| E diele, 21.03.2021, 11:20 AM |
KOMUNKIMI I NATYRSHËM I POEZISË
Thomaidha
Tanuçi: “Sonata e shiut” (poezi)
NGA
AHMET SELMANI
a) Semantika e dyzuar
Nganjëherë
gati na mbushet mendja se poezia nuk i mjafton vetvetes, prandaj përpiqet që
herë pas here të identifikohet edhe me gjëra të tjera për t’u transformuar në
pikëpamje ontologjike ose së paku për t’u perceptuar si e tillë. Mbase kështu
duket edhe poezia e Thomaidha Tanuçit në vëllimin “Sonata e shiut”, për arsye
se vetë titulli i emërtuar me një term të muzikës sikur mëton të identifikojë
poezinë me muzikën, si një strukturë e dyzuar sematike e artistike, që e
plotësojnë njëra-tjetrën në vizionin dhe perceptimin e lexuesit.
Si
mund të ndodhë kjo? Në njërën anë është fjala ajo që e bart kuptimin e gjërave,
kurse në anën tjetër është tingulli ai që del nga shpirti dhe bëhet shllim
poetik. Dhe kështu mund të thuhet se kjo poezi njëherësh është edhe një lloj
simfonie metaforike. Lexuesi mund të zgjedhë në mes njërës dhe tjetrës, por
gjithnjë duke ndjekur figurën e shiut si epiqendër poetike, prej nga
shpërndahet e gjithë forca krijuese e autores, semantika e veçantë, figura
themelore brenda së cilës kryqëzohet ndjenja dhe mendimi artistik.
b) Tipologjia e poezisë
Ajo
që duhet të theksohet më tej është fakti se Thomaidha Tanuçi që në fillim të
librit “Sonata e shiut” e përcakton tipologjinë apo karakterin e poezisë së
saj, të paktën në aspektin strukturor. Në të vërtetë, ajo është e prerë për sa
i përkat kësaj, duke thënë fare thjesht:
Poezia
ime,
zgjohet,
hap
dritaren,
merr
frymë thellë
dhe
shikon nga qielli.
Kështu
në mënyrë abstraguese na e bën me dije se poezia e saj lind krejt spontanisht,
si një qenie e gjallë, duke u personifikuar me njeriun (krijuesin). Dhe, me sa
duket, kjo është e mjaftueshme për ta përcaktuar tipologjinë e poezisë e cila
shfaqet kudo në suaza të jetës dhe të ekzistencës.
Në
këtë pikëpamje autorja ngjan si një udhëtare e pandalur drejt cakut të
padeterminuar, por vazhdimisht të ëndërruar. Në fakt, sipas kësaj logjike ajo
nuk e zbulon poezinë, por është poezia që e zbulon atë. Kontakti me realitetin
objektiv zbulon edhe realitetin subjektiv. Pra, autorja është kapësja e
momenteve të holla e të thella, përjetimeve të bukura e të trishta, dithërimave
të lehta dhe tronditëse, përmallimeve shkëndijuese dhe përvëluese, dashurive të
trazuara dhe të dhembshura, çasteve të frikshme e të gëzuara etj.
Të
gjitha këto paraqesin zigzage të shpeshta që shfaqen e rishfaqen me ritme të
pandërprera, duke zbuluar shpirtin e dëlirë të autores e cila identifikohet
thellësisht me to. Prandaj si e tillë kjo poezi merr karakter thellësisht
subjektiv, duke ruajtur gjithnjë qenien e brendshme si një mister intrigues,
grishës, ngacmues, drithërues. Thjesht kjo është tipologjia lirike e saj, e
cila shpërfaqet si një strukturë e ngjeshur artistike dhe si një perceptim
vertikal për t’iu qasur në brendësi, aty ku fshihet shpirti i brishtë i
autores, por edhe i përflakur vazhdimisht.
c) Klithmat e vetmisë
Duke
u identifikuar me çdo situatë të mundshme jetësore e njerëzore, autorja arrin
të krijojë subjektivitetin e vet lirik me të cilin na shpie drejt një
portretimi metaforik ose drejt një përkufizimi vetanak si emërues për të gjitha
qeniet njerëzore që i njeh ose që i kujton në formë reminishenciale. E gjithë
kjo realizohet në një kontekst sa pohues aq edhe refuzues njëkohësisht, duke
zbuluar rrafshin e vetë kuptueshëm poetik:
Bie
shi në Tiranë
dhe
unë nuk jam as Anë,
as
Adrianë
por
bija e shiut,
që
fle në jastëkë të lagur
dhe
zgjohet mëngjeseve
me
vesën mbi lëkurë.
Kështu
na e ngjall ndjesinë dhe imazhin e jetës, na e shpalos vetveten dhe mjedisin,
na e bën njësimin e shpirtit me realitetin, na e përcakton qenien me njohjen
etj. Pra, portretimi personal është edhe portretim kolektiv, metafora personale
është edhe metaforë e përgjithshme. Madje ajo shpesh krijon edhe metaforën e
personit konkret siç është Jakobi, Valentina, Babai, Narcisi etj., të cilat
kanë të bëjnë me situata apo përjetime të caktuara, si evokime të veçanta.
Gjatë
kësaj ecurie të vazhdueshme dalin në sipërfaqe të gjitha ankthet dhe
ëndërrimet, përjetimet dhe vizionet, të cilat gjejnë vend në kontekstin e
ligjërimit poetik herë si një klithmë e rënkim, e herë si mburrje e krenari.
Mishërimi i këtillë e krakterizon gjithë poezinë e Th. Tanuçit duke u
shndërruar në diskurs të theksuar, ku gjuha bëhet kod i fuqishëm poetik,
udhëzues për të hyrë në thellësi të saj me anë të një logjike dhe intuite të
caktuar artistike.
Në
këtë kontekst, nga sa mund të shihet prej vargjeve që na shfaqen, gjithandej
mbizotëron psherëtima subjektive e cila kryesisht rrjedh nën trysninë e
rrethanave të vetmisë. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një ballafaqim të
tendosur shpirtëror i cili nuk mund të mbetet i strukur brenda qenies poetike,
por gjithsesi shpërthen me hove të theksuara emocionale. Pra është nata ajo që
nxit përfytyrime e mendime të shumta për gjërat reale, është pagjumësia që e
shpie kudo për ta ndier gjer në palcë dhembjen ndaj gjërave dhe qenieve. Për
këtë arsye autorja shpalos imazhe jetësore e njerëzore me kontraste dhe
paradokse tronditëse, të cilat i vë në spikamë nëpërmjet një gjykimi poetik:
Pse
vallë ata grinden kur mund të puthen?
Pra
brenda një imazhi konfliktual ajo kërkon dashurinë. Sipas kësaj, njeriu është
një paradoks i vetvetes, nuk e kërkon dashurinë, por përplasjen e cila e çon
drejt shuarjes dhe zhbërjes.
Me
sa duket errësira është metafora e zymtë njerëzore, brenda së cilës përpiqet ta
zbulojë dritën. Kjo është dhunti dhe synim poetik, cak i domosdoshëm për ta
rrumballkuar ecurinë e vet. Prandaj, së këtejmi ajo shprehet në këtë mënyrë:
Nata
m’i sjell yjet,
ajo
m’i mbjell ëndrrat,
ajo
ma lëmon qafën,
më
gjunjëzon këmbët,
më
dorëzon drejt detit dinak,
duke
e zbutur brenda meje,
një
tigër të uritur.
Sigurisht
është krejt e nënkuptueshme kjo ndjenjë skofiare që zbut një tigër të uritur;
thjesht e ka emrin njeri dhe dashuri. Si rezultat i kësaj krijohet një rrafsh
shumë i kapshëm perceptues ku subjekti dhe objekti bëhen njësh dhe krijojnë
ndjeshmërinë e thellë poetike.
E
gjithë kjo vazhdë e pareshtur nëpër mbretërinë e errësirës, është kërkim i
ndërgjegjshëm, ose orientim drejt dritës njerëzore që fshihet brenda shpirtit.
Ndaj poetesha nuk shmanget nga kjo përplasje në vetmi, përkundrazi, qëndron aty
me tërë qenien e vet duke shqiptuar atë me plot forcë krijuese. Kjo do të thotë
se mishërohet plotësisht duke ndërtuar një metaforë të parapëlqyer personale,
siç është trishtili, ky zog i veçantë që këndon e të mahnit. Me anë të tij ajo
bën portretin lirik të vetvetes:
Trishtil,
zog
i brishtë
me
sy të gjelbër;
pëllëmbën
time bëra strehë,
për
zërin tënd të bukur.
Mund
të shihet qartë se kjo figurë paraqet edhe një strehë për autoren, duke ikur
nga trishtimi i jetës dhe duke u strukur në këngën e zogut ose duke marrë atë
në pëllëmbë të dorës dhe për t’u ngushëlluar e joshur me zërin e bukur.
Pikërisht kjo ndjenjë kaq e hollë na bën të kuptojmë se ajo i gjen gjërat e
bukura edhe në çastet e shëmtuara.
ç) Binomi i dashurisë
Megjithatë,
ajo që i jep ngjyrim të vërtetë shpirtëror këtij libri, pa dyshim është ndjenja
e dashurisë e cila shpërfaqet si binom poetik (subjekti poetik- i dashuri).
Duke e ndjekur në këtë vijë mund të shohim fare qartë se identiteti i vërtetë i
poeteshës qëndron pikërisht këtu, për arsye se arrin ta determinojë esencën e
kësaj ndjenje sublime, marrëdhëniet e brendshme dhe të jashtme, shqetësimet dhe
brengat, ëndrrat dhe zhgjëndrrat, ndjesitë dhe përjetimet etj. Të gjitha këto e
përbëjnë makthin dhe vuajtjen e bukur, ontologjinë e pastër shpirtërore e cila
na çon drejt thelbit të çështjes për ta ndier atë deri në palcë.
Mishërimi
tepër i ngushtë me të dashurin, është gati tronditës e shkallmues, por edhe
ringjallës e madhërues, për arsye se atë di ta ngrejë në një shkallë lapidare
duke u shprehur me tërë forcën e vet shkallmuese:
Tani
po futem brenda teje
të
ngrohem pak si të jesh zjarr,
një
herë të shuhem, prapë të ndizem,
sa
herë e vdekur, aq herë e gjallë.
Nga
kjo mund të kuptojmë fare qartë se vetëm brenda kësaj ndjenje të thellë
njerëzore mund t’i japë kuptim ekzistencës personale, si përplasje e cila e vë
në lëvizje imagjinatën dhe intuitën e saj tejet aktive.
Dashuria
është dhembje e dyanshme që lëviz me përmasa dramatike, por njëherazi që ushqen
edhe ngritjen morale. Pra dhembja është krenari, është identifikim:
Më
dhembi dhembja jote,
më
shumë se e imja;
dhembja
jote si ajër i ngjethur,
më
dhembi fort.
Kjo
lidhje kaq e ngushtë nënkupton forcën e dashurisë e cila e sfidon dhembjen dhe
e bën njeriun të ndihet qenie e pastër. Si rezultat i kësaj dashuria është
identifikim absolut i dy qenieve. Me anë të kësaj filozofie poetike zbërthehet
fare qartë dalldisja e qenies që dashuron me tërë shpirtin e vet:
Frymë
të kam
e
ta puth frymën,
më
pas buzët,
më
pas ty,
sepse
unë çel si lule
me
frymën tënde
të
puthur.
Pikërisht
kjo formë e diskursit poetik mbetet dominante.Thjesht është diskurs bisedor dhe
shpërthyes, i afërt dhe i thellë. Madje ky lloj diskursi na bën ta ndiejmë
poezinë përtej të mundshmes dhe përtej të imagjinueshmes.
d) Zhvendosjet gjuhësore
Poezia
e Th. Tanuçit është tejet interesante edhe në aspektin gjuhësor kur e marrim
parasysh faktin se autorja vjen nga provinienca gjuhësore e toskërishtes, por
që arrin ta tejkalojë këtë duke u zhvendosur tërësisht edhe në proviniencën
gjuhësore të gëgënishtes. Pra ajo krijon një mozaik të natyrshëm dydialektor,
herë duke qëndruar në njërën sferë e herë duke u zhvendosur në sferën tjetër,
por që poezisë së saj i jep një laryshi e elegancë të mahnitshme, duke shmangur
paragjykimet dhe barrierat dialektore dhe duke krijuar një tërësi reale
gjuhësore. Në fakt e gjithë kjo zhvendosje vjen krejt spontanisht, si një kërkesë
e natyrshme për t’i dhënë poezisë identitet të pastër gjuhësor e tipologjik.
Në
këtë mënyrë Thomaidha Tanuçi nëpërmjet librit poetik “Sonata e shiut” arrin të
krijojë natyrshëm një komunikativitet substancial poetik dhe gjuhësor, duke na
ofruar një lirikë sqimatare, plot sharmë e ngjyrim, emocion e mendim. Poezia e
saj është vizion i veçantë, pasqyrë shpirtërore që reflekton dritë dhe
pastërti. Prandaj si e tillë do ta gjejë vetë rrugën e komunikimit artistik me
lexuesin në përgjithësi.
Shkup, 14 shkurt 2021