| E marte, 11.05.2021, 08:54 PM |
Nga Fritz RADOVANI:
O VLLAZEN
E MOTRA SHQIPTARË!
GJERGJ
KASTRIOTI SKENDERBEU
(1405
– 1468) (Skulptor O.PASKALI)
100 VJET perpara dy Burra Shqiptar dijtën me gjetë Ameriken…
Sot, mbas 100 vjetësh gjeni dy Burra Shqiptar dhe votoni per
Ata, që nder gjurmët e zdathuna të Imzot Luigj Bumçit e At Gjergj Fishtës, të
shkojnë dhe të gjejnë Permendoren e Presidentit të Nderuem Woodrow Wilson…
“Rilindja komuniste”
asht gropa e zhdukjes së Trojeve t’ Atdhetarëve tanë!
Hiqni dorë nga
qeverisja e “Rilindjes komuniste” antishqiptare, si dhe nga të perzgjedhunit
prej sllavit, turkut, grekut apo rusit “modern” stalinist…
Sot veprimet tua o pushtetarë të papushtet, vetem
përforcojnë thanjen e ambasadorëve të vitit 1913: “Shqipnia nuk duhet bashkue
me Trojet e veta se janë anadollakë oriental..”
Deri kur me shitësit tradhëtarë të Trojeve Shqiptare, për
interesa të kolltukut të tyne?
Deri kur o vëllazën e motra Shqiptarë, të namun e të
mallkuem nga Atdhetarët e Herojtë tanë mjedis Qytetnimit Europjan dhe jashta
saj?
Deri kur me drejtuesit përçarës hajdutë të Shtetit dhe të
Popullit Shqiptarë?
Deri kur me adhuruesit e droguem të marksizëm leninizmit
ateist e shkatrrimtarë?
Deri kur nën thundren e tradhëtarëve që na nxorrën nga
Europa e Përparueme?
Deri kur me drejtuesit e shtetit komunist të zgjedhun dhe
të ruejtun nga shovenistët serbë, ushtarë besnikë të bolshevikëve rusë?
Deri kur me politikanë që bredhin nepër Botë me ibrik në
dorë, të kallaisun nëper labirintet e Stambollit dhe “Konferencën Islamike”..?
Deri kur me pasuesit injorantë të tiranve Ever Hoxha e
Ramiz Alia me bedelat e sotem?
Deri kur, Ju pyes Ju, o Gurë të Zallit Kirit...e Ju, o
shkambijë në Bjeshkët e Nemuna, që plot 78 vjet ma parë filluet të parët me u
la me gjak nga dora tradhëtare e komunistve tonë, që për një kolltuk të qelbun
i sherbyen dhe po i sherbejnë edhe sot, hasmit, anmikut shekullor e të pangopun
me gjakun e Atdhetarve të Atyne Viseve krenare e të lavdishme, ku vdekja për
Atdhe e Fe ishte si me le...
Po, Ju pyes Ju, o Malësore Burrnesha, Ju, që nën
breshninë e plumbave bash të atyne gjaksorve katila, u çuet bukë e duhan Atyne
Burrave që s’e njohtën tuten edhe pse ishin të ngujuem e të rrethuem ç’ prej
shpellës Mëri Kokës, brinjë Cukalit, e deri ku Katrin Tomja me Shoqe rroku
armët e luftoi për Liri, bash sikur në 1911, nën drejtimin e Burrit Malësisë që
me Flamur në dorë, i tregoi Botës mbarë se kush janë Shqipet e Kastriotit, që
po fluturojnë edhe njëherë nga vrimat e gjuejtjeve të gjyleve turke të mbetuna
në Kështjellat e Krujes, Shkodres, Lezhës, Drishtit, Durrësit, Beratit e
Shqipnisë Heroike Etnike ku, Trimat e Saj aty ku venë kambën në tokë, aty
shpërthen vullkani i Lirisë!
Baballarët e këtyne tradhëtarve që po sundojnë janë ata
që vranë Dedë Gjo Lulin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Avni Rrustemin, Hasan
Prishtinën e Burrin me çakçirë të Kosovës Isa Boletinin... Fëmijët e tyne
katila të lindun dhe të paligjshem ndër kaçuba mrinash e ferrkuqesh të mbjelluna nga dora e Everit, Titos, Stalinit,
Ramizit e sa tradhëtarve vranë mizorisht e barbarisht edhe Bijtë e Bijat e
Atyne Atdhetarve që atë ditë të bekueme të 28 Nandorit 1912 me pushkë në dorë e
revole në brez, gjithnjë të përndjekun e të survejuem.., kanë ba e shpallë
Shqipninë e Pavarun dhe të Pavdekshme!
Hapni veshtë e ndigjoni gjamën që sjellë Veriu nga
shpella ku u tradhëtue Prek Cali me 118 Burra të Kelmendit, hapni veshtë e
ndigjoni zanin e Tyne, që buçet nga krojet e proskat ku komunistët hodhën
trupat e tyne.., me ngopë qejtë e serbit e të rusit t’uritun bolshevik me
drapen e çekiç, bash si bishat e terbueme të Kaukazit...
Hapni sytë e shihni Burrneshat e veja të Malësisë Hotit
ka psikamin me gjithë forcen e zanit të Tyne, ndër shpellat e cungat e Vrithit,
ku Shqipja shitoi Trimin e vet të madhin dhe të Pavdekshmin Gjelosh Lulin...
Hapni parzmin e shihni ka zemra troket e çaperdisun kah
kerkon me gjetë një “Shenjë” tek Ato gropa.., ku prehen edhe Sot Loçkat e Sajë,
të këputuna në Lule të Rinisë që nga: Mark Çuni e Muzafer Pipa, Kol Prela,
Gjelosh Lulashi e Qerim Sadiku, Paulin Pali, Caf Meti e Ndue Pali, Zef Kol
Prela e Pjeter P.Pali, Fahri Rusi, Prenkë Kaçinari e Xhelal Hardolli, Kolec e
Simon Deda, Mark e Llesh Gjomarkagjoni, Frano, Ndoc e Pëllumb Mirakaj, e deri
ku Shkumbini u skuq nga Alush Lushanaku e “Çeta e Hekurt”, po, deri atje larg
nga Kuçova prej Gjon Frano Lleshit e Pjetrit Gurakuqve tanë.., që Nana Shqipni,
nuk di me i le e me i mkue pshesh e buk’ e djathë kurrma Shokve të Tyne.
Vrojtoni me sytë Tuej që s’njohin çka asht lodja o Nana
Burrnesha e, nën ata çinar shekullor, kërkoni se nuk ka as Shenjë as Kryq ende
tek koka e Atyne Martirve t’Atdheut! Aty do të gjeni në një skutë nën një pishë
që rrjedhë ende sot lot rrëshine... “Fletët”
e djeguna e të zharituna të “Ungjillit” të Maleve, bash atë “Lahutën e
Malësisë”, që “kalbet”.., por nuk vdes se t’ jetë jeta!
E, pak ma andej.., asht rrashta e shporueme e Poetit
Ambelsisë.., të Madhit Zadeja.., ende Sot e mbështjellun nga duertë e Heroit
Demokrat Mark Çuni, me “Ruben e Kuqe”...
Ecni, ecni pa frikë, ecni kah Rozafa e shikoni aty ku
njëditë Ajo, e zemrueme i ndryshoi rrjedhën edhe atyne lumejve të rrembyeshëm,
ecni mbas asaj gjarpnushë të “pabesë” që thirret Buna e, shihni se Aty.., nën
shelqe, ku, Shqiptari ka gropen që thirret “Vorr”, ashtu, si të gjithë Herojt e
Martirët e Kombit tonë që nuk kanë Vorre as lapidare po, prehen nën degët e
tyne të lidhuna e të thuruna me Ta’ Kunorë Lavdije, e, Aty do të gjeni Gjakun e
djelmëve Bardhosh Dani, Mark Cacaj e Brahim Derguti.., se, ashtu, plumbat
komuniste vorrosen anë e kand Trojeve tona Rininë Shqiptare nder piramida.
E, dikund atje në dalje të saj, ndaloni, ndaloni, se bash
aty ku, gjarpnusha shkrryhet për stomije të veta që serbi zaptoi me dhunë, bash
aty, ku vuni kambën i pabesi për me i marrë frymen Bunës e Qytetit Teutës, ndër
gomna të saja janë Visaret e Kombit, Aty
prehen në Paqë, si Vllazen të një Atdheu, Ata që Kastrioti me Shpaten e Tij i Pagëzoi
me emnin Shqiptarë: Të gjithë sëbashku Katolikë, Muslimanë e Orthodoksë
që dhanë jeten për Një Shqipni të Lirë e Europjane. Kujtoni atëherë, kur
Adriatiku gufoi nga gjaku i derdhun mbrendë e me dallget e tija të harrlisuna
tronditi Romen, Beogradin e Athinën e Stambollin... Bash prej atyne stuhive që
u përplasën për Torren Ejfel e Sahatin e Madh të Londres, kur Imzot Luigj Bumçi
i ra Kumonës së Vatikanit, po, po, atëherë kur, At Fishta, Don Ndre Mjedja e
Gurakuqi ynë, si në të marrun goje për nën mustak, shkrepën porsi rrëfeja me
Gjuhën e Gegëve e të Toskëve vëllazën, ashtu si i pat mësue Lokja plakë në
shkollat e para të Pëllanës, Troshanit e Kush Micës.., dhe, pa ju tutë syni i
thanë Vashingtonit: “ Këtu e ka cakun Shqipnia e Gjergj
Kastriotit!”
***
Asht po, Shqiptari i lidhun për brez me konop të
Sh’Françeskut, bash Ai Frati i Fishtës së Zadrimës.., dikund kah brigjet e
Drinit, që në atë ujë të turbulluem ngjyni “penën” e Tij.., dhe, i tha serbit
dhe gjithë Europës së pabesë:
... “E shef, po,
vetë gjakbasi, se rob s’bahet/ Ai dhe, ku Flamuri kuq e zi valvitet.”
Por, tradhëtarët
komunistë Ever Hoxha me Ramiz Alinë, e vranë edhe në “Vorr”...e, i thanë...
“tradhëtarë”! E shkelën mbi Atë Vorr të gjithë ata “proletarë” që Botën
vorfnuen e, mbi “gërmadhat” e luftës vëllavrasëse të pafund, “nacional –
çlirimtare”, ndertuen “selinë” e “yllit të kuq” me drapen e çekanin e të
pabesit... E, padronët e tyne aty... ku, qytetnimi i Europës dikur u le, ...
“një Murë” mbi miljona rrashta vune, në shenjë “Lirije” e, edhe Europa plakë...
por, shikonje si po shuhet perditë!..
U ngritën “madhshtorë” të derdhun në bronx e përmbi
shkambij graniti të lustruem nga dora e skllavit të pranguem, të dhunuem e të
burgosun, u ngulën si thika diktatorët e shekullit XX.., që me fatet e kombëve
luejten “poker”... ndër tavolinat e Jaltës.
Me doren e vet Imzot Pal Engjulli, i tha: “Shqipni,
Unë po të Pagëzoj...”
Aty kah e vona...kur, nën Dritën e Pishës së Malit të
Kështjellit të Krujës, Donika me dorën e vet, me pejnat e zezë qendisi Një Shqipe... për Trimat Besnikë të
Arbënisë, e heret, pa dalë kurrkund drita, Gjergjit për parzem ia ngjeshi bash
si t’ ishte një mburojë.., që, as gjylja e topit nuk mund ta shpojë...E zemra e
Burrit Kastriotve, filloi me rrah ma fuqishem, kur Ai, mbi Atë Flamur me
shpaten e Vet u betue: “Për Shekuj të
Shekujve, Shqiptari me Këte Shenjë ka me luftue për Fe e Atdhe e, ka me
Fitue!”... E ashtu ngjau...për 25 vjet!
Ishte Flamuri me Shqipen Dykrenare...që, Europën mbrojti
nga rrenimi anadollak...
Flamuri i Shqipnisë sonë...Flamuri i të gjithë
Shqiptarve...kudo kjofshin!
Edhe Shqipnia e ngjeshi për parzem të vet.., e, mujti me
vazhdue me kenë...
Ishte po, Ajo Shqipnia e Shqiptarve, që serbi e greku i
pabesë thërriste ndër katedrat e mbarë Europës, “shqiptarët janë ende
anadollakë”..., e bash me dorën e vet, ata tinzarë, në vitin 1941, gjetën një
fanatik oriental nga Gjinokastra... Ishte dora e Titos që me spijunët
sherbëtorë e tradhëtarë të shitun “shqiptarë”, formoi partinë komuniste që me
“pushkë e kazem” dhe veglat e tija
mizore një gropë të re Shqipnisë ata i hapne e sipër, për shenjë, mbi Shqipen
Dykrenare, një “yll të kuq” i zhigatne... Një epitaf shkruen me shkronja
cirilike mbi rrasen e saj gjashtkandshe:
“Këtu pushon Shqipnia Europjane”... “Kushtue nga
komunistët Tito, Stalin, Ever ”.
Ai pallat aq i bukur i “kryeministrisë” që shkelqen mes Tiranës..,
u mbush me “dezhurë e tavarish” nga Beogradi, Moska, Pekini...e vorrmihës të
prëgatitun në universitetët e tyne me një kulturë maksiste–ateiste... Ishin
“kuadrot e larta” me ibrikë të kallaisun nga miqtë oriental... E pak ma vonë të
“Konferencës Islamike” që i “qarkulloi” partia, me të cilët na lidhi skilja
Ramiz Alia.
E, po, nga Ai vorr ku shpresat humbën e Liria mêjti...Një
za i mekun u ndigjue në 1946:
“Shqipnia u fitue me gjak; me gjak edhe po
mbahet e robnueme. Do të vijë dita e me Paqë e Drejtësi do të fitohet!..” E këto fjalë... mbetën të ruejtuna deri në Nandorin e 1990, kur në Rrëmaji
të Shkodres, me 11 Nandor Don Simon Jubani, shpalli porosinë e Atdhetarve
Shqiptarë!
Ushtoi Taraboshi Atë ditë të 13 Dhetorit 1991, e gjama e
tij shkrepi porsi rrufeja e dalun nga zemra e zharitun dhe e ndezun flakë për
Liri e Popullit Demokrat Shkodranë, që njëherë e përgjithmonë Rinia heroike
zhguli nga Truelli i Rozafës edhe “bustin” e flliqun të diktatorit katil e
mizor...
Shqipnia Rilindi! Ishte Shqipnia e Gjergj Kastriotit..., që
u ngrit në kambë!
E Bija e Saj nga Shkupi, që u le po, 110 vjet ma
parë,..Ajo Velbardhë e Lumnueshme me vija të Qiellit prej kah i Lumi e ndriti e
Boten mbarë çuditi, Europës i diftoi se:
“Unë jam le në vitin 1910 kur Shkupi ishte Shqipni! Unë
jam Shqiptare!..” E Kjo Nanë, nga Rinasi tha: “O Zot, po t’ lutem, hiqi mallkimin Tand Popullit Shqiptar !”
Në këte 28 Nandor 2021...Porsi “Fleta e Ejllit t’
Zotit”...
Do të Shpalosin nga Qielli i pastër dhe i shndritshëm ku
janë Ata, Një pelhurë të mëndafshtë, Flamur... Dy bojnash, me Shqipën e vet
Dykrenare, të shkrueme me shkrojla t’ arta:
Shqipnia pra: “ Asht... e, do t’jetë!
Po,
Ju, ku jeni, o Vllazen e Motra Shqiptarë !!?”
Melbourne,
20 Prill 2021.