Kulturë
Ndue Dedaj: Sonetet e muzës së origjinës
E merkure, 20.01.2021, 07:08 PM
SONETET E MUZËS SË ORIGJINËS
(Sot
shkrimtari kosovar, me origjinë nga Mirdita, Hasan Hasani do të mbushte 74
vjeç)
NGA
NDUE DEDAJ
Kur
poeti i viseve gjakovare Hasan Hasani shkruante dhe botonte më 1967 lirikat e
“krojve të bardha”, brenda atyre ndjesive poetike gurgullonte si një jehonë
iliriane dhe Gurra antike e Domgjonit të Mirditës, që buron prej gjinjve të
Munellës, jo si prej atyre të Rozafës. Ama e saj kishte shtegtuar bashkë me
paraardhësit e tij si një muzë e pashterrshme e origjinës, tek e cila ai do të
kthehej një ditë, kur nuk do të ishte më i ri, por as plak. Me një tufë
sonetesh kushtuar Gjergj Fishtës dhe “lahutmalsiasve” të kombit, si një
mjeshtër i vonë i lëvrimit të këtij lloji të poezisë klasike.
M’u
kujtua takimi me këtë shkrimtar, në Tiranë, në një nga Panairet e Librit, afro
17-18 vite më parë, ku “bujtina” e librit kishte bërë të takoheshim dhe me Din
Mehmetin e Ali Podrimjen. Hasani qëndronte matanë banakut të shtëpisë botuese
“Faik Konica” dhe priste e përcillte lexues dhe krijues. Iu tregonte atyre për
librat e rinj, përfshi dhe “Leksikonin e Shkrimtarëve Shqiptarë” (2003), vepër
e tij, që sapo ishte botuar. “Ju kam përfshirë dhe ju, por me pak rreshta, pasi
nuk kisha informacion të mjaftueshëm”, m’u drejtua dhe e hapi fletën aty ku
gjendej emri im dhe libri poetik “Ajsbergu i hanës” etj. “Po patët mundësi më
shkruani më shumë për vete dhe për të tjerë autorë të publikuar nga shtëpia
botuese “Mirdita”, shtoi. Ishte një burrë i qeshur dhe i përzemërt. Pas fjalëve
për “Leksikonin” ai më tha se ishte me origjinë nga “Mirdita”, nga Domgjoni i
Fanit, por nuk kishte qenë asnjëherë atje.
Më
qe ngulitur në kujtesë, me atë rast, rrëfimi i tij i shpejtë aty para vitrinës
së “Faik Konicës” për të parët e tij, që pasi ishin shpërngulur në Gjakovë,
ishin bërë disa familje, për më tepër dybesimshe dhe se ai ishte rritur me
kultin e Mixhës Llesh Domgjoni, ungjit të tij katolik, kujtimin e të cilit
“netëve të egra të viteve pesëdhjetë” e kishte si një mit. Nuk është e rastit
që në librin e tij përnderues “Mirditë dhe mirditorë” ky personazh emblematik i
fisit të tij është aq i pranishëm. Kur vinte ai: “...në kullën e bacës Mehmet
Gëzimi
kthente përmbys dhe trarët…
E
kënga e harlisur dridhte kullën!”
Më
vonë mora vesh se shkrimtari Hasan Hasani kishte shkuar në Domgjon, në vendin e
origjinës, duke i shtuar mbiemrit të tij dhe atë të rrënjëve mirditase,
Përkola, kishte zënë miq të vyer në krejt Mirditën, si dhe në Lezhë e Kurbin.
Në vendorigjinë tashmë ai ndjehej si i shtëpisë, shkruante reportazhe të
frymëzuara për njerëz dhe vende të bekuara, si dhe poezi të thekura. Rrallë
kush e ka poetizuar Mirditën si ai, në mos vetëm Gjok Beci, me një varg këngësh
të kënduara nëpër festivalet kombëtare të Gjirokastrës. Me këtë libër kushtim
për Mirditën dhe mirditasit, Hasan Hasani-Përkola, ky poet i njohur trojve
shqiptare i ka bërë vend vetes në “panteonin” mirditor, çka do të thotë se e
meriton një titull nderi nga kjo trevë historike dhe institucionet e saj bashkiake.
Në
prill të vitit të kaluar, 2020, marr prej tij një ftesë në Facebook. E
falenderova duke i thënë se do të kishte qenë dasht me ua ba unë ftesën Juve. I
kujtova atë takimin në Tiranë, si dhe e urova për një botim së fundi të
revistës “Illz” kushtuar veprës së tij letrare. “Kur të vini në Mirditë, do të
ishte kënaqësi e veçantë me e pi një kafe bashkë”, e mbylla.
Ai
ma ktheu: “Të faleminderit vëlla mirditor, Ndue Dedaj! Vërtet jemi takuar shumë
vite më parë. Po vitet po bëjnë të veten. Dhe janë bërë bukur shumë. Po
nejse... Sot lexova në Facebook për librin tuaj më të ri poetik “Mjegullat e
gjenezës”. Menjëherë hapa kompjuterin dhe e vendosa këtë titull të ri në
“Leksikon”, nëse ribotohet ndonjëherë. Unë vërtet këto dy vjetët e fundit kam
vizitue Mirditën - Domgjonin, vendin e origjinës, po dhe Arrëzin, Kaçinarin
etj. Pak vonë, por më mirë vonë, se hiç. Dhashtë zoti e u lirofshim nga ky
izolim i frikshëm (koronavirusi), e do të takohemi. Kafe po se po, do pimë. Po
dhe nga një raki... E zgjata. Po u gëzova që komunikuam. Të përshëndes nga
zemra”.
Pas
një telefonate të tij, u takuam më pas në Rrëshen, një ditë vere, ashtu si
kalimthi (ishte pa kohë), sa për të më dhuruar librin e tij “Mirditë e
mirditorë”, për fat të keq, për të mos u takuar më. Ajo që ai e quante “izolim
i frikshëm” e mori përgjithnjë, duke lënë pas një kujtim njerëzor të çmuar dhe
një vepër letrare dinjitoze, ku libri i tij kushtuar Mirditës dhe mirditorëve
është si një margaritar që nuk do ta humbasë kurrë shkëlqimin e artit, mirësisë
dhe të miqësisë. Ka aq shumë adresa mirditore në të, aq shumë përjetim e
adhurim për figura të shquara, vargje në të cilat ai ka lënë shpirtin e tij.
Ndoshta, në njëvjetorin e shuarjes së autorit, më 1 dhjetor 2021, ka për t’u
kujtuar ndokush nga njerëzit e artit për të bërë një “teatër poetik” me poezitë
më të zgjedhura të këtij libri.
Nuk
ishte i pari Hasan Hasani që kishte ardhur nga Prishtina në Mirditë për të
gjetur të parët e vet, gurin e caranit. Në fillim të viteve ’90 pati ardhur një
tjetër studiues dhe shkrimtar i Kosovës, profesor Anton Çetta, pajtimtari i
madh, ku pati shkuar dhe në Fan, për t’u “takuar” me origjinën tij, me ç’rast dhe qemë takuar në Rrëshen.
Ashtu siç, tash tridhjetë vjet, dhe ne të tjerët kemi shkelur viseve të
Gjakovës, Prizrenit, Pejës etj. për t’u parë me “gjakun” tonë atje...
I
paharruar miku ynë shpirtbardhë, autori i të parit Leksion të Shkrimtarëve
Shqiptarë, që i përbashkove ata në një libër.
NDUE DEDAJ, 16-01-2021