Faleminderit
Klajd Kapinova: Sekretari i fundit i Abacisë së Mirditës
E hene, 22.03.2021, 07:45 PM
Sekretari i fundit i Abacisë së Mirditës, themeluesi i kishës së
parë katolike shqiptare në SHBA (New York) mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989)
(Në kujtim të 30-vjetorit të kalimit në amshim)
Nga Klajd
Kapinova
Oroshi, është ish qendra e Mirditës, që ka gdhendur faqe të
ndritura në historinë e popullit shqiptar.
Ajo, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, në qendër të
maleve kreshnike të Veriut, duke u njohur me traditat e saj si një krahinë e
pastër katolike, ka qenë ndër shekuj një kështjellë e fortë e shqiptarizmës,
një epiqendër e fuqishme e tërmetit kundërosman për shekuj me radhë.
Ata që bënë historinë e Mirditës ndër shekuj, ishin kapedanët
ose Dera e famshme shtatë shekullore e Gjonmarkagjonit dhe abatët, veçanërisht
imzot Preng Doçi, ku, pasardhësit e të cilit jetojnë ende në afërsi të Rubikut.
Ai u shkollua në Shkodër dhe Itali. Shërbeu si misionar për
shumë vjet në Kanada dhe Kalkuta (Indi). Më pas ringriti Abacinë e Oroshit.
Ishte njeri, ndër figurat kryesore, që bëri shumë për të zhvilluar Mirditën dhe
vendosur rregull në jetën e malësorëve të asaj ane.
Abati i shquar, kishte shpesh tendenca të forta pavarësie nga
otomanizmi islamik de-shqiptarizues.
Ai, ishte njeriu, që kishte ngritur një platformë të kjartë
me bosht të theksuar politik, për krijimin e një Principate në Mirditë, duke u
përpjekur, për t’a vënë atë në jetë.
Për më tepër, krahina në fjalë, është qeverisur gjithmonë me
dinjitet, në bazë të kanunit të maleve dhe për kohën e mungesës së shtetit dhe
të drejtës (ligjeve ose kushtetutës) së shkruar.
Kanuni i Lek Dukagjinit (i mbledhur dhe kodifikuar më vonë
nga atë Shtjefen Gjeçovi O.F.M. (1874-1929), ishte një nevojë e domosdoshme,
për të drejtuar jetën e bashkësisë nëpër Malësi të Veriut, në të cilën, ka zënë
vend në histori Mirdita, me qendrën e saj të hershme Oroshin.
Mbiemri Oroshi, që prelati mbarti me dinjitet edhe në SHBA,
lajmëron sipas regjistrave të kishës, se ai kishte lindur më 24 nëntor 1912, në
tokën e kathedraleve (deri në shek. XIX numëronte 200 kisha), limanin vigan të
kryengritjeve për flamurin e lirë, që ishte e mbeti Mirdita.
15 vjet më pas, i riu Jozef Oroshi, gjendet në auditoret e
Seminarit Papnor në Shkodër.
Librat, me sa duket ishin dhe mbetën pasioni i tij i vetëm.
Përkushtimi i përshpirtshëm ndaj fesë e shërbesave fetare, ishte një traditë e
hershme e trashëguar nga të parët e familjes Oroshi.
Mësimet fillestare Zefi i vogël, i mbaroi në vendlindje,
ndërsa mësimet e mesme i nis në vitin 1927, në seminarin e mirënjohur të
Jezuitve në Shkodër.
I etur për dije të thella e kulturë të pasur civilizuese dhe
kristiane perëndimore, vijon studimet e larta më 1936-1940, në degën admiruese
të Teologjisë e Filozofisë në Romë (Itali), pranë Universitetit të Urbino-s në
Propaganda Fide, sëbashku me 14 djem të tjerë të rinj shqiptarë asokohe.
Mprehtësia dhe zgjuarësia, ishin të ngjizur thellë në mendjen
e begatë të të riut.
Kardinali italian Shkëlqësia e Tij mons. Fumasson Biondi,
Prefekt i Propoganda Fide, e shuguron, duke i dhuruar petkat dhe koletin e
meshtarit.
Buzëqeshja e sinqertë dhe fisnike, lexohej lehtë në fytyrën e
meshtarit të ri, që hynte me ndërgjegje dhe dëshirë të plotë në vreshtën e
madhe të Zotit.
Fjala e Zotit, është fjala e popullit
Meshtari, gjatë gjithë jetës së tij, u gjend afër popullit të
vet, në ditë të mira dhe të vështira, si një ushtar besnik i Krishtit.
Ai ndau me besimtarët gëzimet dhe hidhërimet e një jetë të
vështirë plot tallaze në emigracion.
Abati i Mirditës dhe Delegati (Regent) Apostolik (kur është dëbuar
nga qeveria komuniste e Tiranës imzot Leone Nigris Delegat Apostolik në
Shqipëri deri më 5 maj 1945, shënimi im K.K.) imzot Frano P. Gjini (1886-1948)
e kishte dom Zef Oroshin meshtar të ri në moshë dhe njëkohsisht sekretar të tij
të përkushtuar, brenda famullive, që administronte shpirtërisht (kishat
sufragane).
“Edhe në jëtën baritore, ai s’ka pushue kurr pa përfitue
nga përvoja kur ka pasë shembuj të shkëlqyeshëm.
Prej 1940-1942, p.sh. shërbeu si sekretar i Abatit të
Mirditës n’Orosh, Imzot Frano Gjinit, të cilin e admironte për drejtimet e
këshillat qi epte, për elokuencën e tij bindëse e për pervujtininë e dinjitetin
fetar e kombtar qi e praronte.
Si në dhomën e pritjes dhe zyrën e Abatit, ashtu edhe në
zyren e sekretarit të tij, Dom Zefi, kishte varë pikturat e patriotit në za,
Abat Preng Doçit.
Nji ditë i vjen nji mik prej Shkodre Imzot Gjinit, dhe kur ve
re se titullari i abacis nuk kishte asnji pikturë, i kthehet Dom Zefit, tue e
prozhmue: “Po si more Dom Zef, s’ia paskeni gjetë nji pikturë
edhe Monsinjor Gjinit!?”
Per te mos e ngushtue priftin e ri, Monsinjor Gjini, i
pergjigjet me të shpejtë: “Kur të vdes un, në qoftëse e meritoj, do t’ma
venë pikturën krah për krah me Abat Doçin; përndryshe do të mbajnë vetëm
t’Atijën. Si dihet Monsinjor Gjini, u ba martir e dha shum ma tepër se Abati i
“surgjenum” për mase 20 vjet.”
Mbas 12 vjetëve (1940-1952), pasojë e përndjekjeve të
Sigurimit dhe martirizimeve të vëllezërve në Krishtin, në kohën e ateizmit të
gjirokastritit Enver Hoxha, mbasi thotë meshën e pagëzon një fëmijë të
porsalindur, hoqi shpejt veladonin dhe mori udhën e arratisjes nëpër male, duke
iu bashkuar forcave të rezistencës kundërkomuniste.
Kryqin, që kishte në qaf nuk e la në kishë, por e mori me
vete, për t’ia prirë të mbaren në udhëkryqet e botës.
E Zoti e deshti dhe e ndihmoi shumë. Ai ndihmoi në momentet
më të vështira me qindra emigrantë, duke u dhënë ndihmë papushim, në të gjitha
drejtimet, deri sa ai vetë kaloi në jetën e pasosun…
Për 8-9 muaj, qëndron mes maleve, në shpella, shi e borë, me
bukë e pabukë, i veshur keq në dimër, duke provuar mundimet e Krishtit, që
salvohet nga të pafetë.
Në ditën e Pashkëve të vitit 1952, për trimat e lirisë, mes
maleve të Mirditës (pyjet e Molungut), thotë meshën në orët e para të
mëngjesit, ku, Zoti i dëgjon lutjet, duke e shpëtuar e udhëhequr drejt tokës së
lirë…
Në gusht 1952, ai gjendet në tokat etnike shqiptare në
Dardani për disa muaj, duke kaluar e qëndruar për pak kohë në Gjakovë, Pejë,
Mitrovicë… dhe shkon në Beograd.
Dera e Gjomarkajve të atdhelindjes së vet, falë mikpritjes,
zemërgjerësisë, bujarisë tradicionale, i dërgon garanci, për të shkuar në Itali.
Ishte viti 1953, kur ai gjendet sërisht para ëndrrës rinore.
Tashmë 41-vjeçari Oroshi, po e prekte realitetin dhe shijonte atë liri, që prej
kohësh e kishte bluar në mendje e dëshiruar me zemër.
Sërisht me libra dhe pranë tyre, ndjehej i gëzuar dhe krenar
si bir arbëror. Më të mbërritur në Romë, fillon përpjekjet e takimet me
klerikë, për të vijuar studimet e larta në Teologji.
Këtë dëshirë zemre e përkushtimi, për dituritë, shumë vite më
parë, ia kishte shprehur ish-eprorit të lartë abatit ipeshkëv imzot Frano
Gjinit.
Dhe Zoti e ndihmoi, për t’i hapur me bujari portat e dijës
universale, mbasi kishte ndjekur nga afër kalvarin e vuajtjeve, për të ardhur deri
tek Portat e Piazza di San Pietro në Itali.
Paralel me studimet e larta, i kërkoj Selisë së Shenjtë, që
t’i miratoj kërkesën (dekretin), për të qenë kapelan katolik (bari
misionar), për bashkëatdhetarët mërgimtar politik, që gjendeshin në Romë.
Një pjesë e grigjës së tij, kishin shprehur dëshirën, për të
emigruar në ShBA, ku, imzot Oroshi i ndihmon, falë bujarisë të gjithë pa dallim
feje.
Sikurse kujtojnë miqët e tij prelati, ka ndihmuar me bujari
një hoxhë shqiptar, për të ardhur i qetë në Tokën e Bekuar të Amerikës.
Me bindje të plotë tek e ardhmja, menjëherë iu përvesh punës
dhe filloj veprimtarinë intelektuale e baritore, duke u marrë pikësëpari me
shqipërimin e librave të rëndësishme, me të cilat, do të përhapte fjalën
Hyjnore të Krishtit dhe ruajtjen e gjuhës së bukur amtare, shqipen.
Por në Tokën e Bekuar të Botës së Re, një tjetër prelat
katolik, kishte qenë përpara imzot Zef Oroshit. Ai ishte bashkëvendasi e
atdhetari i flaktë, abati i Mirditës e rilindasi i madh imzot Preng Doçi.
Kjo kishte ndodhur, në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ai,
meqenëse e kishte të ndaluar të kthehej në Shqipëri nga Perandoria Osmane
asokohe (mbas 11 vjet burg, që kaloi në qelitë e ftohta të osmanllinjve), imzot
Preng Doçi (duke e marrë miratimin nga Selia e Shenjtë), u nis për mision në
Amerikën e Veriut në vitin 1877. Ishte ky shqiptari i parë mirditor, që shkeli
kontinentin e ri, si misionar klerik katolik.
Dy mirditas Doçi e Oroshi, në kohë të ndryshme, bëhen tribunë
e mendimit përparimtar shqiptar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndihmë të
besimtarëve dhe popullit shqiptar i ndodhur njeri mbas tjetrit në dy robëri:
otomane islame barbare dhe diktaturën ateiste komuniste.
Studiuesi dr. Pjetër Pepa, saktëson: “Natyrisht, kleri
katolik, që kishte qenë historikisht urë lidhjeje mes Shqipërisë dhe Europës,
që kishte kulturën perëndimore, kishte miq në Perëndim e bashkëpunonte me
Perendimin, sa herë e lypte çështja kombëtare dhe fatet e atdheut, ishte
gjithnjë kundër orientalizmit dhe e luftoi atë, me të menduarin, mënyrën e
jetesës, administratën e veprimtarinë shoqërore e prapë, gjithsesi ishte në
epiqendër.”
Falë pasionit e vullnetit të hekurt, për t’u marrë me libra
dhe studime, që kërkonin shumë mund dhe kohë në përkthime, dr. Oroshi,
përfundoi shqipërimin e librave: Katekizmi (1953), Ungjilli simbas
Mateut (1953), Studimet e Bioshme (1953), duke mos lënë mbas dore
studimin e leksioneve të disiplinave të universitetit në vitin e parë akademik
(1953-1954).
Po më 1960, përkthen dhe boton Visarthin Shpirtnuer,
një lloj katekizmi doracak, për familjarët emigrantë shqiptarë katolik.
Dashuria e respekti, për shkrimtarët e shkollës së traditës
geg veriorë, që kishin vulosur me erudicionin e përkushtimin e tyre, u bënë
objekt i studimeve të tij.
Për të qenë më konkret, ai zgjodhi shkrimtarin e shquar dhe
prozatorin modern prof. Ernest Koliqin dhe kontributin e tij shembullor
shumëplanësh, në fushën e letërsisë bashkëkohore shqipe.
Një punim të plotë dhe dinjitoz: si vepër monumentale,
kushtuar shkrimtarit Koliqi (numër special), ai e botoi të plotë, në
revistën autoritative, shkencore, kulturore Shejzat (1975), në
përkujtim të mikut të tij të madh.
Në Universitetin e famshëm të Romës Angelicum (1958), vijon
studimet e vitit të pestë në degën adhuruese të teologjisë, që ndryshe njihet
si disiplina ose gjimnasitika e trurit.
Këtu merr si subjekt, për të trajtuar gjerësisht e
filozofikisht 20 teza në shkencën e Teologjisë, duke e mbrojtur (në vitin 1960)
me sukses temën: “Një reformator i madh i Kishës irlandeze të shekullit XII”,
për gradën shkencore Doktor.
Në komisionin e Këshillit Shkencor Vlerësues të
Universitetit, bënin pjesë figura të shquara të kulturës, që punonin si lektorë
në Universitetet e ndryshme italiane.
Ekipi prej pesë profesorëve të njohur italianë dhe një nga
Universiteti i Oxford-it në Angli, e dëgjonte me vëmendje dhe interesim
shpiegimin e tezave, sipas një këndvështrimi dhe studimi të hollësishëm, që
kleriku shqiptar, i kishte bërë punimit voluminoz shkencor të disertacionit
shumëplanësh filozofik, teologjik, të cilin, e përshkonte një bosht i ngjeshur
enciklopedik.
Kjo u duk dhe në literaturën e përzgjedhur shoqëruese, që
autori i palodhur e këmngulës kishte renditur në fund të temës shkencor hulumtuese.
Kujtimet e hidhura nuk i fshihen…
Ai përpiqej, t’a largonte vemendjen nga ngjarje plot të papritura, që i kishin
ndodhur në Shqipëri. Por sërisht, kujtime të një kohë të hidhur, që s’harrohen
e ngacmonin, për të gjykuar sesi ka mundësi, që shqiptari komunist urren për
vdekje bashkëatdhetarin atdhedashës dhe idealist.
Jemi në vitet e inkuizicionit të zjarrtë komunist, ku,
proletarët, ishin gati të grinin në morsën e tyre cilindo, që nuk mendonte,
ushqehej e këndonte vallen sllavo-ruse proletare kundërshqiptare…
Kështu, krimineli me nofkën sadisti i pamëshirshëm, i
quajturi famkeqi Hodo Habibi (i vetëquajtur si Toger Baba), me urdhër të
treshës: Rita Markos, Mehmet Shehut e Enver Hoxhës, e ndiqte këmba-këmbës dom
Zefin, për ta vrarë, ashtu sikurse kishin masakruar pa gjyq 101 vetë në Qarkun
e Shkodrës sëbashku me Malësi të Madhe (Kelmend), sikurse në Lezhë dhe Mirditë.
Editorët e botimeve kulturore të kohës, me këmbëngulje i
kërkonin eruditit të palodhur dr. Oroshit, artikuj të larmishëm me tematika të
ndryshme.
Kjo duket gjatë letërkëmbimeve, që prelati katolik kishte me
pendat e spikatura të mendimit elitar shqiptar në emigracion, si: prof.
Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, prof. Rexhep Krasniqin, prof. Martin
Camaj, atë Daniel Gjeçaj O.F.M…
Kështu, në një letër që prof. Ernest Koliqi, i shkruan nga
Roma imzot Oroshit, ndër të tjera nënvizon: “Ju falena nderës për letër.
Presim si zogla verës ndoi shkrim t’Uejin. Shndet e punë të mbara.”
Ajo që është interesante, është se ai ka nënshkruar si antar
i Urdhërit të shën Françeskut, kur në fakt kishte mbaruar studimet teologjike
si klerik jezuit.
Edhe sot komuniteti katolik shqiptar në Neë York dhe
rrethina, meshtarin aktual (një prift dioçezan) të Urdhërit Jezuit dom Pjetër
A. Popaj, shpesh e thërret si frat.
Malësorët tanë, kanë pasur e ruajnë ende një respekt të
veçantë, për antarët e Urdhërit të shën Françeskut (shek. XIII), në Veri të
Shqipërisë, të cilët, me përkushtimin dhe dashurinë e tyre për popullin, kanë
lënë gjurmë të pashlyeshme, në ndërgjegjën e kombit shqiptar ndër shekuj.
Don Zefi, ka celebruar meshë së pari në kishën sllovene të
shën Cirilit në St. Morris Park 8th Street në Neë York, në kapelen e
Universitetit të Fordham-it në Bronx, në shkollën e kishës së Mount Cornel në
Bronx, në kishën e St. Raymond’s në Costle Hill Avenue në Bronx.
Emigrantët shqiptarë në Amerikë, kishin ardhur nga kampet e
refugjatëve të Italisë e Austrisë.
Për më tepër, Lidhja Katolike, u formua në një mbledhje të
mbajtur në kishën katolike sllovene të shën Qirilit, në Saint Mark’s Pace, Neë
York.
Në mbledhje, si mysafirë, morën pjesë, mes të tjerëve, prof.
Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit Shqipnia e Lirë dhe aktivisti i
komunitetit Stavri Qiriako nga Bashkësia Orthodokse Shqiptaro Amerikane.
Asokohe Monsinjori, që ishte meshtar i emëruar, për shërbesa
fetare në St. Raymond (East Tremont Avenue, Bronx, Neë York), megjithëse çonte
meshë në kishën amerikane, gjithnjë me shpirt e zemër rrinte pranë komunitetit
të vogël katolik shqiptar.
Dhe më 1973, u realizua dëshira e madhe e klerikut të
përkushtuar në trinomin Fe - Atdhe - Përparim, mbas fushatës fondmbledhëse prej
bashkatdhetarëve, në praninë e besimtarëve, u bë më në fund bekimi i kishës së
re, mes një atmosfere të madhe gëzimi, me të cilin ishte bashkuar, përmes
mesazhit edhe ish Kardinali i Neë York-ut, i ndjeri, Arqipeshkvi
Metropolitan Eminenca e Tij Terence Cooke.
Kisha e re, qendroi për shumë orë e hapur, për vizitorët e
shumtë shqiptarë dhe amerikanë.
Në një nga sallat e bukura të ambienteve të Fordham
University, u mbajt programi i rastit dhe u shtrua darka madhështore,
përgatitur nga Këshilli dhe Pleqsia e Lidhjes Katolike Shqiptaro Amerikane dhe
tre komisione te formuara nga ata.
Ja sesi e përshkruan, Mark K. Shkreli, atmosferën festive të
asaj dite gëzimi, për të gjithë bashkëatdhetarët, në faqet e revistës me të
njëjtin emër, tek përcjell raportin:
“Saloni, megjithse me 400 vende, kje tepër i vogël, për të
pranue të gjithë ata që dëshirojshin të merrshin pjesë në këtë solemnitet.
Mbramjen madhështore e zamadhe me praninë e tyne dhe mysafirët e grishun, për
ketë rast e nderonin ndër të tjerë (mbasi drejtori i ynë, At Zef Oroshi dhe
kryetari i mbramjes z. Fran Sokoli, morën vendet e veta) edhe: Dr. H. Begeja,
përqafsues i Ballit Kombëtar, z. Ago Agaj, përfaqësues i B.K.I., Dr. Rexhep
Krasniqi, president i K.Sh.L., z. Imam Isa Hoxha i Neë York-ut, z. Peter
Chickos, president i Vatrës, imzot Gustav Schultheoss, Vikar Episkopal i
Bronx-it dhe perfaqësues i Eminencës Kardinal Cooke, Arqipeshkëv i Neë York-ut;
Imzot Stefan Lasko, ipeshkëv i Kishës Orthodokse Shqiptare n’U.S.A.; Dr.
Anthony Athanas, ish-Kryetar i Vatrës dhe përkrahës i çdo të mire shqiptare;
Dr. Çesk Ashta, Kryetar i L.K.Sh.; z. Sami Çaushaj, i Org. Balli Kombëtar; Dr.
Arnold, i shkollës Mjeksore “Eistein” Bronx; Dr. Broën, Drejtor i Projekteve
Shëndetësore në Fordham Misericordia Hospital; Dr. Athanas Gegaj, editor i
gazetës “Diellit”.
N’ora 5 mbas dreke, kryetari i darkës z. Fran Sokoli, shpalli
fillimin e programit. Zonjusha shqiptare Lume Juka, këndoi Hymnin Kombëtar
amerikan dhe atë shqiptar. Mbasandej lexuene referatet z. Ndoc
Vulaj, n/kryetar i L.K.Sh.A. dhe z. Pashko Deda, antar i të njajtës. Hymnet dhe
referatet kjenë të pershëndetuna me duartrokitje të zjarrta.”
Po të shikosh me kujdes fotot e botuar, në koleksionin e
revistës Jeta Katolike asokohe, syri dallon menjëherë pamjen arkitektonike të
projektuesit, ku, Shtëpia e Zotit, (Kisha), kishte formën e kryqit latin, me
kumbonare, me hapësirë mbas lterit, me drita të zbukuruara shumëngjyrëshe, që
ndriçojnë fugurët e shenjtorëve dhe afresket e shënjtorëve në
pikturë.
Këtu shquhej një ballkon, brenda ambienteve të Kishës dhe në
fasadet e saj, janë të vendosur truporet e shën Ndout, shën Nikolla, Nana e
Këshillit të Mirë, etj., ndër më të adhuruarit me devocion të besimtarëve të
krishterë e jokrishterë.
Bariu nacionalist e dijetari i ndritur i shqiptarëve, la një
emër shumë të mirë në fushën e publicistikës e botimeve në gjuhën shqipe.
Ishte ai, që shqipëroi librin Katër Ungjijt dhe Punët
e Apostujve (Romë, 1960, 1979), në gjuhën e ëmbël geg, aq të nevojshëm
për shqiptarët.
Pjesë nga materialet e para të shqipëruara prej Ungjillit, nisin
të botohen për herë të parë, në revistën e komunitetit katolik Jeta Katholike
Shqiptare (1966-1978), në numërat e para të saj, por pa nënshkrimin e vet.
Kjo rubrikë, vijoi rregullisht, në shumë numëra të së
përkohshmes, për pesë vite me radhë.
Monsinjori ishte tepër enërgjik, në kryerjen me saktësi deri
në fund të çdo detyre, që merrte përsipër.
Don Zefi, me modestinë tipike malësore, ishte një bibliotekë,
që ecte me dy këmbë, sikurse shpreheshin të gjithë ato që e njihnin nga afër, “një
enciklopedi vërtetë e gjallë”.
Ai nuk dinte të shterronte kurrë, për dijet akademike dhe
bashkëkohore fetare dhe kulturore shqiptare që zotëronte.
Për nga kultura e pasur dhe e gjerë, ai kishte përherë në
zotërim, një thellësi e pastërti mendimi logjik.
Mbas Koncilit II Vatikanas (1967), mesha e shenjtë, u caktua
me dekret papal asokohe të mbahet jo në gjuhën tradicionale latine, por në
gjuhën respektive të çdo populli, që ushtron besimin katolik.
Eshtë bërë traditë në çdo shtet, për meshtarët, kur emërohen
si barinj shpirtëror në shtete të ndryshme të botës, duhet të flasin gjuhën e
popujve që u shërbejnë me sakramente e çojnë meshën në kishë.
Në këtë mënyrë, kuptohet dhe përjetohet më kjartë domethënia
e doktrinës së krishterë.
Mbas 40 viteve (2007), papa Benedikti XVI, ka shprehur
orientimin (sërisht me dekret papal), për t’u kthyer tek tradita e hershme
kristiane.
Tashmë mesha, po mbahet në gjuhën e hershme tradicionale
latine, për të qenë më pranë kohës së hershme, kur krishterimi u bë si fe
zyrtare në botë.
Shprehja me fjalë të zgjedhura e mbresëlënëse, erudicioni dhe
edukata e thellë ekumenike e imzot Oroshit, ishin ftesa e së dielës edhe për
shqiptarët e besimeve të tjera, shumë prej të cilëve shkonin për të dëgjuar
predikimin e tij (homelinë) në kishë.
Si njeri me kapacitet human dhe mjek i mirë me ilaçet
shpirtërore të Krishtit, shëron shumë plagë ndër shqiptarë, mërgimtarë të
infektuar nga dhuna e ushtruar nga rregjimet e njëjta totalitare.
Dr. Oroshi, edhe gjatë meshëve në kishat amerikane, bëri
apel, për të drejtën e popullit për liri civile, besimi, për të cilën vuante
shpirtërisht e punoi me devocion me miqtë amerikanë dhe aktivistë të palodhur
bashkëatdhetarë kudo nëpër botë, për lirinë e fesë në Shqipëri.
Projektues e aktivisti i flaktë, mbetet si frymëzuesi i
bashkatdhetarëve në organizimin e disa tubimeve kundërkomuniste dhe liri besimi
në Shqipëri, para Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UN) në Manhattan Neë
York.
Respekt e mirënjohje për mësuesin Mjeda
“Shekujt
e parë letrarë shqiptarë, apo e thënë ndryshe, faza pararendëse e kulturës së
shkruar shqipe, dallohet për një prani të gjithëpushtetëshme të autorëve
klerikë katolikë… Në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, nga 294 autorë që
botuan të paktën një libër, 205 prej tyre ishin pjesëtarë rë komunitetit të
krishterë shqiptarë…”
Prof.
Dr. Stefan Çapaliku
“Krishtërimi
ndër shqiptarë”,
Tiranë,
1999 f.440-441
Imzoti e adhuronte shumë mësuesin e paharruar klerikun,
poetin dhe njeriun e shquar të përmasave botërore dom Ndre Mjeden (1866-1937).
Oroshi, shpesh jetonte e vepronte, nën shembullin e
edukatorit të zellshëm e frytdhënës, pranë Seminarit Papnor në Shkodër
(1843-1946, 1991).
Për të gjithë shqiptarët asokohe, Ishte një ndër njohësit dhe
propaganduesi më i shkëlqyer i jetës dhe veprës së poetit të dashtur Mjeda.
Ai, e përkujtoi me respekt të madh mësuesin e tij, në shenjë
mirënjohje e nderimi në Neë York, duke organizuar përkujtimin, në 40-vjetorin e
vdekjes.
Mjedja dhe nxënësi i shkollës e adhurues i tij, kleriku
emigrant imzot Oroshi, kishte miqësi me klerikët shqiptarë të besimeve fetare.
Dom Ndre Mjeda e prifti Oroshi, ishin për dialogun ekumenik
me ortodoksët, besimin islam, bektashit, protestantët e fetë e tjera.
Ai, kishte bërë shpesh takime me Kryepeshkopin Hirësinë e Tij
imzot dr. Fan Stilian Nolin në Boston.
Për frymën e shëndosh në takimet ekumenike (midis kishave të
krishtera), sikurse mësojmë nga studiuesi i rrymës shkencore të mjedjaologjisë
prof. dr. Mentor Quku, “…autoriteti i Mjedës, në këtë drejtim ishte absolut.
Personaliteti i poetit, shihej si njeriu më i përshtatshëm në të gjitha rastet
kur lindëte nevoja për dialog.”
Në mesin e shekullit XX, me rizgjimin e lëvizjeve për
bashkimin e besimtarëve të krishterë në botë, filluan të thyhen shumë barriera
e pengesa përmes ekumenizmit.
Kështu papa Pali (Paul) VI (1963-1978) e Patriarku i
Konstantinopojës Atenagora I (1886-1972) me origjinë arvanitas, që jetojnë në
Greqi, në takimin e tyre në vitin 1964 në Tokën e Shenjtë, u
munduan t’i afrojnë zemrat e të krishterëve të ndarë (shkizma) në vitin 1054.
Diskutimet e gjata, të dy barinjve të grigjës shqiptare në
emigracion, gjenin gjithnjë frymën e ngrohtë të mirëkuptimit e respektin e
ndërsjelltë.
Ata kishin menduar kohë të gjatë, për rikthimin dialogut
ndërfetar (ekumenik), që kishin bërë pararendësit prelatë, për të afruar e më
pas bashkuar kishën e ritit oksidental (catholic roman) dhe oriental (orthodox
east), si një vlerë e re shpirtërore e bashkësisë arbërore në ShBA.
Me sa duket, përvojën e kishte mësuar nga eruditi i gjërë e i
thellë poliedrik i poetit dom Ndre Mjedja shumë vite më parë.
Fëmijëria dhe rinia asokohe, kanë qenë një bllok shënimesh në
kujtesën e freskët të klerikut dr. Oroshi.
Në revistën 3 mujore të përkohshme të komunitetit katolik
shqiptar në Neë York, ai do të shkruaj artikullin me titull: “Dom Ndre
Mjedja me rastin e 40-vjetores së vdekjes.”
Ashtu sikurse për dom Mjedjen e madh dhe bariun në emigracion
imzot dr. Oroshin, “… feja dhe atdheu janë dy nocione, të cilat, nuk
ishin në raporte përjashtuese me njeri tjetrin. Në çdo rast kudo dhe kurdo
kishte vend për të gjithë… Devocioni fetar është brenda vetëdijës së Mjedës
sëbashku me atdhetarizmin e flaktë. Ata nuk mund të përjashtonin njeri-tjetrin,
sepse ashtu ishin dimensionuar; ata flinin bashkë brenda Mjedës”
Kishte raste, që nga misionet e pambarim imzot Oroshi, gjente
pak kohë të lirë, për t’u prerë në qetësi, vetmi e cila, i pushtonte mallin për
atdhelindjen.
Meditacionin e thellë si ushtrim shpirtëror e bënte dy javë
në vit.
Vetmia e tij, ishte një adhurim i përshtatshëm mbushur me
lutje, për një kontakt më imtim me Zotin.
Ai shpesh i mbushte sytë me lot dhimbjeje e malli të pashuar,
për atdhelindjen Oroshin, familjen e shpërndarë në kampet e vështira të
internimeve komuniste.
Gjatë shëtitjeve të lira në park, që miku i afërt Tomë
Mrijaj, ka bërë me imzot dr. Zef Oroshi, biseda të lira për Oroshin,
përsekutimin e klerit katolik në Shqipëri.
Dr. Oroshi, gjatë bisedës telefonike, i thotë mikut të vet: “Tomë,
a keni mundësi të vini pak tek unë!?” Bashkëbiseduesi i përgjigjet
prelatit, se në çdo kohë, jam i gatshëm të vi tek ju.
Toma, tregon: “Kur hyra brenda shtëpisë, Monsinjori, u
ngrit në këmbë, me buzëqeshi gjithë humor, duke thënë: “Pashë në dritare një
diell të bukur, që më ngacmoi në shpirt frymëzimin. Menjëherë, më shkoj mendja
tek ju, e u telefonova, duke qenë i sigurtë se do të vinit për të shëtit
sëbashku me mua.”
Iu përgjigja, se jam gati të shkojmë për shëtitje, ku, të
dëshironi ju. Ai dëshironte që të shkonim në brigjet e plazhit Orchard Beach.
Atë ditë, në bregdet nuk kishte asnjë vizitor, përveç meje, imzot dr. Zef
Oroshit dhe qindra pulëbardha, që fluturonin dhe ecnin të qetë rreth nesh.
Prelati ynë më pyeti:
“I dashtun Tomë, nëse ia qëlloj a më thua të vërtetën?”
Ai nga sëmundja e rëndë, mendonte se e kishte humbur
vetëdijën. Monsinjori, e ngriti dorën e djathtë lart e shtriu drejt ujërave të
pambarim të Oqeanit Atlantik dhe me drejtimin nga Jugu më tha: “A i bie të jetë
në atë drejtim Shqipnia?”
Unë iu përgjigja menjeherë, se në atë drejtim, që tregoni ju
me dorë është Shqipëria. Pashë se mënjeherë i erdhi nga thellësia e shpirtit
një buzeqeshje shumë e gëzuar.
U ngrit në këmbë, i çoi duart përpjetë dhe tha fjalët: “E
vraft Zoti Enver Hoxhën e at komunizëm të zi, që nuk na la me jetue në vendin
tonë. Po ç’ka i bam na priftat, të cilët, u masakruan nga diktatura e tij. Na
historikisht, e kena dasht dhe e dona vendin e popullin tonë, të cilit, i kena
shërbye përherë me zemër e dashuni.”
Atij i plasi një vaj i madh dënese dhe përshpërti emrat e
vëllezërve të tij Prenit, Ndout dhe motrës Luçies, për të cilët, kishte marrë
lajme jo të mira, se gjenden të internuar në Gradisht të Lushnjës.
Ju drejtova imzot Zef Oroshit, se ju jeni një personalitet i
madh, që po vuani, sikurse kanë vuajtur historikisht njerëzit e shquar të këtij
planeti.
Librin tuaj të shqipëruar: “Katër Ungjijt dhe
Punët e Apostujve”, e pashë në çdo Kishë gjatë vizitës sëfundit në Kosovë dhe
meshtarët më pyesnin për ju. Ai u qetësua disi dhe mbas pak minutash u kthyem
me makinë në shtëpinë e tij…”
Është
thënë e shkruar gjithnjë, se Shtypi Katolik mbarëshqiptar, ka qenë ndër shekuj
shtyllë e atdhedashurisë dhe jo më pak kulture kudo.
Këtë
e dëshmojnë objektet e panumërta arkeologjike: skulpturë, pikturë, letrare,
vepra të ndryshme arti të shpërndara anekend vendlindjes; dhe këtë e dëshmon në
veçanti një histori e larë me gjakun e tij në shekuj.
Ai,
iu kundërvu me pendë dhe gjoks barbarizmave të huaja dhe servilizmave të
opurtunistëve të brendshëm në trojet shqiptare.
Kjo
ka qenë në shekuj dhe dekadat e porsakaluara arsyeja që kleri katolik, u gjet i
pari në shenjestrën e të pazotëve, që poshtëruan vendin tonë dhe e kthyen atë,
sikurse benë edhe osmanët, nga një kopsht i lulëzuar feje dhe kulture në një
gërmadhë rrënojash fizike e shpërtërore, gërmadhë vuajtesh dhe mjerimi. “Për
të ripërtërirë lulëzimin e humbur, do të duhen dekada të tëra mundi dhe djerse,
sepse brenda kësaj gërmadhe tragjike e do të thoja katastrofike, gjendet rinia
e jonë e ikur në vendet e huaja, ndoshta për të mos u kthyer më.” (Don Ndoc
Nogaj, “Shtypi Katolik Shqiptar 1991 nëntor 2001”, Shkodër, 2001, f.6)
Të
sjellësh ndër mend dhe të rreshtosh figurat e mëdha jo vetëm kulturore fetare,
pot edhe morale, jo vetëm klerikale, por thjeshtë katolike, të kulturës së një
vendi shumë të lartë është imperativi i çdo njeriu, që ka për zemër brumosjen e
botës shpirtërore të fëmijëve e të rinjve tanë, ku kisha me shtypin e saj ka
qenë një fanar drite, jo vetëm në lëmin fetar por edhe atë kulturor e atdhetar.
Kjo
gjë duket e kjartë sapo të hapësh një antologji letërsie, qysh prej viteve
1934-1944, 1945-1990, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme diturie ndër
shekuj, por edhe brymosën tokën e shenjtë në vendlindje me gjakun e tyre martir.
Janë
pikërisht Urdhëri i Jezuitëve, ata që zënë një vend nderi në publicistikën
shqiptare. Qysh në ditët e para ata u ndeshën me Perandorinë e “pathyeshme”
Osmane, duke ndërtuar Seminarin dhe Kolegjen Saveriane në Shkodër më 1870,
sollën në qytet, pa përfunduar ende mirë insitutet e mësipërme, një
Shtypshkronjë “E Zojës së papërlyeme”, duke filluar pas pak edhe botimin e së
përkohshmes “Elçija e Zemrës së Krishtit” (mars, 1891), me shpenzimet e vetë
kuvendit.
Numëri
i Parë i Revistës “Jeta Katolike” (New York, 1966)
Revista
“Jeta Katholike Shqiptare” (Albanian Catholic Life) si organ shtypi, që në
hyrje përcakton, se është organ i Lidhjes Katholike Shqiptaro Amerikane në Neë
York. Redaktorët e parë ishin: Dr. Çesk Ashta e Kolë Çuni, ndërsa drejtor
përgjegjës Rev. Joseph J. Oroshi, D.D. Adresa e parë e revistës është: 261
South Broadëay Tarrytoën, N.Y., U.S.A.
Më
poshtë në faqen e dytë thuhet, se dorëshkrimet dhe nëse nuk botohen nuk kthehen.
Karakterin
demokratik dhe lirinë e debatit e shohim në përcaktimin se: “Artikujt me
karakter polemik, duhet të nënshkruhen me emen.”, një shembull ky për mediat
“demokratike” shqiptare të shekullit XXI.
Në
ballinë bie në sy dy shtegtarët arbër, që shoqërojnë me vështrimin e tyre ikjen
në Genazzano (Itali) të Fugurës së Shenjtë të “Zojës së Shkodrës” mbas
masakrave barbare të pushtuesve turq mbi popullsinë vendase.
Kjo
vepër relgjioze dhe artistike njëherësh, gjendet sot në tavanin pranë elterit
të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” (1998) në Harsdale Neë York. Revista në fjalë,
në #1, viti I (1966), ka 26 faqe. Bie në sy në gjithë buletinin mungesa e
gërmes ë.
Ajo
hapet me editorial-in e shkruar nga drejtori përgjegjës Imzot Dr. Zef Oroshi,
me pseudonimin Zodiaku (E më vonë do të përdorë pseudonimin Teologu, Redaksia
etj.).
Ai,
mbasi bën një përshkrim të shkurtër të përsekutimit të intelektualëve shqiptarë
në Shqipëri në vitet e errëta të komunizmit ateist, shton se përballë masakrave
elita intelektuale në emigracion përkujton frytet dritëdhënëse të lëme të
ndryshme të diturisë, duke përshkruar revistat që botoheshin në Shkodër, gjatë
kohës që vetë meshtari Oroshi ishte student në shkollën private katolike.
Me
një nostalgji të veçantë, kleriku Oroshi, kujton dy pleqtë të veshur me kostume
tradicionale vendase, që shëtisnin derë më derë, për të shpërndarë me një
krenari e zë të lartë revistat: “Hylli i Dritës”, “L.E.K.A.” etj.
Autori
Zodiaku, shkruan: “Natyrisht dhe per kete, megjithse do te dale tremujor dhe
pa kurrfare mtese epersijet, na mungojnë mjetet dhe, ne rrethanat e sotshme,
deri diku dhe pendat, sepse, secili asht i mbethyem ne tavoline ose fabrike me
punen nga e cila nxjerr jetesen e perditshme.
Meshtaret
shqiptare, dhe ata qe kane mbete gjalle dhe jetojne ne boten e lire, jane te
shkaperderdhun e te lidhun me pune aty ku i ka hjedhe rrethana historike, nen
urdhnin e auktoritetevet fetare vendase.
Megjithate,
derisa ndjetin e kemi te mire, me te gjitha flijimet personale qe parashifen,
kemi uzdaje te plote se disa penda ma prodhueset nder ambjente te e sidomos
meshtarevet e te katholikevet kane me na mungue…
Sot
per sot “Lidhja Katholike Shqiptare Amerikane” e Neë York–ut ka caktue me e
qite per nji vjete buletinin.
Nese
bamiresija, simpathija dhe penda e intelektualvet do te na perkrahin, u
premtojme lexuesavet se grupit t’yne nuk do t’i mungojne vullndesa e flijimevet
personale dhe e punes vullnedtare per vijimin e tij.” (f.2)
Artikulli
vijues, në faqet 3-5, është shkruar nga P. Andreë Nargaj, O.F.M., Ph.D., duke i
lënë vendin më pas shkrimit redaksional: “Rruga e Jone”. Një përkthim
interesant, është bërë nga Prof. Martin Camaj, të titulluar: “Adhurimi i Tre
Dijetareve nga Lindja”.
Ndërsa
Kolë Nikoll Bajraktari, përshkruan atmosferën e Krishtlindjeve dhe vijon me
poezinë “Keshendellat”.
Kol
Çuni, në shkrimin e parë jep përshkrimin e Presidentit “John F. Kennedy: Babe
Familjet e Besimtare i Vertete”.
Prof.
Mhill Marku, paraqitet për lexuesit mërgimtarë me analizën: “Gjuha Shqipe ne
Amerike” dhe më poshtë ka ofruar një poezi nga Pader Gjergj Fishta.
Zef
Pashko Deda, trajton marrëdhëniet mes Vatikanit e Ëashington-it dhe Papa Pali
VI, ndërsa për Gonxhe Bojanxhiun e veprimtarinë e saj në dobi të të varfërve,
At Dr. Zef Oroshi, u tregon shqiptarëve ne mërgim për bijën e harruar në tokën
e të parëve në Shqipëri.
Revista,
në #1 të saj, ka kronikën shoqërore, zgjedhjet e reja të Lidhjes Katolike
Shqiptare Amerikane, si dhe stafin e shtypit, në të cilën janë emrat: Loro
Stajka, Ndue Gj. Markaj, Nikoll Melyshi, Kol Nikoll Bajraktari, Zef Pashko
Deda, Tonin Mirakaj, Zef Hasani, Fran Sokoli, Lodovik M. Bajraktari. Ajo që
është më interesantja, është se në revistë janë të shënuar meshët përkujtimore
e mesha për deshmorët e Atdheut (pavarësisht se cilit besim i përkasin), duke u
quajtur tradicionalisht më vonë si Meshë Kombëtare çdo 28 Nëntor, kur është
edhe kremtimi i Shpalljes së Pavarësisë.
Revista,
falënderoi të gjithë për pagesën e rregullt të antarësisë, me anën e së cilës
krijohet mundesia e vijimësisë së saj.