E merkure, 13.11.2024, 06:24 AM (GMT)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Nuk është çudi që të kemi një deputet me fes osman me xhufkë, Olsi Jazexhiun, si Haxhi Qamili i ri

E shtune, 17.04.2021, 06:52 PM


Nuk është çudi që në Kuvendin e pas 25 prillit të kemi një deputet me fes (kapele) osman me xhufkë, Olsi Jazexhiun, si Haxhi Qamili i ri

Nga Kastriot Myftaraj

Në një nga këto ditë të fushatës zgjedhore, kur isha duke kaluar në Rrugën e Kavajës pranë xhamisë, disa muslimanë praktikues e ngritën zërin që të dëgjoja edhe unë fjalët e tyre, të cilat përmbledhtas ishin këto:

“Vëllai jonë Olsi Jazexhiu do të bëhet deputet me votat hallall të vëllezërve muslimanë. Do të cmenden islamofobët kur ta shohin sesi do të ringjallet Haxhi Qamili në parlament. Meqë kryeministri vesh brekushe për të gënjyer babën Erdogan, Olsi ka të drejtë të hyjë në parlament me fesin osman të Sulltan Abdyl Hamitit. Ne jemi pasardhësit e ushtarëve të Haxhi Qamilit që do të mbledhim vota për Olsin.”

Kjo nuk është shaka. Olsi Jazexhiu, Islamiku radikal i deklaruar publikisht si osman dhe shariatist, i cili e quan fatkeqësi shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe kërkon një perandori neo-otomane në Ballkan, dhe i cili kërkon që ligjin kuranor, Shariati të jetë baza e legjislacionit shtetëror në Shqipëri është kandidat për deputet në zgjedhjet e 25 prillit. Olsi kandidon për forcën politike të quajtur Aleanca Bashkimi Popullor Emigracioni Ora e Shpresës dhe Konservatorët. Dhe ka shumë mundësi të zgjidhet deputet me votat e muslimanëve praktikues.

Olsi kërkon votat e muslimanëve praktikues, të turkofilëve, arabofilëve dhe neo-otomanëve shqiptarë. Olsi shëtit në oborret e xhamive të Qarkut të Tiranës dhe iu kërkon votën atyre që e ndjejnë veten “Turk Elham dylillah”, siç është titulli i një libri të Olsit.

Olsi iu thotë muslimanëve praktikues se meqënëse zgjedhjet këtë vit bien në mes të muajit të Ramazanit, ky Ramazan do të shkonte haram për të gjithë besimtarët që nuk votojnë për një kandidat që shpreh dhe mbron interesat e Islamit.

Olsi iu thotë muslimanëve praktikues të Qarkut të Tiranës se zgjedhja e tij deputet do të jetë për nga rëndësia, e barabartë me ringjalljen e Haxhi Babës, siç quhej Haxhi Qamili, i cili për Olsin është Heroi i vërtetë Kombëtar. Olsi betohet se kur të hyjë në Kuvend do të mbajë në kokë fesin (kapelen) e kuq osman me xhufkë, tanuzin siç quhej.

Kureshtja është se a do të betohet për zbatimin e Kushtetutës së Shqipërisë Olsi, nëse zgjidhet deputet, siç e kërkon formula zyrtare e betimit që është kusht për marrjen e mandatit të deputetit. Por Kushtetuta e Shqipërisë sanksionon pavarësinë dhe laicizmin parime që Olsi nuk i pranon si islamik dhe otomanist.

Olsi shkruan në një libër që ka botuar në 2019:

“Turqia ishte në selamet apo në paqe! Dhe unë si një otomanist i pandreqshëm që jam u luta me vete:

Allah Turku Korusun! [O Allah, ruaje turkun!]”(Olsi Jazexhi: “Izraeli & Palestina: apo përralla e dy vendeve”, Tiranë 2019, f. 138)

Ky libër shitet në librarinë muslimane që gjendet në ndërtesës ku është selia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Në formularin e deklarimit si deputet Olsi vetparaqitet si doktor në histori. Deri më sot kisha dëgjuar se edhe në vendet islamike ka doktorë në historiografi (shkenca historike), por nuk kam dëgjuar për doktorë në histori, as në Turqi as në Saudi, siç e quan Olsi Arabinë e Riadit.

Olsi nuk e ka publikuar asnjëherë punimin shkencor me të cilin ka doktoruar.

Unë habitem sesi këtë Olsin e kanë regjistruar si kandidat për deputet. Vetëm libri i Olsi Jazexhiut  “Izraeli & Palestina: apo përralla e dy vendeve”, (2019) ka material të mjaftueshëm që të provohet se Olsi ka shkelur së paku pesëmbëdhjetë dispozita të Kodit Penal të Shqipërisë që parashikojnë dënime afatgjata me burg, ku më e lehta është nxitja e urrejtjes.

Olsi shkruan në këtë libër ku tregohet për një udhëtim të tij në pjesën e shtetit të Izraelit të banuar me popullsi arabe të vetëquajtur palestineze pas Luftës së Dytë Botërore:

“Ky është realiteti i Palestinës. Ushtarët izraelitë të vrasin për një fjalë goje. Por falë Allahut, Allahu na ruajti dhe jemi ende gjallë!” (f. 44-45)

Kështu del se Allahu e dashka Olsin më tepër se shumë nga ata që Olsi i quan heronj të Palestinës dhe se vetë Arafatin. Olsi shkruan në libër për vizitën e tij në një muzeum palestinez:

“Në një pikturë gjigande që ishte vënë në hyrje të pavionit historik të muzeumit vizitori gjente dhe shikonte të gjithë heronjtë e Palestinës.”(f. 89)

Por këta “heronj”, të cilëve Olsi iu bëri homazhe, janë disa prej terroristëve më famëkeqë të botës. Ata që gjenden në tablo Olsi i përmend në faqet 89-90 të librit, midis të cilëve “Sheh Ahmed Jasin, themeluesin e Hamasit”, “Fatih Ibrahim al-Shikakin themeluesin e Xhihadit Islamik”, “Muhamed al-Najjarin” i cili drejtoi komandon palestineze kundër lojtarëve izraelitë në Mynih”. Ky i fundit është terroristi që udhëhoqi atentatin nga sportistëve izraelitë gjatë Olimpiadës së Mynihut në 1972, një masakër ku u vranë 12 persona. Të gjithë terroristët e sipërpërmendur Olsi i quan në libër “heronjtë e Palestinës”.

Në tablonë që përmend Olsi fotografinë e së cilës ai e ka vendosur në librin e tij, paraqitet Jaser Arafati në qendër të grupit të terroristëve, çka tregon jo vetëm të vërtetën e Arafatit si terrorist, por edhe të vërtetën e të ashtuquajturit shteti palestinez dhe lidhjen me terrorizmin të autoriteteve të tij, që mbajnë maskën e të moderuarve para botës. Dhe muzeumi i sipërpërmendur është një muzeum shtetëror palestinez, që gjendet në një ndërtesë shtetërore, ish-pallati presidencial i Arafatit. Muzeumi është pronë e Autoritetit Palestinez, siç quhet zyrtarisht shteti, dhe administrohet prej tij. Në këtë muzeum Arafati ka dalë para historisë me fytyrën e tij të vërtetë të kryeterroristit, pa maskën që u përpoq të vinte në vitet e fundit të jetës së tij, si njeri i moderuar, që kishte hequr dorë nga terrorizmi. E megjithatë Olsi e nderoi Arafatin kryeterrorist:

“Sapo hyra në mazoleum, i mbushur plot me emocion, dhimbje dhe shpresë, u luta para varrit të Arafatit. Merhumit i lexova el-Fatihanë, suren e parë të Kuranit. U luta për Arafatin që ishte në varr dhe Palestinën që ishte në flakë. Ju luta Allahut përpara varrit të Arafatit dhe në prezencë të trupës së nderit që ruante varrin e tij, që një ditë Allahu të bënte ymër dhe të çlironte Palestinën.” (f. 93)

Domethënë Olsi u lut që terrorizmi islamiko-arabo-palestinez të kishte sukses dhe të zhdukte shtetin e Izraelit nga faqja e dheut bashkë me banorët e tij hebrenj! Në libër është dhe fotografia e Olsit duke u lutur.

Vetëm paragrafi i mëposhtëm përbën provë të mjaftueshme që Olsi të hetohet së paku nga Drejtoria e Parandalimit dhe Hetimit të Akteve Terroriste në Policinë e Shtetit:

“Izraeli nuk është një shteti i Zotit. Nuk është një shtet biblik. Ai është një shtet mashtrues, aggressor, kolonizator, hajdut dhe vrasës, por që posedon në mënyrë të tmerrshme artin e mashtrimit. Izraeli është sikur Dexhalli, mashtruesi i madh apo Mesia i Rremë [për] të cilin profeti Muhamed i paralajmëroi muslimanët në profecitë e tij. Izraeli është një vend sa i frikshëm dhe kriminal, aq edhe i bukur dhe modern.”(f. 99-100)

Nga këto që thotë Olsi del se Izraeli duhet të zhduket nga harta e botës.

Nuk e di se sa janë në dijeni SHISH dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit por di se në Qarkun e Tiranës ka një grupim të quajtur Pasardhësit e Ushtarëve të Haxhi Qamilit të cilët po punojnë për të mbledhur vota që Olsi të bëhet deputet. Por di që ka shumë mundësi që të kemi një deputet me fesin Osman në Kuvend. Dhe ky është vetëm fillimi i marshimit të Islamit politik në Shqipëri që përfiton nga tolerance kriminale e shtetit, e ushqyer nga ambasadat perëndimore, të cilat janë nën ndikimin e lobeve të paguara me petrodollarë arabë.

Nuk është çudi që në Kuvendin e pas 25 prillit të kemi një deputet me fes (kapele) osoman me xhufkë, Olsi Jazexhiun, si Haxhi Qamili i ri. Olsi është betuar që nëse fiton do të shkojë të betohet te tre varre të shenjtë për të në hapësirën shqiptare që janë varri i Ballaban Pashës në Petrelë, pastaj te varri i Haxhi Qamilit dhe më pas te varri Sulltan Muratit I në Fushë-Kosovë.



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora