E merkure, 13.11.2024, 06:17 AM (GMT)

Mendime

Serge Métais: Të rikthehet procesi në Prishtinë

E hene, 08.02.2021, 09:12 AM


Të nderuar,

Me kërkesë të historianit të njohur francez, Serge Métais (Serzh Mete) reagimin e tij të tretë lidhur me procesin gjyqësor kundër UÇK-së në Hagë dhe intervistën e tij lidhur me këtë çështje, të botuara në Mediapart në Francë, ua kam dërguar mediave për publikim.

Mbetem me shpresë se do t’i jepni hapësirën që e meriton.

Me respekt

Bardhyl Mahmuti

P.S.

Shkrimi dhe intervista janë të përkthyera në gjuhën shqipe nga Arben Leskaj.

***

Të rikthehet procesi në Prishtinë

Nga Serge Métais

Gjykata e Posaçme për Kosovën i hodhi poshtë së fundmi kërkesat për lirim me kusht për Hashim Thaçin e të bashkakuzuarit e tij. Në stadin e sotëm, vendosmëria që ajo po tregon është shqetësuese. Ka rrezik që mekanizmi gjyqësor i ngritur në Hagë të shndërrohet së shpejti në mekanizëm djallëzor. A ka ende kohë për ta ndalur? Sado që mund të duket e çuditshme, përgjigja është se po. Gjykatën e Posaçme e ka krijuar Kuvendi i Kosovës dhe po ai mund të vendosë për fatin e saj: Çka është bërë me ligj mund të zhbëhet me ligj. Ky kuvend e ka në dorë që ta rikthejë procesin në Prishtinë.

Për ta kuptuar më mirë këtë sfidë, është e udhës të saktësojmë që Gjykata e Posaçme për Kosovën nuk është një gjykatë penale ndërkombëtare:

- Ajo nuk është krijuar përmes ndonjë rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si në rastin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GjPNJ), e cila ishte e detyrueshme për të gjithë qytetarët e shteteve të dala nga Jugosllavia (Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi);

- Ajo nuk është krijuar as përmes ndonjë traktati ndërkombëtar si në rastin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GjPN), e cila bazohet në një traktat të quajtur “Statuti i Romës” e të hyrë në fuqi më 2002. Ajo ka për detyrë të gjykojë personat e akuzuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit ose gjenocid dhe është sot i vetmi juridiksion penal ndërkombëtar i përhershëm dhe me prirje të përbotshme .

Gjykata e Posaçme është krijuar, në fakt, vetëm nëpërmjet ligjit të votuar nga Kuvendi i Kosovës më 2015 (nenit 162 të Kushtetutës dhe Ligjit nr. 05/L-053 “për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”). Ajo është pra një institucion gjyqësor i Republikës së Kosovës... i zhvendosur në Hagë.

Kjo krijesë shumë origjinale shpjegohet vetëm me emocionet që ngjalli raporti Marty, i miratuar në mënyrë masive nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në janar 2011. Pretendimet për trafik organesh njerëzore, që përmbante raporti, ishin me natyrë tejet çnderuese për rezistencën shqiptare: disa robërve serbë u qenkëshin hequr organe të cilat qenkëshin “eksportuar” pastaj përmes aeroportit të Tiranës për t’ua vendosur pritësve jashtë shtetit. Raporti hedh mendimin se kjo paskësh ndodhur me qindra herë. Krimi qenkësh i përbindshëm. Shumë tmerre ishin parë tashmë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, si masakra e Srebenicës, e kryer nga serbët dhe e cilësuar si gjenocid nga GjPNJ-ja. Mirëpo kësaj radhe do të shihnim që edhe shqiptarët nuk mbetkëshin prapa në punë tmerri: Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) paskësh bërë tregti fitimprurëse me organe të marra nga robër serbë!

Raporti ishte, në të vërtetë, produkti i një prej operacioneve më të suksesshme të dezinformimit që prej shembjes së regjimeve komuniste. I kurdisur prej shërbimeve të fshehta serbe, ai mori një mbështetje vendimtare nga ana e shërbimeve ruse. Te një i zgjedhur zviceran, Dick Marty, ai gjeti një idiot të dobishëm mjaft efikas . Raporti i tij është një përmbledhje e hartuar me dhelpëri duke u nisur nga shënimet e shërbimeve të fshehta serbe si edhe nga dosjet e akuzave të GjPNJ-së ose të gjykatave të Kosovës. Pak rëndësi kishte që ato dosje nuk kishin të bënin fare me trafik organesh njerëzore. I gjithë raporti Marty luan në thelb me sugjerimin, insinuatën ose probabilitetin.

Emocionet që ngjalli ky raport i shtynë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të krijonin, në shtator 2011, një “Grup Pune të Posaçëm Hetimor” (Special Investigative Task Force). U ra dakord për të caktuar në krye të tij në prokuror amerikan, Clint Williamson. Në maj 2012, Kuvendi i Kosovës miratoi një ligj për bashkëpunimin me këtë grup pune, çka i dha mundësi këtij të fundit të kryente një hetim penal të pavarur rreth pretendimeve që përmbante raporti.

Më 29 korrik 2014, pas më shumë se dy vjet hetimi, prokurori Williamson, gjatë një konference për shtyp në Bruksel, deklaroi që trafiku i organeve nuk mund të vërtetohej veçse në “më pak se dhjetë raste”. Ai shtoi: “Të ekzagjerohen shifrat ose të thuhet se çdo serb i vrarë apo i shpallur i zhdukur qenka bërë objekt i ndonjë heqjeje organesh nuk i shërben kurrfarë interesi, por vetëm sa shton dëshpërimin e familjeve të personave të humbur, sepse nuk ka asnjë provë të vetme”.

Si nata me ditën në krahasim me ato qindra raste që sugjeronte raporti Marty! Dhe, domethënia e fjalëve “më pak se dhjetë” mund të ishte fare “zero”. Mirëpo edhe kaq mjaftonte që aleatët amerikanë dhe evropianë të ndiheshin të detyruar që të ushtronin një trysni miqësore mbi udhëheqësit e Kosovës: këta duhej të votonin përmes Kuvendit të tyre një ligj për krijimin e Gjykatës së Posaçme.

Mes klasës politike kosovare debati qe i dhimbshëm, sepse thjesht ideja që të votohej për krijimin e një gjykate të posaçme ishte e padurueshme. Por mesazhi që po u jepej ishte i qartë: ose votoni ligjin e tregoni që nuk keni pse të trembeni lidhur me trafikun e organeve, ose mos pranoni dhe do të konsiderohet se jeni fajtorë për krimet e urryera që pretendohen në raportin Marty. Më në fund, me mbështetjen e pikërisht këtyre udhëheqësve që sot ndodhen të burgosur në Hagë, ligji për krijimin e Gjykatës së Posaçme u votua në Kuvendin e Kosovës me një shumicë prej dy të tretash.

Pikërisht kjo gjykatë e ka prodhuar aktakuzën kundër Hashim Thaçit dhe tre ish-udhëheqësve të tjerë të lartë të UÇK-së, të bërë publike më 4 nëntorin e kaluar . Një aktakuzë tek e cila nuk gjen dot absolutisht asgjë lidhur me pretendime për trafik organesh.

Vërtetohet kështu plotësisht që udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe amerikanët janë mashtruar keqas nga një operacion dezinformimi të përmasave të mëdha. Por, prapëseprapë, suksesi i këtij batakçillëku mbetet i plotë.

Ai qëndron në vetë ekzistencën e Gjykatës së Posaçme. Si edhe në një aktakuzë që, ndonëse nuk përmban asgjë lidhur me trafiqe të pretenduara organesh, mund të çojë megjithatë në dënime shumë të rënda. Hashim Thaçi dhe tre ish-udhëheqësit e tjerë të UÇK-së, sot të burgosur në Hagë, akuzohen në fakt se paskan krijuar një “sipërmarrje të përbashkët kriminale”. Sipas aktakuzës, ata “ngarkohen secili personalisht me përgjegjësi penale” për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga kjo sipërmarrje gjatë luftës, më 1998-1999, dhe në vitin 2000. Aktakuza as që do t’ia dijë fare se ata vetë nuk paskan qenë veprues të drejtpërdrejtë të atyre krimeve, as se një pjesë e atyre krimeve qenkan gjykuar tashmë në suazë të disa juridiksioneve të tjera, GjPNJ-së apo gjykatave të Kosovës. Ajo që paraqitet si një “sipërmarrje kriminale” është organizata e Rezistencës, kurse ata që shihen si penalisht përgjegjës për krime që ajo paskësh kryer janë ish-udhëheqësit e saj.

E gjithë kjo është e papranueshme. Është e papranueshme, jo sepse krimet e pretenduara në aktakuzë – keqtrajtim ndaj robërve, akte torture, ekzekutime pa gjyq, vrasje “tradhtarësh”, “bashkëpunëtorësh me armikun” apo kundërshtarësh politikë të hamendësuar – nuk paska sesi të jenë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nuk u dashkan gjykuar. E papranueshme ajo është për dy arsye thelbësore.

E para është se ekzistenca e Gjykatës së Posaçme në Hagë nuk përligjet dot përveçse me pretendimet për trafik organesh nga ana e raportit Marty. Mungesa në aktakuzë e trafikut të organeve e bën këtë gjykatë të papërligjur.

Arsyeja e dytë është se, duke gjykuar në Hagë, do të bëhej një padrejtësi. Gjykimi në Hagë do të nënkuptonte, faktikisht, që t’i jepet Gjykatës së Posaçme një status të cilin ajo nuk e ka: atë të një gjykate penale ndërkombëtare. Mirëpo, në një gjykatë të tillë, nuk do të mund të gjykoheshin krimet e kryera nga Rezistenca shqiptare pa u gjykuar aty gjithashtu edhe krimet e kryera nga forcat e sigurisë, ushtria dhe paraushtarakët serbë në Kosovë. Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që ata kanë kryer janë mjaft të shumta, masive dhe të dokumentuara mirë. Lënda nuk mungon aspak për të ngritur një dosje akuze, madje edhe për krim gjenocidi. Sidomos tani, njëzet vjet pas përfundimit të luftës, kur gati një mijë trupa shqiptarësh të Kosovës, të zhdukur në vitet 1998-1999, janë zbuluar në disa varre masive në Serbi, dhe kur së fundmi janë gjetur përsëri trupa të tjerë në një minierë kripe në afërsi të Rashkës. Në qoftë se do të gjykohej vetëm njëra nga palët – ajo e sulmuara, Rezistenca – dhe nuk do të gjykohej pala tjetër – ajo agresore, fuqia pushtuese –, atëherë do të bëhej një padrejtësi. Do të shkelej parimi i trajtimit të barabartë mes palëve, të cilin duhet ta respektojë çdo gjykatë penale ndërkombëtare.

Për këto arsye, por edhe për të ndalur atë që po shfaqet gjithnjë e më shumë si një mekanizëm djallëzor, duhet të merret një vendim: të mbyllet Gjykata e Posaçme dhe të transferohet dosja e akuzës në Kosovë. Këtë vendim, Kuvendi i Kosovës mund ta marrë. Nuk do të ishte fare fjala për të ndërprerë një procedurë gjyqësore. Thjesht, procesi që duhej të zhvendosej në Hagë, do të rikthehej në Prishtinë.

E mira do të ishte që nismën për këtë ta marrë Bashkimi Evropian. Ai mund të konsiderojë që përligjet një kërkesë për transferim të dosjes së akuzës drejt gjykatave të zakonshme të Kosovës. Këtë mund ta bëjë përpara se Kuvendi i Kosovës të shprehet vetë dhe të shkaktojë një krizë me aleatët e tij evropianë e amerikanë.

Të pranohet që procesi të mbahet në Hagë do të ishte një padrejtësi (shkelje e parimit të trajtimit të barabartë të palëve në konflikt). Për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, kjo do të ishte njëlloj sikur ata të vazhdonin të pranonin që t’i tërhiqnin nga hunda. Mbyllja e kësaj gjykate të posaçme do të ishte gjithashtu më i pakti ndër sanksionet që meritojnë autorët e këtij mashtrimi të madh.

Serge Métais

Autor i librit Histoire des Albanais. Des Illyriens à l’indépendance du Kosovo (Histori e shqiptarëve. Nga ilirët deri te pavarësia e Kosovës) të botuar në Francë më 2006 nga shtëpia botuese Fayard e të përkthyer edhe në shqip e në bullgarisht.

***

INTERVISTË

Për çfarë e keni saktësisht fjalën kur flisni për “mekanizëm gjyqësor” i cili mund t’u shndërrohet në “mekanizëm djallëzor”?

Mekanizëm djallëzor unë quaj një gjykatë të posaçme që mund të katandiset të veprojë me gjaknxehtësi, me teprime, me pushtet të pakufizuar, me humbje të sensit të masës.

I tillë do të ishte, për t’i thënë gjërat më shkoqur, një dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarit. E gjitha kjo është e mundshme, në bazë të një aktakuze që konsideron se ata kanë ngritur e drejtuar një “sipërmarrje të përbashkët kriminale” (UÇK-në?), fajtore për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Mospranimi për t’u dhënë të akuzuarve lirimin me kusht më duket se nuk ndjell asgjë të mirë.

Pse doni që të mbyllet Gjykata e Posaçme?

Më duket se e kam parashtruar qartë qëndrimin tim në artikullin që kam shkruar. Ka dy arsye thelbësore:

Së pari, mungesa e pretendimeve për trafik organesh, në aktakuzë, bën që Gjykata e Posaçme ta ketë humbur tashmë çdolloj legjitimiteti.

Së dyti, një proces në Hagë i jep faktikisht kësaj gjykate të posaçme një status të cilin ajo nuk ka sesi ta mëtojë, statusin e një gjykate penale ndërkombëtare. Mirëpo është e paimagjinueshme që, në një gjykatë penale ndërkombëtare, të gjykohet vetëm njëra nga palët në konflikt. Në qoftë se gjykohet vetëm pala shqiptare, pa u gjykuar pala serbe, do të kishte një prishje të barazisë së trajtimit ndërmjet palëve. Kjo do të ishte një padrejtësi e kulluar.

Personeli i Gjykatës së Posaçme (gjyqtarë e prokurorë) është ndërkombëtar. Ndërkohë, ju keni mendimin që mbyllja e kësaj gjykate mund të vendoset nga Kuvendi i Kosovës. A e ka ky vërtet këtë kompetencë?

Gjykata e Posaçme nuk është krijuar përmes ndonjë rezolute të Kombeve të Bashkuara. Ajo nuk është ngritur as nëpërmjet ndonjë traktati mes shtetesh.

Ajo është një institucion i Republikës së Kosovës. Është krijuar me një ligj të votuar nga Kuvendi i Kosovës. Gjithçka që është e bërë me ligj, mund të zhbëhet me ligj.

Nuk ka asnjë mekanizëm institucional mbishtetëror që të mund ta pengojë shkrirjen e Gjykatës së Posaçme dhe transferimin e dosjes së akuzës te gjykatat e Kosovës, në Prishtinë. Dhe kjo, që nga momenti në të cilin Kuvendi i Kosovës do të votonte një ligj në këtë drejtim.

A nuk keni frikë se kjo gjë mund të shkaktojë një krizë midis Kosovës dhe aleatëve të saj, evropianë dhe amerikanë?

Sigurisht, kriza do të ishte serioze.

Idealja do të kishte qenë që nisma të vijë nga vetë amerikanët ose evropianët të cilët ranë në kurthin e mashtrimit të madh të raportit Marty. Por nuk duhet të kemi iluzione: ka fare pak gjasa që ata ta ndërmarrin vetë hapin e parë.

Kuvendi i Kosovës mund të veprojë në dy faza:

- Si fillim, ai mund të votojë thjesht një rezolutë ku të merret në konsideratë mungesa e pretendimeve për trafik organesh në dosjen e akuzës. Dhe mjafton që kjo rezolutë të vendosë ngritjen e një komisioni të ngarkuar me hartimin e një projektligji për shkrirjen e Gjykatës së Posaçme dhe transferimin e dosjes së akuzës në Kosovë.

- Vetëm në një fazë të dytë, Kuvendi mund ta votojë pastaj ligjin që do ta zhbënte atë që është bërë me ligjin e vitit 2015.

Ndërkohë, kriza do të ishte hapur me aleatët. Ajo do të jepte rastin për një debat rreth mashtrimit të madh pjellë e të cilit është Gjykata e Posaçme, rastin për të rikujtuar kushtet tejet të veçanta në të cilat u ngrit kjo gjykatë, e kështu me radhë.

Kuptohet vetvetiu që kriza e çelur përmes votimit të rezolutës duhet të çojë në negociata me aleatët. Projektligji që do të votohej më pas mund të shfaqet atëherë si fryt i një marrëveshjeje.

A mendoni ju që do të mund të gjykohen ndonjëherë në Hagë krimet e kryera nga serbët në Kosovë?

Jo. Krimet e kryera nga ushtria, forcat e sigurisë dhe paraushtarakët serbë gjatë luftës së viteve 1998-1999 nuk mund të gjykohen nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, sepse kjo është krijuar vetëm në vitin 2002 dhe kompetencat e saj nuk janë prapavepruese. Madje, gjykimi i këtyre krimeve nuk është as në kompetencën e Gjykatës së Posaçme për Kosovën.

Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimi i gjenocidit të kryera nga serbët në Kosovë nuk do të gjykohen pra kurrë në Hagë. Nëse ato do të gjykohen ndonjëherë, kjo mund të ndodhë vetëm në suazën e gjykatave të Serbisë ose të Kosovës.

Pikërisht edhe për këtë arsye, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit për të cilat akuzohen sot udhëheqësit e UÇK-së do të duhej të gjykohen në Prishtinë. Për sa kohë që ndaj tyre nuk është ngritur kurrfarë akuze lidhur me trafik organesh, nuk mund të ketë asnjë justifikim që procesi i tyre të jetë i zhvendosur në Hagë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora