm. Si i thonë fati ndihmon të vullnetshmit, suksesi sjell suksesin. Punon në një kompani ndërtimi sipas tij me një biznes modest. Këto ditë të ndërrimit të viteve 2020-2021 disa telefonata e  biseda shumë interesante, plotësim i atij boshllëku e përmallimi shkaktuar nga largimi i tij prej 25 vitesh.

...Kur u shpreha ngushëllimet familjes Martinaj për vdekjen e Zojë Rexhes, fëmijët nga Amerika akoma nuk kishin ardhur. Unë në pamundësi për të marrë pjesë në ditën e varrimit, sipas traditës shkova për një kafe në ditën e tretë me shpresë për t`i ngushëlluar e shëndoshur kryet, ndërkohë ata ishin larguar për shkak të problematikave serioze të transportit shkaktuar nga gjendja e rënduar e Pandemisë Covid-19.

Pak ditë me vonë mora në telefon Lushin, ish nxënësin tim për disa vite. Disa biseda të shpeshta, edhe me orë, jo vetëm hapën një kapitull të ri, shfaqën e shpluhurosën kujtimet e së kaluarës, por krijuan edhe një realitet të ri njohjeje; pyetmë hollësisht  e treguam  për jetën e njeri-tjetrit,  për arritjet e dështimet.

Nga njohjet e hershme e takimet e mëvonshme, nga komunikimet e  bisedat e ditëve të fundit, me sa kuptova e konkludova, u shfaq një pamje e perceptim i ri, besoj se objektiv e i pa deformuar, i pasuruar e plotësuar me të dhëna e fakte origjinale.

Po veçoj sa më poshtë:

1- Një familje të mrekullueshme e konsoliduar, gruaja mjeke e respektuar me origjinë nga një dere e njohur e Nikaj-Merturit; dy vajzat e djali në hullinë  e shkollimit bashkëkohore( vajza e madhe vazhdon për inxhinieri në një ndër shkollat elitë ).

Menaxhon  një biznes modest privat me arritje të  kënaqshme( unë them më shumë se modest).

2- Është me pikëpamje republikane në krah të ish-presidentit Tramp. Me datë 6 janar 2021 ka udhëtuar mbi 4 orë për në Uashington në përkrahje të tij, për të cilin përmend kontributet për një Amerikë më të fortë e të pasur, por edhe disa rezerva në metodën e drejtimit.

3- Duke dënuar dhunën e veprimet agresive, është kundër politikave demokrate për stimulimin e një shtrese emigrantësh a banorë vendas mbështetur në një lloj parazitizmi nëpërmes asistencave sociale.

4 –Lushi (tashmë 51-vjeç) ruan lidhjet me rrethin familjar e shoqëror, jo vetën nga mërgata, por edhe nga Shqipëria, lidhje me mendje e zemër që transmetohen e kultivohen edhe tek brezi i ri. Jo vetëm telefonatat e marrja pjesë në raste gëzimesh e hidhërimesh, por edhe ndihma materiale e monetare tek disa të afërm për nevoja ekonomike,  për  përballim kujdesi e sëmundjesh, për vizita mjekësore e barna, për rregullim vizash e pasaportash a ndonjë sponsorizim, me merakun për të bërë më shumë.

5-Më shumë për të respektuar dëshirën e babait në Curraj, zgjeron e bën meremetime në shtëpinë ekzistuese, blen tokë e pemëtore duke respektuar me fanatizëm normat e kodet e vendit  bazuar edhe në ligjet e kohës.

Në Tiranë ndihmon për blerjen e një shtëpie dy katesh, por edhe në rregullimin e mjediseve rrethuese përfshirë ngritjen e lulishtes, vreshtit e një pemëtore të vogël.

6- Respekti i tij për ish mësuesit e pedagogët e nderuar.

Edhe për mua shprehë mirënjohje, konsiderata e vlerësime maksimale, aq sa e ndjej veten disi keq, se më duken të tepruara, ndërsa atij i mbetet merak se ka thënë pak.

" Përveç familjes sime, dy idhuj kam në jetën time: Ju dhe pedagogun e shkollës së lartë Gjergj Minga. Ju nuk e dini sa ju kam dashur e ju dua edhe sot"-shprehet me emocion.

Rri e mendoj, gjykoj e arsyetoj për vitet e gjata në arsim, për moshën time të adoleshencës e rinisë, të cilat më ngjajnë me këta moshatare të atyre viteve, ku shoh një pjesë të rëndësishme të jetës sime.

Lushi e një kategori e konsiderueshme moshatarësh, me temperament në mes të kolerikut e sanguinit, duheshin mbajtur afër, këta tipa kishin shumë energji e ëndrra të guximshme, ato duheshin menaxhuar e trajtuar me kujdes profesional e kthyer në realitet . Këtu duket zotësia e mësuesit e drejtuesit. Ndjej kënaqësi e krenari ( jo mendjemadhësi) për aq sa kam bërë, pse jo edhe më shumë. E ndjej veten edhe më mirë po qe se puna ime dhe e kolegëve kanë ndikuar pozitivisht në të ardhmen e Lushit e dhjetëra brezave që kemi mësuar e edukuar.

Në këtë kohë Pandemie të frikshme të fillim vitit 2021,( nga Saint Genis -Pouilly, në pjesën franceze afër Gjeneve), falë mundësive që ka krijuar TIK ( teknologjia e informacionit e komunikimit), kam qenë në kontakt me biseda të ngrohta e miqësore me shumë ish nxënës që jetojnë në Evropë e Amerikë : Jetnor e Visar Vukaj, Lush Martinaj, Bardhyl Ukcamaj, Skender Perpepaj, Ndreke Gjonpalaj, Ndokë e Filip Vukaj, vëllezërit Palnikaj ( djemtë e Nikollë M. Sadrisë ) e Pjetër nikaj ( djemtë e Nikë Murrecit), Deton Deda, Dritan e Agim Imeraj, Dedë Kroni, Leonard Martini, Nikë Hasaj, vëllezërit Susaj( djemtë e Gjon Ukë Gjonit) e Bushati ( djemtë e Pjetër e Prekë Palit), Sander Lekaj etj.

Dhëntë Zotit, këta ish nxënës e sa e  sa të tjerë, brenda e jashtë vendit, të ruajnë e forcojnë shqiptarizëm, të kenë shëndet e sa më shumë suksese për vete e për familjet e tyre.

Saint Genis Pouilly, Francë, 12 prill 2021