Kulturë
Cikël poetik nga Fatmire Duraku
E diele, 07.03.2021, 12:25 PM
Fatmire Duraku
Lulja e kullës
Mbi lumë ura e vogël
Unë kthehem hijes që ik
pema jonë e madhe
me degë të vjetra
mbi gurët e kullës
e kulla mbi vetmi
as unë s`jam më aty
s`je më as ti
kush do ta çelë derën
t`i ujisë lulet e ëndrrës sonë
për hir të zjarrit të vjetër
ti duhet të kthehesh prapë
ta hapësh derën magjike
brenda zemrës të hyjë agimi
brenda kullës lulja
Pritja
Është vjeshtë e vonë
Kujtoj rrugën e shkretë në shi
Të vodhi e s`të ktheu dot
Prapë vjeshtë e vonë, me lot
Nuk e dëgjoj fare fërshëllimën
Do të ketë ardhur treni i mbrëmjes
Apo kurrë më s`do të vijë
era luan me gjethet
të verdha të thara
Nëpër rrugët e sheshet
Në mes të sheshit shtatorja e trimit
Hipur mbi kalin e vet të harlisur
A do të ketë ardhur treni i mbrëmjes
Me të cilin ndoshta do të vijsh dhe ti
Era luan me gjethet
Të verdha të thara
Nëpër rrugët e sheshet
Kudo je
Pema mbi krua
Dhe kroi vetë
Është vetëm
ti s` je
guri i urës
nuk e ka germën
e emrit tënd
ti s` je
udha që shpie
te kulla e madhe
është pa derë
Ti s` je
Çdo gjë dëshmon se s`je,
Por ti je kudo,
Te pema mbi krua,
Te guri i urës,
tek udha e kullës...
ti je, gjithnjë
je në sytë e mi,
në gjakun tim.
Bota është e vogël
Me duar nga qielli
unë bëj lutje për dritën
drita je ti
Me sytë nga jugu
Të kthehet nga largësia
Pres zogun e urtë
zogu je ti
Me zemrën time
Të vizatuar në vargje
Shkruaj poezinë
poezia ime je
do të kthehesh
bota është tepër e vogël
sa një gogël
Me duar nga qielli
unë bëj lutje për dritën
drita je ti
Pasqyra e zezë
Me gishta prej dheut
vizatoj vetveten e humbur
ndërmjet pasqyrë e thyer
vjeshta e ëndrrës
dhe pikat e lotit tim
Gjethet e thara të hardhisë
Bien mbi natën e fundit
Unë ti dhe hijet
Në lojën e dashurisë
së harruar
ti me penj stinësh të ikura
qepje ditët e vetmisë
unë me lot shkruaja udhën
nga ikte mbi portretin tënd
ndërmjet pasqyra e zezë
Zjarri i gjakut
si ta rikthej kohën
Te ky lis-fytyrë plaku
Këtu ku dashuria lind
Vetëm me zjarr gjaku
Pikërisht këtu, te kroi
Nën degë të gjatë ftoi
Këtu ku zemra flakë digjet
Këtu ku fjala përligjet
Ta kthej kohën te ky lis
botës në vesh t`i psherëtish
"Dashuria është liria..."
Te ky lis
Nga ku zemra ime me ty
rreth botës u nis.
Hëna e dehur
(trioleta)
I
Të më vijsh i ylbertë nga bie shi
Zemrën do ta fal bashkë me sy
Udhë t`i çelësh zogut në stuhi
Të më vijsh i ylbertë nga bie shi
Në derë vdekja troket vetë apo ti
Çaste me lot bien zemrës për ty
Të më vijsh i ylbertë nga bie shi
Zemrën do ta fal bashkë me sy
II
Me gaz të të vij në gji me kurorë
Udhës mbi liqen gjithë leqe-leqe
Pas kecit zbres dhe ta bëj me dorë
Me gaz të të vij në gji me kurorë
Le të bjerë shi të bjerë dhe borë
Le të mbytet hëna e yjet në liqe`
Me gaz të të vij në gji me kurorë
Udhës mbi liqen gjithë leqe-leqe
III
Plaga e vjetër imja je gjithherë ti
Nga rrjedh për flok` mbi sy gjak
Në urë me vjet nga rrahëm në shi
Plaga e vjetër imja je gjithherë ti
Në gur zgjohet krejt në gjak miti
E hëna e dehur rri var` mbi sokak
Plaga e vjetër imja je gjithherë ti
Nga
rrjedh për flok` mbi sy gjak