Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Gjenerali Wesley Clark - Simbol edhe i triumfit të paqes
E merkure, 07.04.2021, 08:36 PM
GJENERALI WESLEY CLARK: SIMBOL EDHE I TRIUMFIT TË PAQËS
(Me
rastin e 22-vjetorit të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë)
Nga
Frank Shkreli
24
Marsi i vitit 1999 është dita që shënon 22-vjetorin e bombardimit të Serbisë
nga Aleanca më e fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjëherë bota, NATO –të
çlirimit të Kosovës nga regjimi terrorist i Sllobodan Millosheviçit. Është kjo
një datë historike që do të mbetet përgjithmonë e shënuar me shkronja të arta
në historinë e Kombit shqiptar – por edhe një datë që do tu kujtojë
përgjithmonë brezave të ardhëshëm të shqiptarëve -- miqtë perëndimorë me në
krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës -- që i erdhën në ndihmë shqiptarëve,
në një kohë të vështirë të historisë dhe të ekzistencës së tyre si komb.
Shumë
burra dhe burrëresha nga politika amerikane dhe Forcat e Armatosura të Shteteve
të Bashkuara kanë qenë pjesëmarrës në përgatitjet e gjata e të vështira politiko-diplomatiko-ushtarake
si dhe në ekzekutimin e sulmeve të NATO-s kundër Serbisë – përvjetor ky që
shënohet çdo vit me 24 mars. Njëri prej këtyre burrave që luajti një rol
kryesor në këtë fushatë ushatarake për çlirimin e Kosovës, pa dyshim është Gjenerali
amerikan Wesley Clark. Gjenerali Clark,
ish-komandanti suprem i Aleancës së NATO-s, në vitin 1999 ka udhëhequr fushatën
e Aleancës së Atlantikut verior kundër forcave serbe të regjimit terrorist të
Millosheviçit, në përgjigje të një fushate të egër ushtarake serbe – ku
makineria e forcave ushtarake të ish-Jugosllavisë (Serbisë) sulmoi shqiptarët e
pafajshëm dhe të pa armatosur, me qëllim të një spastrimi etnik të shqiptarëve
nga trojet e tyre shekullore në Kosovë.
Sulmi
kundër Serbisë, ishte i pari sulm i tillë në historinë e Aleancës së NATO-s,
një angazhim luftarak ky që është drejtuar mjeshtërisht dhe vendosmërisht nga
Gjenerali Clark. Shumë ekspertë ndërkombëtarë e kanë konsideruar fushatën
ushtarake të NATO-s për çlirimin e Kosovës, si një ngjarje që mund të kishte
shkaktuar një luftë midis NATO-s dhe Rusisë, përfshir ndër ta edhe
ish-Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Amerikës, Z. Zbigniew Brzezinski, i
cili ka shkruar se kishte bindjen se në fund të luftës në Kosovë, organizata
NATO dhe Rusia, mund të ishin në prak të një konflikti serioz, pikërisht për
arsye të planeve dhe përpjekjeve ruso-serbe, për të ndarë Kosovën. Siç ka
shkruar edhe vet Gjenerali Clark në librin e kujtimeve të tija, “Waging Modern
War”, lufta në Kosovë ishte më tepër se një ndërmarrje luftarake. Por ai është
shprehur se përveç strategjisë ushtarake të Aleancës NATO, si Komandanti Suprem
i Nato-s, që drejtoi fushatën ushtarake kundër Serbisë – atij i duhej që
njëkohësisht të bashkrendonte edhe përpjekjet dhe strategjitë politiko-diplomatike,
marrëdhëniet ndërkombëtare, politikat e vendeve anëtare të NATO-s dhe politikën
e mbrendshme amerikane, përfshirë konfliktet dhe mosmarrveshjet
amerikano-evropiane dhe konfliktet midis zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe
diplomatikë të shumë vendeve anëtare të aleancës që kundërshtonin një ndërhyrje
të tillë.
Ishte
pra, Gjenerali Wesley Clark ai i cili duhej t’i bashkrendonte të gjitha këto
politika -- konflikte pothuaj të gjitha niveleve, kombëtare dhe ndërkombëtare —
për një ndërhyrje të suksesshme dhe efektive ushtarake të Aleancës së NATO-s në
Kosovë, që më në fund çoi në suksesin përfundimtar dhe në triumfin e fushatës
ushtarake perëndimore kundër forcave serbe dhe në triumfin e tij personal
ushtarak dhe paqësor -- në çlirimin dhe në pavarësinë eventuale të Republikës
së Kosovës. Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada kur Gjenerali Clark, si
Komandanti Suprem i NATO-s drejtonte sulmet kundër Serbisë për Çlirimin e
Kosovës, ai mbetet gjithnjë i interesuar për Kosovën dhe për fatin e saj në
kohë paqeje, si shtet i pavarur dhe demokratik.
Në
një intervistë me “Zërin e Amerikës”, gjatë një vizite në Kosovë në vitin 2018,
Gjenerali Clark ka thenë se ndonëse në paqe, Kosova përballet me sfida dhe
kërcënime të brendshme dhe të jashtme, me ndërhyrjen e influencave të huaja,
përfshir atë ruse, në rajon. Në lidhje me sfidat dhe me rreziqet e brendshme të
Kosovës në kohë paqeje, miku i Kombit Shqiptar Gjenerali Clark është shprehur,
duke i dërguar një mesazh kuptimplot dhe miqësor klasës politike aktuale
mbarëshqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e më gjerë, me qëllim
që politikanët shqiptarë të punojnë në një demokraci të vërtetë, për të mirën e
përbashkët. Duke iu përgjigjur një
pyetjeje për kërcënimet ndaj Kosovës, Gjenerali Clark u përgjegj kështu:
“Mendoj
se njerëzit këtu duhet të luftojnë për ta vendosur demokracinë, votimi është
thjeshtë pjesë e demokracisë. Pjesë më e thellë e demokracisë është etika e
shërbimit publik, ideja që kur merr një vend pune është me misionin e vetëm për
të rritur të mirën e përbashkët, pothuajse sikur të jesh në një nga kuvendet
fetare, ku merr para të mjaftueshme për të jetuar, por kurrë nuk do të jesh i
pasur, dhe e bën këtë gjë për një kohë të caktuar e pastaj kthehesh në sektorin
privat dhe pastaj mund të provosh veten në biznes dhe të bëhesh i pasur. Është
një trashëgimi e komunizmit që njerëzit në pushtet të kenë privilegje
ekonomike, ky ishte sistemi i nomenklaturës së vjetër dhe ishte ironike, sepse
komunizmi thoshte se qeveria i takon çdokujt, por nën komunizëm njerëzit në
pushtet kontrollonin qeverinë dhe ekonominë dhe të gjitha privilegjet. Ndërsa
demokracia është të kujdesesh për të gjithë. Në administratë, si shërbyes i
thjeshtë, në një demokraci duhet ta kesh vullnetin të jetosh në mënyrë modeste.
Nëse doni një shtëpi në Monako, një anije të shpejtë, një shtëpi të dytë në
mal, pushime një mujore të skijimit, mos hyni në qeveri, por filloni një
biznes, bëjini paratë tuaja, bëjeni në mënyrën e duhur dhe ndershmërisht.
Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme të arrihet sot në Kosovë -- krenaria
për të shërbyer në sektorin publik, krenaria për sakrificën në shërbim të
publikut”, ka thënë Gjenerali Wesley Clark për “Zërin e Amerikës”, në një
intervistë të vitit 2018.
Gjenerali
amerikan Wesley Clark është njëri prej personaliteteve në listën e gjatë të
politikanëve, diplomatëve dhe ushtarakëve amerikanë, të cilët për disa dekada
kanë kontribuar aq shumë për drejtat e shqiptarëve dhe për mbijetesën e kombit
shqiptar, në përgjithësi – në kohë lufte dhe në kohë paqeje. Gjenerali Clark
vazhdon të jetë gjithashtu mik i çmuar i diasporës shqiptare këtu në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës. Si i tillë,
sidomos në këtë përvjetor të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, të drejtuara nga
gjenerali Wesley Clark 22-vjet më parë ia vlen që të dëgjohen këshillat e tija
e tija – sidomos të dëgjohen nga klasa aktuale politike --përfshir mesazhin e
tij më sipër, në lidhje me demokracinë, me zgjedhjet e lira dhe për privilegjin
që politikanët duhet të ndjejnë, kur i shërbejnë publikut dhe që të mos
përdorin postet publike për tu pasuruar vet, në kurriz të popullit të varfër.
Kjo
datë dhe ky përvjetor i sulmeve të NATO_s kundlr Serbisë është vërtetë historik
në marrëdhëniet midis dy kombeve tona – por lind pyetja nëse klasa aktuale
politike është vërtetë e ndërgjegjëshme për rëndësinë e kësaj historie dhe e
kuptimit që ka për marrëdhëniet midis popullit amerikan dhe shqiptarëve. 22
vjet pas sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, që çuan në çlirimin dhe pavarësinë e
Kosovës -- shqiptarët duhet të pyesin veten, nëse janë të denjë të kësaj
miqësie dhe sakrificave të aleatëve tanë -- por edhe të atyre bijëve dhe bijave
të Kombit që dhanë jetën për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Besoj se është
e nevojshme që në këtë përvjetor, sidomos politikanët shqiptarë kudo që janë –
në Shqipëri dhe në Kosovë -- të reflektojnë seriozisht mbi fjalët dhe këshillat
e mikut të shqiptarëve, Gjeneralit Wesley Clark, këtij simboli të vërtetë, jo
vetëm të të triumfit ushtarak në Kosovë por edhe triumfit të paqës, lirisë dhe
demokracisë në trojet shqiptare dhe në rajon.
Clark briefs U.S. airmen from the 510th and 555th Fighter Squadrons at Aviano Air Base, Italy in May 1999.