| E shtune, 29.11.2008, 08:00 PM |
DR. RUGOVA E GANDI URTAK
Shkruan Agim Gashi
Të flasësh për figurën e Gandit dhe të Dr. Rugovës duhet hyrë thellë në analiza të ndryshme politike, por edhe të kohës kur vepronte Gandi dhe kur vepron Dr. Rugova.
Dr. Rugova është një figurë që ka në veten e tij shumë më shumë veprime se sa Gandi i Indisë, i cili edhe ai njihet si njeri që Indinë e bëri shtet të lirë nga kolonizimi shumë vjeçuar anglez.
Historiku i Dr. Rugovës është si i Mesisë dhe veprimet e tij që nga bankat e shkollës e deri tani janë shumë të renditura në rrugën e drejtë për një pavarësi të merituar të Kosovës.
Që të shkruhen të gjitha për Arkitektin e Pavarsisë së Kosovës, Dr. Rugovën, duhet një ekip i madh njerzish dhe një kohë disa vjeçare.
Historiku i emrit të Dr. Rugovës në publik daton që nga vitet e gjashtëdhjeta kur hartimet e tija të shkrura në bankat shkollore lexoheshin pa ndërprë në emisionet e bukura për fëmijë të Radio Prishtinës. Pengesat ishin të mëdha sepse Rugova cilësohej armik junior, me babë e babgjysh të ekzekutuar pa gjyq nga hordhitë serbe e komuniste të kohës.
Tregojnë shokët dhe farefisi se Rugova qysh atëherë kishte një dëshirë të zjarrtë për atdheun dhe gjithë herë në xhepat e tij mbante nga një pjesë dhé të Kosovës. Kjo donte të thoshte se Ai kishte lindur ta bënte Kosovën siç është sot. Për këtë arsye sot poetët shkruajnë, ndërsa këngetarët i kendojnë:
Kah u nise me nji grusht dhe,
Për liri e për atedhe!
Në ato vite jo vetëm në Dukagjin por edhe në tërë Kosovën ishin bërë të njohur dy emra: Jusuf Gervalla dhe Ibrahim Rugova të njohur njëri për artet e bukura e tjetri për letërsi.
Ibrahim Rugova si student do të tregohej edhe më i vendosur për t’i realizuar ëndërrat e të parëve. Ai emrohet redaktor pergjegjës i gazetës së studentëve "Bota e re" dhe me punën e tij theu shabllonin e shkrimeve pa alternativë të kohës. Ky qysh atëherë thoshte se Kosova nuk mund të ishte Kosovë pa trojet etnike që e rrethojnë dhe për këtë arsye në stafin e "Botës së Re" ofron afër vetës Rexhep Ismailin nga Presheva, Eqrem Bashën nga Dibra, Hajrullah Koloiqin nga Kraja e shumë studentë tjerë nga viset tona etnike.
Duhet cekur se qysh atëherë gazetat e ndryshme të kulturës Ibrahim Rugovës i rezervonin faqe të tëra për punimet e tija.
Me titullin Dr. në vitet e tetëdhjëta vëhet në krye të Shoqatës së Shkrimtarëvë të Kosovës ndërsa në tubimin e shkrimtarëve të tërë Jugosllavisë në Novi Sad në fjalën e rastit nder të tjera tha: "Unë jam këtu për ta mbrojtur popullin tim, idealet e tija fisnike të lirisë".
Përsonaliteti i Dr. Rugovës tani jo vetëm tek shqiptarët por edhe tek bota ndërkombtare shënonte rritje, ndërsa interesimin e kishte edhe fitimtarja kundër komunizmit, Amerika e cila ia dha vendin e nderit në Shtëpine e Bardhe, ndërsa qyteti i Nju Jorkut e shpall Qytetar Nderi, sepse Dr. Rugova me shokë formoi partinë e parë me program demokratik. Rugova e dinte se shansin e pluralizmit duhet shfrytezuar, andaj edhe u hodh në punë të palodheshme. Më 23 dhjetor 1989 Dr. Rugova u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës që drejtëperdrejt e sfidoi regjimin komunist të Beogradit. Falë Dr. Rugovës LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit edhepse në ndërkohe shfaqen edhe parti e forca tjera politike.
Duhet ta dimë se historikisht Kosova ka pasë burra të fortë dhe trima, por asnjë nga ata nuk ka ditë sikurse Dr. Rugova ta harmonizon trimërinë dhe mençurinç me urtesinë. Vendimet e marra historike ishin udhërrëfyese për tërë një popull i cili synonte lirinë dhe demokracinë dhe flakjen e robërisë shekullore.
Bota tani po çuditej se si një njeri mund ta formonte një qeveri paralele duke mos përfill pushtetin dhunues serb, e që njëherit ishte një pushtet faktik i shqiptarëvë të Kosovës. Ky në fakt ishte pushteti moral dhe unik për të gjitha kohrat në hapsirat botërore. Politika e Dr. Rugovës ishte politikë reale dhe shumë e përgjegjëshme për rrethanat. Andaj për Dr. Rugovën rënditeshin shpërblime e mirënjohje deri të titujt Doctor Cauza (Doktor Nderi) në shumë Univerzitete botërore, duke filluar që nga Univerziteti i Parisit e deri te ai i Tiranes.
-Pos tjerash ai merr Çmimin për paqë i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë më 1995;
-Më 1998 iu dha Çmimi Saharov i Parlamentit të Evropës;
-Më 1999 Dr. Rugovës i jepet Çmimi për paqe i qytetit të Münsterit në Gjermani;
-Në vitin 2000 për merita të luftës dhe paqes Katalonia e Spanjës i jep Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera” në Barcelonë dhe shumë tituj e Çmime tjera. Pos tjerash Dr. Rugova shpallet edhe Qytetar Nderi i shume qyteteve, si Venedikut, Milanos, Breshias, Nju Jorkut e shumë të tjërë.
Por, falsifikatorët e ndryshëm që nuk janë të paktë e akuzojnë për një politikë dhe rezistetncë kinse pasive, të cilët synojnë denigrimin me qëllim të figurës më të madhe që pati kombi ynë. Askund nga analistët e mëdhenj botërorë nuk mund ta quanin politikën e Dr. Rugovës „politikë paqsore“ kur edhe vetë Serbia e dinte se politika e Dr. Rugovës ishte luftë e hapur kundër Serbisë dhe politikës kolonizuese të saj.
Veprimet e politikës ”paqësore” të Dr. Rugovës jo vetëm që nuk pranoheshin nga qarqe shqiptare, por duke u solidarizuar me serbët mundoheshin ta stagnonin e bile edhe ta luftonin me fjalë e me zjarr. Ata i filluan edhe vrasjet kundër aktivistëve më të devotshëm të LDK-së, vetëm e vetëm që Dr. Rugovën ta friksonin. Por Mesia i shqiptarëve nuk frikësohej, sepse e dinte se është duke ecur me hapa të sigurt në rrugën e popullit dhe të lirisë së tij.
Çka mund t’u thuhet veprimeve të menduara mirë të Dr. Rugovës, kur bëri planet më të ndritura për mbrojtjën e Kosovës ? Dhe stalinistët Kosovarë akoma nuk pranin por mundoheshin që me ndihmën e Fatos Nanos dhe klyshëve tjerë të Stalinit ta degradonin edhe punën e mundimshme të popullit dhe të Rugovës (populli dhe Dr. Rugova kishin një shpirt e një frymë) që do ta shënojmë me sa vijon:
1.-Dr. Rugova organizoi mbrojtjen territoriale me kuadro profesioniste dhe me tërë popullin;
2.-E formoi ministrinë e mbrojtjës dhe Shërbimin Informativ të Kosovës;
3.-Dërgoi djem vullnetarë në përgaditjet ushtarake në Shqipëri;
4.-Jo njëherë jua tërhoqi vërejtjen Serbisë dhe BN se shqiptarët mund t’i radikalizojnë veprimet për mbrojtjen e tyre;
5.-Mori nismën për Deklaratën kushtetuese të 2 Korrikut (2 Korrik 1990) ku Kosova shpallet Republikë;
6.-Nismën për shpalljen dhe miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut 7 Shtator 1990;
7.-Referendumi popullor për pavarsinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991;
8.-Mbajti zgjedhje presidenciale të Republikës së Kosovës më 24 maj 1992 që ishte shenja e parë nga shkëputja totale nga okupimi serb e shumë e shumë veprime tjera të cilat janë të njohura për shqiptarët.
Për t’i shënuar të gjitha veprimet atdhetare të Dr. Rugovës, nuk do të mjaftonin as numrat, ngase ne nuk mund t’i dimë të gjitha politikat e larta e sekrete
Fillimi i luftës së pritshme e gjeti Kosovësn të gatshme për rezistencë dhe të armatosur, por duhej maturi dhe veprime të matura taktike e strategjike, sepse raporti i forcave ishte shumë i pabarabartë. Lufta filloi dhe Dr. Rugova e parkrahu fuqimisht këtë luftë. Dërgimi i Deputetëve në Drenicë këtë e tregonte haptazi. Por çka ndodhi atje? Ata që thirren si bërës të luftës, i burgosën, i torturuan e pastaj të sharë, të rrahur e të poshtëruar i lëshuan. Ky ishte sabotimi i parë i luftës së drejtë që Kosova bënte kundër një okpatori shekullor. Sabotimet tjera vinin radhazi e sidomos me vrasjen e Ministrit të Mbrijtjes Kolonel Ahmet Krasniqit e shumë të tjerëve gjatë dhe pas kohës së pasluftës.
Por një gjë dihet botërisht se tani së fundi kanë filluar që edhe komandantët e së majtës të pranojnë se "të gjithë luftëtarët na vinin nga radhët e LDK-së" dhe së "luftën e bëri populli" e dihet fare mirë se shumica e popullit ishte LDK, ishe Dr. Rugovë.
Luftërat e zhvilluara në Dukagjin dhe në Koshare janë dëshmia më e fuqishme se lufta institucionale ishte shumë më e suksesëshme se sa lufta guerile që udhëhiqej nga Vilat e Enver Hoxhës në Tiranë.
Dëshminë që pati në gjyqin e Hagës Dr. Rugova kundër vrastarit të Ballkanit, ishte përgënjeshtrim i bindshëm për të gjithë shpifarakët stalinistë në Kosovë, në Shqipëri e në Mërgatë, që me dinjitetin dhe bindjen e tij i la të turpëruar gojëkëqinjët e sojit komunist, të cilët as që ishin pjesë e luftës por që u iponuan dhe imponohen dhunëshëm gjatë dhe pas luftës. Mediat vendore dhe botërore raportonin, “Ndodhi ballafaqimi i shumëpritur: Presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova, dëshmon kundër kriminelit Millosheviq në Gjykatën e Hagës”. Ai pos tjerash deklaroi: „Beogradi vendosi ta shkatrrojë Kosovën me luftë dhe me dhunë“.
Për të gjitha meritat e Dr. Rugovës tregon sot populli i Kosoves dhe e mbarë bota e qytetëruar demokratike që atë e rendit shumë para Gandit dhe që e tejkalon Gandin urtak
Vdekja e Dr. Rugovës ishte vdekje e hershme dhe humbje e madhe për popullin e Kosovës dhe LDK-në si parti më e madhe në trojet tona. Turmat qindramijëshe që i shkonin në nderim të këtij Kolosi tregonin fort fuqishëm dashurinë që kishte arritur ta mbillte tek ne dhe në ne. Edhe në temperaturat nordike të atij dimri, gra, pleq, fëmijë e plaka, intelektualë e fshatarë me dhembje në shpirt qëndronin me orë të tëra me qëllim të një përkulje falenderimi pranë arkovilit të më të Madhit njeri që pati historia e re e shqiptarëve. Varrimi i tij ishte varrim i një burrështatasi që bota demokratike dhe ajo përparimtare ia njifnin rolin dhe meritat që ai i kishte në luftën e drejtë për liri e pavarësi të Kosovës.
Por tani pas vdekje ngrihen në këmbë dallkaukët, falsifikatorët, inatçorët, kurrkushët e kush jo tjetër, duke i bashkuar forcat për denigrimin e kësaj figure historike, që populli shqiptar pati fatin ta ketë në gjiun e tij. Filluan pastrimet brenda partisë së LDK-së, dalin në shesh fraksionet e ndryshme, ndarjet në LDK-istë e Rugovistë, krejt me qëllim të përfitimeve vetanake dhe marrjes së pushtetit nga ata që më së paku e meritojnë. Disa OJQ që janë bërë si pulat e këqija që kokrrat i hanë në oborrin e vet ndërsa vezët ia bëjnë fqiut, nuk zgjedhin mjete jo vetëm për ta diskredituar figurën madhore të Dr. Rugovës, por synojnë haptas shkatrrimin e LDK-së si parti e cila nën udhëheqjen e Strategut tonë, Kosovës ia solli lirinë e ëndërruar me shekuj.
Por Dr. Rugova ishte njeriu që mbolli farën e dashurisë njerzore. Ajo farë akoma është në zemrat tona dhe na mbanë të fortë që ta ndjekim rrugën e Tij. Akoma ka forca LDK-ja që dinë ta shporrin urrejtjen dhe atë ta shndërrojnë në dashuri, që ndarjet t’i kurorëzojnë me bashkim, që hubjet t’i bëjnë fitore. LDK-ja duhet të gjallojë për hir të popullit dhe lirisë së Kosovës, duhet të gjallojë pë hir të kujtimit për njeriun që perëndia na e dhuroi pas shumë vuajtjeve shekullore.
Kjo dhuratë e ka vetëm një emër: Dr Ibrahim Rugova Presidenti i parë i Kosovës dhe Strategu i Pavarsisë!
Ky emër ka diçka që e bën më të madh se Gandin urtak, ka diçka mitike dhe Clemetiane që Kosova dhe populli shqiptar jetuan në kohën e Tij.