| E hene, 08.02.2021, 09:12 AM |
Të nderuar,
Me
kërkesë të historianit të njohur francez, Serge Métais (Serzh Mete) reagimin e
tij të tretë lidhur me procesin gjyqësor kundër UÇK-së në Hagë dhe intervistën
e tij lidhur me këtë çështje, të botuara në Mediapart në Francë, ua kam dërguar
mediave për publikim.
Mbetem
me shpresë se do t’i jepni hapësirën që e meriton.
Me
respekt
Bardhyl Mahmuti
P.S.
Shkrimi dhe intervista
janë të përkthyera në gjuhën shqipe nga Arben Leskaj.
***
Të rikthehet procesi në
Prishtinë
Nga
Serge Métais
Gjykata
e Posaçme për Kosovën i hodhi poshtë së fundmi kërkesat për lirim me kusht për
Hashim Thaçin e të bashkakuzuarit e tij. Në stadin e sotëm, vendosmëria që ajo
po tregon është shqetësuese. Ka rrezik që mekanizmi gjyqësor i ngritur në Hagë
të shndërrohet së shpejti në mekanizëm djallëzor. A ka ende kohë për ta ndalur?
Sado që mund të duket e çuditshme, përgjigja është se po. Gjykatën e Posaçme e
ka krijuar Kuvendi i Kosovës dhe po ai mund të vendosë për fatin e saj: Çka
është bërë me ligj mund të zhbëhet me ligj. Ky kuvend e ka në dorë që ta
rikthejë procesin në Prishtinë.
Për
ta kuptuar më mirë këtë sfidë, është e udhës të saktësojmë që Gjykata e Posaçme
për Kosovën nuk është një gjykatë penale ndërkombëtare:
-
Ajo nuk është krijuar përmes ndonjë rezolute të Këshillit të Sigurimit të
Kombeve të Bashkuara si në rastin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për
ish-Jugosllavinë (GjPNJ), e cila ishte e detyrueshme për të gjithë qytetarët e
shteteve të dala nga Jugosllavia (Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë,
Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi);
-
Ajo nuk është krijuar as përmes ndonjë traktati ndërkombëtar si në rastin e
Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GjPN), e cila bazohet në një traktat të quajtur
“Statuti i Romës” e të hyrë në fuqi më 2002. Ajo ka për detyrë të gjykojë
personat e akuzuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit ose gjenocid dhe
është sot i vetmi juridiksion penal ndërkombëtar i përhershëm dhe me prirje të
përbotshme .
Gjykata
e Posaçme është krijuar, në fakt, vetëm nëpërmjet ligjit të votuar nga Kuvendi
i Kosovës më 2015 (nenit 162 të Kushtetutës dhe Ligjit nr. 05/L-053 “për Dhomat
e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”). Ajo është pra një
institucion gjyqësor i Republikës së Kosovës... i zhvendosur në Hagë.
Kjo
krijesë shumë origjinale shpjegohet vetëm me emocionet që ngjalli raporti
Marty, i miratuar në mënyrë masive nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të
Evropës në janar 2011. Pretendimet për trafik organesh njerëzore, që përmbante
raporti, ishin me natyrë tejet çnderuese për rezistencën shqiptare: disa
robërve serbë u qenkëshin hequr organe të cilat qenkëshin “eksportuar” pastaj
përmes aeroportit të Tiranës për t’ua vendosur pritësve jashtë shtetit. Raporti
hedh mendimin se kjo paskësh ndodhur me qindra herë. Krimi qenkësh i përbindshëm.
Shumë tmerre ishin parë tashmë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, si masakra e
Srebenicës, e kryer nga serbët dhe e cilësuar si gjenocid nga GjPNJ-ja. Mirëpo
kësaj radhe do të shihnim që edhe shqiptarët nuk mbetkëshin prapa në punë
tmerri: Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) paskësh bërë tregti fitimprurëse me
organe të marra nga robër serbë!
Raporti
ishte, në të vërtetë, produkti i një prej operacioneve më të suksesshme të
dezinformimit që prej shembjes së regjimeve komuniste. I kurdisur prej shërbimeve
të fshehta serbe, ai mori një mbështetje vendimtare nga ana e shërbimeve ruse.
Te një i zgjedhur zviceran, Dick Marty, ai gjeti një idiot të dobishëm mjaft
efikas . Raporti i tij është një përmbledhje e hartuar me dhelpëri duke u nisur
nga shënimet e shërbimeve të fshehta serbe si edhe nga dosjet e akuzave të
GjPNJ-së ose të gjykatave të Kosovës. Pak rëndësi kishte që ato dosje nuk
kishin të bënin fare me trafik organesh njerëzore. I gjithë raporti Marty luan
në thelb me sugjerimin, insinuatën ose probabilitetin.
Emocionet
që ngjalli ky raport i shtynë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të
krijonin, në shtator 2011, një “Grup Pune të Posaçëm Hetimor” (Special
Investigative Task Force). U ra dakord për të caktuar në krye të tij në
prokuror amerikan, Clint Williamson. Në maj 2012, Kuvendi i Kosovës miratoi një
ligj për bashkëpunimin me këtë grup pune, çka i dha mundësi këtij të fundit të
kryente një hetim penal të pavarur rreth pretendimeve që përmbante raporti.
Më
29 korrik 2014, pas më shumë se dy vjet hetimi, prokurori Williamson, gjatë një
konference për shtyp në Bruksel, deklaroi që trafiku i organeve nuk mund të
vërtetohej veçse në “më pak se dhjetë raste”. Ai shtoi: “Të ekzagjerohen
shifrat ose të thuhet se çdo serb i vrarë apo i shpallur i zhdukur qenka bërë
objekt i ndonjë heqjeje organesh nuk i shërben kurrfarë interesi, por vetëm sa
shton dëshpërimin e familjeve të personave të humbur, sepse nuk ka asnjë provë
të vetme”.
Si
nata me ditën në krahasim me ato qindra raste që sugjeronte raporti Marty! Dhe,
domethënia e fjalëve “më pak se dhjetë” mund të ishte fare “zero”. Mirëpo edhe
kaq mjaftonte që aleatët amerikanë dhe evropianë të ndiheshin të detyruar që të
ushtronin një trysni miqësore mbi udhëheqësit e Kosovës: këta duhej të votonin
përmes Kuvendit të tyre një ligj për krijimin e Gjykatës së Posaçme.
Mes
klasës politike kosovare debati qe i dhimbshëm, sepse thjesht ideja që të
votohej për krijimin e një gjykate të posaçme ishte e padurueshme. Por mesazhi
që po u jepej ishte i qartë: ose votoni ligjin e tregoni që nuk keni pse të
trembeni lidhur me trafikun e organeve, ose mos pranoni dhe do të konsiderohet
se jeni fajtorë për krimet e urryera që pretendohen në raportin Marty. Më në
fund, me mbështetjen e pikërisht këtyre udhëheqësve që sot ndodhen të burgosur
në Hagë, ligji për krijimin e Gjykatës së Posaçme u votua në Kuvendin e Kosovës
me një shumicë prej dy të tretash.
Pikërisht
kjo gjykatë e ka prodhuar aktakuzën kundër Hashim Thaçit dhe tre
ish-udhëheqësve të tjerë të lartë të UÇK-së, të bërë publike më 4 nëntorin e
kaluar . Një aktakuzë tek e cila nuk gjen dot absolutisht asgjë lidhur me
pretendime për trafik organesh.
Vërtetohet
kështu plotësisht që udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe amerikanët janë
mashtruar keqas nga një operacion dezinformimi të përmasave të mëdha. Por,
prapëseprapë, suksesi i këtij batakçillëku mbetet i plotë.
Ai
qëndron në vetë ekzistencën e Gjykatës së Posaçme. Si edhe në një aktakuzë që,
ndonëse nuk përmban asgjë lidhur me trafiqe të pretenduara organesh, mund të
çojë megjithatë në dënime shumë të rënda. Hashim Thaçi dhe tre ish-udhëheqësit
e tjerë të UÇK-së, sot të burgosur në Hagë, akuzohen në fakt se paskan krijuar
një “sipërmarrje të përbashkët kriminale”. Sipas aktakuzës, ata “ngarkohen
secili personalisht me përgjegjësi penale” për krime lufte dhe krime kundër
njerëzimit të kryera nga kjo sipërmarrje gjatë luftës, më 1998-1999, dhe në
vitin 2000. Aktakuza as që do t’ia dijë fare se ata vetë nuk paskan qenë
veprues të drejtpërdrejtë të atyre krimeve, as se një pjesë e atyre krimeve
qenkan gjykuar tashmë në suazë të disa juridiksioneve të tjera, GjPNJ-së apo
gjykatave të Kosovës. Ajo që paraqitet si një “sipërmarrje kriminale” është
organizata e Rezistencës, kurse ata që shihen si penalisht përgjegjës për krime
që ajo paskësh kryer janë ish-udhëheqësit e saj.
E
gjithë kjo është e papranueshme. Është e papranueshme, jo sepse krimet e
pretenduara në aktakuzë – keqtrajtim ndaj robërve, akte torture, ekzekutime pa
gjyq, vrasje “tradhtarësh”, “bashkëpunëtorësh me armikun” apo kundërshtarësh
politikë të hamendësuar – nuk paska sesi të jenë kryer nga Ushtria Çlirimtare e
Kosovës dhe nuk u dashkan gjykuar. E papranueshme ajo është për dy arsye
thelbësore.
E
para është se ekzistenca e Gjykatës së Posaçme në Hagë nuk përligjet dot
përveçse me pretendimet për trafik organesh nga ana e raportit Marty. Mungesa
në aktakuzë e trafikut të organeve e bën këtë gjykatë të papërligjur.
Arsyeja
e dytë është se, duke gjykuar në Hagë, do të bëhej një padrejtësi. Gjykimi në
Hagë do të nënkuptonte, faktikisht, që t’i jepet Gjykatës së Posaçme një status
të cilin ajo nuk e ka: atë të një gjykate penale ndërkombëtare. Mirëpo, në një
gjykatë të tillë, nuk do të mund të gjykoheshin krimet e kryera nga Rezistenca
shqiptare pa u gjykuar aty gjithashtu edhe krimet e kryera nga forcat e
sigurisë, ushtria dhe paraushtarakët serbë në Kosovë. Krimet e luftës dhe
krimet kundër njerëzimit që ata kanë kryer janë mjaft të shumta, masive dhe të
dokumentuara mirë. Lënda nuk mungon aspak për të ngritur një dosje akuze, madje
edhe për krim gjenocidi. Sidomos tani, njëzet vjet pas përfundimit të luftës,
kur gati një mijë trupa shqiptarësh të Kosovës, të zhdukur në vitet 1998-1999,
janë zbuluar në disa varre masive në Serbi, dhe kur së fundmi janë gjetur përsëri
trupa të tjerë në një minierë kripe në afërsi të Rashkës. Në qoftë se do të
gjykohej vetëm njëra nga palët – ajo e sulmuara, Rezistenca – dhe nuk do të
gjykohej pala tjetër – ajo agresore, fuqia pushtuese –, atëherë do të bëhej një
padrejtësi. Do të shkelej parimi i trajtimit të barabartë mes palëve, të cilin
duhet ta respektojë çdo gjykatë penale ndërkombëtare.
Për
këto arsye, por edhe për të ndalur atë që po shfaqet gjithnjë e më shumë si një
mekanizëm djallëzor, duhet të merret një vendim: të mbyllet Gjykata e Posaçme
dhe të transferohet dosja e akuzës në Kosovë. Këtë vendim, Kuvendi i Kosovës
mund ta marrë. Nuk do të ishte fare fjala për të ndërprerë një procedurë
gjyqësore. Thjesht, procesi që duhej të zhvendosej në Hagë, do të rikthehej në
Prishtinë.
E
mira do të ishte që nismën për këtë ta marrë Bashkimi Evropian. Ai mund të
konsiderojë që përligjet një kërkesë për transferim të dosjes së akuzës drejt
gjykatave të zakonshme të Kosovës. Këtë mund ta bëjë përpara se Kuvendi i
Kosovës të shprehet vetë dhe të shkaktojë një krizë me aleatët e tij evropianë
e amerikanë.
Të
pranohet që procesi të mbahet në Hagë do të ishte një padrejtësi (shkelje e
parimit të trajtimit të barabartë të palëve në konflikt). Për Bashkimin
Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, kjo do të ishte njëlloj sikur ata të
vazhdonin të pranonin që t’i tërhiqnin nga hunda. Mbyllja e kësaj gjykate të
posaçme do të ishte gjithashtu më i pakti ndër sanksionet që meritojnë autorët
e këtij mashtrimi të madh.
Serge Métais
Autor i librit Histoire
des Albanais. Des Illyriens à l’indépendance du Kosovo (Histori e shqiptarëve.
Nga ilirët deri te pavarësia e Kosovës) të botuar në Francë më 2006 nga shtëpia
botuese Fayard e të përkthyer edhe në shqip e në bullgarisht.
***
INTERVISTË
Për çfarë e keni
saktësisht fjalën kur flisni për “mekanizëm gjyqësor” i cili mund t’u shndërrohet
në “mekanizëm djallëzor”?
Mekanizëm
djallëzor unë quaj një gjykatë të posaçme që mund të katandiset të veprojë me
gjaknxehtësi, me teprime, me pushtet të pakufizuar, me humbje të sensit të
masës.
I
tillë do të ishte, për t’i thënë gjërat më shkoqur, një dënim me burgim të
përjetshëm për të akuzuarit. E gjitha kjo është e mundshme, në bazë të një
aktakuze që konsideron se ata kanë ngritur e drejtuar një “sipërmarrje të
përbashkët kriminale” (UÇK-në?), fajtore për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Mospranimi
për t’u dhënë të akuzuarve lirimin me kusht më duket se nuk ndjell asgjë të
mirë.
Pse doni që të mbyllet
Gjykata e Posaçme?
Më
duket se e kam parashtruar qartë qëndrimin tim në artikullin që kam shkruar. Ka
dy arsye thelbësore:
Së
pari, mungesa e pretendimeve për trafik organesh, në aktakuzë, bën që Gjykata e
Posaçme ta ketë humbur tashmë çdolloj legjitimiteti.
Së
dyti, një proces në Hagë i jep faktikisht kësaj gjykate të posaçme një status
të cilin ajo nuk ka sesi ta mëtojë, statusin e një gjykate penale
ndërkombëtare. Mirëpo është e paimagjinueshme që, në një gjykatë penale
ndërkombëtare, të gjykohet vetëm njëra nga palët në konflikt. Në qoftë se
gjykohet vetëm pala shqiptare, pa u gjykuar pala serbe, do të kishte një
prishje të barazisë së trajtimit ndërmjet palëve. Kjo do të ishte një
padrejtësi e kulluar.
Personeli i Gjykatës së
Posaçme (gjyqtarë e prokurorë) është ndërkombëtar. Ndërkohë, ju keni mendimin
që mbyllja e kësaj gjykate mund të vendoset nga Kuvendi i Kosovës. A e ka ky vërtet
këtë kompetencë?
Gjykata
e Posaçme nuk është krijuar përmes ndonjë rezolute të Kombeve të Bashkuara. Ajo
nuk është ngritur as nëpërmjet ndonjë traktati mes shtetesh.
Ajo
është një institucion i Republikës së Kosovës. Është krijuar me një ligj të
votuar nga Kuvendi i Kosovës. Gjithçka që është e bërë me ligj, mund të zhbëhet
me ligj.
Nuk
ka asnjë mekanizëm institucional mbishtetëror që të mund ta pengojë shkrirjen e
Gjykatës së Posaçme dhe transferimin e dosjes së akuzës te gjykatat e Kosovës,
në Prishtinë. Dhe kjo, që nga momenti në të cilin Kuvendi i Kosovës do të
votonte një ligj në këtë drejtim.
A nuk keni frikë se kjo
gjë mund të shkaktojë një krizë midis Kosovës dhe aleatëve të saj, evropianë
dhe amerikanë?
Sigurisht,
kriza do të ishte serioze.
Idealja
do të kishte qenë që nisma të vijë nga vetë amerikanët ose evropianët të cilët
ranë në kurthin e mashtrimit të madh të raportit Marty. Por nuk duhet të kemi
iluzione: ka fare pak gjasa që ata ta ndërmarrin vetë hapin e parë.
Kuvendi
i Kosovës mund të veprojë në dy faza:
-
Si fillim, ai mund të votojë thjesht një rezolutë ku të merret në konsideratë
mungesa e pretendimeve për trafik organesh në dosjen e akuzës. Dhe mjafton që
kjo rezolutë të vendosë ngritjen e një komisioni të ngarkuar me hartimin e një
projektligji për shkrirjen e Gjykatës së Posaçme dhe transferimin e dosjes së
akuzës në Kosovë.
-
Vetëm në një fazë të dytë, Kuvendi mund ta votojë pastaj ligjin që do ta
zhbënte atë që është bërë me ligjin e vitit 2015.
Ndërkohë,
kriza do të ishte hapur me aleatët. Ajo do të jepte rastin për një debat rreth
mashtrimit të madh pjellë e të cilit është Gjykata e Posaçme, rastin për të
rikujtuar kushtet tejet të veçanta në të cilat u ngrit kjo gjykatë, e kështu me
radhë.
Kuptohet
vetvetiu që kriza e çelur përmes votimit të rezolutës duhet të çojë në
negociata me aleatët. Projektligji që do të votohej më pas mund të shfaqet
atëherë si fryt i një marrëveshjeje.
A mendoni ju që do të
mund të gjykohen ndonjëherë në Hagë krimet e kryera nga serbët në Kosovë?
Jo.
Krimet e kryera nga ushtria, forcat e sigurisë dhe paraushtarakët serbë gjatë
luftës së viteve 1998-1999 nuk mund të gjykohen nga Gjykata Penale
Ndërkombëtare, sepse kjo është krijuar vetëm në vitin 2002 dhe kompetencat e
saj nuk janë prapavepruese. Madje, gjykimi i këtyre krimeve nuk është as në
kompetencën e Gjykatës së Posaçme për Kosovën.
Krimet
e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimi i gjenocidit të kryera nga serbët
në Kosovë nuk do të gjykohen pra kurrë në Hagë. Nëse ato do të gjykohen
ndonjëherë, kjo mund të ndodhë vetëm në suazën e gjykatave të Serbisë ose të
Kosovës.
Pikërisht
edhe për këtë arsye, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit për të cilat
akuzohen sot udhëheqësit e UÇK-së do të duhej të gjykohen në Prishtinë. Për sa
kohë që ndaj tyre nuk është ngritur kurrfarë akuze lidhur me trafik organesh,
nuk mund të ketë asnjë justifikim që procesi i tyre të jetë i zhvendosur në
Hagë.