Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Ideologji të mbrapshta antishqiptare

| E shtune, 15.05.2021, 08:28 PM |


Blerim Latifi:

Në vjeshtën e vitit 1912, kur filloi Lufta Ballkanike, ushtritë serbe, pa ndonjë qendresë serioze, e pushtuan Kosovën. Nga Merdarja deri në Shkup, nga Mitrovica deri në Prizren, ato kryen masakra nga më mizoret mbi shqiptarët. Qëlluan dy hebrenj, reporterë lufte, Leon Trocki dhe Leo Freundlich, të cilët ia dëshmuan botës ato mizori. Edhe sot dëshmitë e tyre janë dëshmitë e vetme që kemi për mijëra shqiptarë të vrarë e qindra fshatra të rrafshuara nga ushtria serbe gjatë asaj vjeshte në gjithë Kosovën. Dëshmitë tona, ndërkaq, janë vetëm disa këngë folklorike, si ajo që tregon invazionin total serb: "Hajmedet çka na ka kanë, na ra shkau në katër anë, n'katër anë hajmedet, s'mund e pritën as deri n'drekë".

Sot, të rinjtë e Kosovës, shumë prej tyre të indoktrinuar nga ideologji të mbrapshta antishqiptare, nuk ia kanë idenë e përmasave të kësaj tragjedie kombëtare dhe rrjedhimisht as idenë se kush ishin miqtë e kush armiqtë e atdheut të tyre. Një popull që nuk është në gjendje t'ua transmetojë gjeneratave të reja të kaluarën e tij, e ka të vështirë ta ruaj identitetin e tij, sepse, siç thotë historiani i madh britanik, Eric Hobsbawm, kombi pa të kaluarën është term i pakuptimtë.Hiqjani një kombi të kaluarën dhe të jeni të sigurtë se edhe të ardhmen do t'ia shkatërroni. Njëjtë siç merr fund e ardhmja e një individi që ka humbur kujtesën.

______

Liria jonë është e paplotë pa lirinë e Palestinës! Si ta kuptojmë këtë parullë? Do të thotë se Kosova e pavarur nuk është liri e plotë e për t'u bërë e tillë u dashka me shku me hy në Hamas e Hezbollah e me gjujt raketa të Iranit në Izrael. Këto janë parulla të tipit "Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni!" Internacionalista t'lodhtë. Karikatura të antisemitizmit të majtë. Dhe, të mos harrojmë: keqpërdorues të shkronjave të gjuhës shqipe.