| E diele, 02.05.2021, 02:10 PM |
Blerim Latifi:
Fusha
të cilën po e shihni në fotografi ka një emër brenda të cilit, në një kuptim,
fshihet i gjithë thelbi i historisë së Kosovës gjatë shekullit XX. Sot kur po
shetisja i vetmuar anës së saj, kaluan dy të rinj. Kur mu afruan, u përshendeta
me ta dhe pa vazhduar më tutje ua bëra një pyetje: - Djem, si quhet kjo fushë e
madhe? Njëri prej tyre m'u përgjigj: - Këto ara quhet Kralica. - E pse e kanë
këtë emër?- i pyeta prapë. - Nuk e di, tha djaloshi që m'u përgjigj në pyetjen
e parë. - Kështu na kanë thanë pleqtë, ndërhyri djaloshi tjetër. Nuk doja të
vazhdoja edhe më tutje bisedën me ta, e me siguri as ata nuk e donin një gjë të
tillë. U ndamë dhe ata vazhduan rrugën në drejtimin tjetër nga i imi. Pyetjet e
mia ishin thjesht një test.Ne profesorët i duam shumë testet dhe fatkeqësisht
dy të rinjtë nuk e kaluan testin që ua bëra. Kjo tregon se sa pak njohuri kanë
sot të rinjtë tanë për gjurmët e historisë, të cilat i shohin e i prekin çdo
ditë. Pas vrasjes së Azem Bejtës në vitin 1924, qeveria e Beogradit kishte
vendosur që të ndryshonte përbërjen demografike të Drenicës. Midis fshatrave
Prekaz, Mikushnicë, Polac dhe Prelloc, rreth 1000 hektarë u ishin marrë
shqiptarëve për t'u shndërruar në vendbanim të mijëra familjeve serbe, që si
kolonë ishin sjellur nga Serbia. Kur shtëpitë e tyre ishin bërë gati për të
ardhurit, në hapjen zyrtare të tyre kishte marrë pjesë vetë nëna e Krajl
Aleksandrit. Për nder të saj,vendbanimit iu la emri "Kralica". Gjatë
Luftës së Dytë Botërore, kolonët ishin larguar prapë prej nga kishin ardhur
dhe, më pas, regjimi komunist, pasi kishte dështuar t'i rikthente, gjithë
sipërfaqen e Kralicës e kishte kthyer në tokë shtetërore. Sot ajo u është
kthyer pronarëve të saj të ligjshëm, shqiptarëve, të cilët e kishin trashëguar
atë nga të parët e tyre, që nga kohët që nuk mbahen mend. Ndërkaq, emri Kralica
vazhdon ende të ruhet në kujtesën kolektive të kësaj zone, edhe pse gjeneratat
e reja përherë e më pak e njohin historinë që fshihet prapa këtij emri. Dhe
duhet të ruhet, si shenjë e përpjekjeve të vazhdeshme të Serbisë gjatë gjithë
shekullit XX për të kryer gjenocid mbi shqiptarët e Kosovës.
__________
Problemi
historik midis Kosovës e Serbisë nuk mund të zgjidhet me "grupe
ekspertësh" apo "ekipe teknike". Ai mund të zgjidhet veç me
liderë që e lexojnë saktë momentin historik në të cilin ndodhemi dhe kanë
guximin me marrë vendime të vështira historike.Nëse të mungon ky guxim, krejt
dijetarët e botës me t'i ofru, nuk kanë me të kry punë. Makiaveli e thotë mirë:
në politikë fati u buzëqesh veç guximtarëve! Kosova tash ka nevojë për
vendimmarrje të guximshme historike, e jo për vajtje - ardhje të kota në
relacionin Bruksel Prishtinë, siç i kemi parë tash 12 vjet. Përfshirja në një
dialog që nuk përfundon kurrë, është favor strategjik për Serbinë dhe,
rrjedhimisht, një vazhdim i venitjes së heshtur të shtetit të Kosovës.
__________
Ky
non-paper-i i dytë ku flitet për "distriktin autonom serb në Kosovën
veriore" kuptohet se është kundërpërgjigjje ndaj non-paper-it të parë ku
flitej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Fakti se të dy tekstet janë
"pa autorë", tregon qartë se sherbimet e inteligjencës të vendeve
mike dhe jomike të shqiptarëve janë duke zhvilluar një luftë të ftohtë rreth
problemit Kosovë- Serbi dhe kjo luftë e ftohtë sherbimesh na tregon,
parasegjithash, se status quosë së këtij problemi po i vjen fundi. A jemi të
përgatitur për të reaguar si komb në këtë rast? Kam dyshime të forta se jo.
__________
Tregojnë
për Nolin se si njëherë në Lidhjen e Kombeve, si kryeministër i Shqipërisë,
fjalimin e tij e kishte shndërruar në
ligjëratë për diplomatët europianë dhe në fund të fjalës së tij kishte kërkuar
ndihma urgjente për popullin e tij që po vuante nga uria.
__________
Marrëveshjet
pa garancinë e shpatës janë fjalë boshe, thotë Hobsi. Me përkthy këtë në
situatën tonë i bie: marrëveshja Kosovë-Serbi pa garancinë e fuqisë amerikane
është e destinuar të mbetet një tërësi fjalësh boshe.Siç kanë mbetur deri me
tani marrëveshjet e Brukselit.