Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: V. Anathema!

| E enjte, 04.02.2021, 09:29 PM |


Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa e VI)

V. ANATHEMA !

Toka me qiellin............ -valën e mallkimeve,

të shkrepi mbi kokën      -e gjithë hipokritëve!

Breshni i shigjetave         -të dyndi, e rebéshi,

kudo që të ndeshi               hipokrizinë!

Asht lëkundun bésa         -e miqve dhe e vëllazënve,

mbrenda brenë ténja         -ndër votra të familjeve;

e pranë blerimëve             -të njâj gêmi ullini,

shpallë shkrûmi e hini           hipokrizinë!

Era helmuese                     -prej gropës së errësinave,

po u prishë pranverën     -rinisë edhe luleve!

Kudo që të dredhuna        -rranjët të kétë ngulë,

bini me e zhgulë                  hipokrizinë!

Karikaturë                         -e fésë dhe e shenjtënve,

që ban të përbuzet             -era e virtyteve!...

Por, jo, se luleve                -u përgjegjë fryti,

nuk lidhë virtyti                  hipokrizinë!

Farizé i kalbun,                  -lësho puthje figureve,

zhyt në ujë të békuem      -tier lamshin e lutjeve

e të filaktérëve                    -s’rrêhët njerëzia,

as Perendia                            me hipokrizinë!

Toka me qiellin                   -valën e mallkimeve,

të shkrepi mbi kokën         -e gjithë hipokritëve!

Breshni i shigjetave             -të dyndi, e rëbéshi,

kudo që të ndeshi                  hipokrizinë!

Anathema – dëbim, mallkim.

CONFITEOR

O Zot, hipokrizisë unë ia vervita

shigjetat e mallkimet pa u kursye;

por, trupin me trup vrava, pse në sy të Tú

jam vétë, përlye me hipokrizi!

Mbi mue randojnë e më shtypin ato “Vaje”,

që lëshove Ti njëditë mbi Farizéj...

Mos jam unë Farizé i tipit të ri ?!

Pastroj përjashta ênën me kujdes,

e mbrenda asht mbushun plot me kalbësinë,

mizen pështyj’e dévën kapërdijë...

Shikoj qymen në sy të tjerëve e, vetë kam tranë...

Për të fitue ‘i shpirt kërkoj unë tok’e détë

e, kur ta gjejë, e baj ma të zi se vehtën...

Me kyçin që më besove, o Zot, unë derën

vedit ia mbylla, e të tjerë nuk lashë të hyjnë mbrêndë

e, me të verbtit prijës i vérbët, të dy në gropë ramë...

Emnin Tand në gojë e, zemrën larg prej Téje,

vegël tue të ba e kapak ndër të zeza të mija,

Tý, që, jé veç Drejtësi, Tý, që, për hir’

Të së Vërtetës Shênjte, çove vehtën në Kryq!...

Mallkime dhe shigjeta unë meritoj, që,

lëshova gurë mbi të tjerë, si t’ishëm vetë i dlirtë...

Confiteor!... Po, mos vállë ky rrëfim,

asht prap hipokrizia e hipokrizisë ?!!..

Confiteor: Rrëfej fajin (shih: Matt.H. 23, 1-33 etj.)

VI.   L U T J E  !

O Zoti’ em, ma fal sinqeritetin,

ma jep instinktin me e njohun n’erë

hipokrizinë; Ti më jep edhe guximin,

të vërtetën vehtës me ia thanë pa frikë,

si kirurgu m’ia vue thikën gangrenës;

hydren me e shtypë, sa herë kërkon t’ çojë krye,

mos të jém’ unë ujk i veshun me lëkurë kingji,

as varr i zbardhun jashtë e, mbrêndë kufomë!..

O Zoti em, ma jep sinqeritetin

e fëmijës së pafajshëm, të thjeshtë e pa mashtrim!

O Zoti em, ma jep sinqeritetin

e njerëzve vullnet-mirë, që, paqë lypin,

me vehtën e me shoqin e, me Tý!

Oh, kjo lutje nuk asht,

nuk asht   h i p o k r i z i !

Shenim F.R.: Ata që e kanë ndigjue prej At Mëshkalles, nuk besoj se

e harrojnë këte poezi...

Melbourne, 1 Shkurt 2021.