Kulturë
Jahja Drançolli: 90-vjetori i tragjedisë të quajtur Milan Šufflay
E enjte, 18.02.2021, 08:38 PM
Në ditën e sotme, kalendari historik shënon 90-vjetorin e tragjedisë të quajtur Milan Šufflay, një ndër albanologët më të shquar të botës!
Nga
Jahja Drançolli
Në
kalimin e natës 18/19 shkurt të vitit 1931 është kryer në Zagreb vrasja e Milan
Šufflay, e përgaditur nga regjimi i mbretit Aleksandri I Karagjorgjeviq, vrasje
kjo që kishte bërë jehonë të madhe në opinionin publik europian e botëror.
Lidhur me këtë vrasje është i njohur edhe reagimi i personaliteteve të shquara
të shkencës dhe të kulturës, si, Albert Einstein, Heinrich Mann e shumë të
tjerëve, të cilët kishin dërguar një letër Ligës Ndërkombëtare për të Drejtat e
Njeriut në Paris. Sipas letrës në fjalë, kërkohet dënimi për vrasje, si dhe për
ushtrimin e diktaturës nga strukturat mbretërore të Jugosllavisë.
Šufflay
ishte një nga nxitësit kryesorë të idesë së ndarjes së qytetërimeve sipas
“Linjës së Teodosit” nga viti 395. Ndërsa në botën shkencore u bë i njohur me
veprat e tia kapitale nga lëmi i Albanologjisë: “Acta et diplomata Res Albaniae
mediae aetatis illustrantia, I-II” (“Aktet e diplomat që ilustrojnë ngjarjet në
Arbërinë Mesjstare”, në bashkëpunim më, L. Thalloczy dhe K. Jireçek. Vjenë:
1913-1918); “Biologjia e popullit të shqiptarëve” (München, 1916); “Gjendja e
kishave në Arbërinë paraturke. Zona ortodokse e depërtimit në digat katolike”,
(Zagreb-Budapest: 1915/16); “Kufijt e Arbërisë në Mesjetë” (Munich-Leipzig:
1916); “Qytete e fortifikata të Arbërisë, kryesisht gjatë mesjetës”
(Vjenë-Leipzig: 19241924), “Serbët dhe Shqiptarët” (Beograd-Lubjanë: 1925),
“Statuta et ordinationes capituli ecclesiae cathedralis Drivastensis”; ”Fatet
politike të Themës së Durrësit” (Zagreb: 1915); romani historik “Alba Limi”
kushtuar princit arbër, Kastandin Balsha (1920), e shumë shkrime të tjera
eseistike të kësaj natyre.
Me
këtë opus të pasur albanologjik të mbështetur vetëm në burime historike të
dorës së parë, Milan Šufflay ishte bërë pengesë e madhe në realizimin e
projekteve të mëdha antishqiptare, jo vetëm nga strukturat mbretërore
jugosllave, por edhe më vonë nga shteti komunist i Jugosllavisë, që synonin
zbrazjen e territoreve shqiptare duke u mbështetur edhe në dëshmi
teorike-shkencore-historike se, gjaja shqiptarët janë të pranishëm në treva
jashtë Shqipërisë politike vetëm nga kapërcyelli i shek. XVII.