Mendime
Meri Lalaj: Mikja ime MiraDije Ramiqi
E merkure, 31.03.2021, 08:24 PM
Mikja ime MiraDije Ramiqi
Nga
Meri Lalaj
Pranvera
e vitit 1999 erdhi e përgjakur. Ishte fundi i shekullit dhe sikurse në
shtegtimet biblike, ditë e përditë shikonim në ekranet tonë të televizorit shqiptarët
e Kosovës, që vinin drejt kufirit tonë me makina, me zetorë, me qerre, më
këmbë… Vinte tek ne copa e këputur e kombit e përndjekur nga serbët. Me mijëra, me dhjetëra mijëra… Shikoja me
vëmendje fytyrat e tyre si të kërkoja të njohur, njerëz të afërm, njerëz të
dashur. Tërë jetën na e kishin ndaluar që t’i takonim këta shqiptarë dhe duhej
të ndodhte kjo hata që ne të shiheshim sy më sy, të takonim duart me njëri
tjetrin, të flisnim lirisht në gjuhën shqipe, gjuhën e nënës.
Dhe
erdhi pranvera me ditë të bukura plot diell, gjelbërim dhe lule ngado, por në
shpirtrat tanë kishte zënë vend tisi i mërzisë, merakut se si do t’i vinte
filli Luftës në Kosovë. Ne filluam të njohim të ardhurit, të takohemi me ta,
t’i ndihmonim me sa mundnim, të pinim kafe me ta. Në këto ditë të bukura dhe të
trishtuara, unë u njoha me piktoren dhe poeten nga Prishtina, Miradije Ramiqin
(Po sa e bukur ishte me buzëqeshjen aq të këndshme dhe sytë që i lëshonin rreze
të ylberta). Po atë pranverë, bija e Miradijes, Venera Mustafa u shpall Miss
Albania e asaj pranvere të vitit 1999, disa e quajtën edhe Miss Lufta.
Po
ashtu siç është e suksesshme në krijimtarinë e saj letrare dhe në pikturë,
Miradija ka mirërritur dy vajza dhe një djalë, brenda një viti më 9 janar ka
lindur bija e parë dhe më 19 dhjetor bija e dytë dhe ta mendosh ishte viti
1981, viti i protestave studentore, po atë vit të stuhishëm, Miradija boton
librin e saj të parë me poezi “Drithërimë ngjyrash”. Ndërkohë duke punuar si
arsimtare dhe në disa kushte të tmerrshme gjatë dimrit të acartë pa pasur
makinë larëse, por duke qëndruar tek çezma në oborr duke larë teshat me dorë
midis akullit. Gjithnjë ka pasur pranë bashkëshortin e saj Naserin (tashmë i
ndjerë), i cili ishte një njeri i
kulturuar, mendjehapur dhe familjar i devotshëm. Kam qenë vetëm për pak në
fshatin Pozharan, veçse unë e dua atë katund sepse aty është lindur mikja ime
Miradije, e njëmbëdhjeta fëmijë dhe e fundit e motrave dhe vëllezërve të saj.
Miradija
i kreu studimet në Prishtinë, në Akademinë e Arteve e prirur prej pedagogut Rexhep Ferri dhe punimet
e saj janë udhëhequr nën drejtimin e piktorit Muslim Mulliqi. Ka punuar disa
vite mësuese e vizatimit, më tej Miradija ka bërë specializim në Paris, ndërsa
studimet pasuniversitare i ka kryer nga viti 1995 deri në vitin 1997. Tani
punon profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Në
vitin 1991, ndërsa punonte në Bashkësinë Kulturo-Arsimore u dëbua nga puna me
dhunë prej serbëve dhe pas 12 vitesh në vitin 2003, u rikthye sërish në punë
pedagoge në Fakultetin e Arteve..
Miradija
ka çelur 26 ekspozita personale: në Berat, Prishtinë, Francë, Zvicër (Cyrih dhe
Gjenevë), Sarandë, Korçë. Tiranë, Ulqin, Pejë, Gjilan, Ferizaj, Besianë,
Pogradec, Kërçovë, Fier, Sharm El Sheik të Egjiptit, Izmir (Turqi), Therandë.
Ka
marrë pjesë në më se 200 ekspozita kolektive kombëtare dhe ndërkombëtare. Në
fondin e saj krijues ndodhen mbi 2000 vepra. Miradija është vlerësuar me 3
medalje argjendi dhe Mirënjohje në Bruksel, në Gjilan në vitin 2006, në
Malishevë dhe Pejë 2008. Nuk e kam fjalën thjesht për vlerësimet që ka marrë
Miradija, të cilat rrëfejnë mirëfilli punën e saj, përkushtimin e saj, këtu unë
kam parasysh Kosovën, mundimet e krejt artistëve, shkrimtarëve, të cilët
krijonin të përgjuar nga regjimi. Ndoshta duke u përballur me të tilla vështirësi,
Miradija u kalit si një qenie njerëzore e veçantë, që do me mish e me shpirt
kombin e vet (kudo në veprën e saj si poetike ashtu edhe në pikturë tingëllon
Atdhedashuria, respekti për të parët tanë, por edhe dashuria e respekti deri
tek studentët e saj.
Po
të hedhim një vështrim tek albumi i saj me piktura “Bolero” dhe vëllimit poetik
“Hirësi përrallore”, së pari bie në sy ndarja nëpër cikle e këtyre veprave dhe
emërtimet, të cilat shprehin në mënyrë të motivuar si përmbajtjen ideore ashtu
edhe atë artistike. Kjo ndarje nëpër cikle është shenjë se autorja ka arritur
një pjekuri të plotë artistike, gjë që vihet re tek piktorë, shkrimtarë,
muzikantë dhe poetë të afirmuar. Le të kujtojmë: Fan Nolin, Lasgush Poradecin,
Migjenin, Vangjush Mion, Abdurrahim Buzën, Dritëroin apo Kadarenë.
Tek
albumi “Bolero” dhe libri poetik “Hirësi përrallore” e gjejmë këtë
ndërtim e ndërthurje. Kjo ndodh sepse edhe duke vërejtur në veprat figurative
edhe në ato poetike gjenden veçori të përbashkëta të këtyre dy gjinive.
Miradija bën që poezia të përfytyrohet plot ngjyra dhe pikturat e saj të
tingëllojnë si poezi, kjo është forca e bashkimit të gjinive artistike. Le të
shohim “Arketipe Ilire” (një nga
veprat më të bukura) dhe “Përjetësi në
Paris” ku ndërthuret udhëtimi në kohë dhe në hapësirë me anë të konceptimit
filozofik dhe përjetësisë së qenies. Ndërsa në “Shpirtëzime fluide” dhe “Hirësi
përrallore” vihet re shpërfaqja e imagjinatës dhe trillimit në
pikëvështrimin kryesor dhe në barazpeshën e mjeteve shprehëse.
Në
“Përshpirtërime poetike” dhe “Shpalosje” duket fare qartë sinonimia
ndërmjet pikturës dhe poezisë. Për admiruesit pa përvojë të artit ose lexuesit
e thjeshtë, piktura është diçka që shpaloset para syve të tyre pasi
mbizotërojnë: vizatimet, ngjyrat, dritë-hijet, ndërsa për poete-piktoren
Miradije, siç u shpreha dhe më lart piktura është edhe pëshpërimë poetike dhe
këtë mendim e përfton më së miri duke vërejtur disa etyde, akuarele, skica dhe
peizazhe të saj, kurse poezia është shpalosje e ndjenjës dhe mendimit.
Një
mënyrë e dytë e përqasjeve jo rastësore tek Miradija janë antitezat dhe
kontrapunktet, le të japim shembuj: “Variacione
kohore” dhe “Mbretëri e fjalës”, këtu
vërejmë fare lehtë antitezën sepse dihet në letërsi fjala është mbretëresha e
përhershme me hiret e saj përrallore, me qytetarinë dhe shprehjet e saj
metaforike dhe simbolike. Ndërsa me pikturën kjo nuk ndodh gjithmonë, ajo nuk
ka të njëjtët kufij mbretërorë sikurse poezia, pasi piktura është perandori
universle duke e krahasuar me perandorinë e zogjve, ajrit, dritës, që ekziston
për shkak të ndryshimeve perceptuese vizatimore dhe fantazindezëse. Piktura si
edhe muzika apo sportet kuptohen lehtë nga njerëz të kulturuar, të cilët sipas
pikëshikimeve të tyre të veçanta e kuptojnë në mënyrë të ndryshme për shembull
të njëjtën vepër arti. Ndërsa për të shijuar një poezi duhet kaluar nëpërmjet
rrugës së mundimshme të njohjeve gjuhësore.
Në
veprat “Rrugëtimi fatal” dhe “Dashuri për të tjerë” këtu kalvarit të historisë
dhe etjes për liri, sakrificave të një populli të tërë, autorja u vë përballë
pikërisht atë dashurinë e munguar nga të tjerët, të cilët dashurinë shpesh nuk
na e shpërblyen me dashuri.
Në
“Fytyra të humbura” dhe “Zonja e dashurisë” shpaloset ideja e etjes
për liri, në to ne vëzhgojmë perceptimin që i bën Miradija dhimbjes nga njëra
anë dhe imazhit nga ana tjetër duke krijuar personalitetin e saj shumëplanësh,
në këtë rast shpërfaqen dy aspirata njerëzore të përhershme siç janë: dashuria
dhe liria.
Në
artin e Miradijes mënyra e tretë krahasuese është marrëdhënia shoqëruese midis
shkakut dhe pasojës. Si shembuj mund të jepen: “Peizazhe të shqetësuara” dhe “Dheshkronja”;
në të cilat shpërfaqet shqetësimi i ligjshëm për fatet tona historike: dyndjet
barbare dhe humbjet e territoreve, të cilat e kanë tronditur thellësisht
dheshkronjën (gjeografinë) tonë politike dhe shkrimin gjuhësor. Në mendjen dhe
zemrën e Miradijes është Republika e Kosovës, një prurje e bukur, që të jep
shpresë, një hapësirë e re në dheshkronjën shqiptare.
Në
“Peizazhe imagjinare” dhe “Tëhuajsim i vonuar”, në bazë të kësaj
përqasjeje qëndron mendimi shoqërues: vuajtja dhe mundimi i tokës mëmë prej
mjegullave dhe padrejtësive të historisë, pasi vetëm e kemi përfytyruar
peizazhin e plotë të etnisë tonë, por që në rini nuk kemi mësuar ashtu siç
duhet historinë tonë në thellësi me rrënjët ilirike për pasojë me vonesë e
njohëm vetveten.
Në
ciklin me piktura “Portrete të humbura”
dhe atë poetik“Heshtja në mes”,
veprën e saj krijuese, autorja ia kushton atyre që merituan lartësimin si për
shembull Azem Shkrelit, të cilit i kushtohet poezia “Heshtja në mes”. Natyrisht ata që ikën nga jeta kishin edhe shumë
për të thënë, por ikën në heshtje, pa fjalë dhe mbetën portrete të ngrira, për
këtë arsye midis nesh dhe atyre qëndron heshtja dhe nderimi. Për të dhënë
kumtin e heronjve dhe dhimbjes për ta nuk ka nevojë për fjalë. Kur qëndrojmë
para bustit të një martiri, ne heshtim në solemnitet, sepse ai ka flijuar jetën
e vet për të na dhënë jetë. Në poezinë për Bekim Fehmiun dhe Beqir Musliun
autorja shprehet me bukurinë e vargjeve të saj: “lindje-vdekje, / lulegjaku do t’i kesh, / Lumëbardhit gjarpëror në
Prizren.”
Duke
qenë një patriote e mirëfilltë në pikturën dhe poezinë e Miradijes ka edhe punë
të veçanta me tituj më të drejtpërdrejtë të karakterit historik, politik apo
shoqëror përmendim: “Arketipe” në
fillim të albumit, “Kosova në luftë”,
“Kosova në OKB”, “Gota e demokracisë”, “Vjeshta”
e të tjera. Ndërsa i vëzhgon këto piktura ndjen qartë lëvizjen e gjallë të
ngjyrave nga njëri cikël në tjetrin.
Në
pikturë, Miradija ka punime të formateve të mëdha, të cilat janë të realizuara
me teknika të akuarelit, vajit apo të kombinuara, ato janë të vizatuara në
pëlhurë apo në karton. Një paralelizëm mund të bëhet këtu për poetikën e
Miradijes, pavarësisht se në të nuk ka poema, nëpër poezitë e saj rrjedhin
lumenj mendimesh dhe ndjesish, që e përmbytin përfytyrimin artistik sikurse
ndodh në pikturat e formateve të mëdha.
Miradija
pikturon, pra fjalët pikturë dhe vizatim janë më të përdorurat edhe në
arsenalin e saj poetik si për shembull: pikturë
lemeritëse, fjalë në pergamenë, pikturë e bardhë, mall e dashuri, pikturë e
lashtë – bukuri e trazuar, shpirti im
pikturë e lagur, pikturë e pakryer,
lashtësi vizatuar në mur, ndjenja që shndërrohen në pikturë dhe unë
vetë kthehem në akuarel, pikturë e
harruar, nesër do të vdes nëse thua
ti, hapësira të tymosura, muza që shndrisin hapësirave, gjethet e rëna
të drurëve – një furtunë në pikturë e të tjera. Spektri ngjyror i fjalëve
pikturë dhe vizatim e shpie natyrshëm poezinë e Miradijes në hapësira të reja
kuptimore në artin e saj poetik.
Piktura
nuk bëhet vetëm bardhë e zi, por edhe me ngjyra.peizazhet dhe ngjyrimet e
peizazheve janë shumë të pranishme në shpirtin e Miradijes, në sytë e saj, në
pikturat dhe poezitë e saj. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për ato të spektrit
diellor, pra për ngjyrat natyrore, por edhe për ato të spektrit emocional, që
përthyhen e këmbehen si optimiste, të ngrohta, të zjarrta apo pesimiste, të
ftohta e të akullta për shembull: me
zërin tënd në ngjyrë, të hedh ngjyrë në studio, të pikturoj; ngjyrat dhe
ndjenjat shkrihen në mallin për ty; nëse më do më kërko me këmishën e bardhë, pëshpërimë
ngjyrash, ngjyrat e Van Gogut, ngjyra purpuri, valsi i ngjyrave, bukuri
verbuese në ngjyra, shpirt i plagosur që i mungojnë ngjyrat, ngjyra që kallen
në pritje, gjethet e verdha që mbulojnë hirësinë përrallore, me shallin e
bardhë kokën mbështjell, në natën e errët mendoj, rruga e bardhë, ngjyrat e
mallit, aty ku ngjarja ndodh fjala mbetet në heshtje, e të tjera. Kështu përmes
këtij ylberi, përftimet ndjesore shtohen e rrezëllijnë si margaritarët, apo
struken e ngurtësohen si diamantët e zinj.
Në
poezinë e Miradijes nuk gjejmë përdorim të fjalëve që të vrasin veshin, nuk
gjejmë përdorim të fjalëve tallëse, nuk ka gjuhë vulgare dhe ndjellakeqe. Po e
njëjta gjë ndodh edhe me pikturat e saj nuk paraqiten skena makabre, të
shëmtuara që të të vrasin syrin. Natyrisht që kjo është shenjë përparimi dhe
emancipimi drejt së bukurës. Gjithçka që krijon Miradija është një model etik
dhe estetik. Ajo edukon me veprën e saj.
Shkrojta
më sipër për pjesëmarrjen e Miradijes në sa e sa ekspozita nëpër vende të
ndryshme të botës, së fundmi sipas kushteve që janë krijuar, ajo ishte e ftuar
dhe mori pjesë midis 39 pjesëmarrësve nga bota në Ekspozitën Ndërkombëtare të
Pikturës on line organizuar në Ankara
nga data 1 deri 15 shkurt 2021.
Shënim: Vëzhgimet mbi
paralelet midis pikturave dhe poezive të Miradije Ramiqit janë mbështetur mbi
studimin e Bardhyl Maliqit titulluar: “Simbiozat artistike të Miradije Ramiqit.