Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Kënga e lamtumirës
E enjte, 13.05.2021, 09:06 PM
KËNGA E LAMTUMIRËS
“Fluturoi dhe shtërg’ i fundit, madhështor,
me shpirt të gjorë
duke shkuar që me natë, sipër malesh me
dëborë”
“Vallja e
yjeve”, Lasgush Poradeci
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Të nderuar nxënës,
Me “Këngën e lamtumirës” e fillon poeti anglez Bajroni
(George Gordon Byron, 1788-1824) epin e vet udhëpërshkrues “Shtegtimet e
Çajlld Haroldit” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812), në çastin dramatik kur
u nda përgjithmonë nga çdo gjë angleze.
Stacion pa ndarje nuk ka. Edhe ne mbërritëm në stacionin
e ndarjes, e ndarje pa dhimbje nuk ka. Më duhet t’ju lë, një muaj pa mbaruar
viti shkollor. Kjo është akoma më e dhimbshme.
Ndonëse procesin e ligjërimit e realizuam nga distanca,
megjithëkëtë arrita ta kuptoj shpirtin tuaj të dëlirë, etjen e madhe për
dituri, dëshirat e zjarrta për ta njohur të panjohurën, zgjuarsinë dhe ambiciet
tuaja për ta përthithur dijen, ëndrrat tuaja për të qenë në rrugën e dritës.
Gjatë periudhës sa qemë bashkë, pashë te ju brezin e
ndërgjegjshëm të nxënësve që do të jetë i aftë për t’u ballafaquar me çdo sfidë
të kohës. Kurrë të mos i harroni detyrat tuaja parësore – librin, shkollën,
arsimimin, rendjen pas diturisë. Naimi thotë: “...dhe dritë e
diturisë përpara do na shpjerë”. Ju ndodheni në moshën kur fillon
edhe ndërtimi i personalitetit tuaj dhe forcimi i karakterit. Të mësuarit do
t’ju bëjë më të emancipuar, më të edukuar, më të ngritur, më të formuar dhe më
të kulturuar. Dituria është perspektiva juaj, është e ardhmja juaj. Është ajo
që ju ndan nga terri i injorancës dhe errësira e provincializmit.
Kur të kryeni arsimimin e mesëm, ju sugjerojë që t’i
ndiqni studimet universitare. Të studioni në universitetet tona, por edhe të
Perëndimit. Kontakti me botën do t’ju mundësojë të njiheni me qytetërime dhe
kultura të reja, me vlera universale. T’i përkushtoheni vetes dhe prindërve tu
të cilët s’kursejnë dot asgjë për t’ju nxjerrë në rrugën e mbarësisë dhe për
t’ju parë në botën e lirisë. Të mësuar dhe të ngritur, do të jeni të dobishëm
për shoqërinë dhe për këtë popull. Ju nuk jeni brez i humbur, jeni brez i
shpresës së madhe, jeni fatosa të së ardhmes, të bukës së bardhë, të integrimit
në familjen e botës së qytetëruar.
Në tempullin e perëndisë së lashtë greke – Apolonit në
Delfi ndodhej mbishkrimi: “gnothi seaton” (njihe veten). Ju jeni
bij dhe bija të ilirëve. Gjuha juaj është bijë e ilirishtes. Jeni rrënjës,
autokton në të gjitha trojet arbërore, kudo që flitet shqipja, kjo gjuhë e
Perëndisë, sikundër kanë thënë Naimi dhe Gjergj Fishta.
Jeni stërmbesa dhe stërnipa të Gjergj Kastriotit,
kryezotit të mesjetës. Në zemër i keni rilindësit tanë që u
flijuan për shqiptarinë. Ju krenoheni me Nënë Terezën që një jetë të
tërë ua përkushtoi të varfërve të botës. Ju e lexoni Kadarenë, të
përkthyer në 47 gjuhë të rruzullit. Krenoheni me dy detet e Shqipërisë –
Adriatikun dhe Jonin. Krenoheni se shqiptarët janë ndër popujt më të lashtë të
gadishullit. Kurrë s’do të harroni se Shqipëria shtrihet deri aty ku bukës i
thonë bukë dhe ujit ujë. Gjatë gjithë historisë së tyre shqiptarët kanë ecur
nëpër tehun e shpatës. Lirinë e kërkuan ndër shekuj.
Për këtë sasi lirie që keni, dikush është flijuar. Liria,
të drejtat s’kanë rënë nga qielli. As jua ka falur kush. Prindërit dhe
gjyshërit tuaj kanë sakrifikuar. Kosovën ta keni në zemër. Për çlirimin
e saj prej pushtuesve serbë, shqiptarët luftuan mbi një shekull. Forconi
miqësinë me ShBA-në.
Sidoqoftë, të kaluarën lërjani historisë. Merruni me të
tashmen, me të sotmen, për të ardhmen më të mirë, më të lirë. Të gjitha energjitë
tuaja kushtojani të tashmes dhe të ardhmes. Kurrë të mos bëheni ksenofobë,
urrejtës të të tjerëve, të të huajve. Dojini popujt e botës, pa dallim
përkatësie etnike, racore apo fetare. Duke qenë shpresë e popullit tonë,
vendosni ura komunikimi dhe bashkëpunimi me popujt e botës. Para vetes të
shihni njeriun dhe jo të huajin. Shkrimtari kroat Mirollav Kërlezha
(1893-1981) thotë: “Njerëzit nuk e duan njëri-tjetrin, ngase nuk njihen”.
Pra, njiheni botën që ta doni atë dhe që edhe ajo t’ju dojë. Mos u veçoni, mos
u izoloni. Jini të guximshëm, mbrojeni të vërtetën. Para të keqes, qëndroni të
patundur, si një mali vetmuar. Mos u nënshtroni kurrë dhe para askujt. Bota ju
takon juve, jeta është e juaj.
Refuzoni ideologjitë totalitariste dhe diktatoriale, tiranike
dhe despotike, autoritare dhe autokratike. Përqafoni vlerat demokratike dhe
universale. Luftojeni oportunizmin, konformizmin dhe demagogjinë. Në qendër ta
keni njeriun. Shkrimtari dhe filozofi francez Monteskjë (Charles-Louis
de Secondat Montesquieu, 1689-1755) thotë: “Në radhë të parë jam njeri,
francez jam rastësisht”.
Tregohuni solidarë ndaj tjetrit, ndaj të tjerëve.
Dijeni se dikush ka nevojë për solidaritetin tuaj. Solidarizim nuk është vetëm
e mira materiale. Mund të solidarizohesh edhe me një fjalë të mirë. Ndodh që
edhe ju të keni nevojë për solidaritet nga të tjerët. Qëndroni pranë
nevojtarit, dilni në ndihmë të tij. Kultivoni ndjenjën e humanizmit, ndaj
njeriut dhe çdo gjallese.
Bëjuni tolerantë ndaj tjetrit, respektoni mendimin
ndryshe. Dëgjoni tjetrin kur flet. Shkrimtari dhe filozofi francez Alber
Kamy (Albert Camus, 1913-1960) thotë. “Ekziston e drejta jote, por edhe
e drejta ime”. Mos harroni se liria juaj përfundon aty ku fillon liria e
tjetrit. Liria e pakufizuar mund të shndërrohet në dominim.
Përvetësoni vlerat bashkëkohore dhe flakeni nga psikologjinë dhe mendësinë
provinciale. Mos humbni kohë me përgojime dhe thashetheme. Provinciali
është shpirt meskin, shpirtvogël, zemërngushtë. Bota është më e madhe seç na
shohin sytë. Zgjerojeni horizontin tuaj të gjykimit. Mos u bëni arrogantë,
megalomanë apo mendjemëdhenj. As narcisoidë, njerëz që pëlqejnë veten. Mos u
tjetërsoni kurrë, jini ata që jeni dhe mos u bëni vegël e askujt. Puna me nder
dhe mësimi permanent, i vazhdueshëm ju sjellin pavarësi personale. Mos lejoni
t’jua cenojnë dinjitetin dhe integritetin. Që sot duhet të mësoni sesi të
gjykoni me kokën tuaj. Mbroni të drejtat gjinore dhe refuzoni çdo lloj
diskriminimi. Bazohuni në forcat tuaja dhe mos pritni shumë prej të tjerëve. Punoni
me nder dhe mos i hapni rrugë të pandershmes. Suksesi juaj le të jetë fryt i
punës dhe i mundit tuaj. Askush s’e gëzon dot atë që është krijuar në mënyrë
abuzive, të pandershme.
Dijani vlerën asaj që keni dhe punoni për më tepër. Mos u
bëni lakmitarë dhe të pangopur. Mos u bëni robër të makutërisë, të pangopësisë.
Mos i mbani sytë vetëm kah materialja. Kërkoni pranë jush edhe shpirtëroren.
Flakni nga vetja anët e liga që i ka njeriu – egoizmin, xhelozinë, smirën. Mos
lejoni t’ju ikë koha e artë. Ajo nuk kthehet kurrë.
Shmangni nga kokat tuaja paragjykimet. Të
menduarit me paragjykime është i gabuar. Të keqen mos e ndëshkoni, përkundrazi
shërojeni atë. Madhështi është falja dhe jo hakmarrja. Tregoni mirëkuptim për
gjendjen e palakmueshme të tjetrit. Mos shkoni në skajshmëri, mos u bëni
ekstremë. Mos lejoni t’ua shpëlajnë trurin. Mësimi i gabuar mund t’ju bëjë
nacionalistë folklorikë apo edhe anacionalë, fetarë apo antifetarë dhe ateistë,
marksistë apo antimarksistë. Mos u bëni nacionalistë folklorikë apo shovinistë.
Punoni për paqe dhe qëndrueshmëri, për stabilitet. Nga konflikti askush s’del
fitues, të gjithë dalin humbës. Lufta dhe konflikti mbjellin varfëri, i çon
nënat në zi, i shpie popujt buzë greminës, honit dhe humnerës. Mos jetoni në
mite dhe në legjenda. Mos jetoni me mite dhe me legjenda. Mitet dhe legjendat i
takojnë periudhës parahomerike. Shekulli juaj është kohë e
internetit, e kompjuterit, e telefonisë celulare, e komunikimit satelitor, e
rrezeve laser. Shkoni në hap me kohën. Kur të vijë koha, bëjuni pjesë e
proceseve politike, sociale, kulturore të shoqërisë. Luftoni për lirinë e
fjalës. Punoni që bota shqiptare të ndërtojë shtet ligjor. Liria e
individit është e paprekshme. Gjejeni veten në shoqëri. Kur të kualifikoheni,
punësohuni dhe bëjuni të pavarur. Kur t’ju vijë koha krijoni familje.
Familja, sa gjë e shenjtë, e shtrenjtë, ëndërr e çdo prindi për fëmijën e vet.
Mos e braktisni vendlindjen tuaj,
mos i zbrazni vatrat tuaja, mos i shpopulloni trojet tuaja etnike historike,
tokën e të parëve. Evropën silleni ndër
shqiptarë, evropianizoni botën shqiptare dhe tërë Ballkanin. Bashkimi Evropian
është një botë pa kufij. Duke iu bashkëngjitur BE-së, do të bashkohen
edhe shqiptarët, madje pa luftë.
Rrezatoni energji pozitive, jini optimistë, mos i jepni
rrugë pesimizmit dhe nihilizmit. Nihilizmi është
mohim i plotë i të gjitha parimeve, i traditave dhe i bindjeve apo besimeve të
ngulitura. Bazarovi i romanit “Etër e bij” të shkrimtarit rus Ivan
Turgenjevit (1818-1883) mohonte vendosmërisht të gjitha parimet dhe
traditat e kulturës fisnike.
Lexoni filozofin dhe eseistin gjerman Artur
Shopenhauerin (Arthur Schopenhauer, 1788-1860), filozofin dhe poetin
gjerman Fridrih Niçen (Friedich Nietzsche, 1844-1900) dhe dijetarin,
psikiatrin dhe eseistin austriak, Zigmund Frojdin (Sigmund Freud,
1856-1939), por vullneti juaj nuk duhet të jetë forcë e verbër
shtytëse, pa qëllim ose drejtim. Ndryshe, mund të përshkoheni nga
pesimizmi i Shopenhauerit.
Etërit dhe gjyshërit tuaj kanë punuar që bota shqiptare
sot të mos jetë ajo e kohës së Gjon Zaverit të Sterjo Spasses (1912-1989).
Dojeni jetën, ajo është e juaja.
Intuita dhe nënvetëdija
vlejnë kryesisht në botën e artit, të filozofisë dhe të
psikanalizës. Arritjen e drejtpërdrejtë të së vërtetës, pa ndihmën e provës
apo të eksperimentit dhe pa ndihmën e përfundimeve logjike do ta gjeni te intuitizmi
i filozofit dhe shkrimtarit francez Anri Bergsonit (Henri Louis
Bergon, 1859-1941).
T’i besoni përparimit, lëvizjes para, por jo sipas
parimeve të realsocializmit. Kurrë mos e pranoni një realitet
të lustruar. Estetika bolshevike do të jetë e papranueshme nga ju. Sot
e mot. Historia s’njeh ngecje as lëvizje prapa, përpos në kohë zezonash,
gjëmash të mëdha.
Mos urreni, reflektoni dashuri dhe vetëm dashuri. Dashuri
ndaj të bukurës. Në shekullin XIX parnasistët francezë thoshin: “Asgjë
s’është më e bukur se ajo që nuk ekziston”. Jo, s’mund të jetë ashtu.
Përkundrazi, e bukura ekziston. Ajo jeni ju. Zbuloni fshehtësitë, misteret e
botës nëpërmjet studimit – matematikës, shkencave të natyrës dhe informatikës.
Dojeni mjekësinë dhe hiqjani dhimbjen një të sëmuri.
Gjatë gjithë jetës, kudo që të jeni gjykoni me
arsye, me rezon, me mendje. Asgjë nuk ekziston jashtë arsyes,
jashtë rezonit, jashtë gjykimit me mendje.
Askush s’e di në do të vijë ndonjëherë Godoja e Semjuel
Beketit. Estragoni e priti gjatë gjithë jetës dhe ai s’erdhi. Do
ta pritni edhe ju, sikundër e pret e gjithë bota. Mos u dëshpëroni nga pritja
pa fund. Pritja fund nuk ka, por Estragoni po, fund ka. Pritja deri në
pafundësi është fatalitet i njeriut që aktron në teatrin absurd
të një kohe që të tjetërson pamëshirshëm.
Mos humbni kohë për ta gjetur vendvarrimin e Melkiadit.
Fshatarët e Makondos s’lanë vend pa e kërkuar, s’lanë dy gur bashkë, por më
kot. Në botën markeziane askush s’ka mundur të zbulojë diç.
Megjithëkëtë, ju mos e leni pa e parë dramën e Makondos. Është një botë
magjike. Botën markeziane e keni kudo rreth jush. Makondo, jemi ne.
Mos lejoni të shkelin mbi ndërgjegjen tuaj ambiciet
makbetiane. Ati i tragjedisë moderne, Shekspiri, vdekjen e solli
në skenë. E solli për të na mësuar sesi nuk duhet vrarë ëndrrën e pafajshme.
Analizoni mirë dilemat hamletiane dhe pyetni veten: “Përse
Hamleti nguron të veprojë?!”.
Fatin tuaj mund ta kërkoni në çdo cep të rruzullit, por
para se të përshkoni shkretëtirën për të arritur te këmbët e piramidës së
Kefrenit, shikoni njëherë rreth e rrotull. Një ditë, djaloshi Santiago i Paulo
Kueljos u ul buzë lumit Madeira dhe qau. Mësoi se fatin e kishte pasur
aty pranë vetes, por ai s’e kishte parë.
Ndaluni dhe gjykoni plakun Santiago të Hemingueit.
Gjatë përleshjes treditëshe për jetë o vdekje me përbindëshin oqeanik në rrymën
e Golfit, tha: “Po, hëna s’ka si
gjuhet, por ky peshk, sado gjigant, do të gjuhet se s’ka”. Rrugës për në
breg, iu vërsulën peshkaqenët. Në breg nxori vetëm skeletin e gjahut gjigant.
Në ujërat e trazuara – peshkaqenët, ndërsa në botën përreth – hienat. Dhe
njeriu ndodhet midis skiles dhe haribdës.
Kalorësin e Servantesit - Don Kishotin mos
e merrni lojë argëtimi. Ata që e cilësuan si të marrë, një ditë
krejt pa pritur, për këtë hero të mesjetës dhe për vete – kanë qarë.
Jozef K-në e Kafkës e ndoqën gjatë gjithë jetës. E
fajësuan dhe e vranë. Ai nuk arriti të mësojë se kush e syrvejonte në çdo hap
dhe përse. Nuk arriti të kuptojë se cili ishte faji dhe mëkati i tij. S’ia
dolli të dijë përse akuzohej. Për ta mbrojtur lirinë e individit nga tirania e
pushteteve despotike, autoritare dhe totalitare një ditë do t’ju duhet të depërtoni
në labirintet e botës kafkiane. Mos pandehni se koha e Vëllait të
Madh të botës orueliane ka kaluar përgjithmonë.
Mersoi i Alber Kamysë vrau njeriun “për
shkak të diellit”. Priftit që e vizitoi në qeli i tha: “Mos u lutni
për mua, jam ateist”. Gjatë varrimit të së ëmës, ai nuk kishte qarë. E
shpallën të pashpirt, e ekzekutuan. “Vrava për shkak të diellit” –
mësoni thelbin e këtij arsyetimi. Gjyqësia evropiane e asaj kohe nuk ia doli ta
zbërthente. Merso ishte një i ri pa vlera kolektive, mezi një individ.
Mos pyetni se kush e solli Doruntinën. Mësoni përse ajo
nuk erdhi në kohë. Ardhja e saj me vonesë shkaktoi edhe dramën tragjike të
Zonjës Mëmë.
Kush e theu prillin shqiptar, muajin e pranverës. Kush e
pengon dhe e vonon sot pranverën shqiptare, muajin e jetës? Prilli i thyer, kjo
metaforë e ndaljes së shqiptarëve.
Dielli shqiptar lind në Perëndim.
*
* *
Ky aeroport i ndarjes nuk do të më pengojë që të jetoni
në kujtesën time, në shpirtin tim. E bukura është e përgjithshme, e përhershme
dhe e pandryshuar. (Platoni)
Në të gdhirë të ditës së
re, 11 maj 2021, ora 6:12