| E shtune, 23.01.2021, 07:55 PM |
"Rrathë" i Camajt - një roman postscriptum dhe epitaf mbi varrezën e romanit socrealist shqiptar
Nga
Agron Tufa
Më
ra këto ditë me ri-lexue mbas shumë vitesh romanin "Rrathë" të
Camajt. Më shungullon koka si koshere nga mendimet prej kësaj proze të fortë,
të thellë, si sistemi i rrjetëzuem i pyjeve me rrënjët e lisave, me dheun,
shkambinjtl dhe gurët. Dhe çfarë pas-shijeje e paharrueshme letrare! Çfarë
teksti (nënteksti) me përshkrime, filozofime, monologje, pleqnime, kuvendime
alegorike! Fjali të gjata, të akordueme si tela instrumentash! Ese të
mirëfillta me gjykime mbi artin, rolin, traditën dhe risinë, estetikën dhe
etikën, që mbajnë diskursionin e personave që sillen e përsillën si në rrathë
të ngallmuar, pa shtegdalje. Labirinte makthesh. Romani i kompozuar thjesht e
filozofikisht në triadë pjesësh: rrathë uji, rrathë zjarri, rrathë gjaku.
Rrethi i fundit, si sintezë e tezës dhe antitezës në një alkimi qeniesh
njerëzore e natyrore, e cila nuk don t'i dorëzohet shpërbamjes nga trysnia
ideologjike e gjoja, së resë. Andaj kjo Qenie, e shumta, mvesh maskë, siç dhe
ka të shkruem pergamena e maskës në gjuhë klasike:
"Fryma
ime asht e ngujueme këtu
Dhe
sytë e mi nuk vrejnë të brishtit
E
trajtave landore të shekullit".
Gjithaq
e kapun për tradite asht ceremonia e sektit pagan, që.ka një funksion të qartë
alegorik në roman, atë të mosndryshimit në thelb, përnën maskë.
Rravgimi
i personazheve idealistë të dy kohnave - traditës që mbahet me kreshnikë
(Folkloristi) dhe Novelistit (e reja), ashtë rravgim idealistash, poetësh. E
reja me panatyrshmërinë, dhunën dhe karakterin skartues ideologjik i vret të dy
palët për llogari të shfytyrimit e denatyrimit total me propagandë e dhunë,
duke i ngujuar, të dështuar, në një kohë të pakohë, të ngrime, asfiksuese.
Truku
me përjetimin metafizik të kohës si traumë dhe iluzion idealist shpërthen
filozofikisht në këtë roman. Personazhi qëndror i narrativës Novelisti ose
Agoni (një emër ambiguid - agim apo agoni?), nuk mund ta rrokë dot kohën
lineare, sepse ka mbetun i ngujuem në dështimin e idealit të vet në njëfarë
Trekëndshi Bermude që quhet Ripa e mesit, midis malesh. Vetëm kur zbret në
qytet atij ia bën me dije e dashtuna, të cilën e ka përdhunue, se kanë kaluar
mbi 20 vjet.
Idealistat
dhe andrrat e tyrne dështojnë, rrjedhimisht jashtë andrrave nuk ka kohë të
matshme, të përjetueshme: pesha e dhunës deformon perceptimin e rrjedhës morale
e emocionale të Kohës.
Sepse
Koha e Re e Bashkësisë (Kooperativës/komunizmit) e vrau personalitetin dhe
personin. Andaj, në fund të romanit, kur Agoni (tanimë agonia) ndesh ish të
dashtunën, Sosen, me djalin regjizor (me gjasë i tij), i cili ka përshtatë
suksesshëm për teatër kukullash novelën e pabotueme/pabotueshme të Agonit
"Shtëpia mbas malit", auktori i alienuem i novelës i thotë të
birit-regjisor:
"Dashunia
asht thelbi i Kohës dhe koha vetëm si e tillë nuk tkurret, qoftë ajo e kalueme
në veprim apo në letargji".
Mbase
Camaj në shllimet e tij ka mendue si me i dhanë trajtë artistike e filozofike
pezmit të tij mbi Gjuhën, Traditën, Shpirtin dhe Artin në Shqipninë Totalitare,
sepse ky roman më duket si një Postscriptum dhe Epitaf njiherësh mbi Vorrezën e
romanit socrealist shqiptar.
Camaj
i ka pushtue këto maja me gjuhën e begatë leksikogramatikore të gegënishtes së
tij letrare, të reformueme. Çka mundet me përfaqësue një vepër letrare? Gjuhë e
ma së parit Gjuhë. Mandej, mendimi heideggerian të ndërmend, se te gjuha janë
të tretuna të tana dijet e mençunitë.
Për
ankthin e katastrofën e andrruesve që gjallojnë faqet e romanit të Camajt, asht
përdorë një atmosferë e pambërrijtshmënisë posaçe, si tek romanet e Kafkës,
veçanërisht me Gjeometrin K, te "Kështjella".