Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Ky koc
E hene, 01.03.2021, 08:13 PM
Ky koc
Nga
Edison Ypi
Ky
koc jetën plot vuajtje nuk e këmben me asnjë rehati banale, meskine, mediokre.
Ky
koc e konsideron Fat që është inxhinier dhe nuk bëri shkollim letrar që do t'ja
kishte vrarë kënaqësinë që i jep shpallja brendësisë së tij përmes të shkruarit
bukur.
Ky
koc tmerrohet nga konstatimi se të rinjtë e sotëm i kanë të gjitha kushtet, por
nuk kanë asnjë bilanc.
Ky
koc, megjithse gjatë jetës së tij nuk ka pasur asnjë kusht favorizues, sot ka
një bilanc.
Ky
koc urren dhe përbuz dhe neverit ata që jetojnë në Shqipëri me sy e veshë kah
Milano, Parisi, Londra.
Ky
koc vdes të udhëtojë nëpër katunde sa më të largëta, sa më të thella, ku era
fërshëllen melodira, i ngec makina nëpër baltra, bën muhabet me banorë lokalë
të vrazhdë dhe të vërtetë, ha fasule, pi dhallë, këput fiq nga dega.
Ky
koc urren për vdekje disa të cilët jetojnë jashtë dhe prej andej hedhin baltë
mbi vendin e tyre. Ky koc, mallkimi i të cilit zë, ata plehra i mallkon.
Ky
koc mallkon edhe hajvanët që dalin në foto në fejsbuk nëpër vila me kopështe,
basena, shezlongje, dhe thonë se Shqipëria nuk do ndreqet kurrë.
Ky
koc nuk mendon se partia, kooperativat, mbledhjet e kolektivit, sigurimi i
shtetit, ikën e vanë e nuk kthehen më.
Ky
koc ka bindjen se sa kohë ka ekrane shqiptare që çfaqin filma këllira me
partizanë trima dhe ballista që hanë pula, pinjojt e nomenklaturës mbajnë poste
të larta, sigurimi financon gazeta, partia, kooperativat, mbledhjet e
kolektivit, janë te pragu, gjithmonë ka një pis që pret pas dere.
Ky
koc dëshpërohet nga tipa që vrasin kohën nëpër kafenera, zyra ku nuk punohet,
mbledhje ku vetëm llomotitet, shoqata ku vetëm vidhet, shkolla dhe universitete
ku vetëm bjerret koha.
Ky
koc u tha miqve të tij në '90-ën; Çuna, mos ikni, nuk është mirë me ja lënë
vrasësave Shqipërinë e magjishme.
Ky
koc po vëren me kënaqësi se çunave që ndejtën punët u vajtur mbarë, ndërsa
shumica që nuk e dëgjuan dhe ikën, gdhihen e ngrysen nëpër bodrume e barraka
prejnga nuk dalin dot natën nga frika.
Ky
koc adhuron gjithkend që bën ndonjë gjë pozitive sado modeste për të mirën e
Shqipërisë.
Ky
koc është vënë në dijeni nga eksperta statisticienë se shkrimi i këtij koci me
titull "Ti nuk lexon" është lexuar nga mbi 1 milionë shqiptarë, pra
është shkrimi më i lexuar në historinë e shtypit shqiptar të të gjitha
kohërave. Ky koc pështyn mbi surratin e atyre që faktin e mësipërm e dyshojnë.
Ky
koc ka bindjen se "shkrimtarët më të mirë" shqiptarë sot nuk janë ata
që bëjnë promuovime librash të palexueshëm me ujë të gazuar, biskota, por
mijëra të tjerët që anembanë Shqipërisë mbjellin ullinj, kultivojnë vreshta,
ngrenë ferma, ndërtojnë shtëpi, vila.
Ky
koc megjithse bën shkrimet më të bukura dhe më të pëlqyera, nuk paguhet. Ky koc
nuk u kërkon botuesave të paguhet, sepse ky koc ka bindjen se po kërkoi të
paguhet, cilësia e shkrimeve të këtij koci bjerret.
Ky
koc e ka për ofendim ta cilësosh "i përndjekur".
Ky
koc është tejet i pikëlluar për faktin se përndjekja, duke mos u dëshmuar si
duhet, po harrohet.